Xhelal Zejneli
– Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit;
– Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës;
– Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja;
– Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit;
– Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.
* * *
– Periudhë më historike e popullit shqiptar është qëndresa çerekshekullore përballë inkursioneve osmane;
– Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti (1405-1468);
– Periudhë politike e shqiptarëve është ajo e Rilindjes Kombëtare, që fillon më 1832 me Naum Veqilharxhin (1797-1846), që arrin kulmin me ngjarjen politike – Lidhjen e Prizrenit (1878); e përfundon me shpalljen e pavarësisë më 1912;
– Figurë e njohur e njohur e Lidhjes së Prizrenit ishte Abdyl Frashëri (1839-1892); (ka qenë edhe anëtar i Parlamentit Osman);
– Ideolog i mendimit politik shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare ishte Sami Frashëri (1850-1904);
– Ngjarje politike më e madhe e shqiptarëve në shekullit XX është shpallja e pavarësisë, më 1912 në krye me Ismail Qemalin (1844-1919);
– Personalitet i njohur i çështjes shqiptare në trojet e pushtuara nga serbosllavët ishte Adem Demaçi (1936-2018) – simbol i qëndresës shqiptare në Jugosllavinë e Titos;
– Ngjarje politike e madhe e kombit në vitet ’90 të shekullit XX është qëndresa politike e shqiptarëve në Kosovë, me në krye Ibrahim Rugovën (1944-2006), përballë pushtuesve serbë;
– Ngjarje historike e kombit në fund të qindvjeçarit XX është lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin (1955-1998);
– Ngjarje politike e madhe e kombit në fillim të qindvjeçarit XXI është shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.
* * *
– Vlerë letrare dhe kulturore të shqiptarëve janë humanistët shqiptarë: Gjon Gazulli (1400-1465); Marin Barleti (rreth 1450-1512), autor i veprave të shkruara në latinisht “De obsidione Scodrensi”, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); Mikel Maruli (1453-1500); Leonik Tomeu (1456-1531); Maksim Greku (rreth 1480-1556); Marin Beçikemi (1468-1526);
– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë autorët e letërsisë së hershme shqiptare, si: Gjon Buzuku (shek. XVI) – autor i librit të parë të shkruar në shqip “Meshari” (1555); një kopje e vetme ruhet në Bibliotekën e Vatikanit; arbëreshi Lekë Matrënga (1567-1619) – autor i së parës poezi në gjuhën shqipe, njëherazi i pari dokument i shkruar në dialektin e jugut (toskërisht) – “Canzona spirituale” (Këngë e përshpirtshme); Pjetër Budi (1566-1622); Frang Bardhi (1606-1643) – autor i veprës “Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis”, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht, me disa shprehje tëprditshme); është e para vepër në leksikografinë shqiptare; përmban 5640 zëra latinisht të përkthyera në shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë; Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), kryepeshkop i Shkupit;
– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë shkrimtarët e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, si: poeti i parë i romantizmit në letërsinë shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903); në vitin 1848 themeloi gazetën dygjuhëshe, në shqip dhe në italisht, “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë); ishte i pari periodik që botohej në gjuhën shqipe; Françesk Anton Santori (1819-1894); njihet si autor i së parës dramë origjinale në gjuhën shqipe “Emira”; disa pjesë u botuan më 1887 në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës; Gavril Dara i Riu (1826-1885); poeti lirik Zef Serembe (1844-1901);
– Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve janë poetët e letërsisë së Rilindjes, si: poeti kombëtar Naim Frashëri (1846-1900) etj.;
– Personalitete të rëndësishme letrare, kulturore dhe kombëtare shqiptare janë: Faik Konica (1875-1942); në vitet 1897-1902 botoi në Bruksel revistën “Albania”; në vitet 1902-1909 revistën e boti në Londër; studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit; Fan Noli (1882-1965), figurë poliedrike (e shumanshme); kreu Universitetin e Harvardit; më 1908, mbajti në Boston për herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe; ky akt përbënte hapin e parë drejt njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale; në vitet 1909-1911 botoi në Boston gazetën “Dielli”; më 28 prill 1912, bashkë me Konicën, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra në Amerikë; Gjergj Fishta (1871-1940), autor i 37 botimeve letrare, midis tyre i poemës epike historike “Lahuta e Malcis”,e quajtën Homeri shqiptar;
* * *
– Bota njeh shumë personalitete shqiptare, sidomos Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997), laureate e çmimit “Nobel” për paqe (1979) dhe Ismail Kadarenë (1936-); mjekun dhe farmacistin amerikan me prejardhje shqiptare, nga fshati Llakavicë i Gostivarit, Ferid Murati (Ferid Murad, 1936-), laureat i çmimit “Nobel” për fiziologji dhe mjekësi (1998).
