16.5 C
Tirana
E enjte, 7 Maj 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU, HERO DHE KRENARI E SHQIPTARËVE, EMËR I PËRJETSHËM...

GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU, HERO DHE KRENARI E SHQIPTARËVE, EMËR I PËRJETSHËM NË KUJTESËN TONË KOMBËTARE DHE NË BOTËN DEMOKRATIKE

0
Busti i Gjergj Kastriotit në Klinë

Lekë Mrijaj Shkruan: Lekë Mrijaj

Në rrjedhën e gjatë të historisë njerëzore kanë kaluar shumë mbretër, prijës ushtarakë dhe udhëheqës politikë. Disa u harruan edhe nga popujt që dikur i nderuan; disa mbetën të zbehur në faqet e kronikave, ndërsa të tjerë u rrëzuan bashkë me perandoritë, mbretëritë dhe sistemet që i kishin ngritur. Historia, në këtë kuptim, është një gjykatë e madhe dhe e pamëshirshme: ajo nuk i ruan të gjithë me të njëjtën dritë, as nuk ua dhuron pavdekësinë atyre që nuk e kanë merituar përmes veprës, sakrificës dhe ndikimit të tyre në fatin e popujve.

Ndryshe qëndron madhështia e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Siç kanë vërejtur dhe analizuar studiues të shumtë shqiptarë e të huaj, emri i tij, për 621 vjet me radhë, nuk është larguar as nga ndërgjegjja kombëtare shqiptare, as nga vëmendja e historiografisë evropiane.

Përkundrazi, me kalimin e shekujve, personaliteti i tij është lartësuar edhe më shumë, duke marrë përmasat e një monumenti shpirtëror, kulturor, kombëtar dhe qytetërues.

Skënderbeu nuk është vetëm një emër i shkruar në kronikat e mesjetës. Ai është një prani që vazhdon të ecë nëpër kohë si dritë që nuk shuhet, si zë që nuk hesht dhe si trashëgimi që nuk pranon të mbulohet nga pluhuri i harresës. Ndërsa shumë sundimtarë të dikurshëm mbetën të lidhur me fronin, pushtetin apo interesat e ngushta politike, ai u lidh me diçka shumë më të madhe: me lirinë, qëndresën, besën, dinjitetin e një populli dhe mbrojtjen e identitetit arbëror, shqiptar e evropian.

Vlen të potencohet se edhe në rrafshin historiografik, jeta dhe vepra e tij janë trajtuar nga një varg i gjatë autorësh shqiptarë dhe botërorë. Që nga humanistët arbërorë, si Marin Barleti, Dhimitër Frëngu, Gjon Muzaka e Frang Bardhi, e deri te studiuesit modernë e bashkëkohorë, si Fan S. Noli, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Kasem Biçoku, Athanase Gegaj, Robert Elsie, Franz Babinger, Kenneth M. Setton, John V. A. Fine, Harry Hodgkinson dhe Oliver Jens Schmitt, ai është vështruar si një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë shqiptare, ballkanike dhe evropiane.

Pikërisht për këtë arsye emri i tij nuk është zbehur me kalimin e kohës. Përkundrazi, është bërë gjithnjë më i ndritshëm. Sa më shumë janë larguar shekujt nga epoka e tij, aq më qartë është kuptuar pesha historike e misionit që ai përmbushi. Ai nuk ishte hero i një dite, as prijës i një rrethane të rastësishme; u bë simbol i përhershëm, sepse në personalitetin e tij populli shqiptar gjeti shembullin e guximit, bashkimit, nderit dhe dashurisë për atdheun.

Sot, pas më shumë se gjashtë shekujsh nga lindja e tij, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nuk qëndron vetëm në kujtesën shqiptare. Ai është i pranishëm edhe në shumë vende të botës demokratike përmes monumenteve, shesheve, rrugëve, veprave artistike dhe studimeve shkencore. Shtatoret e tij në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë, Romë, Gjenevë, Bruksel, Miçigan e në shumë qendra të tjera dëshmojnë se madhështia e tij ka kaluar kufijtë e një kombi dhe është bërë pjesë e kujtesës më të gjerë evropiane e botërore.

Në këtë varg nderimesh bën pjesë edhe busti i vendosur në vitin 2019 në qytetin tim të Klinës, falë nismës së Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” dhe mbështetjes së vullnetmirëve të vendit e të mërgatës shqiptare. Ky bust i inauguruar në qytetin e Klinës, nuk është vetëm një vepër përkujtimore lokale; është dëshmi e gjallë se nderimi për Heroin Kombëtar nuk jeton vetëm në kryeqendra, muze apo libra historie, por edhe në qytete, sheshe dhe zemra njerëzish që e ndiejnë të kaluarën si pjesë të identitetit të tyre.

