
Nga Gjon Marku
Të marrësh përsipër të japësh një vlerësim, një opinion e aq më tepër të merresh me veprën e një autori siç është Prof. Zef Mirdita është përnjëmend një kënaqësi dhe një nder i veçantë qoftë kjo të diskutosh apo të shkruash për të, por në të njejtën kohë është dhe një përgjegjesi e jashtëzakonëshme që të bën të hezitosh dhe një detyrë që realizohet me vështirësi për vetë faktin se do një punë dhe përkushtim të madh, një seriozitet dhe një njohje të thellë e të gjërë dhe një obligim të brendshëm. Përmasa e një vepre të tillë për një personalitet të tillë madhor të vë përballë vështirësish të mëdha dhe të bën të mendohesh gjatë përpara se sa të thuash apo të hedhësh në letër qoftë edhe një fjalë të vetme.
Gjithësesi kur vë në tavolinë veprat dhe kumtesat e tij mendon punën e mirfilltë shkencore të argumentuar që ballafaqohet me një dinjitet të pazakontë dhe që vjen gjithnjë në rritje, që ngulitet gjithnjë e më tepër e i jep nder e zë vend të vlerësueshëm krahas figurave më në zë të kulturës dhe shkencës kombëtare shqiptare dhe më gjërë.
Një vepër që e mban lart puna dhe këmbëngulja shkencore e pa diskutim dhe veprimtaria kombëtare ku duket ndjeshëm një punë e gjatë dhe e rëndësishme, vëllimore dhe e vijueshme e realizuar me një këmbëngulje të pandërprerë e të ndërgjegjëshme, me një përkushtim e profesionalizëm të lartë. Vepër e pasuruar dalëngadalë e hap mbas hapi duket marrë gjithnjë e më shumë fizionominë e një vepre madhore.
Rëndësinë dhe përgjegjësinë e rrit pastaj vetë figura e Prof. Zef Mirditës.
Ai u lind në Prizren më 13 mars 1936. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ulët i kreu në vendlindje, kurse gjimnazin klasik në Pazin (Istër) dhe Zagreb. Në Fakultetin Teologjik Katolik të Zagrebit diplomoi filozofinë. Në vitin shkollor 1959/60 regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Degën e Historisë. Gjatë viteve 1961 dhe 1962 ka qenë demonstrator i prof. dr. Jaroslav Šidakut, në Katedrën e Historisë Kroate. Si student i vitit III dhe IV të studimeve ka qenë ligjërues i lëndës së Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Iso Kršnjavi” në Zagreb. Si apsolvent, në vitin 1963/64 kryen shërbimin ushtarak. Diplomoi më 8 korrik 1965. Më 8 shkurt kthehet në vendlindje, ku si profesor i gjimnazit të Prizrenit ligjëron lëndët: histori, sociologji, latinisht, frëngjisht, paraleleve shqipe, serbe dhe turke. Po ashtu, latinisht dhe sociologji ligjëron në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në shkollën e mesme të muzikës. Gjatë semestrit dimëror, në Fakultetin Filozofik ligjëron latinisht studentëve të historisë dhe albanologjisë, në gjuhën shqipe dhe serbe. Nga 1 janari 1967 kalon në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, si asistent i pavarur në Degën e Historisë – Koha e vjetër.
Pasi edhe si student, pastaj edhe si asistent, ka publikuar në revista shkencore, u lirua nga studimet pasuniverzirare dhe magjistratura kështu që në nëntor të vitit shkollor 1967/68, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit e paraqiti tezën e doktoraturës, e cila iu pranua më 1968, me titullin: Dardanët dhe Dardania në antikë@, ndërkaq të cilën, më 3 nëntor 1972 e mbrojti me sukses para komisionit, të përbërë nga akademikët: Mate Suiæ (Kryetar), Duje Rendiæ- Mioèeviæ dhe Radoslav Katièiæ (anëtarë). Më 20 prill 1973 promovohet në gradën e doktorit të shkencave historike. Më 1973 zgjidhet docent. Më 1978 profesor inordinar, ndërkaq më 1983 profesor ordinar i lëndës Historia e Kohës së Vjetër. Më 3 prill 1991 zgjidhet anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Më 1 mars 1993 punësohet në Institutin Kroat për Histori në Zagreb si këshilltar shkencor ku është edhe Drejtor i projektit “Vllehët”. Që nga viti shkollor 1997/98 në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Osijekut “J. J. Strossmayer” është profesor ordinar i lëndës Historia e Kohës së Vjetër – Lindja e lashtë. Autor i veprave:
