Me dashuri dhe përkushtim për Kosovën dhe çështjen kombëtare

0
3579
Ibrahim Kabili - Kosova dhe sfidat e saj

Atdheut nuk i shërbejnë të gjithë në të njejtën mënyrë,
por secili e bën atë që di dhe çka i ka dhënë Zoti

Johan W. Goethe

Vanila Sinani Kabili
Vanila Sinani Kabili

Mësuesi i apasionuar i historisë, krahas njohurive që zotëron , ka edhe një forcë të madhe analizuese për çështjet që shqetësojnë atdheun dhe kombin e tij…

Libri është vazhdim i mendimit historik, atdhetar dhe patriotik i tre librave të mëparshëm, si “Benda në rrjedhën e historisë” (me bashkëautor), “Atdhedashuria fillon nga vendlindja”, “Për historinë, arsimin dhe vlerat humane”, të shkruar nga ky vlerësues i çëshjeve atdhetare.

Libri “Kosova dhe sfidat e saj”, është libri më i ri i këtij autori. Ky libër është i strukturuar në katër krerë me 64 shkrime, që mbartin vlera historike, artistike, shprehin opinione dhe vlerësime të autorit mbi Kosovën, dialogun e saj me Serbinë, konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur, sovran dhe sfidat e mëdha që e presin atë në të ardhmen. Autori shkruan për disa ngjarje dhe dukuri që shoqërojnë realitetin e sotëm shqiptar në vitet e tranzicionit.

Kreu I – Për historinë dhe figurat atdhetare:
Atdheu dhe figurat atdhetare të Kosovës janë kryefjala e këtij kreu. Autori mbron me forcë argumentuese historinë e lashtë të Kosovës. Hulumton rreth qëdresës stoike të këtij populli nën udhëheqjen e figurave atdhetare, si: Isa Boletini, Idriz Seferi, Haxhi Zeka, Adem Demaçi, etj. Po kështu autori kujton dhe trajton me shumë finesë dhe profesionalizëm disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti. Lexuesi i ri, dhe jo vetëm, duke lexuar në mënyrë kronologjike mbi ngjarjet dhe datat historike të Kosovës, krijon ide dhe koncepte të qarta për Kosovën e lashtë dhe rrugëtimin e saj të vështirë për liri, pavarësi dhe çlirim shoqëror. Autori, me indiniatë të thellë, shpreh padrejtësitë që u kanë bërë shqiptarëve Fuqitê e Mëdha Evropiane në copëmin e territorit të tyre në gjashtë shtete…

Kreu II – Lufta e Kosovës për liri, pavarësi dhe çlirim shoqëror:
Autori na çon në fillim të gjysmës sê dytë të shekullit XX, në zhvillimin e demonstradave e viteve; 1968, 1981, 1997, etj. kundër dhunës dhe gjenocidit serb mbi Kosovës. Këto ngjarje të mëdha tronditën në themel ish-Jugosllavinë dhe Serbinë. Ato sollën kthesën historike të popullit shqiptar të Kosovës, nxitën luftën për liri dhe pavarësi. Me një punë të kujdesshme studimore, autori na përshkruan me detaje zhvillimin e këtyre ngjarjeve historike, kërkesat ekonomike dhe politike të shqiptarëve të Kosovës ndaj regjimit jugosllav, veprimtarinë atdhetare të disa prej figurave patriotike të kohës, dëshmorëve të Kosovës: Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Adem Jashari, Fehmi Ladrovci, Ismet Jashari, etj.

Autori nëpërmjet këtyre heronjve personifikon e nxjerr në pah gjithë kontributin e heronjve dhe luftëtarëve të lirisë që u flijuan për atdheun dhe sollën lirinë. Pa gjakun e të rënëve nuk mund të vinte liria. Pa kontributin e tyre nuk mund të vinte, pavarësia. Një rol të madh në këtë veprimtari atdhetare, për autorin, janë krijimi dhe veprimtaria e disa organizatave patriotike në vite, është krijimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është një vlerë e shtuar në gjithë historinë mijëravjeçare të Kosovës…

Në kreun e III – Kosova e pasluftës dhe sfidat e saj:
Një ndër pyetjet, më dominuese në libër, që autori bën për problemet midis Kosovës dhe Serbisë, është: “A mund të merret në tavolinë ajo që u fitua me gjak?” Shpresën për ruajtjen dhe kultivimin e asaj çka u fituan me gjak dhe vendosmëri, autori e ka te Amerika dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sytë, mendja dhe zemra e autorit është te situata në veri të Kosovës, Mitrovica. Te vendi i fisit të dardanëve, vendlindja e Isa Boletinit dhe shumë heronjve të tjerë. Kujton 17 shkurtin e vitit 2008 dhe rëndësinë e kësaj dite të shënuar, për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. “Bacë u kry” është thirrja që mbush zemrat dhe ngroh shpirtin e gjithë shqiptarëve.

