25.1 C
Tirana
E enjte, 16 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj DICK-u DHE RRJETI PANSLLAV

DICK-u DHE RRJETI PANSLLAV

0
Elife Luzha - me flamur

Autore:
Elife LUZHA

Të dashur miq,

Shkrimin që po e ndaj sot me ju e kam shkruar më 2010. Por, pas deklaratës së ministres serbe në Beograd, e pashë të arsyeshme ta ripublikoj, pasi mendoj se tema mbetet aktuale edhe sot.

Ju falënderoj për mirëkuptim!

Serbia, e ndodhur nën trysnitë e Bashkimit Evropian për përmbushjen e kritereve të integrimit, ku nga njëra anë i kërkohet të dorëzojë kriminelët e luftës, ndërsa nga ana tjetër të pranojë publikisht realitetin e shtetit të Kosovës, ka intensifikuar sulmet kundër Pavarësisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Nuk ka dyshim se Serbia asnjëherë nuk ka zgjedhur mjete apo metoda për të nëpërkëmbur e poshtëruar popullin shqiptar, gjë që e dëshmojnë memorandumet serbe të hartuara vit pas viti për shfarosjen e shqiptarëve.

Dihet tashmë se rrjeti pansllav, me qendër në Beograd, i bekuar edhe nga kisha ortodokse serbe, prej vitesh harton strategji  dhe angazhon me pagesë, firma prestigjioze nëpër botë për të lobuar kundër shqiptarëve, duke synuar të ndikojë madje edhe te kongresmenët amerikanë.

Për këtë arsye, më 1999 u themelua lobi serb në Uashington, me një rrjet të degëzuar në Zvicër dhe vende tjera, dhe nga atëherë është angazhuar për publikimin e materialeve kundër UÇK-së dhe luftës për liri të shqiptarëve.

Në kuadër të këtij lobimi, rrjeti serb ka kontraktuar me pagesë të majme edhe firma të njohura, si “Venable”, e cila, përveç pagesës mujore prej 100 mijë dollarësh, paguhet edhe me 100 mijë dollarë shtesë, për publikimin e artikujve të ndryshëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarëve. Me shuma të mëdha parash janë angazhuar edhe personalitete të ndryshme në Zvicër, SHBA, Kosovë dhe vende të tjera për të shkruar artikuj kundër UÇK-së.

Lobistët serbë nuk i kanë fshehur kurrë përpjekjet e tyre për të krijuar një imazh negativ për shqiptarët. Megjithatë, kjo nuk e pengoi Vojisllav Koshtunicën të paguante 60 mijë dollarë në muaj firmën “Barbour Griffith and Rodgers” për të lobuar në favor të interesave serbe.

Po kështu, Boris Tadiq angazhoi firmën “Chicago basin Advanced Practical Solutions”, e njohur për mbledhjen e fondeve për ish-guvernatorin e Ilinoisit, Rod Bllagojeviç, duke i paguar 85 mijë dollarë në muaj për t’i shërbyer propagandës serbe kundër shqiptarëve.

Në këtë kontekst, këto ditë jemi dëshmitarë të publikimit të një pamfleti tjetër propagandistik kundër shqiptarëve, apo projektraporti, siç e quajti zëdhënësi i Qeverisë amerikane.

Me një fjalë, Dick Marty, (tashmë i ndjerë), eurodeputet në Asamblenë  Parlamentare të Këshillit të Europës, duke keqpërdorur autoritetin e këtij institucioni, ngriti akuza kundër shqiptarëve me qëllimin e vetëm njollosjen e tyre.

I verbuar nga paragjykimet antishqiptare, ai mori përsipër rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit dhe publikoi projektraportin e motivuar politikisht së pari në medien “The Guardian”, e më pas raportoi para Asamblesë në Këshillin e Europës.

Miratimi i këtij projektraporti antishqiptar nga Asambleja Parlamentare e KE-së, nuk është për t’u habitur, kur kemi parasysh ndikimin dhe fuqinë financiare të lobistëve serbë. Megjithatë, është tronditës fakti se si në botën e qytetëruar demokratike mund të lejohet zbrazja e një arsenali të tërë shpifjesh, fyerjesh raciste kundër një populli të tërë.

Po aq befasues është fakti që z. Marty, ndonëse për vite me radhë kishte njohur nga afër realitetin e Kosovës, nuk tha asnjë fjalë për dëbimin me dhunë të rreth një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Ai nuk foli as për mbi 1800 shqiptarët e zhdukur, fatin e të cilëve edhe pas kaq vitesh po e mban peng Serbia.

Është po ky Marty, që u shpreh hapur kundër shtetit të Kosovës që në fillimet e pavarësisë së saj. Akuzat e tij ndaj shqiptarëve, me të cilat njollosen e fyhen të gjithë pa dallim, na kujtojnë egërsinë çnjerëzore serbe, kur vrasjet masive të shqiptarëve i arsyetonte me thënien se “shqiptarët janë njerëz me bishta”.

Gjithsesi, akuzat dhe pretendimet e z. Marty të shprehura në raportin kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovës janë fjalë boshe, për çka rrjeti pansllav për një dëshmi të rreme ofroi 300 mijë euro edhe në Kosovë.

Në këtë kuadër, narrativa e paraqitur në librin “Lufta ime” nga ish-prokurorja Carla Del Ponte, u riciklua nga Marty në formën e një deklarate politike  kundër shqiptarëve, duke anashkaluar faktin se pikërisht pretendimet e ngritura  në atë libër  kishin shkaktuar polemika të mëdha për çka autoritetet zvicerane e ndaluan publikimin e tij.

Carla Del Ponte mbeti e pakënaqur pas dështimit të përpjekjeve  të saj për t’i provuar këto akuza, prandaj bashkëpunoi me kolegun e saj, Marty, për t’iu rikthyer atyre. Ajo kishte dështuar edhe në vitin 2004, kur prokurorët e Administratës së Kombeve të Bashkuara konstatuan se pretendimet e saj, si dhe akuzat e ngritura nga Prokuroria serbe për Krime Lufte, ishin të pabaza. Në këtë rast shtrohet pyetja: akuzat që ngre z. Marty për të njëjtën çështje, a nuk janë shpërfillje e konkluzioneve të drejtësisë ndërkombëtare?

Marty dhe kundërshtuesit e Pavarësisë së Kosovës nuk iu gëzuan lirisë dhe përparimit të saj.

Por, do t’i apeloja z. Marty, se me pretendime të pabazuara dhe akuza të sajuara kundër vendit dhe kombit tim nuk mund të ndryshohet realiteti. Mosnjohja e këtij realiteti e bënë të pashmangshëm dështimin e tij.

Sepse e vërteta historike mund të sfidohet, por kurrë të zëvendësohet.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.