* * *
– Shqiptarët janë popull i ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri; një copëtim i këtillë i trojeve etnike historike të një populli s’është parë dot në historinë e botës;
– Nga Jugosllavia e Nikolla Pashiqit dhe e karagjorgjeviqëve, shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen prej vatrave të veta; në Klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937, akademiku serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990) promovoi elaboratin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve); shumë shqiptarë u dëbuan për në Turqi;
– Trojet shqiptare mbahen të pushtuara nga Serbia, nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga Greqia;
– Copëtimi i tokave shqiptare fillon në Kongresin e Berlinit (1878), për të vazhduar në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913;
– Pushtimin e trojeve shqiptare, gjatë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. prej vitit 1850 e këndej, e ka mbështetur Rusia; ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve, përpos Rusisë, edhe Franca me Anglinë;
– Sot e kësaj dite, Rusia punon me të madhe për Serbinë dhe kundër shqiptarëve;
* * *
– Shqiptarët kanë një flamur, flamurin e Gjergj Kastriotit; kanë një gjuhë; normat e gjuhës letrare shqipe janë atë të Kongresit të Drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë në vitin 1972; kanë një histori; një gjuhë, një histori, një komb;
– Pikëpamja se krahas gjuhës letrare standarde shqipe, ekziston edhe gegërishtja letrare, është pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare; një pikëpamje të tillë, shumë kohë më parë, e kanë mbështetur fuqimisht akademikët serbë;
– Pikëpamja se krahas kombit shqiptar ekziston edhe kombi kosovar nuk është veçse pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare; mbrojtja e një pikëpamjeje të tillë është tradhti e lartë;
* * *
– Çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje, as fetare dhe as ideologjike; çështja shqiptare në Ballkan është çështje kombëtare dhe është e vetmja çështje e pazgjidhur e gadishullit;
– Të lidhësh miqësi me Beogradin dhe Josip Brozin (1892-1980) apo me Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinin (1879-1953) dhe Moskën dhe t’i shpallësh luftë ideologjike Amerikës dhe Perëndimit, do të thotë të mos kesh vizion politik; gabimet në histori mund t’i kushtojnë një populli, një shekull, mund ta lënë një popull njëqind vjet pas;
– Shembja e monizmit dhe ardhja e pluralizmit u mundësoi shqiptarëve të bëjnë kthesë historike; tani miq të shqiptarëve janë Fuqitë e Mëdha të Perëndimit;
– Shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë popull politik dhe se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor, shtet demokratik; të dëshmojnë se posedojnë aftësi për të qeverisur shtetin;
– Shqiptarët janë popull perëndimor dhe populli më proamerikan në botë; mirëpo, s’mjafton dot të thuash jam properëndimor dhe proamerikan; për të qenë properëndimor dhe proamerikan duhet t’i respektosh parimet themelore të demokracisë dhe të funksionimit të shtetit të së drejtës; shtetin që udhëhiqet nga politikanë që shndërrohen në milionerë, Perëndimi nuk e mbështet, madje pavarësisht edhe nga interesat strategjikë që mund t’i ketë ndaj atij;
– Shqiptarët kanë miq në të katër anët e botës; midis tyre janë Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Italia, Austria, Kroacia, Londra etj.; shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë, në mos i vetmi, të cilët gjatë Luftës II Botërore nuk ia dorëzuan Gestapos as edhe një hebre të vetëm;
