34 C
Tirana
E premte, 17 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Poezi nga Rexhep Çullhaj – VENDLINDJA – CV

Poezi nga Rexhep Çullhaj – VENDLINDJA – CV

0
Rexhep Çullhaj

Dallaverexhiut poezi nga Rexhep Çullhaj

S’ka më porta, s’ka më kufij,
ju i keni bërë të gjitha të tejdukshme si mashtrim.

Ku ligji lodhet, ju filloni punën,
ku e drejta mbyll sytë, ju hapni dyqanin.

Ju nuk hyni — ju shpërndaheni,
si tym i zi në ajrin e ftohtë të arsyes.

Veprimet tuaja s’kanë emër të vetëm,
se ndryshojnë fytyrë sa herë ndryshon interesi.

Era s’është më erë,
është justifikim.
Rastësia s’është rastësi,
është skenar i përsëritur.
E vërteta s’është e vërtetë,
derisa kalon në filtrin tuaj të përfitimit.

S’ju duhen armë, jo —
ju keni mësuar ta bëni plagën pa gjak,
ta bëni goditjen pa zhurmë,
dhe turpin pa dëshmitarë.

Fjala në dorën tuaj nuk flet — negocion,
nuk shpjegon — devijon,
nuk ndriçon — verbon me shkëlqim të rremë
si ar që shkrihet në premtime.

Dhe kur bota kërkon drejtim,
ju ofroni mjegull të paketuar si “zgjedhje”.

Kur kërkon të vërtetën,
ju shisni versione —
me ulje, me ofertë, me afat skadimi.

Dallavere, dallavere në çdo gur themeli,
si monument që ngrihet mbi harrimin e qëllimshëm.

E duartrokitur nga ata që s’kanë parë tjetër gjë,
e pranuar nga ata që lodhen duke pyetur.

Por koha nuk harron.
Ajo thjesht mbledh faturat —
dhe një ditë i lexon me zë të lartë.

Babait Abdullah poezi

Lindur në vitin 1928,
me duar që mbanin erën e drurit
dhe forcën e gurit.
Ndërtues profesionist,
usta i heshtur i jetës sonë,
qante punën me shpirt,
e çdo djersë e kthente në bukë,
në siguri për fëmijët e tij.

Unë të shihja si mal,
si strehë ku nuk hynte frika.
Punove pa u lodhur që ne të shkolloheshim,
që ëndrrat tona të kishin dritë.
Ke punuar në Elbasan, në metalurgji,
e deri në Shkodër me sakrificën tënde të gjatë,
me vitet 72 mbi supe, pa u ankuar kurrë.

Ishe familjar model,
me arsim modest,
por me mendje të artë.

Orator i rrallë,
flisje bukur e drejt,
me logjikë që bindte këdo.

Autoritar kur duhej,
por i thjeshtë fare në zemër.

Një burrë që nuk kërkoi lavdi,
por la pas respekt,
dashuri dhe emrin e mirë
të një babai që nuk harrohet kurrë.

