SOT, TETËMBËDHJETË VJET ME PARË KALOI NË AMSHIM I PËRNDRITSHMI IMZOT MARK SOPI, IPESHKV I IPESHKËVISË SË KOSOVËS

0
Imzot Mark Sopi

Shkruan: Lekë Mrijaj

Shkëlqesia e tij – i përndritshmi, Imzot Mark Sopi, vërtetë do të mbetet përgjithmonë në historinë e lavdishme kombëtare dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën pra edhe të grigjës së tij dioçeziane, famullitarëve të të gjitha famullive të Dioçezës së Kosovës. Ai, jetoi, interpretoi dhe dëshmoi në plotësi me shumë dashuri mesazhin e ungjillit, pra si një misionar i kompletuar me zemër të bardhë dhe me gëzim të pafund gjatë gjithë jetës së tij reflektoi dhe gjeti gëzim dhe entuziazëm në besimin e tij universal dhe kuptimin e vërtetë të jetës dhe misionit të tij qoft shpirtëror, kulturor dhe në atë kombëtar.

Mark Sopi, qysh si seminarist, e më vonë si meshtar dhe teolog në shërbesa të ndryshme shpirtërore e liturgjike, fillet e para të meshtarisë i ka nisur në famullinë e Ferizajt (si ish sekretar i imzot Nikë Prela, ipeshkv i Ipeshkëvisë Shkup Prizren) me pas si famullitar në famullinë e Kishës së Zllakuqanit (nga 1974 deri në vitin 1991), me vonë apo pas rënies së komunizmit në Shqipëri (në Milot dhe Durrës), me ç’rast edhe u emrua ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës nga Selia e Shenjt-Papa Gjon Pali II.

Imzot Mark Sopi, njihet edhe si një ndërmjetsues aktiv gjatë faljeve të gjaqeve në Zllakuqan dhe rrethinë, me konkret ishte bashkëpuntor i përafërt i prof. Anton Çettës dhe elitës së pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Qysh nga shugurimi i tij ipeshkvnor (me 23 nëntor 1995 deri kalimin në amshim 11 janar 2006), ishin momentet më historike të imz. Markut, i cili bëri kthese të ndryshimeve epokale karshi kombit, duke lobuar për kauzën kombëtare në senzibilizim të çështjes së Kosovës nëpër ambasadat e zyrët akredituara në Prishtinë, Evropë dhe në mbarë botën demokratike.

Në periudhën e luftës së Kosovës veproi si një ambasador shqiptarë dhe një bari i mirë, jo vetëm për katolikët shqiptarë, por për mbarë popullatën tonë (pa dallim feje) pra mbështetur nën moton e Pjetër Bogdanit: Fati i popullit tim, është fati im”, te cilën moto e përcolli edhe atë në të gjitha ditët e luftës që do të thotë se e mbrojti fjalën e lirë, lirinë, demokracinë, qënien tonë njerëzore, kulturore dhe kombëtare nga dhuna, persekutimi dhe vrasjet mesjetare nga okupatori serbian.

Më 26 Gusht të vitit 2005, ishte projekti më kapital apo një vepër jetësore e ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopit, i cili veq tjerash projekte , ishte ai që e vendosi gurëthemelin e Katedrales që bartë emrin e Shën Nënë Terezës Shqiptare në Prishtinë. Imzot Markut, i mbahet mend fjalimi i tij monumental para senatorëve në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005 (ku kishin marrë pjesë edhe kongresmeni Joseph J. DioGuardi, vikari special dioçezian, dr. dom Shan Zefi, dr. mons. Lush Gjergji, Faton Bislimi etj.) i cili pati thënë se: “Pavarësia e Kosovës është zgjidhja që prodhon vetëm paqe e siguri dhe stabilitet jo vetëm për Kosovën, por për rajonin dhe mbarë Evropë e botën mbarë dhe se Evropa e ka të pamundur t’i jap paqe të qëndrueshme Kosovës pra është Amerika e cila i siguron stabilitet të qëndrueshëm Kosovës” kishte thanë imz.

Marku para Kongresistëve Amerikan. Ishte një shembull i bukur i një mënyre shpirtërore për të jetuar ungjillin dhe për t’u dhënë plotësisht, pa orë pune, për t’u shërbyer njerëzve. Nuk kishte kohë të mendonte për veten e tij, ai ishte gjithmonë i gatshëm që përmes eukaristisë, devotshmërisë dhe katekizmit t’i ofronte njerëzit me çdo kusht tek Ati, Biri dhe Shpirti Shënjtë.

Vlen të potencohet se ai nga natyra ishte tejet i maturuar i sojit të një filozofi, madje edhe një dashamirës i drejtpërdrejtë, këmbëngulës dhe i afërt me çdo person i cili përherë sa ishte gjallë i shpërfaqi tiparet më të bukura të Jezu Krishtit, se nuk erdhi për t’u shërbyer nga të tjerët, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën për vëllezërit dhe motrat e tij.

Imzot Mark Sopi, përveq se ishte studiues e lexues i zellshëm, ai ishte edhe bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite” siq thotë dr. don Shan Zefi ka botuar artikuj të ndryshëm, siç do të bashkëpunojë njëkohësisht edhe me revistën “Kumbona e se Dielës”, që botohej në Shkodër. Ka shkruar edhe artikuj tjerë të çmueshëm në “Lajmtarin Ipeshkvor”, gazetën zyrtare të Ordinariatit ipeshkvor që e drejtonim ne “ad usum internum” etj.

Botoi edhe këto vëllime: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike (2000), Shën Luçia (2001). Lavdi veprës së tij shpirtërore dhe kombëtare.

Pushoftë në paqe imzot Mark Sopi!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.