Besnik Fishta
Roli individit në procesin evolutiv të filatelisë në Shqipëri ka qene nga fillimet e saj shume i theksuar.Natyrisht perparesine per kete ndikim e kishin te mundur personat qe ushtronin detyren brenda autoritetit te Postes Shqiptare. Jane te njohur ne historine e filatelise sone kontributet e Lef Nosit, Sadik Tiranes etj. Po sigurisht ne nje perjudhe tashme mbi 110 vjeçare do te duhet te kete dhe emra te tjere qe kanë lënë gjurmë pozitive të dukshme të cilat do kene pasqyrim në dokumentacionet arkivore.
Gjate kerkimit per gjetjen e ketyre kontributeve filatelike interesante shfaqet figura e Pertef Xhikut. Ai lindi në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1913, në një familje me dëshmi të shquara patriotike përgjatë viteve të trazuara para dhe gjatë dy luftërave botërore. Në moshën 14 vjeç fillon punën në Postë-Telegrafën e qytetit dhe pasi ka mësuar të përdorë aparatin Mors, nis të ushtrojë zanatin e telegrafistit.
Gjate luftes nacional-clirimtare ai kreu dhe detyren e rendesishme te shifrantit prane shtabit te pergjithshem te UNCL. Pas lufte, nga viti 1945 deri në vitin e daljes në pension (1968) ai nuk do ti shkëputet institutucionit të PTT-së. Gjatë periudhës 1948-1968 e gjithë puna tij si Drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni përkon me impulse zhvillimi në shërbimet e Postë –Telegraf-Telefonave dhe posaçërisht në filatelinë shqiptare. Krijimi i klubeve filatelike në disa qytete, të cilat përfaqësonin organizma serioze me statute, programe e plane pune, nëpërmjet të cilave u realizuan aktivitetet të shumta si konferenca, ekspozita, veprimtari në shkolla etj, bëri të mundur të masivizohej dëshira e koleksionimit të pullës.
Emetimet e pullës këto vite u shoqëruan me risi të papara më parë, që nga prodhimi i pullës në vënd, denduria e lartë në emetimin e serive, nxjerrja e tematikave të reja, rritja e cilësise së prodhimit pullës, emetimi sistematik i variacioneve të ndryshme(FDC, blloqe, forma gjeometrike të reja trekëndore, rombike, me e pa dhëmbëzim), fletë publicitare, si dhe marrëdhënie sistematike me të huajt përmes pjesmarrjes nga shteti në ekspozita, panaire dhe kongrese filatelike. Krahas zhvillimeve pozitive, shfaqen njëkohësisht të meta serioze, si perdorimi i pulles si ikonë politike e propogandistike, mungesa për arsye ideologjike e disa tematikave me ngjarje dhe personazhe të rëndësishëm të vëndit apo botërore, problemet me tirazhet dhe syrsharzhimet e pullave, mosmarrja pjesë në konkurimet individuale filatelike ndërkombëtare, pengesa e kufizime në korespondencën me jashte vëndit etj.
Në një mjedis të tillë me frymë interesimi e zhvillimi në rritje të filatelisë, është nisma personale e Pertef Xhikut që Drejtoria e Përgjithshme e PTT të botoj librin “Pulla postare shqiptare 1913 – 1959”, duke qënë edhe një nga shkruesit kryesorë të tij. Ky libër me tematikë filatelinë shqiptare është i pari i këtij lloji botuar brënda vëndit. Ai jep të dhëna kronologjike përgjithësisht të sakta. Me ilustrime me ngjyra, dhe duke u shtypur ne disa gjuhë të huaja, pati jehonë brenda dhe jashtë vendit duke arritur të përmbush disi kërkesat e filatelistëve për njohjen e pullës shqiptare. Disa të meta të vogla të konstatuara në faqet e librit nuk ja ulin vlerat. Libri ishte shkëndija parë, por mbeti i vetmi deri në vitet e pas 90-ës kur u bë e mundur të dilnin në dritë botime të tjera me trajtesa filatelinë shqiptare.
