Poeti Gjekush Gashi, i cili jeton e vepron në mërgatën tonë (në Gjermeni), po dëshmohet si autor i spikatur për fuqinë krijuese, duke evoluar me idetë e veta gjatë vargëzimit dhe duke shpërfaqur preokupimet specifike në interpretim të dukurive e të fenomeneve, gjithnjë brenda një estetizmi të projektuar qartë sipas urdhrit teoriko-letrar.
Strukturat poetike nga poeti Gjekush Gashi janë konstruktuar me maturi, duke i thënë mendimet me prezicitetin e sintaksës së zgjedhur, thjeshtë dhe kuptueshëm, që s’domend se janë vetë pasuria e gjuhës poetike të tij.
Realizimet poetike të autorit Gashi në këtë përmbledhje poetike, vërtet janë të bukura, sepse vargjet e tij janë domethënëse, që shquhen me mendime, të shoqëruara edhe me emocione, dhe porosia e tyre na dhuron doemos mbresa të fuqishme gjatë aktit të leximit.
Në poezitë e vëllimit “Plagë zemre” të poetit Gjekush Gashi, gjithnjë do të gjejmë kënaqësi e pakënaqësi, ëmbëlsi e idhtësi, por edhe mburrje dhe krenari, ku ai do të ravijëzojë karakteret e përbrendshme të njeriut, me virtytet, e më shumë me veset e tij, siç janë humaniteti, atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia; do t’i fshikullojë ata që rrojnë me djersën e huaj: grindavecët, përçarësit, të paftët, tradhtarët, hipokritët, koprracët, smirëzinjtë, maskarenjtë, narcisoidët, sekserët, servilët, gllabëruesit, hajdutët (pseudopushtetarët); gënjeshtarët, premtuesit e rremë, shkelësit e ligjit etj. etj. (të fshikulluar në poezitë “Hajdutët”, “Karriga”, “Të pangopurit”, “Analistët”, “ Politikanët”, “Kryetari“ etj).
Gjekush Gashi te të gjitha poezitë ia ka dalur që me një ironizim fshikullues dhe therrës të satirizojë të gjitha botëkuptimet, të metat, gabimet dhe makutërinë e pseudopolitikanëve të këtij nënqielli. Pra, mund të shprehemi se ky poet i ka zhvilluar me përpikëri harqet e veta të artit poetik, duke zënë vend në horizontet e letërsisë shqipe përgjithësisht, e veçanërisht në poezinë tonë. Ai do të kritikojë me vargjet e veta hipokrizinë, sidomos të pushtetarëve (poezia “Hipokritët”), servilizmin (poezia “Poltikanët”), interesin personal (poezitë “Kryetari”, “Karriga”) etj.
Autori Gjekush Gashi do t’i godasë njerëzit me vese (politikanë e pushtetarë të pandërgjegjshëm, por edhe këdo tjetër) dhe do t’i ironizojë e satirizojë pamëshirshëm, ashtu siç di ai me penën e tij majeprehtë:
Naftë po t’rrjedhin
T’gjithë lumenjtë
Prapë nuk ngopen
Maskarenjtë.
(Poezia “TË PANGOPURIT”)
Ai e ka këndin e vet të të vrojtuarit, nga i cili i shikon dhe heton anomali e deformitete të zhvillimit tonë individual e shoqëror, pa u mashtruar asnjëherë, që pastaj zëshëm i ka thënë ato që i ka menduar, duke na dhënë një pasqyrë krejt reale të pseudopolitikanëve dhe të pseudopushtetarëve:
Para popullit rrahin gjoks
Shiten trima patriotë
Komunistë ishin gjer dje
Demokratë qenkan bërë sot!
(Poezia “SHTËPIA PA ZOT”)
Poeti na ka sjellë edhe perla të vërteta të lirikës atdhetare, dedikuar dëshmorëve të atdheut (poezitë “Elegji për Ilir Konushefcin”, “Dëshmori s’vdes kurrë” (dedikuar Mirsad Gashit- „Shpici-t“), “Këngë e heroit” (dedikuar Skënder H. Gashi-t), “Mësuesit Islam Gashi” e tj., ku shquhet atdhetarizmi, trimëria, besa, miqësia e përkushtimi i tyre.
Në përmbledhjen e poetit Gjekush Gashi hasim edhe lirika të dashurisë dhe atdhetare, ku frazeologjia popullore është përdorur saktë dhe me vend, si dhe nuancat e muzës së popullit, që i pasurojnë dhe ua shtojnë vlerën edhe më tepër vargjeve të tij.
Zymer Mehani, Podujevë, më 10 mars 2023