Nga Violeta Hoxhaj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi.
Mitrovicë, 16 qershor 2026
Në Mitrovicë u përurua libri “Nxënësi është e ardhmja” i autores Lendita Uka Ibishi
Mitrovicë, 15 qershor 2026 – Në praninë e një audience të gjerë dhe të përbërë nga arsimtarë, shkrimtarë, familjarë, miq dhe dashamirës të librit, dje në ambientet e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë u bë përurimi i librit “Nxënësi është e ardhmja”, me autore mësuesen dhe veprimtaren e arsimit, Lendita Uka Ibishi.
Kjo ngjarje kulturore dhe arsimore u organizua nën përkujdesjen e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi.
Në hapje të ceremonisë, kryetari i kësaj shoqate, njëherësh edhe redaktor i librit, z. Hysen Ibrahimi, pasi përshëndeti të pranishmit, paraqiti vlerësimin e tij për veprën, duke theksuar rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me arsimin dhe rolin e nxënësit në shoqërinë bashkëkohore.
Sipas tij, autorja Lendita Uka Ibishi, e vetëdijshme për rolin themelor që arsimi luan në zhvillimin individual dhe shoqëror, i qaset kësaj vepre me një vizion të qartë pedagogjik dhe edukativ. Duke e konceptuar arsimin jo vetëm si një nga shtyllat kryesore të formimit të individit, por edhe si një proces kompleks që mundëson zhvillimin intelektual të nxënësit, kultivimin e të menduarit kritik dhe aftësinë për analizë racionale të realitetit shoqëror, kulturor dhe edukativ, autorja ndërton një qasje reflektuese dhe të mbështetur në përvojën e saj profesionale.

Në fjalën e tij, z. Ibrahimi nënvizoi se libri “Nxënësi është e ardhmja” i kushtohet nxënësve, prindërve dhe institucioneve arsimore, të cilat kanë rol të drejtpërdrejtë në mbështetjen dhe avancimin e procesit edukativo-arsimor. Përmes përmbajtjes së saj, vepra thekson rëndësinë e pajisjes së nxënësve me njohuri, kompetenca dhe vlera që u mundësojnë pjesëmarrje aktive dhe të përgjegjshme në jetën familjare, shkollore dhe shoqërore.
Më tej, ai theksoi se autorja e paraqet arsimin si një faktor kyç të zhvillimit ekonomik, forcimit të parimeve demokratike dhe ndërtimit të kohezionit social. Sipas tij, shoqëritë e arsimuara kanë kapacitete më të mëdha për t’u përballur me sfidat bashkëkohore, për të nxitur inovacionin dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Po ashtu, arsimi luan një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e barazisë sociale dhe krijimin e mundësive të drejta për zhvillim personal dhe profesional.
Në këtë kontekst, në libër arsimi nuk trajtohet thjesht si proces i përvetësimit të dijes, por si një mjet thelbësor për emancipim, zhvillim të qëndrueshëm dhe përparim të përgjithshëm shoqëror, çka përbën edhe boshtin tematik dhe vleror të veprës.
Gjatë promovimit u vlerësua edhe kontributi shumëvjeçar i autores në fushën e arsimit. U theksua se, përmes punës së saj në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Shaban Idrizi” në Zhabar të Mitrovicës, mësuesja Lendita Uka Ibishi është shndërruar në një model të përkushtimit dhe profesionalizmit në mësimdhënie.
Ajo dallohet për angazhimin e vazhdueshëm ndaj nxënësve, duke krijuar një mjedis mësimor të sigurt, mbështetës dhe motivues. Marrëdhënia e ndërtuar ndërmjet saj dhe nxënësve karakterizohet nga afërsia pedagogjike dhe besimi reciprok, elemente këto të domosdoshme për një proces mësimor cilësor dhe efektiv.

Gjithashtu, u theksua se vlerësimet pozitive të prindërve dhe të komunitetit arsimor për punën e saj pasqyrojnë përkushtimin profesional dhe human të autores. Me botimin e kësaj vepre, Lendita Uka Ibishi jo vetëm që pasuron profilin e saj profesional, por jep edhe një kontribut të çmuar në diskursin pedagogjik dhe arsimor shqiptar.