Dashamirësia e Pertef Xhikut për filatelinë, dëshira tij për prosperitet të kësaj fushe të bukur koleksionimi, mësohet nga shqyrtimet e çdo dokumenti të firmosur nga ai. Si një njeri vizionar, njohës i zhvillimeve europiane dhe mendje hapur për progres, ai e pat kuptuar rëndësinë që kishte zhvillimi i filatelisë në vendin tonë, si një mundësi e mirë për edukim, njohje dhe emancipim, së pari të moshave të reja. Citojmë fragmente të nje raporti tepër interesant drejtuar organeve eprore, i cili do të na japë një mendim të saktë të atmosferës filatelike në Shqipëri. Ai shkruan që: “…Numri i amatorëve që koleksionojnë pullat tona është rritur shumë. Kështu numri i atyre që janë regjistruar pranë 15 degëve dhe zyrave të PTT arrin në 533 amatorë të rritur dhe 77 të rinj, me përjashtim të mijra e mijra pionierëve dhe të rinjve që merren me koleksionimin e të gjithë shteteve të botës…”.(1)
Më tej Pertef Xhiku raporton punën e mirë të shoqatave në Shkodër dhe Korçë, të cilat patën çelur ekspozita me pulla me rastin e festave kombëtare, por dhe vë në dukje pasivitetin e shoqatave të Tiranës dhe Vlorës, ndërkohë këshillon që në punën e Ministrisë së Arsimit të merren masat si më poshtë:
“…1. Të gjallërohen me ndihmën e seksioneve te arsimit e kulturës, rrethet dhe shoqatat filatelike të qytetve Tiranë, Vlorë, Shkodër e Korçë. 2. Të krijohen shoqata të reja në qëndrat kryesore të vëndit si në Durrës, Elbasan, Lushnjë, Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë etj. 3. Në të gjitha shkollat e mesme dhe 7- vjeçare të krijohen rrethe filatelike. 4. Seksioneve të arsimit dhe drejtorive të shkollave, t’i vihet detyrë që të ndjekin këtë aktivitet, që ka të bëjë me zhvillimin e të rinjve, sidomos me njohjen e historisë dhe gjeografisë të vendeve të ndryshme nëpëmjet pullës…”.(2)
Përveç sugjerimeve për institucionet e tjera, Pertef Xhiku si Drejtor i Përgjithshëm merr përsipër që institucioni i PTT që ai drejton, duhet të kontribuojë në nxitjen e dëshirës së nxënësve për të blerë pullat e postës, duke ua shitur ”si seri të vulosura, të shkurtëra, me çmime të ulura me 50% të vlerës”, dhe premton të bëjë “korrespondencë me firma të huaja, me qëllim që të shkëmbejë me pullat tona, pulla me ato të vendeve të ndryshme, për t’i vënë këto pastaj në shitje pranë dyqaneve të filatelisë për nxënësit dhe të rinjtë”.(3)
Ne perfundim te raportimit është mjaft optimist për të ardhmen dhe sot me të drejtë idetë e shprehura në të, ngjasojnë si parashikim profetik, duke patur parasysh që vetëm pas më shumë se 30 viteve, u bë e mundur që filatelia shqiptare të ketë pjesmarrje në organizatat ndërkombëtare. Ai shkruan : “…do te çelet rruga për themelimin e Federatës Kombëtare të Filatelisë me qendër në Tiranë, në të cilën do të bëjnë pjesë të gjitha shoqatat e filatelistëve të vendit dhe mbas kësaj do të kërkohet që Federata jonë të bëhet anëtare në Federatën Ndërkombëtare të Filatelisë(F.I.P),që është me qendër në Paris(Francë). Pjesëmarrja jonë në këtë Federatë, do të krijojë mundësinë që të marrim pjesë në të gjitha panairet dhe ekspozitat që organizohen herë pas here nën patronazhin e saj”.(4) (Në të vërtetë qendra zyrtare e FIP është ne Zyrih, Zvicër. Shënimi im).