Poezi nga Rexhep Çullhaj

VENDLINDJA

Në lagjen time dua prapë të shkoj,
Ku zemra ime nisi të rrahë e të jetojë.
Muret prej guri më presin me mall,
Si prindër të heshtur pas një ndarjeje të gjatë.
Çatia me plloça ende rri krenare,
Edhe pse koha e ka lodhur ngadalë.
Shtëpitë pranë, dikur plot jetë e hare,
Sot flasin veç me kujtime e mall.
Si t’i harroj rrugicat e ngushta vallë,
Që mbanin hapat e fëmijërisë sime?
Tek Erzeni zbresnim me gaz e me fjalë,
Drejt mullirit përtej bahçeve me gjelbërime.
Për dije u nisa ende fëmijë,
Larg vendlindjes mora udhë.
Por zemra më kthente çdo stinë,
Tek prindërit, tek dashuria pa fund.
Kur kthehesha, çudi më kapte çdo herë,
Muret e gurta sikur s’plakeshin dot.
Po flokët e nënës, të babait të mjerë,
I kishte zbardhur koha pikë-pikë si lot.
Sot ky vend më duket më i heshtur,
Shtëpitë të rrënuara, dyer pa zë.
Gurët e lëmuar, dikur aq të bukur,
Presin kujtimet që s’kthehen më.
Megjithatë, mes pemëve plot hijeshi,
Ngrihen vila e kulla me ngjyra të reja.
Vizitorët ndalen me shumë admirim,
Sepse kjo tokë ruan shpirtin e saj.
Në mes prehen të parët tanë,
Mes lulesh, qiparisash e qetësisë së amshuar.
Sa shumë punuan për këtë vatër shqiptare,
E sot pushojnë me nder të merituar.
Pak më tej ngrihet memoriali i gurit,
Që fëmijë e shihja të rritej çdo vit.
Në mermer janë gdhendur emrat e bijve,
Që ranë më 1913 në gjak e në dritë.
Burra e gra, fëmijë të pafajshëm,
Që barbaria i mori pa mëshirë.
Historia qan për ta çdo mëngjes,
Dhe kujtesa nuk i lë kurrë në errësirë.
Në lëndinë një varr të ndal shikimin,
Me lule mbuluar e shumë dashuri.
I zoti i tij jetoi për punën e nderin,
Dhe toka e bekon në përjetësi.
Kur vendlindja ime quhet Tiranë,
Zemra më mbushet me dritë e krenari.
Tiranas lind, nuk bëhesh me fjalë,
Këtë e dëshmon vetë historia e saj.
Nga jugu e veriu, nga lindja e perëndimi,
Njerëzit erdhën për jetë e shpresë.
Tirana i priti me zemër e mirësi,
Si një nënë që s’bën kurrë dallim mes bijve të vet.
Ky qytet do të jetojë brez pas brezi,
Me këngë, kujtime e ëndrra pa fund.
Njerëzit ndryshojnë si stinët e motit,
Por Tirana mbetet përgjithmonë në vend.
Rreth saj qëndrojnë kështjella krenare,
Që sfiduan kohën me gur e lavdi.
Flasin për shekuj, beteja e fitore,
Për rrënjë të lashta e trimëri.
Vendlindja mbetet plagë e ëmbël në zemër,
Kudo që jeta të na çojë.
Mallin për të nuk e shuan as koha,
As largësia që vitet shtojnë.
Sepse vendlindja është fryma e parë,
Është zëri i nënës, është buka në sofër.
Është emri që thërret shpirtin me mall,
Dhe drita që s’fiket kurrë në zemër.

Tirona poezi nga Rexhep Çullhaj

Në zemër të fushës ku fryn historia,
u ngrit një qytet me emrin Tiranë,
nga dora e Sulejman Mulleti,
pash i pari, që mbolli gurë e la amanet kalanë.

Dhe erdhi fjala si dritë mbi gurë,
Ethem Beu me shpirtin plot mirësi,
bëri xhaminë mu në zemër të qytetit,
që ezani të ngjitej bashkë me dashuri.

Në fusha sporti oshëtin ende
emri i Agim Fagu legjendar,
si shqiponjë mbi parket fluturonte,
me djersë e krenari kombëtar.

E dinastia Mema në futboll la gjurmë të arta,
me topin që fliste si këngë në shi,
tribunat brohorisnin plot zjarr,
si zemra e Tiranës në rini.

Në skenë doli zëri i pavdekshëm,
Reshat Arbana me shpirtin si det,
fjalët e tij u bënë flamur,
që kombi i ruan si amanet.

Selman Stërmasi me emrin në stadium,
kujtesë që nuk shuhet kurrë,
ku djemtë ëndërrojnë fitore
dhe qyteti bëhet më burrë. ¨

Përmendet Hasan Petrel me Petrelët krenarë,
si lisat që rrënjët s’i thyen furtunë,
dhe doktor Mentori Isuf Petrela,
që nderin e mbajtën si kurorë në punë.

