Kjo KOMUNIKATË u daktilografua, u shtyp dhe u shpërnda nga Xhafer Shatri, në të njëjtën fletë (së bashku) me thirrjen – KUSHTRIMIN – e demonstratës së Bernës, të 26 qershorit 1982
(17 shkurt 1982 – 17 shkurt 2008)
Osman Osmani, 15 shkurt 2022
Sivjet 17 shkurti shënon 40 vjetorin jubilar të LËVIZJES për REPUBLIKË dhe 14 vjetorin jubilar të shpalljes së REPUBLIKËS së KOSOVËS – shtet të pavarur e sovran. Gjatë trajtimit të kësaj tematike, tani e në të ardhmen, mediat, historianët, studiuesit e autorët e ndryshëm duhet t’u referohen fakteve e dëshmive faktike dhe të tregohen objektivë, pasi vetëm kështu mund të plotësohet mozaiku i të gjitha ngjarjeve, përpjekjeve, veprimtarisë atdhetare e revolucionare, etj., si dhe i luftës çlirimtare. Vetëm kështu ky mozaik, si i plotë, i bashkuar dhe i kompletuar, mund t’u shërbejë edhe brezave të ardhshëm për një jetë të përparuar e me mirëqenie!
Lëvizja atdhetare shqiptare përpos që është luftuar nga armiku, ajo në të kaluarën është përballur edhe me zyrtarët shqipfolës ish-jugosllav, si pjesë përbërëse e mekanizmave të pushtetit. Ata, në luftën e tyre speciale kundër kërkesës këmbëngulëse për Republikë të rinisë, studentëve e shumicës së popullit shqiptar, herë hapur e herë fshehur, aludonin se p.sh.: demonstratat e shqiptarëve për Republikë i kanë organizuar herë UDB-ja e Serbia, herë KGB-ja e Rusia e deri edhe Bullgaria. Ndërsa në rrethanat tanimë të ndryshuara, në kohën kur Kosova është bërë shtet, ata edhe me tej në deklarimet e tyre publikë përpiqen të përbaltin Lëvizjen atdhetare shqiptare me atribute tjera, ndër të tjera edhe si staliniste. Atëherë për të ruajtur privilegjet e tyre personale, ndërsa tani për të lëpirë ndonjë kocke nga zbatuesit e politikave të imponuara kufizuese të faktorit ndërkombëtar.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, në kohën e fundit – dhe jo vetëm- disa nga shtrembëruesit dhe pretenduesit e të vërtetave të tyre të sajuara, kanë marrë përsipër dhe janë bërë zëdhënësit më të zhurmshëm të teorive konspirative të lartpërmendura të ish kundërshtarëve të tyre politik, ndërsa të tjerë nuk kanë ndalur, që aty ku ata nuk kanë qenë dhe nuk janë vet protagonistë, së përpjekuri për të kontestuar datat dhe veprimet e caktuara, duke u thirrur në gjysmë të vërteta.
Të prirë herë nga egocentrizmi i tyre deri në sëmundje, herë nga smira e xhelozia herë nga mendësia e papërgjegjshmërisë, ata përjashtojnë gjithçka tjetër dhe nuk ngurrojnë të përvetësojnë merita për veten dhe grupet e tyre të interesit. Ata anashkalojnë veprimtarinë e grupeve, organizatave e subjekte të tjera të shumta atdhetare që kanë vepruar në Kosovë e më gjerë, dhe që jo rrallë kanë ushtruar ndikim shumë më të madhe sesa ata, apo grupimet e tyre. Aq më keq ata jo vetëm që injorojnë, por edhe nuk ngurrojnë të intrigojnë e shpifin kundër të tjerëve dhe përpiqen paturpshëm të ndryshojnë faktet dokumentuese historike, duke shpikur sipas nevojë së tyre edhe data e veprime të paqena.
