Poezi nga poetja,
Xhevrije Kurteshi Nimani
Në tokë të huaj u nisa dikur
me valixhen plot kujtime e mall
por në zemër s’e lashë kurrë
fjalën shqipe, si gjak e zjarr
Në odën e vogël të mërgimit
ku malli rri pezull si pikturë në mur
këngët e vjetra i këndoj me lot
të mos shuhet gjuha ime kurrë
Fëmijëve u flas në shqip
t’u mbetet në shpirt si bekim
të dinë nga erdhën, e kush janë
dhe ç’do të thotë “atdhe” në mërgim
Se gjuha jonë është rrënjë e thellë
kënga është zëri i shpirtit tonë
nëse i ruajmë me dashuri
s’jemi kurrë të humbur në botë
Dhe kur brezat e rinj rriten larg
në dritat e huaja të botës plot
t’u mësojmë këngën e nënës
që të mos harrojnë kurrë kush janë
Sepse në çdo fjalë të gjuhës shqipe
ka një copë diell nga Shqipëria
dhe në çdo melodi a këngë të vjetër
rreh zemra e kombit tonë
Sot, në epokën e ekranit e zhurmës
kur fjalët humbin në rrjete e re
ta mbajmë gjuhën si dritë në zemër
trashëgimi që s’vdes, por rritet me ne.











