25.4 C
Tirana
E martë, 9 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Bik Ndoja midis traditës dhe kujtesës kulturore

Bik Ndoja midis traditës dhe kujtesës kulturore

0
Bik Ndoja
Gjon Marku
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

Në universin e muzikës popullore shqiptare, rrallë hasen zëra që kapërcejnë kufijtë e interpretimit dhe shndërrohen në kujtesë kolektive. Bik Ndoja është një ndër ta dhe përbën një nga ato nyje ku kuptimi përqendrohet dhe rrezaton njëkohësisht, duke i dhënë shpirt këngës qytetare shkodrane dhe duke mbetur gjithmonë pranë popullit të tij. Në një lexim kritik të muzikës popullore shqiptare, Bik Ndoja mund të konceptohet si një formë e gjallë e kujtesës kulturore, si një “tekst i gjallë”, në kuptimin që i jep Roland Barthes këtij termi: një hapësirë ku kuptimet nuk janë të mbyllura, por prodhohen vazhdimisht në aktin e interpretimit. Zëri i tij nuk është thjesht bartës i këngës dhe nuk funksionon vetëm si mjet interpretimi, por si hapësirë ku kënga rishkruhet dhe riaktualizohet në mënyrë të vazhdueshme. Në këtë kuptim, ai i afrohet nocionit barthesian të “tekstit”, si një strukturë e hapur ku kuptimi prodhohet në aktin e interpretimit.

Lodovik Ndoja (Gjergji), i njohur nga publiku shkodran si Bik Ndoja, i lindur në Shkodër më 13 gusht 1925, në një familje me origjinë nga Mirdita, përfaqëson një ndërthurje të dy regjistrave kulturorë që në zërin e tij bashkëjetojnë në mënyrë organike. Kjo polifoni e brendshme mund të lexohet në dritën e dialogjizmit të Bakhtin-it, ku identiteti artistik formohet përmes bashkëjetesës së zërave të ndryshëm kulturorë. Në vitin 1969, pas një karriere të gjatë artistike, iu dha titulli “Artist i Merituar” dhe më vonë edhe titulli “Artist i Popullit”, por vlerësimi më i madh për të ishte dashuria e njerëzve që e dëgjonin. Në çdo këngë të tij ndihej Shkodra, ndihej Mirdita, ndihej vetë jeta shqiptare.

* * *

“Së pari, siç është shprehur Bik Ndoja në një intervistë të Gjon Markut për librin ‘Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën’, duhet të pohoj se origjina ime është prej Mirditës. Gjyshi im, Gjergj Mirdita, ishte i shtati nga shtatë vëllezër, gjashtë prej të cilëve vdiqën në luftë me turqit. Në këtë kohë, dashamirës të familjes sonë, për të mos u shuar si familje, u interesuan tek një shtëpi e fortë në Gjakovë, e cila ishte e njohur me ngjarjet e familjes sonë, dhe e mori në besë gjyshin, i cili jetoi aty për shumë kohë. Pasi u sigurua nga pleqtë për gjakësinë, gjyshi im u kthye në Mirditë, pra në vendlindje. Martohet dhe i lindin tre djem dhe një vajzë. Një djalë i vdes dhe kështu familja mbetet me gjyshin (Gjergjin), gjyshen (Dilën), Markun, Ndueun dhe Marien. Gjyshi merr guximin dhe vjen në Shkodër. Pra, ne jemi prej gjaku dhe prej gjinie nga Mirdita.

Unë, qysh i vogël, kam pasur vazhdimisht takime të shumta me mirditas, sidomos në dyqanin e Ndue Kaftallës ose Ndue Gjergjit, pra babait tim, ku vinin të blinin shumë mirditas. Babai i priste dhe shpesh i merrte në shtëpi, sidomos ata që vinin nga Kashnjeti. Kështu më ka rastisur të rri gjatë me mirditas, shumë prej të cilëve këndonin me çifteli, sharki, lahutë dhe i binin fyellit. Ishin krijues dhe interpretues të mrekullueshëm dhe u këndonte shpirti. I këndonin trimërisë, besës, burrërisë, urtisë dhe mençurisë popullore, fjalës së dhënë. Gjatë bisedave të të rriturve, këto histori rrëfeheshin të detajuara dhe unë i ndiqja me kërshëri. Më pas, pasi iknin miqtë, unë i pyesja gjyshin dhe nënën për ta dhe ata m’i ritregonin.

Në këtë mjedis unë u njoha me këngët e bukura dhe të vjetra të Mirditës, të cilat interpretoheshin në mënyrë mahnitëse dhe shoqëroheshin me çifteli, sharki, lahutë, fyell apo edhe me gjethe. Aty më lindi dëshira e parë që edhe unë të këndoja. Në fillim me ndrojtje, pastaj mezi prisja të vinin vizitorë para të cilëve këndoja. “Të këndoftë zemra, more djalë”, më thoshin, dhe mua më ndizhej shpirti prush. Kështu u lidha me këngën dhe pikënisja është aty, në rrënjët e mia, te kënga popullore mirditore. Kështu unë mbeta mirditas deri sot që jam plak.”

Formimi i tij jashtë institucioneve akademike e vendos atë në traditën që Ëalter Ong do ta quante kulturë orale, ku dija nuk arkivohet në tekst, por në kujtesë dhe performancë, ku kënga ekziston si akt dhe jo si objekt. Për pasojë, çdo interpretim i tij është një ngjarje e vetme, një rikthim i kujtesës në të tashmen. Kjo e largon atë dhe zëri i tij i shmanget asaj që Theodor Adorno do ta kritikonte si standardizim të artit. Pra, ai në interpretimin e tij ka një autenticitet që buron nga përvoja e jetuar. Kënga e tij qëndron jashtë logjikës së konsumit dhe vendoset në një raport më të thellë me dëgjuesin: si përjetim, jo si produkt, duke krijuar një lidhje autentike me përvojën njerëzore.

Në këtë perspektivë, Bik Ndoja realizon një “bashkim horizontesh”, ku horizonti i traditës dhe ai i dëgjuesit bashkohen në aktin e interpretimit, duke e bërë atë të komunikueshme në çdo kohë. Ndërkohë, vlera e tij nuk qëndron aq në titujt institucionalë, sesa në kapitalin simbolik që buron nga pranimi i gjerë i publikut.

Si përfundim, Bik Ndoja mbetet një figurë paradigmatike e muzikës shqiptare: një zë që nuk ruan vetëm traditën, por e rikrijon atë. Ai nuk është thjesht pjesë e historisë së muzikës, por një prani aktive në kujtesën kulturore, që vazhdon të jetojë në çdo akt dëgjimi. Në këtë kuptim, ai mishëron atë që kultura popullore ka më thelbësore: aftësinë për të mbijetuar duke u ndryshuar, dhe për të mbetur e njëjtë duke u rishpikur.

Prania e tij, edhe pas vdekjes në vitin 2015, nuk është thjesht kujtim, por funksion. Ai vazhdon të ekzistojë sa herë që kënga këndohet, sa herë që një zë kërkon të lidhet me traditën. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij: jo vetëm si artist, por si strukturë e gjallë e kujtesës kulturore shqiptare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.