Lënia në heshtja e ngjarjeve historike apo shtrembërimi e falsifikimi i tyre, përvetësimi dhe ndarja e meritave pa të drejtë, si dhe devijimi nga e vërteta e dokumentuar objektive u hap rrugë deformimeve të ndryshme dhe çon ujë në mulli të armiqve dhe kundërshtarëve të luftës sonë. Ata, edhe ashtu, në publikimet e shumta edhe në gjuhë të ndryshme të huaja nuk rreshtin të bëjnë shtrembërime të ndryshme, duke u shërbyer me gjysmë të vërteta, por edhe të zhvillojnë teori të ndryshme konspirative mbi shqiptarët, rezistencën, organizimin atdhetar dhe luftën e tyre të drejtë për liri, demokraci, barazi, pavarësi, vetëvendosje, zhvillim e mirëqenie të përgjithshme shoqërore dhe kundër pushtimit, diskriminimit të gjithanshëm, dhunës shtetërore, shtypjes e shfrytëzimit.
Rrugëtimi pjesërisht i suksesshëm i Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare
Situata e krijuar revolucionare në demonstratat gjithë popullore të mars-prillit 1981 në Kosovë shtroi pashmangshëm nevojën e bashkimit sa më të shpejtë dhe sa më ideal të forcave të organizuara atdhetare e revolucionare. Bashkimi i 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, i arritur mes forcave të atëhershme atdhetare e revolucionare, përpos bashkimit – për shkak të rrethanave – të detyrueshëm ideor, nuk rezultoi edhe me bashkim në një strukturë të vetme vepruese, që në fazat fillestare koordinoheshin fare pak mes tyre. Lëvizja atdhetare e kohës (LRSSHJ) vazhdoi ta zhvillojë veprimtarinë e saj me të nijetin emër, fillimisht në dy, e më pas në së paku tri fraksione (grupe interesi politik), e që shoqërohej me fërkime e konflikte për dominim politik.
Mjerisht, një bashkim i të gjitha rrymimeve nuk ndodhi as në kohën e pluralizmit politik të viteve ‘90 në hapësirat shqiptare, por përkundrazi, lëvizja jonë, gjatë rrugëtimit të saj, përpos goditjeve nga ana e armikut dhe pengesave të tjera të natyrës objektive, u përball pareshtur edhe me situata të luftës së brendshme imponuese e dominuese. Megjithatë, kjo lëvizje arriti të ruajë dhe të zhvillojë një vazhdimësi, e cila në fund rezultoi edhe me luftën e armatosur, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe shpalljen e pavarësisë vetëm të Kosovës, si ish-Krahinë Autonome të ish-RSFJ-së, ndërsa viset e tjera shqiptare nën Republikat e Tjera Jugosllave mbetën edhe më tej të ndara e të shtypura.
Ky bashkim (i 17 shkurtit dhe 15 majit 1982) kaloi disa faza të caktuara konsolidimi, duke pasur edhe transformime të njëanshme emërtimesh nga LRSSHJ në LPRK/LPK, në përputhje me rrethanat zhvillimore dinamike, që mjerisht reduktuan kërkesat me karakter të emërtuar kombëtar në emërtim të imponuar administrativo-gjeografik.
Ky rrugëtim është përcjellë me prirje përvetësimi edhe të kërkesave programore, veprimeve të caktuara, deri edhe të veprimtareve e veprimtarëve (shokëve e shoqeve), për të cilët nuk është ditur publikisht përkatësia organizative. Ndaj nuk është për t’u çuditur me deformimet e caktuara aktuale dhe përdhosjen e vlerave nga individë e klane të caktuara, që në etapa të caktuara kanë arritur të dominojnë lëvizjen. Së fundi, edhe si pasojë e këtyre sjelljeve, si vjedhje e, zaptimeve, plaçkitjeve e grabitjeve, thuajse ka zënë vend një mendësi, që përdhosja e vlerave kombëtare shoqërore, si edhe veprimet e shpronësimit, gllabërimit e shkatërrimit të pasurisë publike e shoqërore dhe arritjeve me mund që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e deri tashmë në Kosovë e më gjerë, është bërë si diçka “e zakonshme” dhe “normale”.
