Autore:
Elife LUZHA
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike ndodhen sërish përballë nevojës për të arritur kompromisin e domosdoshëm, i cili do t’i hapte rrugë formimit të institucioneve të reja shtetërore. Megjithatë, mënyra se si janë deklaruar subjektet politike lidhur me këtë proces, krijon përshtypjen se nuk ekziston një vullnet i sinqertë dhe i përgjegjshëm për arritjen e një marrëveshjeje.
Siç duket, edhe më tej partitë politike mbeten të orientuara më shumë drejt ndërtimit të narrativave politike, të cilat do t’u shërbenin në betejat e ardhshme elektorale, sesa drejt arritjes së kompromisit që e kërkon momenti politik dhe interesi publik.
Pra, jo për të zgjidhur të tashmen, por për të fituar të ardhmen.
Kjo situatë më sjell ndër mend fjalët e George Orwell-it në romanin 1984, ku thotë: “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon edhe të ardhmen. Kush kontrollon të tashmen, kontrollon edhe të shkuarën”, një mendim që, në rrethanat tona politike, mund të nënkuptohet si përpjekje e secilës parti për të mbetur në kujtesën kolektive si mbrojtëse e shtetit, ndërsa përgjegjësia për krizën t’i atribuohet kundërshtarit.
Por, partitë politike duhet ta kenë të qartë se asnjë narrativë nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë politike që u takon. Se asnjë slogan nuk mund ta zëvendësoj detyrimin ndaj shtetit.
Nëse edhe kësaj radhe dështon ndërtimi i institucioneve të shtetit, përgjegjësia do t’u takoj pikërisht atyre që, me veprimet ose mosveprimet e tyre, kontribuojnë në këtë dështim.
Elita politike në Kosovë, një herë e përgjithmonë, duhet ta kuptoj, se demokracia nuk është vetëm garë për pushtet, por edhe kulturë kompromisi, dialogu dhe bashkëpunimi në shërbim të shtetit dhe qytetarit.
Po ashtu, duhet të kuptojë se cilësia e demokracisë nuk matet vetëm nga mënyra se si fitohet pushteti, por edhe nga mënyra se si ushtrohet ai.
Ata duhet ta kenë të qartë se qytetarët e Republikës së Kosovës tashmë kanë dëshmuar një vetëdije të lartë politike e qytetare dhe, më shumë se kurrë, dinë të bëjnë dallimin midis atyre që ofrojnë zgjidhje dhe atyre që krijojnë bllokada, midis atyre që paraqesin propozime dhe atyre që i refuzojnë ato.
Liderët politikë nuk duhet të harrojnë se historia politike na mëson se qytetarët mund t’i falin gabimet, por jo edhe mungesën e përgjegjësisë.
Prandaj, nëse edhe pas tri palë zgjedhjeve vendi mbetet pa institucione funksionale, liderët politikë duhet të jenë të vetëdijshëm se gjykimi i fundit do të jetë ai i qytetarëve.