1. Studime dardane, Prishtinë 1979; Tiranë 1981.
2. Antroponimia e Dardanisë në kohën romake (Die Anthroponymie Dardaniens zur Römerzeit), Prishtinë 1981(shqip-gjermanisht)
3. Mitet dhe mitologjia në antikë – Funksioni dhe trajtimi i tyre, Prishtinë 1988
4. Historia e Kishës në popullin shqiptar: material për historinë e Kishës Kombëtare në Institutin Katekistik Kombëtar në Shkodër 1994
5. Krishterizmi ndër shqiptarë, Prizren-Zagreb 1998.
6. Religjioni dhe kultet e Dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”
Prof. Dr. Zef Mirdita mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar “Krishtërimi ndër shqiptarë”, që u organizua në Tiranë (Nëntor 1999) nga Konferenca Ipeshvnore e Shqipërisë, në bashkëpunim me Kryeipeshvinë e Tivarit dhe Ipeshvinë Shkup – Prizëren, me rastin e vitit jubilar 2000 – vjetorit të Krishtërimit. Punimet e Simpoziumit u hapën me referatin e Zef Mirditës “Gjashtë shekujt e parë të Krishterizmit në trevat ilire-shqiptare”, që ishte sintezë e një studimi të gjerë e të thelluar të autorit. Por më të plotë, rrugën historike që ka ndjekur Krishtërimi në trojet shqiptare nga fillimi e deri më sot, historiani i shquar e trajton në veprën e tij madhore “Krishtërimi ndër shqiptarë”, Prizëren – Zagreb 1998, përcjellë prej një parathënie të Imzot Mark Sopit, Ipeshkëv i Kosovës. Është e pajustifikuar që qarqet shkencore akademike në Shqipëri deri tani nuk kanë bërë atë që duhej për sa i përket njohjes dhe jehonës së një vepre të tillë, e para dhe e vetmja deri më sot, kushtuar historisë së Krishtërimit ndër shqiptarë. Siç pohon ai vetë origjina e tij prej Mirdite të bën të ndjehesh krenar.
“Të parët e mi – sa më kujtohet nga biseda e të vjetërve – janë nga Fusha e Arsit (babëgjyshi ose gjyshi?). Kurse unë jam i bajrakut të Spaçit, barkut të Bibës dhe në qoftë se mund të ketë ndonjë kuptim tjetër – jam edhe nip Xhuxhe. Më 22 gusht1973, për herë të parë dhe të fundit isha në Fushë të Arsit. Aty rastësisht e takova një arsimtar nga Gojani. Pas një kohe, mori guximin dhe u hap paksa, duke më thënë se kishte lexuar disa punime të mia. Nga aty u nisa për në Pukë ku e vizitova muzeun e Bardhok Bibës.
Deri më 1948, unë jam quajtur me patronim: Zef Deda. Kur u bë regjistrimi i parë pas Luftës II Botërore më 1948, regjistruesi e pyet nënën si quhemi. Ajo i thotë se të parët e familjes sonë janë nga Mirdita. Ai e regjistron këtë emër dhe kështu më mbeti mbiemri im i sotëm: Mirdita.”
Veprimtaria shkencore e Prof Zef Mirditës të befason. Kryefjala e punimeve të tij është Dardania e cila fillimisht vjen nëpërmjet veprës “Studime Dardane” duke hedhur dritë e duke argumentuar shkencërisht historinë e lashtë të fisit ilir të dardanëve. Pesë prej kumtesave të përmbledhura në këtë vepër lidhen drejtëpërsëdrejti dhe vetëm me Dardanët. Ky autor gjithësesi e plotëson kuadrin e vet të studimeve edhe me veprën tjetër pasuese të tij “Antroponomia e Dardanisë në kohën romake” për të vijuar me botimin e tij të fundit “Religjioni dhe kultet e Dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”.