Nuk duhen përjashtuar me këtë rast, edhe pengesat kryesore të shkaktuara nga infiltrimet dhe atakimet e tjera nga ana e armikut dhe e faktorëve të tjerë të interesit, deri edhe ndërkombëtarë. Megjithatë, mund të konstatojmë se deri më tani ne kemi vepruar e kaluar më mirë se lëvizjet e ngjashme, p.sh., sesa ajo kurde, tamile, baske, irlandeze etj., pasi ne kishim një shtet amë, i cili në mënyra të ndryshme jepte kontributin e vet të natyrshëm dhe të pamohueshëm.
Përkundër të gjitha vështirësive të njohura e të panjohura, lëvizja jonë atdhetare e shoqërore falë angazhimeve të shumanshme të individëve, grupeve, organizatave e subjekteve të shumta dhe bashkërenditjeve e mbështetjes së caktuar nga personalitete e struktura nga vendi amë dhe partnerëve miqësor ndërkombëtar, arriti të zhvillojë edhe luftën çlirimtare të drejtuar nga mekanizmi i saj, UÇK-ja, luftë kjo që u realizua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, pikërisht më 17 shkurt të vitit 2008, identiteti, sovraniteti, integriteti dhe shtetësia e mirëfilltë e së cilës mbetet të konsolidohet si në kuptimin kombëtar, ashtu edhe shoqëror, bashkë me të gjithë mekanizmat e duhur që shtetin e bëjnë shtet.
Edhe rrugëtimi i saj për shtetndërtim të mirëfilltë, krahas integrimeve shqiptare, europiane e ndërkombëtare, bashkë me zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e mekanizmave të kontrollit publik e shoqëror, mbetet një sfidë më vete. Përfshirja e të gjitha pasurive e resurseve të saj brenda vendit dhe veçanërisht në mërgatën shqiptare gjithandej nëpër botë (që ndërkohë është duke u bërë më transnacionale), në bashkëpunim të strukturuar mes institucioneve të shteteve përkatëse – duke ruajtur e zhvilluar arritjet pozitive ekzistuese që krijuar brezat me shumë punë, mund, sakrificë e gjak – gjithashtu paraqet një sfidë emergjente aktuale për një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Tu referohemi fakteve dhe dëshmive objektive e dokumentuese
Me rastin e 14 dhe 40 vjetorit të 17 shkurtit historik, në prag të kësaj date jubilare po publikojmë disa dokumente të kohës.
NGA LËVIZJA PËR REPUBLIKË DERI TE KOSOVA SHTET I PAVARUR
“DOKUMENT
Nga mbledhja e përbashkët në nivel të përfaqësuesve të KQ të LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
Në orën 21.10 të datës 17 shkurt 1982 (në Ankara – vërejtja ime) filluan bisedimet për bashkimin e organizatave motra, LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ, gjegjësisht për shkrirjen e këtyre dy organizatave në një të vetme.
Organizatën e LNÇKVSHJ e përfaqësojnë anëtarët e KQ Mërgimi (Sabri Novosella) dhe Shpendi (Xhafer Durmishi).
Organizatën e PKMLSHJ e përfaqësojnë Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) dhe Halimi (Osman Osmani), anëtar të KQ. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe anëtari i KQ të PKMLSHJ Qemali (Faton Topalli) si përfaqësues i këtyre bisedimeve.
Pas afër tre muajsh bisedime dolëm me propozime konkrete.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Halimi (Osman Osmani) doli me këtë propozim; të bëhet shkrirja e dy organizatave në një të vetme me emrin ”LËVIZJA PËR REPUBLIKËN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI” (LRSHJ).
LRSHJ të ketë një platformë, program e statut të vetëm, një KQ, një organ qendrore. LRSHJ të formoj organizatat e veta të brendshme; të gjitha organizatat që i ka një Republikë në Federatën Jugosllave.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Shpendi (Xhafer Durmishi) deklaroi:
-Pajtohem që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj si e tillë deri në momentin kur të realizohet kërkesa për formimin e Republikës.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ Kushtrimi (Abdullah Prapashtica) deklaroi:
-Pajtohem me propozimin e dhënë për bashkimin e organizatave tona dhe për mënyrën e organizimit të cilën e parashef ky propozim. Gjithashtu jam i mendimit që organizata në fjalë (LRSHJ) të ekzistoj deri te arritja e kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi, për konstituimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ Mërgimi (Sabri Novosella) deklaroi:
-Duke pasur parasysh që propozimi i bërë nga Halimi (Osman Osmani) dhe i përkrahur nga Shpendi (Xhafer Durmishi) e Kushtrimi (Abdullah Prapashtica), kam bindjen se i plotëson kërkesat e forcave patriotike revolucionare dhe të popullit shqiptar që jeton në Jugosllavi; pajtohem plotësisht me këtë propozim dhe shtoj; që të dy komitetet e organizatave të mëparshme të përbëjnë komitetin e LRSHJ kurse udhëheqësia e Komitetit Qendror të zgjidhet në një mbledhje të ardhshme.
