Mentor Kikia
Paralelisht me protestën, në Tiranë po zhvillohen edhe tri ngjarje të tjera:
– “Shqipëria Bëhet” po mbledh firma për referendume, për të shfuqizuar dy ligje, “Ivenstitori Strategjik” dhe “Paketa e Maleve”
– Një lëvizje pro familjes, po mbledh firma për një peticion për të shfuqizuar një urdhër qeveritar për trajtimin hormonal të minorenëve.
– Një grup OJF-sh po mbledhin firma për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Duket një angazhim qytetar dhe politik i pa ndodhur më parë, edhe pse çështjet që adresohen në referendumet që synohen, adresohen edhe nga protesta. Në fakt, protesta nisi për një investim strategjik dhe përfundoi me një kërkesë për qeveri teknike dhe ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve.
Nuk di nëse nismat do të plotësojnë njëra-tjetërn apo do ta rivalizojnë njëra-tjetrën, në kuptimin e angazhimit qytetar në raport me protestën. Por doja të shtoja një “këshillë” për protestën.
Protesta është një energji njerëzore e jashtëzakonshme, që por derdhet rrugëve të Tiranës dhe disa qyteteve të tjera, brenda dhe jashtë vendit. Ajo tashmë nuk është më për Zvërnecin.
Ajo është shndërruar në një aktor dhe faktor politik. Por, numri i madh i pjesëmarrësve nuk mjafton, po ashtu edhe memet pikante dhe të goditura, për aq kohë sa sheshi të shërbejë që dikush të shajë, dikush të denoncojë e dikush të tregojë hallet e shtëpisë së tij.
Protesta duhet të ketë një axhendë politike, nëse vërtet duan ta çojnë përpara si të tillë.
Një axhendë të artikuluar, të shkruar, të adresuar dhe me afate.
E gjithë kjo energji nuk duhet të përdoret për shfuqizimin e një ligji(nëse ia arrin) apo me krijimin e një partie të re.
Nëse ka një axhendë politike, problemi i parë dhe i fundit që duhet të adresohet janë zgjedhjet: Ligji, sistemi/modeli, menaxhimi, çlirimi nga financimi prej parasë së pa deklaruar, çlirimi nga përdorimi i fuqisë së shtetit dhe pushtetit për qëllime elektorale e partiake…
Nëse jo, edhe debati për zonat e mbrojtura mjafton…