Në mënyrë të veçantë Prof. Dr. Zef Mirdita iu kundërvihet pikëpamjeve antishqiptare dhe përpjekjeve të disa historianëve të huaj për t’i paraqitur dardanët si “barbarë”, si një popullsi që nuk arriti dot atë zhvillim ekonomik që arritën fqinjët e tyre. Ai jep një literaturë të gjërë e të pasur që hedh poshtë teorinë e Gërga Novaku, i cili mundohet ta mohojë prejardhjen ilire të dardanëve. Nëpërmjet argumentave dhe fakteve shkencore ai argumenton, nëpërmjet veprave të lartpërmendura, për politizimin dhe dëshirën e një grupi të caktuar studiuesish e në mënyrë të veçantë serbë të cilët mundohen të falsifikojnë, mohojnë kulturën tonë kombëtare.
Kundërvënia më e mirë e studiuesit shqiptar dhe përgjigjia më e mirë e tij shprehet nëpërmjet punës shkencore të mirfilltë e cila përsa i përket cilësisë dhe forcës së argumentit shkencor vjen duke u ngritur nga vepra në vepër duke hyrë në një analizë të gjithanëshme e të pakundërshtueshme.
Në veprën e tij të fundit “Religjioni dhe kultet e Dardanëve dhe Dardanisë në Antikë”, vepër të cilën autori ka menduar t’a ndajë në dy pjesë kryesore: Në pjesën e parë ai përfshinë religjionin dhe kultet pagane që dëshmohen në truallin e Dardanisë; ndërsa në pjesën e dytë bën fjalë për krishtërimin dhe përhapjen e tij në Dardani. Nëse në pjesën e parë ai si burim kryesor përdor materialin epigrafik dhe arkeologjik, në pjesën e dytë të veprës ai vë në dispozicon të punës së tij shkencore material arkeologjik dhe burime adekuate historike dhe kishtare.
Veprat në fjalë janë vlerësuar lart për nivelin e tyre shkencor dhe janë një objekt që u hap rrugë studimeve të këtilla në Kosovë por edhe më gjerë. Veprat karakterizohen nga një material i ngjeshur e sintetik Është mjaft domethënës synimi i tij për të realizuar studime shkencore që kanë të bëjnë me vendlindjen e tij, ku ai me anë të analizës dhe materialit shkencor depërton fuqishëm në historinë e lashtë në religjionin dhe kultet, në mitet dhe historinë e krishtërimit.
Punimet dhe arritjet shkencore të Prof. Dr. Zef Mirditës bëhen edhe më të vlefshme dhe marrin një peshë të veçantë kur merr parasysh bibliografinë e pazakontë të vënë në dispozicion të punës së tij kërkimore shkencore.
Prof Zef Mirdita nuk lë menjëanë as mitet dhe mitologjinë në antikë të cilat i trajton në një mënyrë mjaft të gjerë dhe shkencore në veprën “Mitet dhe mitologjia në antikë- Funksionet dhe trajtat e tyre” vepër e cila është botuar në Prishtinë në vitin 1988.
Në mënyrë të posaçme ai merret edhe me historinë dhe kulturën e kishës në popullin shqiptarë. Histori e cila jep qartë orientimin e kësaj kishe drejt Kishës Romane. Nëpërmjet veprës “Historia e Kishës së popullit Shqiptar” ai sjell historinë e munguar. Kjo vepër ka një qëllim dhe një objekt të gjithanshëm.
Ai është i vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë e punës së tij shkencore, aq më tepër për rolin e intelektualit dhe të shkencëtarit. Prandaj është një autor tepër origjinal e i thellë. Origjinalitet i tij qëndron së pari në ndërtimin unik dhe mjaft dinamik të secilës prej veprave të tij, duke i dhënë forcë mendimit dhe peshë të jashtëzakonshme argumentit shkencor. Ai hyn thellë në përmbajtjen e të dhënave shkencore. Vetë ai është i ndjeshëm ndaj fakteve dhe argumentues i jashtëzakonëshëm i tyre.