Përurimi i librit “Nxënësi është e ardhmja” u shndërrua në një ngjarje domethënëse, duke dëshmuar edhe një herë se investimi në arsim dhe vlerësimi i figurës së mësuesit mbeten ndër shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të shoqërisë.
Një nga dimensionet që e bën më domethënëse veprën “Nxënësi është e ardhmja” është edhe rrugëtimi personal dhe profesional i autores Lendita Uka Ibishi, i lidhur ngushtë me traditën familjare të përkushtimit ndaj arsimit.
Angazhimi i saj në botimin e kësaj vepre nuk paraqet një nismë të rastësishme, por një vazhdimësi të natyrshme të misionit edukativ që ka shoqëruar familjen e saj ndër breza. E rritur në një mjedis ku libri, dija dhe shkolla kanë zënë vend qendror, autorja ka trashëguar këto vlera nga babai i saj, Sokol Uka, veteran i arsimit dhe tashmë në pension.
Përkushtimi, sakrifica dhe dashuria e tij për nxënësit kanë ndikuar dukshëm në formimin e autores, duke e frymëzuar që edhe ajo ta zgjedhë profesionin e mësueses jo vetëm si karrierë, por si një mision të mirëfilltë jetësor. E mbështetur vazhdimisht nga familja dhe e udhëhequr nga shembulli i babait, Lendita Uka Ibishi ka ndërtuar identitetin e saj profesional mbi vlerat e përgjegjësisë, humanizmit dhe përkushtimit ndaj edukimit të brezave të rinj.
Një dëshmi e këtij respekti dhe mirënjohjeje u shpreh edhe me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, kur autorja i kushtoi një mesazh prekës babait të saj, duke e cilësuar atë si udhërrëfyes, frymëzim dhe koleg në rrugën e arsimit.
Në urimin e saj, ajo shkruante:
“Urime 7 Marsi, baba, shoku dhe kolegu im. Ti je udhërrëfyesi dhe frymëzimi im në rrugën e dijes dhe të ngritjes intelektuale. Ti që shpërndave dituri brez pas brezi; ti që, edhe në kohët më të vështira, u qëndrove pranë nxënësve të tu; ti që asnjëherë nuk u pajtove me mbylljen e shkollës shqipe; ti që punove pa u lodhur në arsim, ndërsa ne sot mburremi me ty. Dua të shpreh sa e lumtur jam që trashëgoj profesionin tënd dhe që ec në hapat e tu. Uroj që Kosova të ketë gjithmonë mësimdhënës si ti. Të duam shumë!”
Përmes këtij vlerësimi, autorja nënvizon rolin dhe kontributin e Sokol Ukës, i cili, edhe në rrethana të vështira historike e shoqërore, ka mbetur i palëkundur në misionin e tij si mësimdhënës dhe mbrojtës i shkollës shqipe. Përkushtimi dhe integriteti me të cilin ai e ka ushtruar profesionin paraqiten si burim frymëzimi për brezat e rinj të edukatorëve.
Rrugëtimi i Lendita Uka Ibishit në arsim dëshmon se vlerat e trashëguara mund të shndërrohen në angazhim konkret dhe të qëndrueshëm në shërbim të dijes. Ajo shpreh krenarinë për faktin se ka ndjekur të njëjtën rrugë profesionale si babai i saj, duke uruar që sistemi arsimor në Kosovë të ketë gjithmonë mësimdhënës të përkushtuar dhe me integritet të lartë profesional.
Kontributi i familjes Uka në arsim nuk kufizohet vetëm te autorja dhe babai i saj. Edhe motra dhe vëllai i saj kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të angazhuar në këtë shërbim të rëndësishëm ndaj edukimit të brezave të rinj. Kjo vazhdimësi familjare dëshmon për një përkushtim të rrënjosur thellë ndaj arsimit si vlerë shoqërore dhe kombëtare.
Në kuadër të promovimit të librit, fjalë rasti mbajtën edhe recensentet e veprës, profesoreshat Kaltrina Haxhiu dhe Shpresa Bajrami, si dhe profesorët Shqiptar Shaljani dhe Mustafë Haziri. Të gjithë vlerësuan lart përmbajtjen e librit, mesazhin që ai përcjell dhe punën e autores Lendita Uka Ibishi, duke e cilësuar veprën si një kontribut të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe pedagogjisë.