Të formohet një komision nga anëtarët e këtij komiteti për përpilimin e programit dhe statutit të LRSHJ.
Pasi që deri në momentet e fundit të jetës së tij që ra nga plumbat e shovinistëve serbomëdhenj e redaktoi dhe udhëhoqi me plot sukses e edhe pas tashit do të punohet me atë teknikë të përsosur të Jusuf Gërvallës, propozoi që organi i LRSHJ të mbaj emrin ”Zëri i Kosovës”, pasi ky emër shpreh Zërin e Kosovës, kurse organi i rinisë të LRSHJ të quhet “Republika”.
Në lidhje me këtë propozim Halimi deklaron:
– Jam i mendimit që këto dy organe të ekzistojnë por me një renditje tjetër. Për arsye se qëllimi i LRSHJ është Republika edhe organi i LRSHJ të jetë me po këtë emër, kurse si organe të rinisë së LRSHJ, pasi rinia jonë ndjek Zërin e popullit të Kosovës (në kuptimin e gjerë) emri i organit të rinisë së LRSHJ të jetë “Zëri i Kosovës”, dhe shtoi: Në udhëheqësi të LRSHJ të hyjnë edhe udhëheqësitë e dy organizatave tjera të njohura OMLK dhe FKP me bashkimin e tyre në LRSHJ.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ shton (Kushtrimi):
– Sa i përket emrit të organit qendror të LRSHJ jam i mendimit se mund të botohet me emrin “Zëri i Kosovës” apo “Republika”, pasi që jam i mendimit që edhe njëra edhe tjetra e kanë kuptimin e Zërit të popullit shqiptar në Jugosllavi.
Sa i përket organeve të organizatave tjera të LRSHJ ato vetë të caktojnë emrin e organeve të tyre.
Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ, Shpendi në lidhje me këtë problem deklaron:
– Duke patur parasysh se vet LRSHJ ka të bëjë me Republikë, ky titull të sintetizohet me kërkesën për Republikë. Mendoj se është e drejtë, kur të kihet parasysh se veç ekziston një organ për “Republikën e Kosovës” të cilën nesër mund ta kemi në radhët tona, organi qendror të quhet “Zëri i Kosovës”.
Përfaqësuesi i PKMLSHJ, Qemajli deklaron:
– Edhe pse në këtë mbledhje marrë pjesë si përcjellës i bisedimeve, jap mendimin tim në lidhje me çështjen e bashkimit. Pajtohem plotësisht që organizata e përbashkët të quhet LRSHJ dhe që brenda saj sipas mundësive të organizohen të gjitha organizatat që ka një republikë në federatën jugosllave. Në lidhje me organin e LRSHJ jam i mendimit që organi të quhet “Zëri i Kosovës”. Për emrin e organeve të organizatave tjera vendosin vet organizatat.
Mërgimi shton:
– Të lihet mundësia, gjegjësisht t’u bëhet thirrje edhe të gjitha organizatave, grupeve patriotike e revolucionare që veprojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi të i bashkohen LRSHJ.
Me këtë propozim, d.m.th. për thirrje që t’i bashkohen LRSHJ të gjitha organizatat dhe grupet patriotike revolucionare pajtohen të gjithë përfaqësuesit.
V E N D I M
I mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të dy organizatave motra patriotike revolucionare LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ
1. Organizata e formuar nga dy organizatat e mëparshme LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ të quhet Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).
