IDRIZ ZEQIRAJ
Bllokada e Kuvendit është më shumë se sa shaka, është një krim ndaj institucioneve dhe popullit – njëherësh. Fajësia bie, kryesisht, mbi opozitën, e cila nuk voton fare, duke mos përmbushur detyrën, si deputetë të popullit. Mos votimi pro ose kundër, madje as abstenim, ka për qëllim ruajtjen e statusquosë, për dy muaj radhazi!
Fundja, nga subjektet politike të koalicionuara në PAN, nuk pritet asgjë e mirë. Sepse me përgjakjen e Kosovës, përkatësisht, vrasjen e kuadrove ushtarakë të FARK-ut dhe të LDK-së, morën pushtetin përgjakshëm! Por, habitë LDK-ja, e cila, edhe pse viktimë, i është ngjitur si -vëllezërit siamezë- dhe nuk i shqitet përsekutores të saj PDK, që heshtë, duke e cytur LDK-në në propozime hiç logjike, për të mos thënë, të marrëzishme!
Propozimi i parë, qeveri nacionale gjithëpërfshirëse, pra të gjithë në pushtet, pa opozitë fare; se dyti, qeveri LDK-PDK, një provokimi i rëndë për elektoratin e LDK-së; qeveri uniteti me kriminelë e hajna! Për të vazhduar edhe me tri propozime tjera, si përligjje të “Rrugës së Re!”
Ndërsa PAN-i, herë pas here, i referohet propozimit të Ramushit: “Qeveri e opozitës, me Listën Serbe, pa LVV fituese!” Por, sa do ta pranojë populli i Kosovës pushtetin e grabitur nga humbësit, rrënues të Kosovës?!
Barazimi në fajësi kolektive, për të gjithë deputetët, është i padrejtë. Opozita me “xhevahiret” e saj e kishte parandjerë humbjen. Andaj, planifikuan bllokadën pas zgjedhore. Dhe, kjo penalizon opozitën, si sabotuese të funksionimit demokratik të shtetit, me bojkotimin e Kuvendit. Sepse pretendimi ngulmues, për t`u kthyer në pushtet, qoftë edhe me bojkot, me bllokim të zgjedhjes të institucioneve kuvendore, flet qartë se “topi” është në anën e opozitës dhe refuzimi i Albulenës është shkas, ndërsa qëllimi është largimi i Kurtit dhe i partisë së tij nga pushteti.
Realisht, LVV, në rastin konkret, mbron parimin, se rrënuesit e shtetit, me shembjen e sistemit të drejtësisë, të ekonomisë, të arsimit, shëndetësisë dhe gjithçka tjetër, nuk duhet lejuar rikthimin në pushtet. Gjithnjë aktuale porosia e Presidentit Rugova: “Hashimi nuk duhet lejuar të ngritët në pozitë, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!” Dhe, vërtet, në gjallje të tij, Rugova e mbajti larg pushtetit, sepse e dinte shantazhimin me dosje penalizuese dhe rekrutimin agjent të Hashimit.
Opozita e organizuar, me lukuninë e anal-banalistëve, si në -kor bretkosash-, ditë e natë, vazhdojnë agjitimin se, kinse, pozita ka bllokuar Kuvendin, duke mos ndërruar emrin e kandidates Albulenë Haxhiu! Realisht, është opozita e cila ka shkelur Kushtetutën, me dy veprime antikushtetuese:
1) Krijimin e koalicionit pas zgjedhor, të cilin e përjashton Kushtetuta, duke e lënë të ligjshëm vetëm koalicionin parazgjedhor të subjekteve politike. Koalicioni: PDK-LDK-AAK-LISTA SERBE, i shprehur me akronimin PLAS, pavarësisht se nuk është proklamuar, praktikisht, ata po e zbatojnë, me bllokadën grupore, kolektive të mos votimit. Çuditërisht, LVV po e heshtë këtë fakt, në vend që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
2) Bojkoti i mos zbatimit të votimit të fshehtë, madje as të hapur, është shkelje flagrante që opozita i bënë Kushtetutës. Njëri nga të privilegjuarit, për të folur në emër të Institutit Demokratik, Eugen Cakolli, falsifikon se votimi i hapur është rregulli, i fshehti është përjashtim”. Vërtet, është e kundërta. Por, Shoqëria Civile, ashtu si mediat, kanë qenë dhe mbeten klientelë e PAN-it. Cakolli bënë mjegullnajë: “Deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votat e tyre!” Ndërkohë që janë bërë deputetë, pikërisht, me votat e fshehta!
Ministri i Financave dhe i Transfereve, Hekuran Murati, nuk zhurmon, por analizon me maturi klasike dhe vepron. Ai, me interpretimin kushtetutar, “sipas aktgjykimit të Kushtetutës të vitit 2014, paragrafi 124, mundësohet që votimi të jetë i hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme, në mënyrë që të konstituohet Kuvendi, qëllimi është konstituuimi, jo bllokimi”. Në të njëjtën linjë është edhe Presidentja Vjosë, edhe pse ruan paanësinë partiake. Ajo këshillon për përgjegjësinë që kanë deputetët për zhbllokimin, sepse është në interes të popullit, të vendit.
Akuzat e ministrit Murati, për bllokimin e Kuvendit nga opozita, nuk janë aspak politike, por janë fajësi faktike. Realisht, ai ka arsye për alarm institucional. Sepse opozita e koracuar në grup, kundër pozitës, në ethe për ta marrë pushtetin e pamerituar në tavolinë, bllokon me mos pjesëmarrje në votim. Dhe, kështu nuk kryen obligimin kushtetues. Për bojkotin e opozitës dhe shkeljen e Kushtetutës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Për keqardhje, edhe LDK-ja me propozimet e pa autorizuara nga strukturat e saj dhe anëtarësia, vazhdon të bëjë propozime hiç racionale! Nuk qëndron as ajo, që dikush nga Kryesia thotë se “elektorati na kërkon të mos bëjmë koalicion me LVV”. Përkundrazi, elektorati rugovistë, që nga Kosova e deri në Amerikë dhe Australinë e largët, kërkojnë, pikërisht, koalicionin LVV-LDK, sepse janë të vetmet parti parlamentare të pa kriminalizuara në Kosovën tonë hyjnore.
Edhe kërkesa e opozitës PAN-iste, së fundi, edhe LDK-ja se “e kanë bërë betimin si deputetë e njëkohësisht po e ushtrojnë edhe rolin e ekzekutivit”, është akuzë bajate, që nuk ia vlen të komentohet! Sepse, deri me kompozimin e qeverisë së re, qeveria e vjetër është në detyrë. Megjithatë, dikush është i etur për anarki! Andaj, edhe zhurmohet pa doganë fare!