Nga Gjon Marku
- Tregim
Salla e Akademisë së Arteve po boshatisej pas shfaqjes së operës “Mrika”. Mentori, Fabiola, Alma dhe Gjini pothuajse qenë të fundit që e lanë sallën. Kur po kapërcenin derën e jashtme të saj, vunë re se një shi i imët kishte lagur bulevardin kryesor, duke ia forcuar ngjyrën gri.
Edhe pse binte shi, ecnin me një hap mjaft të ngadaltë, por kurrsesi nuk kishin dalë për shëtitje. Veshur si për një darkë të veçantë dhe me një humor të pazakontë, të katër studentët lëviznin drejt qendrës së kryeqytetit, ku kishin vendosur të festonin së bashku ditëlindjen e Mentorit, i cili të nesërmen do të nisej drejt jugut në praktikat e fundshkollës.
Mentori me Gjinin pothuajse u kishin dhënë fund studimeve, pasi për të dy kishin mbetur vetëm praktikat dhe provimet e diplomës. Të dy nga i njëjti vend, shtatëmbëdhjetë vjet bashkë në bankat e shkollës, s’kishin shkëmbyer kurrë një fjalë të keqe. Të dy të shkëlqyer dhe të propozuar për pedagogë të universitetit.
Edhe pse në vitin e tretë, të ndarë në specialitete të ndryshme, ishin prapë bashkë në një dhomë. Të dy njësoj të gjatë dhe dukej se kishin marrë shumë edhe në tipare nga njëri-tjetri.
Ndërsa Fabiola me Almën, edhe ato nga i njëjti vend, tashmë prisnin me tërë entuziazmin suksesin e të dashurve të tyre, të cilët për pak kohë prisnin emërimin. Të katër kishin ardhur nga e njëjta shkollë; atje, në shkollën e mesme, ishin njohur fillimisht. Mentori me Almën, e kjo e fundit ishte bërë shkak për lidhjen midis Gjinit dhe Fabiolës.
Biseda e tyre ishte endur sa te ditëlindja e Mentorit, sa te emërimi i tyre e sa te xhaketa e Gjinit. Kjo e fundit ishte e prerë bukur, sa s’ka. Në fakt, Gjini shquhej për shijet e tij të holla dhe guston e veçantë në veshje. Ai ishte edhe më mirë ekonomikisht. Ndërsa Mentori ishte disi ngushtë nga kjo anë e, kështu, vishej disi më dobët.
Hynë diku në anën e majtë të bulevardit, në një lokal që enkas ishte për të rinj, dhe aty morën diçka më shumë për të uruar Mentorin, i cili të nesërmen do të merrte rrugën drejt jugut në turneun e fundshkollës. Gjini do të qëndronte në Tiranë, në ndjekje të eksperimentit të tij në serë.
Mentori mezi e kishte pritur këtë fundviti. Për të, guida nëpër qytetet e jugut do të ishte një mrekulli. Gjatë e kishte përjetuar këtë moment dhe ishte përgatitur shpirtërisht prej shumë kohësh, si për një turne në ndonjë vend të Perëndimit.
Po ktheheshin drejt stacionit të autobusit. Kaluan para Ambasadës së Vatikanit, e ndërtuar me një arkitekturë të veçantë, kur Gjini, duke qeshur, i tha Mentorit që të nesërmen të merrte xhaketën e tij.
Mentori qeshi.
– Ky pelivan ma paska lexuar mendimin, – tha me vete.
– Merre që të dukesh më i bukur, veç kujdes se do të marrësh në qafë femrat e jugut.
Mentori u bë pak më serioz se zakonisht.
– Jo, Gjin, ti s’ke as tri ditë që e ke veshur.
– Po, po, – ndërhyri Fabiola, – merre. Ti mezi e prite këtë ekskursion. Si thua ti, Alma?
– Po, Mentor, veç kujdes, me vajzat e jugut s’ke punë.
Ia dhanë të qeshurës të katër.
– Mirë, Alma, kështu jemi një me një, – vijoi humorin e tij Gjini. – Po kur të kthehet Mentori, do të flasësh ndryshe.