Është i dukshem zelli për të vënë në pah gjithë ato vlera të kulturës e të historisë sonë dhe kopetenca e të shprehurit dhe të sjellurit të këtyre fakteve dhe argumentave përpara lexuesve.
Falë pasionit dhe impenjimit të mirfilltë hulumtues ai ka mundur të gjurmojë rrënjët e njërës ndër kulturat më të vjetra të ballkanit duke rendur e argumentuar lidhjet iliro-dardane.
Pa frikë sot Zef Mirdita është njëri ndër dijetarët e mëdhenj të kombit tonë. Intelektual me formim të thellë e vision të gjerë perendimor, që dijet e tij të shumta i vuri në ndriçim të atyre anëve të historisë që ndoshta ishin më të errëta e mbi të cilët është kërkuar me forcë të deformohen për qëllime politiko-etnike.
Pa diskutim është modeli i pa përsëritshëm i një vullnetmadhi, me mendje të mprehtë, me ligjërim brilant e që me studimet dhe punimet e tij shkencore mbërrinë në majat e epërme të mendimit akademik shqiptarë, si pak kush tjetër, duke iu dhënë studimeve albanologjike e atyre historike një hop cilësor ku ballafaqohesh me thellesinë e njohurive dhe aftësinë për t’u shprehur me një mendim të konsoliduar dhe kapacitet të rrallë të dijeve e që janë si një gurë i rëndë themeli në studimet tona akademike.
Gjykimi i fenomeneve, ballafaqimi i fakteve dhe arsytimi i thellë e logjik që të bind e që rrinë hijshëm në mendimin e konsoliduar që është autoritar por kurrësesi jo dogmatik që lidhen me studimin e gjerë e të thellë pasi depërton dhe arsyeton mbi dokumenta arkivore, ato histrike dhe dokumentat e tjera të shkruara, duke i ballafaquar ato e duke nxjerrë një konkluzion sa logjik e bindës por dhe që nuk lë mëdyshje por janë përfundimtare.
Vepra studimore e këtij përfaqësuesi ndër më të shquarit në shkencën dhe kulturën tonë kombëtare, karakteriozohet nga një horizont i gjërë, niveli i lartë shkencor, tezat me rëndësi të veçantë për historinë tonë. Ky shkencëtar i shquar jo vetëm solli dokumeta dhe konkluzione e përfundime të rëndësishme për historinë tonë por hapi rrugë të reja në shumë drejtime në këtë fushë. Ai mbrojti me dokumenta dhe argumenta bindës autoktoninë e Dardanisë në veprën e vet studime dardane por dhe autoktoninë e popullit shqiptar në “Krishterimin ndër shqiptarë”. Ky përfaqësues i rëndësishëm i shkencës shqiptare është sigurisht, modeli i një përkushtimi të rrallë dhe i aftësive të papërsëritëshme, rreptësisht shkencor, me një logjikë të fortë të parashtrimit dhe e mendimit të përparuar që e bën të suksesshëm në veprën e vet e cila harmonizohet në një tërësi të vetme organike.
Origjinaliteti i veprës së Zef Mirditës, vjen së pari prej punës së palodhur dhe ndriçuese që bën në mënyrë të vazhdueshme ai, por mbi të gjitha në kërkimin e pandërprerë dhe të paepur që bën ai mbi identitetin e hershëm kombëtar. Në tërësi vepra e tij shkencore paraqet interes të veçantë edhe për zhvillimin e mendimit të përparuar sepse zënë vend e rreshtohen krahas veprave të rëndësishme që ndikojnë për forcimin e ndërgjegjes kombëtare.
Zef Mirdita në vepren e vet shquhet për forcën e mendimit dhe fuqinë e argumentimit të mbështetur në dokumenta dhe fakte historike.











