7.5 C
Tirana
E premte, 27 Shkurt 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Historia ka vetëm një interpretim – atë të së vërtetës

Historia ka vetëm një interpretim – atë të së vërtetës

0
Kufijtë e tokave shqiptare

Besnik Fishta Besnik Fishta

Historia, në thelb, nuk është pronë e askujt. Ajo nuk i përket as fitimtarit, as të mundurit, as shtetit që ka më shumë fuqi për ta përkujtuar. Historia është kërkim i së vërtetës. Dhe e vërteta, edhe kur është e dhimbshme, duhet të thuhet e plotë, jo e copëzuar sipas interesit politik apo emocional. Paradoksi lind pikërisht kur një ngjarje historike interpretohet në mënyra diametralisht të kundërta. Një shembull domethënës është interpretimi i tërheqjes së ushtrisë serbe nëpër Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore.

Në vitin 2015, Posta e Serbisë lëshoi një zarf filatelik “Dita e Parë e Emisionit” (FDC) me rastin e 100-vjetorit të medaljes “Albanska spomenica 1915”. Ky term në gjuhën serbe përkthehet në shqip si “Medalja Shqiptare e Kujtimit” ose, më saktë historikisht, “Medalja e Kujtimit për tërheqjen nëpër Shqipëri (1915)”. Zarfi përfshinte disa elemente simbolike, medaljen në qendër me shirit blu, e cila iu dha ushtarëve serbë që mbijetuan marshimin drejt Adriatikut gjatë sulmit të trupave austro-hungareze dhe bullgare. Në medalje paraqitet profili i mbretit serb Petar I. Mesazhi simbolik synonte të përcillte idenë e sakrificës dhe qëndresës kombëtare serbe. Në imazh pasqyrohej edhe certifikata origjinale dhe dekreti ushtarak, për të theksuar legjitimitetin institucional.

Pulla postare ne kete zarf përmbanin të njëjtin motiv, duke e forcuar përkujtimin edhe nga ana filatelike. Vula “PRVI DAN” (Dita e Parë) – 15.09.2015, Beograd, synon te shndërronte objektin në simbol të rëndësishëm kombëtar për Serbinë. Është e qartë se, si nga pikëpamja filatelike ashtu edhe medalistike, dy fusha keto të ndryshme koleksionimi, në këtë rast ato bashkohen për të ndërtuar një narrativë historike të caktuar, duke përçuar një interpretim qe nuk ka mbetur neutral per interpretimin e kesaj ngjarje historike te ndodhur ne token shqiptare.

Në historiografinë serbe, tërheqja e viteve 1915–1916 njihet me termin “Albanska golgota” (Golgota Shqiptare), një emërtim me ngarkesë të theksuar fetare dhe martirizuese. Në kuadër të kësaj narrative, paraqitet se ushtria serbe, pas sulmeve të fuqive të Boshtit gjatë Luftës së Parë Botërore, u detyrua të tërhiqej përmes territorit shqiptar drejt brigjeve të Adriatikut, prej nga më pas u evakuua në Korfuz. Në literaturën historike pranohet gjerësisht se kjo tërheqje u shoqërua me humbje të konsiderueshme njerëzore dhe me përballje me kushte jashtëzakonisht të vështira natyrore dhe logjistike.

Por dhe eshte evidentuar se, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara shqiptaro-serbe dhe qëllimeve që i atribuohen politikës serbe në periudha të caktuara, një pjesë e popullsisë shqiptare dëshmoi qëndrim human ndaj trupave serbe gjatë kalimit të tyre. Ky aspekt është pranuar edhe nga disa studiues serbë, të cilët kanë theksuar se, në mungesë të këtij kalimi përmes territorit shqiptar, fati i ushtrisë serbe dhe rrjedhimisht i shtetit serb mund të kishte qenë ndryshe.

Eshte shume e rendesishme te shtrohet një pyetje thelbësore për interpretimin historik të ngjarjes: për çfarë arsye këto trupa ndodheshin në territorin shqiptar? Historiografia shqiptare e vendos ngjarjen në një kontekst më të gjerë. Shqipëria ishte shtet i ri dhe i brishte, i dalë nga shpallja e pavarësisë më 1912. Territori ishte copëtuar nga fuqitë e mëdha me Traktatin e Londrës. Ushtria serbe kishte hyrë edhe më parë në territore shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike, me pretendime territoriale dhe me pasoja të rënda për popullsinë shqiptare. Pra, ndërsa narrativa serbe fokusohet tek martirizimi, interpretimi objektiv thekson kontekstin politik, pushtimin paraprak dhe pasojat sociale për shqiptarët. Kjo do te sillte qe ne disa zona te kete qendrese të armatosur ndaj trupave serbe, greke etj, ndonëse këto rezistenca nuk ishin të unifikuara për shkak të ndarjes së vendit nga fuqitë pushtuese.

Paradoksi i interpretimit historik qëndron në ekzistencën e dy qasjeve diametralisht të kundërta ndaj së njëjtës ngjarje. Shteti serb e përkujton, përmes medaljeve dhe pullave postare, kalimin e ushtrisë së vet në territorin e një shteti tjetër, një kalim që, nga këndvështrimi historik, ishte pjesë e një konteksti pushtimesh dhe pretendimesh territoriale, të cilat, për hir të së vërtetës, vijuan edhe më pas për më shumë se një shekull.

Nëse historianë serbë e cilësojnë një ngjarje të tillë në tokën shqiptare si heroizëm kombëtar, duke anashkaluar dimensionin e pushtimit dhe dhunën ndaj popullsisë vendase, atëherë mund të thuhet se kemi të bëjmë me një interpretim të njëanshëm dhe spekulativ. Qëndrime të tilla rrezikojnë ta mbajnë Serbinë të mbërthyer në narrativa konfliktuale dhe larg perspektivës së një rajoni ballkanik të qëndrueshëm dhe jokonfliktual. Interpretime të kësaj natyre mund të ndikojnë në formësimin e brezave që rriten me perceptime shoviniste, raciste apo hegjemoniste.

Sot, filatelia dhe medalistika duhet të synojnë të jenë pasqyrim sa më objektiv i historisë, dhe jo instrumente të shtrembërimit apo mitizimit të saj. Historia, si disiplinë shkencore, kërkon angazhim të vazhdueshëm ndaj së vërtetës dhe trajtim kritik të burimeve, në mënyrë që interpretimi i saj të mos shndërrohet në mjet legjitimimi politik.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.