Kështu, të gjithë ranë në një mendim dhe, me atë humor, u kthyen para godinës nr. 8 për të ndenjur gjatë, derisa roja e godinës paralajmëroi mbylljen e saj.
Mentori dhe Gjini u kthyen në dhomën e tyre, ku bënë gati çantën e Mentorit. I vendosën me kujdes librat, rrobat dhe fletoret e leksioneve.
Edhe pse ranë vonë për të fjetur, ata u ngritën herët. Mentori, i veshur bukur, me humorin e tij të zakonshëm dhe me një nur të veçantë, rendi drejt godinës nr. 8. Formuloi melodinë e tij të zakonshme dhe shumë shpejt, në katin e katërt, u shfaqën siluetat e Almës dhe Fabiolës, të cilat dhanë të kuptonin se po vinin.
Zbritën poshtë. Alma s’e fshehu dot krenarinë e saj dhe, bashkë me përshëndetjen e zakonshme, zgjati kokën dhe e puthi lehtë të dashurin e saj.
– Ej, ej, pritni, unë jam këtu! – ndërhyri Fabiola.
Kaluan rrëzë godinës dhe dolën në rrugicën që lidhte godinat me njëra-tjetrën. Pasi u bashkuan me Gjinin, u nisën drejt Fakultetit të Agronomisë.
Aq shumë i shihje bashkë ata, saqë, kur mungonte ndonjëri prej tyre, të krijohej përshtypja se diçka kishte ndodhur.
Përshëndetje, puthje dhe pastaj autobusi la portën e universitetit për t’u shkëputur drejt jugut.
Alma e përlotur bënte me dorë. Gjini dhe Fabiola, të mbështetur te njëri-tjetri, gjithashtu. Pastaj të tre zbritën poshtë rrugës me pisha që të fuste në zemër të qytetit, ku ndodheshin godinat e tyre.
Kur shkuan afër amfiteatrit, Fabiola, me të qeshur, tha:
– Sa i bukur që ishte bërë Mentori, apo jo, Alma?
– Tallu ti, tallu, – ndërhyri Alma. – Këtë bukuroshin tënd e ke këtu, ndërsa ai për dy javë…
– Si do t’ia bëni tani, kur të ikim fare? – ndërhyri Gjini.
– Kollaj, – tha Fabiola. – Ju kot s’jeni propozuar për profesorë, kështu që këtu ju kemi natë për natë e ditë për ditë. Pale më, do të na jepni edhe mësim!
– Pse, a nuk kemi qenë deri tani profesorët tuaj? – tha tjetri gjithë mburrje.
– Po pra, po, – ndërhynë ato të dyja njëherazi, por shakaja nuk pati shijen e zakonshme, pasi Alma qe disi e mërzitur, kështu që u ndanë ftohtë.
* * *
Autobusi me studentët e dy grupeve të Fakultetit të Agronomisë mori rrugën drejt Ujit të Ftohtë në Vlorë. Jashtë binte një shi i furishëm. Deti gulçonte, ndërsa valët e tij suleshin vrullshëm drejt bregut shkëmbor. Qielli, ngjyrë gri, të ngjallte një ankth të brendshëm; megjithatë, ata ia kishin nisur këngës të gjithë së bashku.
Frynte një erë e pazakontë, a thua se donte ta shuante këngën dhe humorin e tyre. Por ata as që donin t’ia dinin. Të gjithë ishin me humor të mirë, veç ai, shoferi, diçka bluante me vete. Fytyra i kishte marrë një pamje të vrazhdë, ashtu si koha jashtë autobusit, i cili sikur donte të fluturonte, si ata të rinj, gjokset e të cilëve i mbushte vrulli i moshës.
– Alma, sa fort të dua… – buçiste vrullshëm kënga.
Zëri i Mentorit shquhej mbi zërat e të tjerëve. A thua se i këndonte vërtet Almës së tij të bukur, për të cilën ndoshta e kishte marrë malli, edhe pse s’kishte veçse dy ditë që nuk e kishte parë dhe tani ishin paksa larg. Ajo atje, në Universitetin Bujqësor, ndërsa ai këtu, në bregun e Detit Jon.
