TË LUMTË, LDK!

0
LDK - Lumir Abdixhiku

IDRIZ ZEQIRAJ

“Një krua që ka rrjedhur gjithmonë, edhe nëse pushon së rrjedhuri, të paktën, do të pikojë”,- thotë urtësia.

E tillë është edhe LDK-ja, krijesë e Dr. Ibrahim Rugovës me shokë, si parti e parë pluraliste e demokratike, në Ballkanin e trazuar.

Përmbyllja e konstituimit të organeve kuvendore, me votën vendimtare të LDK-së, konfirmon se trashëgimia e përgjegjësisë institucionale e rugovizmit vazhdon. Andaj, për këtë ndihmesë të drejtpërdrejtë konstituive të Kuvendit të Kosovës, përgëzojmë me mirëdashje dhe çiltëri zemre:
– Të lumtë, LDK -!

Përfolja i intriguese për prishjen e koalicionit LVV-LDK të Qeverisë Kurti 1, si dhe pamundësia e bashkëqeverisjes së tyre, është shpikje dhe shpifje e eksponentëve të partive-banda të PAN-it kriminal. Për prishjen e koalicionit LVV-LDK, nuk fajësohen dy subjektet e cituara. Përkundër, zhbërjen kriminale të këtij koalicioni të natyrshëm, sepse ishin të vetmet parti parlamentare të pa kriminalizuara, pikërisht, LVV dhe LDK, e bënë katërshja bandite: Hashim Thaçi, Richard Grenell, Aleksander Vuçiq dhe Edvin Rama.

Ketë e konfirmon edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili deklamon porosinë e Grenell, duke afatizuar ditët e zhbërjes të koalicionit: 8,7,6,5, pa e pritur ditën e 4-të! Hamendësimet e tjera janë broçkulla!

Asnjë reformë tjetër, nuk e ndihmon ngritjen e LDK-së, se sa -vija e kuqe- për subjektet politike të PAN-it.

LVV, tashmë, është parti heterogjene, me zvetënim e lodhje të dogmatizmit majtist-komunist. Shumë më staliniste janë partitë e koalicionuara në PAN, si PDK-AAK-NISMA. Kurrë mos harroni eksponentët e tyre, se edhe në vitet `90-a, kanë protestuar, në qendrat evropiane, kundër prishjes të Murit të Berlinit, “sepse po dobësohet komunizmi në Bashkimin Sovjetik si dhe marksizëm-leninizmi në shkallë botërore!”

Djathtizmi i PAN-it proklamohet mashtrueshëm, rrejshëm, falsifikueshëm. Sepse partitë e koalicionuara në PAN, kanë urrejtje patologjike për Perëndimin demokratik dhe Amerikën vatrën e lirisë, njësoj si Serbia, me aleatët e saj Lindorë dhe Aziatikë.

Tashmë, nuk përbën asnjë sekret, se gjysma tjetër e LDK-së është në GUXO, Alternativa, respektivisht, e koalicionuar në LVV. Dhe, kjo favorizon një bashkëqeverisje solide dhe stabile, të LVV-LDK, shumë të nevojshme për ta shëndoshur klasën politike të Kosovës, skajshëm të lënduar dhe të kontaminuar.

Subjektet ekstrem majtiste, të koalicionuara në PAN, bëjnë “be dhe rrëfe”, se kanë i kanë grupet parlamentare, kuadrot partiakë dhe drejtuesit komunalë, më të pastër, më të pa inkriminuar, krahasuar me subjektet tjera politike. Ndërkohë, eksponentë të bandave të SHIK-ut ilegal dhe kriminal, për çerek-shekulli vazhdojnë të sorollatën gjyqeve dhe burgjeve, vendore dhe ndërkombëtare, ngaqë kanë përgjakur -cep me cep- Kosovën tonë mjerane. Disa “komandantë” kriminelë, të cilët, si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, përgjatë këtij viti dëshmuan në Gjykatën e Hagës. Pothuaj se të gjithë ishin për hekura dhe Gjykata i garantonte “dëshmoni lirshëm, se nuk ju arrestojmë!” Për t`i rehabilituar kriminelët, shefat e partive të PAN-it, i kandiduan për drejtues komunal! E turpshme dhe kriminale, kur dihet se vite më parë ishin nën akuzë për abuzime, shpërdorim të pushtetit!

Lidershipi i LDK-së është para sprovës së madhe, tani që pritet kompozimi i qeverisë, për t`i bërë një shërbim të madh dhe cilësor Kosovës dhe kombit mbarë. Është dëshmuar se qeveritë e harnuara, si ajo e Haradinaj dhe e Hotit, kanë qenë jetëshkurtra dhe dështuese, duke penguar dhe dëmtuar zhvillimin normal të vendit. Andaj, Qeveria Kurti, nëse, vërtetë, ka ndjesinë e dashurisë, për Atdheun-Kosovë, duhet të bashkë qeverisë me një subjekt politik të pakriminalizuar. Aktualisht, partnere ideale, madje e vetme, do të ishte LDK-ja. Dhe, kjo është dëshirë dhe kërkesë e shumësisë absolute e popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve të kudondodhur në botë.

Kushdo që provon të thirret në emër të anëtarësisë dhe të elektoratit të LDK-së, siç ka ndodhur, se, kinse, nuk e duan bashkë qeverisjen me LLV, mashtron, falsifikon, manipulon. Sepse është hulumtuar dhe vërtetuar, katërcipërisht, se askush nga strukturat partiake, nuk e ka konsultuar anëtarësinë dhe elektoratin, se me ke do të bëjnë koalicion. Dhe, po të ishte zotuar Lidershipi aktual i LDK-së, se më parë bëni koalicion me PAN-in, i cili ka përgjakur LDK-në dhe Kosovën, se sa me LVV, nuk do ta fitonte atë 10 %, por do të rrezikonte të mos e kalonte as pragun zgjedhor! Madje, jo vetëm anëtarësia e LDK-së, por edhe shqiptarët atdhedashës, vendorë dhe botërorë, aprovojnë dhe i gëzohen kësaj bashkëqeverisje.

Dibranët tanë kanë një urtësi të artë: “Një mendje, asnjë mendje; dy mendje, gjysmë mendje; tri mendje, një mendje!”

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.