Dokumentacioni arkivor për rolin e Pertef Xhikut gjatë punes së tij si Drejtor i Përgjithshëm i PTT është mjaft i gjerë, sepse dhe reformat e shëndërrimet në këtë institucion kanë qenë jo të vogla. Por interesi ynë është të veçojmë disa nga ato që lidhen posaçërisht me çështjet e pullës së postës. Pertef Xhiku nuk qëndron indiferent ndaj shkeljeve që u vrojtuan dhe konkretisht me procedurat e ndjekura në prodhimin e tregëtimin e saj në botën e jashtme, procese këto që nuk vareshin direkt nga PTT, meqenëse ishin struktura të tjera si Ministria e Tregtisë dhe institucioni i Albeksportit. Drejtuesit më të lartë politik të shtetit duke mos përfillur pasojat negative, bënin gabimin e madh duke i dhënë përparësi interesit financiar, veprimet këto që dëmtuan dukshëm imazhin e pullës sonë postare. Në datën 12/02/1960 vetë Ministri i Tregëtisë(K.Ngjela),për prodhimin e Pullës Postare shprehet jashtë çdo llogjike financiare e jo vetem: “…Duke parë se ky artikull ka leverdishmëri të madhe, mbasi ne sigurojmë valutën nëpërmjet shitjes letrës…lutemi të shpejtoni mbylljen e kontratave me firmat e jashtme”.(5)
Prestigji i pullës sonë në arenën ndërkombëtare u cënua edhe nga shkelje të tjera. Përulja para presioneve të disa firmave të huaja grosiste, duke imponuar në çmimet e shitjes dhe duke pranuar zbritje drastike të çmimeve(deri ne 1/5 e çmimit nominal) dhe në disa raste të tjera shkelje të shumë pikave të kontratave si në rastin e syrsharzhimit të serisë se njohur të “Gagarinit”, nga kompania “Centrofilla”. Në protestën e kompanisë amerikane “Tribune stamp Co” të datës 18 qershor 1962 drejtuar kreut të shtetit shqiptar, denoncohen shkeljet e rënda, si pasojë e eskluziviteteve të dhëna disa firmave të huaja: “…pullat u shiten pak njerëzve, të cilët po i shesin me çmime dhjetë fish, p.sh. emisioni i fundit i malarjes…Në qoftë se kjo do të vazhdojë, në një kohë të shkurtër, do ketë rënie, në dëm tuajin dhe do të sjell keqësim e emër të keq vendit tuaj…”.(6)
Studiuesi Thimi Nika per kete perjudhe shkruan: “Ankesa te tilla bene firmat: Mundus-Milano; Herman-Kleinestinhagen-Gjermani;Rolf-Gumesson-Stokholm; Jon Bianchi-Cyrih; Mad. Degeyter-Bruksel; George ertheimer-Madrid etj. Nje ankese te ngjashme beri dhe firma e Pashko Prendushit, qe vepronte ne Trieste te Italise. Eshte per tu permendur se keto ankesa nuk rane ne vesh te shurdher. Administrata postare mori masa per te mos u perseritur me raste te tilla”.(7)
Pertef Xhiku ka meritën që duke njohur konjukturat në tregun ndërkombëtar të pullave të Postës, sinjalizon, ballafaqohet e polemizon me guxim me organet eprore për të gjitha elementet e shkeljeve financiare në pikat e kontratave me kompanitë e huaja, duke u shfaqur mbrojtes i mirë i autoritetit të pullës sonë, dhe njëherësh i financave të shtetit shqiptar. Në një relacion të 15/01/1962, ai cileson të gjitha vërejtjet të argumentuara dhe në fund e shpreh qartë : “…nëse “Centrofilia” merr eskluzivitetin e këtyre pullave, mund ti shesë si të dojë domethënë dhe dy tre fish dhe veç kësaj as eksporti dhe as Administrata Postare nuk do të jenë në gjendje jo vetëm të plotësojnë kërkesat e klientëve të tjerë me këto pulla por mund të mos plotësohet as dhe dërgesa me pulla per UPU (Bashkimi Postar i Përbotshëm), gjë për të cilën, jemi të detyruar”.(8)
Analiza e dokumentacionit arkivor për vitet e referuara më sipër,nxjerr në dukje që dukuritë negative në filatelinë shqiptare nuk qe e mundur të shmangen tërësisht. Fatmirësisht qënia në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të PTT e Pertef Xhikut, me cilësitë e tij, bëri të mundur minimizimin e tyre.
Në përfundim mund të themi që ai do të mbetet në rrugetimin e Filatelise Shqiptare, si modeli pozitiv dhe vizionar që mbrojti dhe lartësoi vlerat e dinjitetin e filatelisë sonë brenda dhe jashte vendit.
P.S. Sipas dëshmive të marra së fundi nga familjarë të Përtef Xhikut, në biblotekën familjare janë disa albume me koleksione filatelike dhe jo vetem shqiptare. Eshte plotësisht e kuptushme dhe nuk mund të ishte ndryshe. Një inspirues kaq i madh i kultures filatelisë, natyrisht do ta ketë përjetuar personalisht kënaqësinë e pasionit të koleksionimit.
Citime: (1) AQSH, Fondi Drejtoria e PTT,viti 1963, D 43, fleta 31;
(2) po aty;
(3) po aty;
(4) po aty,
(5) AQSH, Fondi Ministria Tregtise, viti 1960, D 32, fleta 5.
(6) AQSH, Fondi 490, viti 1962, Dosja 1058, fleta 23
(7) Thimi Nika; “Historia Filatelis Shqiptare” fq. 324
(8) AQSH, Fondi 490, viti 1962, Dosja 105, fleta 2.