2. Organizatat e brendshme do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave.
3. Më vonë të formohet komisioni nga anëtarët e KQ për përpilimin e tezave të programit dhe statutit të LRSHJ.
4. Në KQ të hyjnë anëtarët e dy KQ të mëparshme në përbërje të plotë.
5. Udhëheqja e KQ të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të KQ.
6. Organi i LRSHJ të jetë ”Zëri i Kosovës”.
Qemajli (Faton Topalli)
Shpendi (Xhafer Durmishi)
Halimi (Osman Osmani)
Kushtrimi (Abdullah Prapashtica)
Mërgimi (Sabri Novosella)“
(“Ky Dokument i shkurtit të vitit 1982, i shkruar me dorë nga Osman Osmani, pa asnjë shkurtim e ndryshim, është botuar për herë të parë… Kompleti i këtij origjinali gjendet në arkivin e Faridin Tafallarit.” Pjesë e cituar nga shkrimi i Xhafer Durmishit, publikuar në https://www.albaniapress.com/lajme/17890/SHOKET-DHE-JUSUF-GERVALLA-I.html, referuar më 13.02.2022, në ora 15:31)
LRSSHJ-së me 15 maj 1982 i bashkëngjitet pa asnjë kusht edhe OMLK-ja
Lëvizjes për Republikë, të themeluar me 17 shkurt 1982, pas bisedimeve të zhvilluara mes përfaqësuesve të saj (Osman Osmanit e Xhafer Durmishit) me përfaqësues të OMLK-së (Xhafer Shatri e Hasani Malaj) më 15 maj 1982, në banesën e pjesëtarit të OMLK Hasan Malaj në Biel-Bienne të Zvicrës, pa asnjë kusht iu bashkëngjit edhe OMLK-ja.
Si dëshmi e pakontestueshme shërben edhe dokumenti i botuar në numrin e parë të “Zërit të Kosovës” si organ i LRSSHJ në maj të viti 1982. Shih për ketë edhe komunikatën në vijim:
Komunikata e 15 Majit 1982
“KOMUNIKATË
Përfaqësuesit e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ) dhe të Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste në Jugosllavi (PKMLSHJ) u mblodhën më 17 shkurt 1982 dhe zhvilluan bisedimet përfundimtare për bashkimin e këtyre dy organizatave.
Përfaqësuesit vendosën njëzëri që të organizohen në Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi. Në ndërkohë bisedimet u zhvilluan edhe me përfaqësuesit e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës (OMLK) me të cilët bisedimet përfunduan më 15 maj 1982. Përfaqësuesit e tri organizatave në mes tjerash vendosën:
1. Që organizata e re të pagëzohet ”Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ).
2. LRSHJ-a si front unik i rezistencës do të përfshijë në gjirin e saj të gjitha forcat patriotike e revolucionare të popullit shqiptar, si dhe të gjithë patriotët në mërgim, të cilët për shkak të dhunës e terrorit serbomadh janë detyruar t’i lëshojnë trojet e veta të stërlashta.
2.1. LRSHJ-a do të luftoj për formimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, në të cilën duhet të përfshihen të gjitha territoret etnike shqiptare, dhe për realizimin e këtij qëllimi do të shërbehet me të gjitha mjetet që lejon etika revolucionare, duke u nisur nga bindja politike e gjer tek revolucioni i armatosur, po që se e kërkon nevoja.
3. LRSHJ-a është thellësisht e bindur se duke luftuar për Republikën Shqiptare në kuadrin e Federatës Jugosllave do t’i kontribuoj ruajtjes dhe forcimit të bashkimit dhe vëllazërimit të mirëfilltë në mes popujve të Jugosllavisë. Si përfaqësuese e vetme e popullit shqiptar në shtetin jugosllav, LRSHJ-a konsideron se lufta e saj e drejtë i shërben edhe forcimit të unitetit të Federatës Jugosllave, ruajtjes së paqes në Ballkan dhe stabilitetit të përgjithshëm në Evropë e më gjerë.
4. LRSHJ-a llogaritë në ndihmën dhe përkrahjen e të gjitha forcave progresive të Jugosllavisë, të cilave u propozon luftë të përbashkët kundër forcave hegjemoniste, kolonialiste, shoviniste dhe forcave tjera reaksionare në Jugosllavi, të cilat sot kanë pozita dominuese në të gjitha strukturat e shtetit dhe si të tilla paraqesin rrezik permanent për të ardhmen e Jugosllavisë, për perspektivën e popujve që jetojnë në te dhe për paqen në këtë regjion.
