Milazim Zeqiraj
Presidenti historik Ibrahim Rugova kishte një orientim të qartë politik dhe strategjik për Kosovën:
“Me Evropën në bashkëpunim, por me Amerikën në miqësi të përhershme.”
Kjo filozofi politike nuk ishte vetëm deklaratë, por vizion shtetformues. Rugova e kuptonte se pa mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova do ta kishte vështirë rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe kordinimin ndërkombëtar.
Botërisht dihet se SHBA-ja ka qenë mbështetësi kryesor politik, diplomatik dhe ushtarak i Kosovës në momentet më të rëndësishme historike. Nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, te shpallja e pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare, roli amerikan ka qenë vendimtar për ekzistencën dhe forcimin e shtetit të Kosovës.
Për këtë arsye, çdo qasje politike që krijon distancë me SHBA-në apo dobëson partneritetin strategjik me Uashingtonin nuk është në interes të Kosovës dhe sigurisë së saj afatgjate.
Në këtë kontekst, opozita e atëhershme kishte kërkuar që dialogu Kosovë–Serbi të mos mbetej vetëm në Bruksel, por të trajtohej edhe në Uashington, në një nivel më të lartë politik dhe strategjik. Një qasje të tillë e kishte mbështetur edhe Presidentja e vendit, znj. Vjosa Osmani, duke pasur parasysh dallimet eZ.Albin Kurtit në qasjen ndaj administratës amerikane dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Që nga fillimi i dialogut në Bruksel në vitin 2011, Kosova ka kaluar nëpër një proces të gjatë me pak rezultate konkrete dhe me stagnim të dukshëm në shumë etapa. Kjo ka shtuar bindjen se për çështje të mëdha strategjike nevojitet rol më aktiv amerikan.
Sipas Kushtetutës, dialogu është përgjegjësi e Kryeministrit. Megjithatë, për tema me rëndësi kombëtare kërkohet koordinim institucional, unitet politik dhe përgjegjësi shtetërore. Kështu është vepruar edhe në periudhat më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.
Kosova duhet të forcohet aty ku është mbështetur historikisht dhe politikisht — në partneritetin e përhershëm me SHBA-në dhe aleatët perëndimorë. Ky orientim nuk është vetëm politik, por interes strategjik shtetëror.
Kosova mbi të gjitha.
Në çdo situatë, interesi i shtetit duhet të jetë mbi interesat partiake apo personale.
Votuesi duhet të mendojë drejt për të ardhmen e vendit dhe për atë se kush është i gatshëm të marrë përgjegjësi për ndërtimin e institucioneve stabile dhe funksionale dhe të kordinohet me bashkësin ndërkombëtare.
Demokracia dhe shteti nuk mbrohen me emocione apo polarizim, por me përgjegjësi politike dhe qytetare.
Demokracia dhe sovraniteti nuk mbrohen duke dobësuar pluralizmin politik dhe as duke vendosur interesin partiak mbi interesin shtetëror.
Nëse cenohen Kushtetuta, balanca institucionale dhe pluralizmi demokratik pa reagim, atëherë rrezikohet të krijohet precedent i rrezikshëm për të ardhmen e shtetit.
Pluralizmi politik dhe dialogu ndërmjet forcave politike janë vlera demokratike që e forcojnë shtetin dhe stabilitetin institucional.
Roli i opozitës mbetet i rëndësishëm në çdo demokraci funksionale. Pas zgjedhjeve, fituesi duhet të marrë përgjegjësinë për krijimin e institucioneve në bashkëpunim me opozitën, ndërsa opozita duhet të jetë konstruktive për stabilitetin politik, integrimin euroatlantik dhe zhvillimin demokratik të vendit.
Demokracia nuk ndërtohet me imponim. Ajo kërkon marrëveshje, respekt për ligjin dhe përgjegjësi ndaj qytetarit.
Kosovës nuk i mungojnë ligjet. Sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre dhe vullneti politik për t’i respektuar ato pa përjashtim.
Maji 2026