Emocione dhe mirënjohje në fjalën e autores Lendita Uka Ibishi gjatë promovimit të librit “Nxënësi është e ardhmja“.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, autorja e librit “Nxënësi është e ardhmja”, Lendita Uka Ibishi, shprehu emocionet dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ka marrë në rrugëtimin e saj drejt botimit të veprës së parë.
Ajo tha se, pas gjithë vlerësimeve dhe urimeve të marra gjatë promovimit, e kishte të vështirë t’i përshkruante ndjenjat që po përjetonte, duke u ndier e mbushur me gëzim, krenari dhe falënderim.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, autorja falënderoi kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, z. Hysen Ibrahimi, kryetarin e Shoqatës “Podguri”, z. Nuredin Imeri, kolegët, familjarët dhe nxënësit e saj.
Sipas autores, promovimi i këtij libri përbën një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj, pasi vepra lindi nga dashuria për arsimin, nxënësin dhe misionin fisnik të mësuesit.
Ajo theksoi se libri nuk është vetëm një përmbledhje shkrimesh, por një pjesë e rrugëtimit të saj personal dhe profesional, ku secila faqe bart përkushtim, sakrificë dhe dashuri për shkollën dhe nxënësit.
Një pjesë e veçantë e fjalës së saj iu kushtua familjes. Me emocione të thella, autorja shprehu mirënjohjen për prindërit e saj, duke theksuar se sakrifica dhe mbështetja e tyre kanë qenë themel i çdo arritjeje të saj. Ajo falënderoi gjithashtu bashkëshortin dhe vajzat e saj për dashurinë, durimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, duke i cilësuar ata si forcën dhe lumturinë më të madhe në jetën e saj.
Mirënjohje të veçantë autorja shprehu edhe për Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, nën përkujdesjen e së cilës u realizua promovimi i librit. Në mënyrë të posaçme, ajo falënderoi redaktorin e veprës, z. Hysen Ibrahimi, për përkushtimin dhe punën e palodhshme në procesin e botimit.
Sipas saj, ishte pikërisht motivimi dhe besimi i tij që ndikuan që shkrimet e saj të merrnin formën e një libri. Ajo vlerësoi faktin se kontributi i tij u dha me dashuri për librin, dijen dhe kulturën shqiptare, pa asnjë interes material.
Fjalë falënderimi autorja drejtoi edhe për Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë, e cila mundësoi financimin e botimit. Në këtë kuadër, ajo shprehu respekt dhe mirënjohje të veçantë për Ermira Spahiun, për mbështetjen dhe angazhimin e saj në realizimin e projektit, duke e cilësuar këtë ndihmë si dëshmi të përkushtimit ndaj promovimit të vlerave arsimore dhe kulturore.
Po ashtu, autorja falënderoi recensentet e librit, Kaltrina Haxhiu dhe Shpresa Bajrami, për vlerësimet profesionale dhe mbështetjen e tyre, si dhe lektorët Fidan Baliu dhe Muhamed Ibrahimi, për kontributin e dhënë në përgatitjen gjuhësore dhe profesionale të veprës.
Mirënjohja e saj u shtri edhe ndaj shtypshkronjës “Printing Press”, e cila bëri të mundur realizimin fizik të botimit.
Një moment veçanërisht emocional ishte përmendja e Mimoza Azemit, moderatores së promovimit dhe ish-nxënëse e autores. Lendita Uka Ibishi tha se për një mësuese nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohë nxënësit e saj të rriten, të arrijnë suksese dhe të shkëlqejnë në profesionet që zgjedhin.
Ajo e falënderoi Mimozën për respektin dhe vlerësimin e treguar, duke shprehur bindjen se e ardhmja do ta gjejë atë të suksesshme në fushën e dizajnit.
Në përmbyllje të fjalës së saj, autorja theksoi se libri është fryt i një pune të përbashkët dhe i mbështetjes së shumë njerëzve që besuan në këtë projekt. Ajo shprehu dëshirën që lexuesit të gjejnë në secilën faqe të veprës emocion, motivim dhe dashuri për dijen.
Duke falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme, Lendita Uka Ibishi e cilësoi promovimin e librit të saj të parë si një moment të paharrueshëm në jetën e saj personale dhe profesionale.