5. LRSHJ-a me të gjitha forcat do të luftoj kundër çdo shovinizmi e separatizmi, sepse edhe këto izma reaksionare, që mund të paraqiten edhe tek ndonjë shqiptar, e dëmtojnë unitetin e Jugosllavisë dhe vetvetiu edhe luftën e drejtë që bënë populli ynë.
6. LRSHJ-a përshëndet qëndrimin e drejtë të të gjithë opinionit progresiv ndërkombëtar, që u solidarizua dhe po solidarizohet me kërkesën e drejtë të popullit tonë për Republikën e vet në kuadrin e Federatës Jugosllave.
7. Përshëndetet qëndrimi i PPSH dhe i qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së klasës punëtore dhe popullit shqiptar në Jugosllavi për konstituimin e Republikës së vet në kuadrin e Federatës Jugosllave, me çka dëshmon interesimin e vet për këtë pjesë të kombit dhe prinicipialitetit të politikës së jashtme ndaj RSFJ, ku respektohen me përpikëri parimet e moscënimit të sovranitetit dhe integritetit territorial, mospërzierjes në punët e brendshme, respektimit reciprok dhe barazisë së plotë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ruajtjes së fqinjësisë së mirë, duke qenë gjithmonë në gatishmëri të plotë të mbrojë interesat e pjesë së kombit brenda normave dhe ligjeve ndërkombëtare.
8. LRSHJ-a u bënë thirrje të gjitha grupeve ekzistuese dhe individëve që luftojnë për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi që t’i bashkohen Lëvizjes për Republikë.
9. LRSHJ-a që tash distancohet nga të gjitha format e luftës që mbajnë erë terrorizmi dhe s’do t’ua shtrijë dorën e pajtimit individëve që i kanë duart e zhytura me gjakun e popullit. Gjithashtu Lëvizja s’do të bashkëpunojë asnjëherë me rrymat e organizatat politike që mbajnë vulën e tradhtisë, apo kanë qëllim ta rrezikojnë pavarësinë e Jugosllavisë.
10. Organ qendror i LRSHJ-së do të jetë ”Zëri i Kosovës”.
11. LRSHJ-a ua bënë me dije si OKB-së ashtu edhe qeverive të të gjitha shteteve që janë për paqe, liri dhe demokraci në botë, se pa iu njohur popullit shqiptar në Jugosllavi statusi i kombit dhe e drejta e patjetërsueshme e tij për Republikën e vetë në kuadrin e Federatës Jugosllave; pa u liruar pa asfarë kushti të gjithë të burgosurit politik dhe pa mundësimin e kthimit në vendlindje të të gjithë atyre që luftuan për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, LRSHJ-a nuk do të qetësohet kurrë.
RROFTE REPUBLIKA SOCIALISTE SHQIPTARE NE JUGOSLLAVI!
RROFSHIN TE GJITHE POPUJT E RSFJ!
RROFTE LEVIZJA PER REPUBLIKE!
Komiteti Qendror i Lëvizjes për Republikën Shqiptare në RSFJ”
LNÇKVSHJ: Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi
OMLK: Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës
PKMLSHJ: Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi
LRS(S)HJ: Lëvizja për Republikën (Socialiste) Shqiptare në Jugosllavi
17 shkurt 2008
KOSOVA SHPALLET SHTET I PAVARUR
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës
DEKLARATA E PAVARËSISË SË KOSOVËS
Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,
“Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,
1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtës së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.
7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.
8. Me pavarësinë vjen detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjëve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjët tanë për të avancuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.
17 shkurt, 2008 – Prishtinë, Republika e Kosovës”
Pamje nga shpallja e Kosovës shtet i pavarur.
Deklarata e pavarësisë u lexua nga Hashim Thaçi.
1. Nënshkruesit e parë të deklaratës: Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaqi.
2. Foto e përbashkët Hashim Thaqi, Joe Biden dhe Fatmir Sejdiu me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës