27.8 C
Tirana
E hënë, 22 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj KUR T’NA DUHET TË BALLAFAQOHEMI ME VETEN…

KUR T’NA DUHET TË BALLAFAQOHEMI ME VETEN…

0
Llesh Ndoj

OPINION

Paralele kohësh që ulurasin: – Vigjilencë!

Nga Llesh NDOJ

Ndonëse për nga përmasat dhe nga forma, protesta aktuale antiqeveritare është e pashoqe në historinë tonë relativisht të re, kthesat historike që kanë marrë zhvillimet në këtë vend, gjithnjë me përkrahje masive popullore, nuk janë të parat. Ndoshta nuk ia vlen të futem në historinë e largët, edhe sepse brezi i sotëm i protestuesve përgjithësisht nuk lexon histori, përveç rrjeteve sociale dhe sejcili prej tyre do të më thoshte se kohërat kanë ndryshuar, dhe se analiza ime bazohet në premisa të gabuara, por po ndalem në ngjarjet e më pak se një shekulli, ngjarje që kanë akoma dëshmitarë të gjallë gjyshërit e këtyre që protestojnë sot, jo për të ulur protestat, as për t’i nënvleftësuar ato, por për të potencuar nevojën e padiskutueshme për vigjilencë e pjekuri, nevojën për qartësi politike e garanci institucionale se cilat do të jenë shinat e sigurisë për të ardhmen, në mënyrë që ngjarjet të mos përsëritin vetveten si në një “de ja vu”, qoftë edhe thjesht për të ekonomizuar kohën e vlefshme, e për të mos u gjendur si gjithnjë në kundrakohë.

Protesta aktuale, krejt e pashembullt në formë e kohëzgjatje, tashmë po bëhet e pa shoqe edhe në përmbajtje. Pjesmarrja mikse qytetare, kryesisht me shqiptarë të Shqipërisë, por edhe me shqipfolës emigrantë e jo shtetas shqiptarë, po shoqërohet edhe me një paqartësi infantile të kërkesave të artikuluara, dhe mbi të gjitha të rrugëve se si ato do të mund të shndërrohen nga ëndërrime rinore, në një realitet të prekshëm. Protestat nisën me parulla të pastra mjedisore, “Jo investimit në Zvërnec se dëmton mjedisin e pasur natyror”, morën si simbol flamingot apo pelikanin kaçurrel, u pasuruan me thirrje mbi të drejtat e pronës (gjë që është një mishmash dokumentar e korruptiv në të gjithë Shqipërinë, me burime jo vetëm qeveritare e as vetëm aktuale), tashmë kanë mberritur në parullën e pastër politike “Dorëheqje Edi Rama!”, ndërkohë që gjithçka tjetër mes këtyre dy artikulimeve të pastra, ashtu si edhe rruga për realizimin e tyre, veç shembullit të pashoq për veprime paqësore, mbeten një amalgamë e vërtetë. E në një amalgamë, as pika e ngrirjes, as ajo e shkrirjes, nuk mund të përcaktohen lehtë, as proporcionet e ingridentëve nuk mund të gjenden saktësisht të tillë që produkti i tyre të ketë qëndrueshmëri. Pra, nuk është qartësuar ku duam të shkojmë, si duam të shkojmë e kush duhet t’a drejtoje “trenin – shtet” në rolin e makinistit, elementë këto që janë jo garnitura, por thelbi i problemit.

Protestuesit janë përpjekur deri më sot të mbajnë distancë nga politika, duke harruar si padashje se historia nuk njeh mjet tjetër veç saj për realizimin e shndërrimeve të kërkuara, është përpjekur të jetë e distancuar nga të gjitha palët politike ekzistuese, ndërkohë që nuk po “pjell” një palë të re. Ȅshtë kundra të gjithëve, por ka në përbërjen e saj disa parti të vogla neomarksiste e neopopuliste, ashtu siç nuk është distancuar qartazi nga të tredhurit e Ramës e të Berishës, që pasi i kanë vjel pa asnjë psherëtimë të mirat korruptive e pushtetore në kurriz të popullit që vuan, nga qeverisjet e këtyre të dyve duan, në mos rrëmbimin e protestës, të paktën të garantojnë nga një karrige prej saj.

Unë…, qofsha i vetmi, akoma nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të artikuluar nga protogonistët e protestës, se kush do të jetë raporti ynë i ardhshëm me Europën? A jemi të përcaktuar edhe në vijim për bashkim me familjen e madhe Europiane apo jo? E duam Shqipërinë si gjithë Europa, është ndër të paktat parulla që s’është shfaqur kurrë në këtë protestë ku secili folës shpik një parullë të re, ose unë nuk shoh qartë!
Pak më tej….

Alencat e kombit tonë me kombe të tjera janë luhatur gjithnjë në vartësi të erërave politike, që kanë fry këndej e andej kufive të shqiptarëve, por në thelb afirimi i mirënjohjes sonë ndaj kombit amerikan, ka qenë vijues dhe ka mbetur gjithnjë e njëjta në popull. Madje kjo edhe në errësirën qorre komuniste, nuk ndryshoi sa i takon ndjeshmërive popullore. “Zëri i Amerikës” edhe atëherë mbeti zëri i shpresës për liri. Qeveritë e Enverit, Saliut e … , Zot mos, edhe kjo e Ramés (!), që luajtën nga ky aks, u shkundën si mani për shkak të ekscentrizmit të manifestuar. Askund, nga askush e asnjëherë të vetme, veç ndonjë flamuri rastësorë, nuk e pash të artikulohet kjo gjë në protestën aktuale, pa hamendësuar se sfondi i nisur i saj ka elemente anti.

Le të ecim edhe pak më tutje: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhëtarëve”, burg këtij e atij, toka t’u kthehet të zotëve etj., janë parullat tipike që vijojnë, por askund nuk gjen një shprehje, se ç’shtet duam të ndërtojmë pas kësaj stuhie – proteste? Duam shtet komunist që i bën të gjitha vetë, shtetëzon pronat e i rishpërndanë ato sipas meritave “në revolucion”, duam shtet demokratik, ku pushtetet ndahen e burgun e shqipton vetëm gjykata, apo shtet ku burgun e përcakton partia dhe e ekzekuton turma, duam shtet ku të drejtat e njeriut prevalojnë, e vdekja është shpallur herezi përballë të drejtës natyrore për jetën, apo shtet ku katundçe mund të digjesh edhe në turrën e druve, ku po ashtu mund të të digjet shtëpia e të priten pemët, mund të dëbohesh nga fshati, të leçitesh, etj. Duam shtet ku dënimi, si atribut i gjykatës, nuk i nënshtrohet gjykimeve popullore, apo shtet ku në emër të lirisë, “gjykojmë”, nëpërkëmbim e poshtërojmë, përmes fuqisë së mediave, këdo e sido, mjaft t’a kënaqim oreksin popullorë.

Këtu lindin së paku dy probleme:
– Së pari, a e duam shtetin demokratik, apo jo?
– Së dyti, a e dallojmë dot kufirin mes diktaturës dhe demokracisë përfaqësuese?
Unë jam me protestën, si zgjim i vetëdijes popullore, se qeveritarët s’mund të jenë tjetër, veçse shërbëtorë të të qeverisurve. Unë e dua protestën si mësim se një qeveritar, i çdo rangu qoftë edhe me 100% të votave të ketë ardhur në pushtet, s’mund të jetë i pakufizuar në pushtetin e tij, e i duhet periodikisht dhe në mënyrë të pa vesuar t’a verifikojë mbështetjen ndaj vetes, duke pyetur drejtpërdrejt sovranin. Afatet 4 – vjeçare janë limite për të mos u kaluar, jo kufinj para të cilëve populli duhet të heshtë. Por thënë e pohuar hapur sa më lart, unë kam frikë nga turmat, nga thirrjet, nga duartrokitjet frenetike, jo nga ç’mund të bëjnë ato në kohë reale, por nga produkti që sjellin e nga pasojat që përgjithësisht ato janë të prirura të pjellin.

E mbajmë mend shumica jonë, ata që jemi mbi pesëdhjetë, kur turma e protestuesve e inspiruar nga Partia Demokratike e sapolindur, u drejtua nga ish – blloku, e po të mos ishte intelektuali i përgjegjshëm Neritan Ceka që e devijoi turmën me një megafon, lufta mes veti pa të fituar, mund të ishte parashikimi më i afërt. Se turmat pjellin e ushqejne diktatura, pavarësisht qëllimeve apo maskave që përdorin. Këtu s’mund të mos sjell si kujtesë disa paralele, si e potencova edhe në fillim të këtij shkrimi. Jo për ndonjë gjë, por gjithnjë popujve do t’u duhet të ballafaqohen me vetveten, ashtu si qeveritarëve do t’u duhet të ballafaqohen me popullin, e koha e re digjitale këto ballafaqime i bën më të shpeshta, lehtësisht të mundshme e humnerat mes asaj çfarë deshëm e çfarë realizuam gjithnjë e më të dallueshme, prandaj duhet të kujdesemi që së paku, të mos na vije turp nga vetja në këto ballafaqime.

Komunistët erdhën në pushtet në vitin 1945 pas një mbështetje mbarëpopullore që morën, nisur kryesisht nga qëndrimi ndaj pushtuesve, por edhe nga premtimet e bujshme për liri e barazi shoqërore, për emancipim shoqërorë e progres ekonomik, për pjesmarrje të popullit në qeverisje, për arsim e shëndetësi falas etj. Ata u duartrokitën kur ua morën tokat ish – pronarëve e ua dhanë masave, sipas parimit “toka i takon atij që e punon”, u duartokitën kur ua mori pësëri, akoma pa i shijuar, poseduesve e ia kaloi shtetit, duke i xhveshur njerëzit edhe nga pronësia ndaj banesës personale e familjare, u duartrokitën edhe kur shpallën fenë opium për popullin e ata, të indoktrinuar, shembën kisha e xhami, u duartrokitën edhe kur familjen e shpërbënë dhe e kthyen vegël të partisë. Ç’ndodhi me tej? Dihet botërisht se nën duartrokitjet e thirrjet e turmës, u gjendëm populli më i varfer në Europë, të qeverisur nën diktaturën më monstruoze, që ishte njohur deri atëhere, e krahasueshme me atë nazi – fashiste, por me ngjyra të bukura sociale.

Nëntëdhjeta është e freskët. Turmat, gjithnjë nën parulla demokratike e me thirrje entuziaste “liri – demokraci”, premtimet e “çekut te bardhë” bazuar tek teoria e nivelit zero, shkatërruan me zjarr e vjedhje mundin popullor pesëdhjetvjeçarë, si të mos ishte i tyre. Ku shkuam? Kujtoni vitet 1996 – 1997, koha e firmave piramidale, ku maja e piramidës ishte partia – shtet e Sali Berishës, që gëlltitën si përbindësha gjithçka nga djersa jonë, kujtoni depot e hapura të armatimit, thirrjet luftënxitëse vëllavrasëse, e gjithçka të keqe që i pasoi ato. Rezultati? Edhe njëherë nga zero! Me ndihmën e ndërkombëtarëve e nën thirrjet (asokohe edhe me grykët e pushkëve!) të turmave, komunistët e reformuar u rikthyen në pushtet, më të përkrahur se kurrë. Por Fatos Nano harroi shpejt premtimin se shteti kishte ardhë, me kontratën “e nënshkruar” shesheve, për kthimin e çdo leku të humbur, e premtime te tjera plot, dhe “i mbyste” dhimbjet popullore në “xhin e zhveps”, ashtu si edhe me gallata e barcaleta edhe më të rëndomta se ato të pazarit. Rezultati? Berisha rinusëroi si “i virgjër”, tashmë duke i shtuar komponenteve diktatoriale që i kishte manifestuar edhe në qeverisjen e parë, edhe komponenten ekonomike e korruptive, pa kursyer edhe Gërdecin e armët e drejtuara në kokë të protestuesve, më 21 janar.

Rama erdhi si liberatori i madh e me ngjyra shumë, falë edhe profesionit të tij artist-piktor, por po rezulton zhgënjim i hidhur. Jo thjesht se hapat e zhvillimit janë të ngadalshëm, fushë ku duhet të pranojmë se ka bërë më shumë se të gjitha qeverisjet paraardhëse, por se ai harroi se kush e solli në pushtet. E solli partia socialiste, dhe asaj ja “futi” së parës, duke krijuar forcën e tij amalgame, rilindjen. E solli populli me votë, por e harroi këtë e për votat s’iu desh më populli, erdhi si përfaqësues i turmave të shumicës, dhe u kthye në përfaqësues të një pakice, sipas parimit stalinist: “S’ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron!”. Krijoi kështu hapur një familje pushtetare mafioze, thuajse para – politike, të pashoqe. Vetëm nuk është akoma vrastare e drejperdrejtë, përndryshe do të ishtë klika më e rrezikshme që ka qenë ndonjeherë në pushtet. Dhe e gjitha kjo e maskuar me parullën e dashur të integrimit europian.