Jashtë frynte furtunë, brenda gjëmonte kënga: “…E çiftja bam…”
Drejtuesi i mjetit merrte e jepte. Si t’ia bënte? Dyzet veta në autobus, dy profesorë të nderuar. Makina nuk bindej më; shpejtësia sa vinte e rritej. Kishin hyrë në Qafën e Llogarasë. Jashtë, një furtunë e pazakontë. Kthesat pasonin njëra-tjetrën. Rruga ishte në zbritje. Humnerat drejt detit binin thikë. Deti kërcënonte ashpër, duke përplasur valët në breg.
O Zot! Kurrë në jetën e tij s’kishte qenë më ngushtë. Njëzet e tre-katërvjeçarë, që prisnin të përfundonin studimet e pas disa muajsh do të drejtonin ekonomi të tëra, tani gjendeshin në buzë të varrit, tërësisht në dorën e fatit.
Shpejtësia e autobusit shtohej. I erdhi të ulërinte, por e mbajti veten. Tetëdhjetë kilometra në orë nëpër ato kthesa pa fund, nëpër ato rrugë ku çdo çast mund të përfundoje në humnerë.
– Më ngadalë! – dëgjoi zërin e profesorit që rrinte në sediljen e parë të autobusit.
Po si më ngadalë? – mendoi me vete. Autobusi nuk bindej. Tani më komandon ai mua e jo unë atë. Ai është kthyer në përbindësh. Do të fluturojë. Po, po, do të fluturojë. Dreqi e mori!
Kaloi edhe Pisha Flamur, e gdhendur dhe e krasitur me kujdes jo nga agronomë të vjetër, as nga studentë të agronomisë, por nga dora e natyrës.
Tani gjithçka ishte jashtë kontrollit. I bëri me dorë profesorit të afrohej. Tjetri s’lëvizi nga vendi. Diçka kishte kuptuar.
Brenda autobusit tani kishte rënë një qetësi varri. Askush nuk fliste. Jashtë, furtuna vazhdonte ashpër, sikur po festonte triumfin e saj.
Shoferi bëri sërish me dorë nga profesori. Tjetri u afrua pranë tij.
– Autobusi është çmendur…
Profesori u ngrit në këmbë. Fytyra, dyll e verdhë, kishte marrë hijen e vdekjes. Dukej se do të paralajmëronte atë që tani e kishin kuptuar të gjithë.
Sytë u ngulën tek ai, i cili nuk fliste. Shquhej si një burrë tepër i matur, por tani…
– Bijtë e mi, – u drejtua ai, si në asnjëherë tjetër, me një zë që dilte thellë prej gjoksit. – Autobusi ka pësuar një defekt të vogël. Mbahuni fort, që kur të mund të frenojë, të mos përplaset asnjëri.
Një «oh» e gjatë e mbyti fjalën e tij.
Ai u ul në sedilje dhe u kap fort pas tubave të inoksit. Hodhi vështrimin mbi fytyrën e shoferit për të kuptuar diçka. Një pikë e madhe loti rrëshqiste nëpër faqen e tij.
I erdhi në mendje vajza e tij, studente e vitit të pestë, në të njëjtën moshë me këta studentë.
Mentori kujtoi ditëlindjen e tij, kur ata të tre ishin ngritur dhe e kishin uruar. Dora i kapi fort cepin e xhaketës.
«Mentor, merr xhaketën time nesër, të dukesh më i bukur; veç kujdes se do të marrësh në qafë femrat e jugut.»
«Të rri shumë bukur, Mentor», – sikur i pëshpëriti në vesh Alma.
Tani ai ishte aq larg saj. Mund të mos takohej me të më kurrë.
– Jo! – lëshoi një klithmë të fortë, e cila u pasua nga një kor klithmash.
Autobusi tani fluturonte drejt detit gulçues. Rrugën e kishte lënë pas. Ata gjendeshin ballë për ballë me vdekjen.
Klithma u ndal bashkë me autobusin, poshtë në humnerë.
