Xhevrie Osmani e diplomuar në Shkencat Politike dhe në Administratë e Kriminalistikë fiton edhe një mandat të dytë 5-vjeçar në Parlamentin e Gjenevës

0
Xhevrie Osmani

Xhevrie Osmani e specializuar në Shkencat Politike, niveli Master në Universitetin prestigjioz të Gjenevës, për ta plotësuar edhe më tepër profilin e saj profesional më 2019, i përfundon me sukses studimet universitare të shkallës Master, edhe në Administratë e Kriminalistikë në Universitetin e Llozanës, gjegjësisht në atë të Bernës.

Socialistët e Republikës dhe kantonit të Gjenevës duke parë përgatitjen dhe përkushtimin e zonjës Osmani në punë dhe aktivitete partiake edhe në zgjedhjet e 2 prillit të vitit 2023, asaj ia japin përsëri besimin, duke e vendosur në krye të listave të tyre zgjedhore.

Publikimi i rezultateve përfundimtare nga komisionet përkatëse të Republikës dhe kantonit të Gjenevës, vërteton që përcaktimi i socialistëve për nominimin e zonjës Osmani ka qenë i qëlluar.

Zonja, Xhevrie Osmani në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë ka fituar 12’476 vota Në garën e sivjetme për ripërtëritjen e 100 vende sa edhe i ka Legjislativi i Gjenevës, kanë konkurruar 690 kandidatë të nominuar në këtë fushatë elektorale nga dymbëdhjetë subjekte politike.

Me socialistët gjenevas në politikë ka debutuar suksesshëm edhe i riu Leonard Ferati ,me origjinë nga Ferizaj i Republikës së Kosovës.

Ferati dikur fëmijë refugjatësh të ikur nga lufta në Kosovë, i natyralizuar ndërkohë në Zvicër, ka diplomuar në Shkollën e Lartë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Gjenevës.

Ai duke treguar disiplinë dhe korrektësi në fushatë ka marrë mbështetjen e hiç më pak s’e të 12’308 vetave.

Po ashtu, vendimi i Skënder Salihut dhe Arbër Jahiut për të qenë pjesë e MCG-së, ka dhënë rezultatin e dëshiruar. Këta dy të rinj me rrënjë nga Anamorava e Kosovës, nëpërmjet kësaj partie kanë zënë nga një ulëse në Parlamentin e Gjenevës.

Salihu ka tubuar gjithsej 9’230 vota . Ndërkaq, Jahiu 9’201 vota. Shumë afër realizimit të qëllimit kanë qenë edhe Denis Haziri me të Gjelbërit dhe Sami Gashi e Hasan Bytyqi,me MCG-në.

Në këtë garë elektorale nga radhët e shqiptarëve që kanë marrë shtetësi zvicerane në periudha të ndryshme kohore për nga një ulëse në këtë Parlament kanë konkurruar edhe Ismet Kurteshi,Bashkim Januzi, vëlla e motër Edon e Fitore Duraku, Ardonat Lokaj dhe Anita Uka-Mirena .

Ata kësaj here nuk kanë arritur numrin e duhur të votave për të qenë pjesë e Parlamentit të Gjenevës.

Shpresojmë që në të ardhmen të gjithë të cituarit do t’i qasen më seriozisht garës për të sendërtuar ëndrrën e tyre të kahmotshme, ose duhet do t’u lëshojnë udhë atyre që vërtetë kanë përgatitje dhe prirje për këtë art të së mundshmes.

Para pesë vjetëve e para në këtë Parlament me traditë mbi 200-vjeçare nga radhët e komunitetit shqiptar pati hyrë Xhevrie Osmani, me origjinë nga Gjilani. Ajo suksesin e dikurshëm të vitit 2018, në këto zgjedhje vetëm e ka fuqizuar me rritje votash, duke mos lejuar në asnjë mënyrë lojë fati dhe zhgënjim.

Në kuadër të këtyre zgjedhjeve qytetarët e Gjenevës kanë votuar edhe për të ashtuquajturin“ Conseil d’ Etat” apo ndryshe i njohur edhe si “Këshilli i shtetit.” Në këtë garë kanë marrë pjesë 23 kandidatë.

Në raundin e parë më e suksesshmja ka dalë zonja  Nathalie Fontanet, përfaqësuese e Liberalëve Radikalë të Gjenevës. Ajo në turnin e parë të zgjedhjeve ka marrë besimin 49’218 vetave, e ndjekur pas zotit Thierry Apotheloz përfaqësues i listës së Gjelbër-Socialiste.

Zoti Apotheloz ka realizuar 38’232 vota. Ai si mik i komunitetit shqiptar të Gjenevës, llogarit në fitore, duke qenë i sigurt që në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve do ta ketë mbështetjen e fuqishme të mërgimtarëve shqiptarë të Gjenevës me të drejtë vote.

Ky fakt dëshmon që komuniteti shqiptar në Gjenevë është me rol mjaft të rëndësishëm në këtë Republikë dhe kanton të Zvicrës frëngjishtfolëse.

Pra, raundi i dytë i zgjedhjeve do të jetë përcaktues definitiv se kush do të jetë në 5-vitet e ardhshme  pjesë e Ekzekutivit të Republikës dhe kantonit të Gjenevës.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.