Në të vërtetë, monumentet kushtuar këtij stratetegu kombëtar,nuk janë vetëm bronz, apo formë artistike e skalitur, por, janë shenja të një vetëdijeje që nuk pranon të shuhet. Pikërisht janë dëshmi se një popull, edhe kur ka kaluar nëpër pushtime, ndarje, dhimbje dhe mërgime, e ka ruajtur në zemër prijësin e vet më të madh. Aty ku ngritet një shtatore e Skënderbeut, lartësohet edhe një pjesë e dinjitetit shqiptar. Aty ku emri i tij vendoset në një shesh apo rrugë, aty shënohet edhe vazhdimësia e një historie që nuk u dorëzua.

Ndryshe nga shumë emra të së kaluarës, që janë zbehur në largësinë e shekujve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është bërë gjithnjë më i gjallë. Ai është kthyer në pikë bashkimi për shqiptarët në atdhe dhe në mërgatë. Për bashkëkombësit tanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Evropë, Amerikë dhe kudo në botë, emri i tij mbetet thirrje e përbashkët identitare. Ai nuk i përket vetëm një krahine, një qyteti apo një periudhe të caktuar, por, mbarë kombit shqiptar.

Madhështia e tij qëndron në faktin se nuk u bë i madh vetëm përmes shpatës, por përmes idealit që mbrojti. Shpata e tij ishte e fuqishme, por edhe më i fuqishëm ishte qëllimi: liria e Arbërisë dhe dinjiteti i popullit të vet. Prandaj kujtimi i tij nuk u shua. Popujt nuk i ruajnë gjatë në zemër ata që luftojnë vetëm për pushtet; ata nderojnë ata që flijohen për liri, nder dhe të ardhmen e brezave.

Në këtë kuptim, ai mbetet një nga personalitetet më të rralla të historisë sonë. Nuk ka rënë nga piedestali i nderimit, sepse nuk u ngrit mbi padrejtësi, por mbi sakrificë. Nuk u ruajt në histori për shkak të një froni mbretëror, por për shkak të një misioni kombëtar. Nuk u përjetësua vetëm si luftëtar, por si prijës që i dha formë një vetëdijeje të madhe shqiptare dhe evropiane.

Prandaj, kur themi se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nuk ka rënë nga lindja e tij e deri më sot, për 621 vjet me radhë, nuk shqiptojmë vetëm një fjali nderuese, por më fjalë tjera e shprehim një të vërtetë të thellë historike, kulturore dhe shpirtërore, sepse ai vazhdon të jetojë në librat e historisë, në këngët popullore, në letërsi, në art, në monumente, në sheshe, në zemrat e shqiptarëve dhe në ndërgjegjen e Evropës. Ai është një nga ata emra që koha nuk i mbulon me pluhur, por i ndriçon edhe më shumë.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është si një majë mali: sa më shumë largohemi prej saj në kohë, aq më qartë shihet madhështia e saj. Shekujt nuk e kanë ulur, përkundrazi, e kanë lartësuar. Historia nuk e ka harruar, por e ka vendosur atë në një vend nderi. Populli nuk e ka braktisur, e ka mbajtur si flamur shpirtëror të identitetit të vet.

Prandaj, sot më 6 maj, në ditën që lidhet me lindjen e tij, ne nuk kujtojmë vetëm një hero të së kaluarës, duke e nderuar një personalitet që vazhdon të na japë frymë, krenari dhe vetëdije kombëtare. Pikërisht e kujtojmë prijësin që për 621 vjet nuk rënë kurrë nga zemra e kombit, por është ngritur gjithnjë e më lart në nderimin shqiptar, evropian dhe botëror.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mbetet dëshmi se disa emra nuk i përkasin vetëm kohës kur kanë jetuar. Ata bëhen pjesë e shpirtit të një populli. Dhe kur një emër bëhet pjesë e këtij shpirti, ai nuk rrëzohet më. Pra, përjetësisht, qëndron, ndriçon dhe të udhëheq. Pra, Gjergj Kastrioti është pikërisht i tillë, hero i Arbërisë, krenari e shqiptarëve dhe figurë e ngritur përjetësisht në kujtesën e botës së lirë.

Klinë, 6 maj 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.