Shoferi i kishte dhënë lamtumirën e fundit jetës së tij dhe tani shtrihej në bregun shkëmbor, i gjakosur. Ndërsa në faqe një lot i kishte ngrirë.
Po ashtu, i vdekur ishte edhe një student.
Studentët dhe profesorët, sy përlotur, njëri i plagosur, tjetri i sakatuar, merrnin e jepnin me vdekjen.
Vdiq edhe ai studenti i perimtarisë që kishte marrë plagë në kokë.
Ata të gjithë e shihnin vdekjen me sy.
Mentori gjithashtu ishte plagosur rëndë në kokë, prej nga gjaku kishte rënë në supin e djathtë të xhaketës së Gjinit.
Furtuna vazhdonte. Kryesisht frynte erë. S’kishte zgjatur shumë dhe aty ishin gjendur ambulancat dhe mjekët e spitalit të Himarës. Pas afro një ore, në afërsi të vendit të aksidentit kishin mbërritur dy helikopterë të ndihmës së shpejtë, ku me shpejtësi u vendosën studentët që ishin më rëndë.
Mentorit, në fakt, nuk i dukej vetja aq keq, por mjekët kishin urdhëruar hipjen e tij në helikopter. Edhe aty, brenda helikopterit, pothuajse të gjithë ishin përqendruar tek ai dhe, kryesisht, doktor Agim Qarri merrej me plagën që kishte në kokë, ndërsa helikopteri lëkundej në ngjitjen e tij mbi Llogara.
Çudi, mendoi Mentori dhe pyeti veten për përqendrimin e mjekëve tek ai, ndërsa me të tjerët merreshin më pak.
I erdhi një gjumë i thellë.
Në shtëpinë e tij prisnin shumë njerëz në një dasmë të çuditshme. E ëma, e veshur me të zeza, këndonte një këngë të pakuptimtë për të. Ndërsa Alma, e veshur me një vello të zezë, u printe krushqve, e lodhur deri në palcë. Gjini me Fabiolën nuk dukeshin askund. I ati zgjaste dorën t’ua jepte miqve, por kokën e mbante mënjanë.
Ishin të gjithë shokët e grupit, madje të gjithë shokët e kursit, veç Gjinit dhe Fabiolës. Alma herë shfaqej e herë zhdukej. Velloja e zezë s’i jepte një nur të mirë.
Po pse, dreqin, dasma ishte kështu?…
…Në helikopterin e urgjencës kishte shpërthyer një britmë e fortë. Helikopterët ishin përplasur me njëri-tjetrin për t’i shuar të gjithë. Vdekja i kishte ngjeshur me njëri-tjetrin për t’i bërë një të dy helikopterët dhe për të dalë fitimtare mbi ta, mbi ata me të cilët kishte luftuar aq gjatë.
* * *
Gjini ishte kthyer i lodhur nga eksperimenti në serë. Ishte vonë, kështu që vendosi të mos shkonte, si zakonisht, te Fabiola. U ul në tavolinën e punës për të përpunuar të dhënat e eksperimentit. Papritmas hyri roja e godinës dhe i tha se e kërkonin jashtë. U vesh dhe doli me një frymë.
Fabiola dhe Alma prisnin vetëm pak metra larg hyrjes së godinës. Ato kurrë nuk kishin ardhur në godinë për të kërkuar atë apo Mentorin. Kështu, kjo gjë i dha të kuptonte se diçka e pazakontë u kishte ndodhur.
Hungërima e një qeni të fuste tmerrin. Herë në një cep e herë në një tjetër të godinës së tij… Studentë që vinin e shkonin. Qytetin e tyre e kishte kapluar një trazim i brendshëm.
– Po ju?
– Dëgjo, larg qoftë, thonë se autobusi është rrëzuar.
– Pusho! Ç’janë këto fjalë?
Alma filloi të qante. Ora tani pothuajse ishte njëmbëdhjetë e natës. Studentët vinin e shkonin.
Një makinë u fut nëpër rrugica dhe u drejtua drejt godinës nr. 8. Por ato nuk patën kohë të merrnin vesh se çfarë ndodhi. Artjola, e veshur me të zeza, zbriti shkallët dhe u ngjit në makinë, e cila u nis menjëherë.