Autori, thotë: “Kjo është preludi i mundit, djersës, sakrificave shekullore, torturave mbinjerëzore ndaj shqiptarëve, e gjakut të derdhur lumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Vlerëson zonjën e nderuar të Kosovës, presidenten Osmani, një pasardhëse në paqe e të gjithë atyre që dhanë për këtë shtet. “Ajo është një zonjë e nderuar, serioze, e shkolluar më së miri”- thotë autori.

Dhe ashtu si shqiptari që në periudhë të vështirë, këndon… autori vlerëson festivalin e parë në RTK-në e Kosovës. Na shpalos me fisnikëri vargjet e këngës fituese. Këngë më të mira do të ketë në festivalet në vijim…

Në kreun e IV – Ngjarje, realitete, refleksione:
Kujton me superlativa dhe admirim figura që kanë dhënë ndihmesë të madhe në historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Kujton ndërhyrjen e NATO-s në bombardimin kundra Serbisë.
Bill Klinton është një mik i madh që e tregon dashurinë e tij në momente të vështira.

Ashtu si thoshte dikur Migjeni “Përditë shoh qartë e më qartë dhe vuaj thellë e më thellë”.
Ibrahimi e vuan shumë situatën e shqiptarëve në Shqipëri. Urren maksimalisht grykësinë, zhvatjen, abuzimin… Në këtë “luftë të ftohtë” kundër së ardhmes së vendit të tij, të cilin ai e do aq shumë. Dhe për këtë beson shumë te drejtësia e re.

E shqetësojnë deri në neveri, pseudopolitikanët, të cilët nuk shohin interesat atdhetare, por ato personale. Nuk pret “de jure” nga ata, por” de fakto”, sepse ligjin e bën dhe” Maliqi”.
Autori është një atdhedashës i flaktë që jo vetëm shkruan, por edhe ndjen, përjeton, shqetësohet, hulumton, ngre zërin.

Si njeri me virtute, ai kërkon të mbijetojë. Revoltohet kundër atyre që shkelin ligjin dhe rregullat morale, që shtypin të drejtat njerëzore dhe cënojnë kufinjtë territorialë të vendit.
Dënon krimet në familje, është mbrojtës i të drejtave të gruas, nënës, pasi nga një nënë që e do me zemër, lindi.

Faik Konica, ka thënë: “Kur merr një detyrë ki disilinë dhe durim”.
Kush më shumë se Ibrahimi i përgjigjet kësaj thënieje. Merr përsipër të shkruajë, shkruan deri në kufinjtë e ekzistencës.

Thotë, bën, korigjon, është koherent dhe i vendosur të hulumtojë çdo ditë materialet e pafundme nga realiteti.

Ashtu si ka thënë Kadareja “Ka gjithmonë kohë që njeriu të bëjë diçka për vendin e tij”. Në kreun e fundit Ibrahimi ka shkruar dhe ka vlerësuar gazetarin, patriotin dhe atdhetarin, Marin Mema. Marini është një mbrojtës i flaktë i çështjes kombëtare dhe Kosovës…
Këto ide, mendime dhe vlerësime gjeta unë në brendësi të librit, të shkruar nga Ibrahimi Kabili, “ Kosova dhe sfidat e saj“.

Duke e falenderuar për besimin që pati ndaj meje për redaktimin dhe korrektimin gjuhësor të librit, i uroj jetë të gjatë dhe suksese në libra të tjerë! Libri ka vlera për lexuesit në përgjithësi dhe brezat e rinj në veçanti. Duke e njohur nga afër autorin e librit, aftësitë e tij profesionale, mendimin kritik të tij dhe vendosmërinë për t’ju shkuar në fund gjërave, mendoj se ai na ka dhënë në duar një libër me vlerë. Kjo është rruga më e mirë për t’i shërbyer atdheut…

Vanila Sinani Kabili
Tiranë, më 27.12.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.