“Prushi i bukurisë”, ose fjala si origjinë, si zjarr dhe si amshim
Në poezitë e vëllimit “Prushi i bukurisë”, Anton Nikë Berisha ka arritur të ndërtoj një himn të gjerë dhe solemn për Fjalën, si thelb ontologjik i bukurisë, i dijes dhe i shpirtit njerëzor. Që në vargun e parë, poeti e zhvendos origjinën e bukurisë “Përtej harrimit e pate djepin – Bukuri”, duke e vendosur atë në një kohë mitike, në çastin themelor “kur njerëzit zunë dhe i përftuan Fjalët:”, që janë një akt i bukur krijimi, i krahasueshëm me gjenezën biblike, ku fjala sjell rend, kuptim dhe dritë.
Përtej harrimit e pate djepin – Bukuri
kur njerëzit zunë dhe i përftuan Fjalët:
i vunë njerën pranë tjetrës, i ballafaquan
me përkushtim e dije dhe i qëndisën
me aftësine e mendjes, me ngrohtësinë e zemrës
dhe i përshkuan me dufin e frymësisë
që t’i kumtojnë vetes, po edhe tjetrit
punë të lartësuara, gjera të bukura –
për ta ngritur e pasuruar shpirtin –
që me veprim të rëndomtë s’mund ta bënin.
(Faqe 17, poezia I.)
Fjala, sipas Berishës, lind nga një bashkëveprim i mendjes, zemrës dhe frymësisë. Ajo “qëndiset” me dije dhe ngrohtësi shpirtërore, duke u bërë kështu mjet i vetëm për të kumtuar “punë të lartësuara, gjëra të bukura”, ato që veprimi i rëndomtë nuk mund t’i arrijë. Këtu poeti shfaq një bindje themelore estetike, bukuria është e paarritshme pa fjalën e përpunuar, pa artin, dhe arti është forma më e lartë e përjetimit njerëzor.
Në strofat pasuese, “Fjala” shfaqet si forcë pushtuese e hapësirës dhe kohës. Ajo u jep jetë lumenjve të përfytyrimit, i bën këngën e shpendëve dhe kaltërsinë e fluturimit pjesë të përvojës njerëzore. Metaforat janë të dendura dhe kozmike: Psh. Vargjet, “i zunë yjet nëpër qiell dhe i shpërndanë/ kah dëshiruan, edhe në veten e tyre/ për të nxitur ujevarën e kënaqësisë -/ rrjedhë e amezimit të bukurisë.” Siç shihet yjet “zihen” dhe shpërndahen nëpër qiell, madje futen “edhe në veten e tyre”, duke u shndërruar në “ujevarën e kënaqësisë”. Ky varf i fundit është edhe figurë kyçe, kurse kënaqësia estetike shndërrohet në “rrjedhë të vazhdueshme amezimi”, ku bukuria nuk konsumohet, por vetëm shumëzohet.
Dimensioni estetik ndërthuret natyrshëm me atë shpirtëror dhe teologjik. Fjala identifikohet si “Drita e Hyjit” që lind nga hiri dhe besimi dhe bie në zemrën e secilit “me lehtësinë e buzëqeshjes së foshnjës”. Ky imazh i butë e shndërron bukurinë në mëshirë hyjnore, në energji jetësore “që na e mban frymën, jetën”. Në këtë rast fjala është zbukurim dhe kusht për ekzistencë.
Në këto vargje simbolike, poeti e përfytyron bukurinë si virgjëreshë joshëse që nuk plaket, një qenie e përhershme që sfidon kohën dhe breznitë. Ajo është “temjan i shpirtit” që pushton skutat e zemrës si “kurorë e artë etjesh”, duke treguar se bukuria është njëkohësisht qetësim dhe mall, përmbushje dhe nxitje për njohje të reja. Këtu Anton Nikë Berisha shpreh një ide thelbësore: e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë në Fjalë, e cila frymon përmes kohëve dhe i lidh ato në një përvojë të vetme njerëzore.
Kështu ishe e keshtu do të jesh – Mbretëreshë –
deri ne pafundësi të kohëve, e përtej tyre,
palcë e gjalle që ruan dhe ushqen
thelbin e epshit, zjarrin e dashurisë
që gjallojnë brenda secilit prej nesh –
për ta amshuar fuqinë tënde – Fjalë
që sa na preh aq edhe na përflak,
si dje, si sot, si nesër.
(Faqe 18, poezia I.)
Poezia përmbyllet me një pohim solemn ku bukuria është dhe do të mbetet “Mbretëreshë”, palcë e gjallë që ushqen epshin, dashurinë dhe zjarrin e brendshëm të njeriut. Fjala, si mishërim i saj, ka një natyrë të dyfishtë: na preh dhe na përflak. Kjo ambivalencë e bën atë të pavdekshme, të domosdoshme dhe gjithnjë të re, “si dje, si sot, si nesër”.
Brenda vëllimit “Prushi i bukurisë”, Anton Nikë Berisha na ofron një poezi të bukur për artin e fjalës që manifestohet si një manifest poetik mbi kuptimin e krijimit, bukurisë dhe ekzistencës njerëzore. Fjala këtu është fanar që ndriçon, është si prushi që djeg dhe njëkohësisht e mbanë shpirtin gjallë.
Prishtinë / Lagjja ARBËRIA, 11.02.2026