Në çdo vend pyetej:
– Vërtet ka rënë autobusi? Vërtet?
Hungërima e qenve të fuste frikën. Ato mbillnin një kob të zi.
E gjithë nata kaloi me ecejake nëpër universitet. Rrugicat ishin zhytur në ankth. Mensat e studentëve, në mëngjes, nuk patën vizitorët e zakonshëm, dhe kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Ata të gjithë kishin marrë rrugën drejt Fakultetit të Agronomisë si një kortezh i çuditshëm. Edhe ata të Ekonomikut, inxhinierët, zooteknikët dhe veterinerët.
Para godinës së Agronomisë gjendeshin të gjithë. Salla 101 ishte mbushur si asnjëherë tjetër. Dënesa e studentëve ishte kthyer në një kor.
Nuk vonoi dhe brenda hyri rektori, i shoqëruar nga disa pedagogë. Sy përlotur, nisi të lexojë lajmin e hidhur, emrat e të vdekurve…
Profesor Misto Shumeli…
Dënesa ishte kthyer në një vaj me zë.
Mentor…
Almës i kishte rënë të fikët.
Pastaj ambulanca që vinte dhe ikte. Merrte dikë: të vëllanë e dikujt, të motrën e dikujt tjetër, të dashurin apo të dashurën e ndonjë tjetri që kishte vdekur.
Filluan të grupoheshin studentët që do të shoqëronin të vdekurit në familjet e tyre. Gjini, Fabiola dhe Alma u bënë gati të futeshin në autobusin që do të shkonte në vendlindjen e Mentorit.
– Gjin, – thirri shefi i katedrës, – ju jeni caktuar të qëndroni në Tiranë.
– Në asnjë mënyrë! – ndërhyri Gjini. – Unë do ta shoqëroj Mentorin. Kemi një jetë të tërë bashkë; tani të mos jem në lamtumirën e fundit s’ka kuptim.
– Katedra të caktoi ty si përfaqësues për të mbajtur kurorën, natyrisht së bashku me mua, te kolegu ynë.
Fjala “kolegu” Gjinit i tingëlloi disi pa vend. Por aty për aty ia priti shkurt:
– Po pse, Mentori a nuk është kolegu ynë?
Shefi i katedrës, disi i mundur, ngriti supet, duke i dhënë të kuptonte se ishte i lirë të udhëtonte drejt Veriut.
Kështu, Gjini mbeti vetëm në dhomën e tij. Librat e Mentorit, fletoret, aty në komodinën e vogël.
S’kishte kaluar as një javë, kur Alma me Fabiolën u gjendën sërish para godinës nr. 3, ku banonte Gjini, të veshura në të zeza, me fytyrat e zverdhura si dylli.
Kush tjetër mund të ketë vdekur? – mendoi Gjini, – që sërish kanë ardhur këtu.
– Jam nisur për në shtëpinë e Mentorit, – mërmëriti Alma. – Gjin, unë dua t’u them se Mentori kishte veshur xhaketën tuaj!
Këto fjalë Gjinit i ranë si bombë.
– Kujt do t’ia thuash? – ndërpreu zymtë Gjini.
Toni i fjalëve të tij ishte tepër i ashpër.
– Kurrsesi, jo… Ju kështu më fyeni.
Fabiola vështronte ngultas të dashurin e saj, i cili kishte nisur të përlotej e të dridhej prej nervave, dhe as vetë nuk e kuptoi se si formuloi një:
– Më fal, Gjin.
Morën rrugën teposhtë drejt godinës nr. 8.
Vëllai i Almës priste të motrën.
Mbaruan studimet dhe, vërtet, Gjini mbeti aty, në Universitetin Bujqësor, si pedagog. Almës dhe Fabiolës u jepte praktikat, por gjithmonë në grupin e tyre ndihej keq.
Iku shpejt ai vit dhe Alma u kthye në qytetin e saj të lindjes dhe, pas disa kohësh, ato i humbën lidhjet.