Beqir Balluku me emër të rëndë,
e Abdyl Këllezi i zoti në mendim,
u bënë pjesë e kohës së trazuar,
si hije e dritë në çdo kujtim.

Myslym Keta trim i gjallë në legjendë,
22 vjeç me zemër si mal,
Tirana e thërret në heshtje,
si bir që nuk vdes kurrë në ballë.

E pastaj vjen buzëqeshja e artë,
Skënder Sallaku e Met Bega mjeshtër humori e dritë,
që i dha këtij qyteti gaz,
kur netët bëheshin të ftohta e të mërzit.

Me penën e Hysen Sinani,
me Bedri Alimehmeti e Skënder Jasa pranë,
u shkruan kujtime për Tiranën,
si yje që s’bien në asnjë anë.

E ngjyrat morën frymë në telajo nga Sali Shijaku,
Alush Shima, Sadik Kaceli e Buron Kaceli me shpirt artisti,
Lili Tafaj muzikante…
si dritë që ndez çdo brez qytetari.

Kjo është Tirana — zemër që rreh,
me emra që koha s’i fshin dot kurrë,
qytet i njerëzve që lanë histori,
me shpirt, me art, me zemër burrë

Më dt 17.07.2026


CURRICULUM VITAE REXHEP ÇULLHAJ

Datëlindja: 1959 Vendlindja: Tiranë, Shqipëri Vendbanimi: rruga Ramada çitaku Ubt Tiranë

ARSIMI
• Shkollë e mesme – Specialiteti: Agronomi
• 1983 – Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) Diplomuar: Zooteknik i lartë

EKSPERIENCA PROFESIONALE
• 7 vjet – Përgjegjës Sektori Dajt, Shëngjergj
• 2 vjet – Specialist në M-B
• 4 vjet – Mësues i Biologjisë dhe Kimisë e lëndë profesionale
• 7 vjet – Sekretar i Këshillit të Komunës Paskuqan
• 1984–2007 – Këshilltar në Komunë
• Zv/kryetar i Komunës Dajt (4 vjet)
• 2 vjet – Drejtor (Fonder Mek SHA), Bashkia Tiranë

VEPRIMTARI POLITIKE
• Kandidat për deputet Psd
• Kandidat për Njësinë Bashkiake (PSD)

VEPRIMTARI LETERARE DHE BOTIME
• 4 vëllime me poezi
• 1 vëllim me tregime
• 1 vëllim me fabula
• 1 vepër publicistike (“Udhës”)
• 6 libërtha me poezi dhe fabula
• Bashkautor në historinë e UBT-së
• Në vitin 2005 – botues fabler..

VEPRIMTARI BIZNESI
• Dy librari (UBT dhe Qendra Kamëz)
• Dyqane kancelarie dhe materiale shkollore
• Dy dyqane lodrash
• Dy dyqane arti/pikture
• Një dyqan çantash dhe kuletash
• Gjithsej: 10 njësi biznesi në pronësi me certifikatë (4 prej tyre të dhëna me qira)
• Distributor i librit shkollor
• Artikuj dhe shkrime në gazetat kombëtare
• Paskuqan njësi rreth 982 m2.

PUBLIKIME DHE NJOHJE
• Artikuj të shumtë në shtypin kombëtar
• Intervista në: TVSH, Ora News, TV Koha
• Vlerësime nga autorë dhe studiues si: Ibrahim Kabili, Mevlud Buçi, Qazim Shehu, Ali Lleshi, Nesim Fusha, Imer Hysa, Sali Leka, Dugagjin Hata, Spase Thanasi, Shefqet Meko, Luan Kaceli, Eliaz Bakiu

VEÇANTI
• Udhëtar në 69 vende të botës
• Aktiv në fushën letrare, kulturore dhe eksplor.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.