22.5 C
Tirana
E dielë, 10 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj KUR GJUHA POLITIKE HUMB PESHËN E ARGUMENTIT

KUR GJUHA POLITIKE HUMB PESHËN E ARGUMENTIT

0
Fitore Berisha

FITORE BERISHA

Deklarata e deputetes Adriana Matoshi, e cila iu drejtua opozitës me fjalët “Veç Albini ju bon ballë këtyne baloshave”, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Pavarësisht bindjeve politike që secili qytetar mund të ketë, përdorimi i një gjuhe përçarëse dhe etiketuese nuk i shërben kulturës demokratike që vendi ka nevojë ta ndërtojë.

Në demokraci, përballja politike duhet të zhvillohet përmes argumenteve, vizionit dhe debatit institucional, e jo përmes termave që mund të interpretohen si nënçmues apo fyese ndaj kundërshtarëve politikë. Kur debati apo thjesht deklarimi zbret në nivel etiketimesh, humbet thelbi i përgjegjësisë publike dhe dëmtohet besimi i qytetarëve te politika.

Është e kuptueshme që figurat publike shpesh përdorin gjuhë emocionale për të mobilizuar mbështetësit e tyre. Megjithatë, një ish-deputete, si përfaqësuese e qytetarëve, bart edhe përgjegjësinë për të ruajtur standardin e komunikimit publik.

Forca e një lideri apo partie nuk dëshmohet duke ulur tjetrin, por duke ngritur nivelin e debatit dhe duke ofruar zgjidhje konkrete për qytetarët.
Po ashtu, opozita në çdo sistem demokratik ka rolin e saj të domosdoshëm. Ajo nuk është armik i shtetit, por mekanizëm kontrolli dhe balancimi.

Kritikat ndaj saj janë legjitime kur mbështeten në fakte dhe analiza, por jo kur reduktohen në etiketime emocionale që vetëm sa thellojnë ndarjet politike e shoqërore dhe nxisin armiqësime individuale e partiake.

Kosova ka nevojë për një kulturë më të matur, ku kundërshtari politik të shihet si rival në ide dhe jo si objekt përçmimi. Vetëm kështu debati publik mund të kontribuojë në forcimin e demokracisë dhe jo në polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.