Gjini kishte ngurruar ta ftonte në dasmë, ndërsa Fabiola e kishte ftuar, por përgjigjja e të vëllait kishte qenë se ajo ishte martuar dhe ishte larguar për në Itali. Letra kishte qenë e shkurtër, ndërsa në një prej rreshtave të saj shkruhej se ishte martuar me një mësues fizike.
Të gjallët me të gjallët e të vdekurit me të vdekurit.
Kështu, pothuajse, ata u harruan.
S’kishin kaluar as pesë vjet, kur një natë në shtëpinë e tyre u shfaq përfytyrimi i Mentorit dhe i Almës. Ajo, nga Italia, shkruante se do të kthehej. Madje kërkonte ta prisnin aty, te lokali ku kishin festuar ditëlindjen e Mentorit.
«Dua patjetër të më prisni. Patjetër dua të takoj së paku njërin.»
Gjini me Fabiolën dolën aty që herët. Kishin kohë, kështu që morën rrugën drejt Korpusit Qendror të Universitetit. Kaluan fare pranë Akademisë së Arteve.
Pllakata e vendosur në një tabelë lajmëronte shfaqjen e operës „Mrika“. Kjo e bëri Gjinin të zymtë. Me sa duket, e futi në një botë kujtimesh të këqija. Fabiola, kur pa pllakatën, u drodh dhe bëri të ikte një minutë e më parë.
Ashtu, të heshtur, të mbështetur te njëri-tjetri, morën rrugën për në qendër. Mendimet i kishin hedhur pesë vjet më parë. Kishte qenë ditëlindja dhe, dy ditë më vonë, ditëvdekja e tij. Ai ishte shuar si një meteor i vogël.
– O Zot! – mërmëriti Gjini.
– Çfarë, Gjin? – pyeti Fabiola, e trembur prej fjalëve të tij.
– Asgjë… Asgjë… Sot Mentori do të mbushte…
– Mjaft, Gjin, të lutem, ikim. S’dua të kujtoj asgjë. Edhe Alma gaboi rëndë që na ftoi ne sonte pikërisht aty ku, vite më parë, festuam ditëlindjen e tij. Përse duhej kjo? Tani ajo ka jetën e saj. Në fund të fundit, s’festohet ditëlindja e të vdekurve. Ndoshta s’bëmë mirë as ne që erdhëm.
– Jo, Fabiola, ne bëmë mirë dhe do ta presim Almën, se s’bën. Kemi qenë miq të vjetër.
Në kafe “Rinia” s’kishte njeri tjetër, përveç tyre, kur në derë u shfaq ajo. E veshur si për një ceremoni mortore, me kostum të zi. Po ashtu edhe i shoqi, me një valixhe në dorë.
U përshëndetën dhe, pasi pinë kafe, ato u ngritën që të iknin.
Po përse me kaq urgjencë, pa thënë se pse, aq i alarmuar ky takim? – mendoi Gjini.
Por Alma s’e la të mendonte më gjatë, sepse me duart që i dridheshin nisi të hapte valixhen. Sytë e saj tashmë ishin mbushur me lot. I shoqi pothuajse e kishte kapërcyer derën e lokalit.
Ashtu, me fjalë gjysmë e gjysmë, nxori prej andej një xhaketë të paketuar bukur.
– Merre, Gjin, është e jotja.
Gjini filloi të dridhej i tëri. Fjalët e saj të fundit ishin thënë me një zë që dridhej, ndërsa dy lot të vegjël i rridhnin nëpër mollëza.
– Kurrsesi! Ju nuk duhej ta bënit këtë.
– Merre, merre, Gjin… – në fakt, atij iu duk sikur tha Mentori. – Merre, është e jotja.
Dhe u largua ashtu, e përlotur, drejt hyrjes së lokalit.
Fabiola dridhej, ndërsa ai mbështeti kokën ndër duar. U mundua të fshihte përlotjen e tij. Nxori nga xhepi disa para, i hodhi në tavolinë dhe nisi të lëvizte drejt derës.
Fabiola mbante në dorë xhaketën e tij, e cila i dukej e rëndë si plumb. Po, po, ajo nuk fliste dot, sepse aty ishte një histori e kaluar, e gdhendur me mall.