Po tash, kur as parullat s’janë të qarta, as forca të strukturuara politike nuk i marrin mbi supe ndryshimet, ku entuziazmi i ngjyrosur i turmave të merr në qafë, çfarë presim? Edhe nëse dorëzohet Edi Rama, nuk është dorëzuar sistemi politik që ai perfaqëson. Ndonëse dukshëm të frustuar nga bëmat e veta e burgu që duhet t’u vije nga një sistem gjyqësor i pavarur e jorevolucionar, në vijim ata mund t’a përdorin edhe forcën, mjetin që deri me sot fatmirësisht nuk e kanë vënë në funksion. Nga ana tjetër Rilindja mund të ngrejë edhe 100 qeveri, të gjitha si kjo, dhe t’i fitoje zgjedhjet edhe nëse ato bëhen një herë në 6 muaj.
Po nëse rrëzohen Edi e Sala, a u rrëzua sistemi i tyre politik?

Jo! Forcat e reja të derisotme, të lidhura edhe me protestën nën rrogoz, janë ose neomarksiste, ose neofashiste (stimulohen edhe nga thirrjet e turmave në protestë!), dhe asgjë të re s’do të kemi. Prandaj duhet artikulimi politik ardhmërifirmues i kësaj proteste. Vetëm veprimet anti, s’më thonë asgjë! Cili do të jetë sistemi i ri politik? Cili do të jetë sistemi i ri zgjedhorë? Cila do të duhet të jetë secila nga tri kolonat e njohura të një pushteti demokratik? Cili do të jetë qëndrimi ndaj pronës, tregut të punës e iniciativës së lirë, ndaj turizmit dhe investimeve të huaja, ndaj integrimit, familjes, aleancave e shumëçkaje tjetër? Këto janë disa nga pyetjet, por jo të vetmet që duan një përgjigje konkrete, bazuar në një plan masash.

Nëse Rama e sistemi “vidh e shtyp”, apo “varfëro e sundo”, Rama – Sala reziston, protesta ose do shuhet, ose do rrëshkas në dhunë. Në të dyja rastet fiton edhe dreqi, por jo populli dhe e drejta. Prandaj kjo protestë kërkon krye, jo këmbë, për të cilat ka hyrë tashmë në histori, kërkon artikulim politik, jo çirrje zëri si në kohët parashtetërore me hunj e cfurçe, kërkon udhëheqje që t’i prije drejt një ndryshimi real, jo poezi tribunash, kërkon një kontratë të dyanshme, jo monologje cfilitëse, të tilla që i bën drejtuesit e ardhshëm lehtësisht, si të gjithë pararendësit e tyre, mendjemëdhenj për çdo hap apo arritje që ia atribuojnë vetëm vetes e të justifikuar për çdo dështim që gjithnjë e kërkojnë jashtë vetes.

A nuk bëri kështu Hoxha, ku rrethimi i egër imperialisto – revizionist ishte shkaktari i çdo dështimi, e ne revolucionarët shtrënguam rripin, duke i hapur atij vrima të reja për pesëdhjetë vite? A nuk ishin komunistët që në bashkëpunim me grekërit e të tjerë, Saliu i bëri shkaktarët e kurthit ku ra me skemat piramidale e me revolucionin gjysmë të armatosur në vend? A nuk po bënë të njëjtën gjë Rama, ku herë iranianët, herë tjetër grekërit, herë rrjetet sociale, herë algoritmet, herë antitrampizmi botëror, herë antismintizmi, bëhen shkaktarë të revoltës e të pakënaqësisë popullore, por kurrë jo ai vetë e bashkëpunëtorët e tij qeveritarë! Që të mos na ndodhë e njëjta gjë edhe pas kësaj, jemi në kohë me ia vu gishtin kokës. Ndryshe: – Ku ishe?, – hiçgjëkundi!; – Çfarë bëre?, – hiçgjë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.