* * *
– Periudha e tranzicionit që kalon Shqipëria që prej vitit 1991 e deri më sot, është një periudhë e përgjakshme, e paparë ndonjëherë në historinë e kontinentit të vjetër; çdo vrasje dhe vdekje në qarkullimin rrugor;
– Për problemet me të cilat ballafaqohen, shqiptarët nuk duhet t’i fajësojnë faktorët e jashtëm, siç janë sundimi osman, politika antishqiptare e Beogradit, e Athinës dhe e Moskës; sundimi osman mbi shqiptarët ka marrë fund qysh në vitin 1912; pra, më shumë se një shekull; fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete;
– Kosova zë vendin e pestë në botë me linjit; megjithëkëtë, ka sasi të pamjaftueshme të energjisë elektrike; të thuash se politikës shqiptare i mungon aftësia për ta qeverisur shtetin, do të ishte e tmerrshme dhe e dhimbshme; shtetin e varfër mund ta udhëheqin vetëm idealistët dhe jo tregtarët apo tyxharët; qëllimi i tyre është të pasurohen dhe t’u lënë pasuri marramendëse fëmijëve, nipave dhe mbesave të veta; akulli i trashë një metër nuk është krijuar për një natë – thonë kinezët; problemet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike në Kosovë burojnë nga e kaluara;
– Ndër politikanë ka edhe të tillë që hiqen aristokratë të politikës dhe të intelektualizmit; ata pandehin se po qe se vishesh mirë dhe në televizion flet ngadalë, do të tregosh se je aristokrat, edhe i politikës, edhe i intelektualizmit; këta politikanë apo politikane, nuk janë veçse aristokratë të mashtrimit, të manipulimit, të abuzimit, të gënjeshtrës, të vjedhjes, të hajdutërisë, të imoralitetit; aristokratë të mashtrimit dhe të hajdutërisë, brenda një populli të varfër?! Turp dhe mëkat!
– Kjo farë klase politike ekziston në saje të inteligjencies oportuniste dhe konformiste, shumë prej tyre tregtarë flamujsh; kjo kolonë poltronësh fare nuk çanë kokën se Shqipëria zë vendin e dhjetë në botë me ikjen e trurit; të ikësh prej një vendi me pozitë në Evropë, me dy dete, me pasuri dhe me bukuri natyrore, kjo është e dhimbshme; shqiptarët një ditë mund të ballafaqohen me vdekjen e bardhë, d.m.th. me shkallën e vdekshmërisë, më të madhe se të lindshmërisë, me mortalitet më të madh se nataliteti;
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë.
Noli
– Aristokratët e politikës dhe të intelektualizmit, i kanë edhe shërbëtorët e vet. Këta janë analistët politikë, ekonomikë dhe socialë – që të gjithë mercenarë. Shërbëtorë janë edhe kalemxhinjtë që shkruajnë me porosi dhe që hiqen se po kritikojnë dikë apo diçka. Në shërbim të këtij dance macabre ku mjerimi migjenian pasqyrohet si një metarealitet, janë edhe një pjesë e madhe e mediumeve, e gazetave, e revistave, e studiove televizive, e të ashtuquajturave debate televizive, e portaleve. Në këtë ferr dantesk gjen gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, moderatorë, udhëheqës programesh, debatesh. Asnjëri nga sa më sipër nuk çanë kokën për shpopullimin e trojeve, që shpesh i quajnë ilire dhe arbërore.
– Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave; kur i dobëti dhe i paafti del e bëhet udhëheqës dhe administrues, të aftit dhe të ndershmit s’i mbetet tjetër pos të marrë rrugët pa kthim të botës;
– Me reality programe ku mbizotëron zbavitja e lehtë dhe amoraliteti, tregtarët e politikës kanë gjetur edhe mënyra për ta amortizuar pakënaqësinë e shoqërisë. Kaq larg nuk kanë shkuar as edhe perandorët e lashtësisë.
– Pa një Shqipëri të konsoliduar, nuk mund të pritet përparimi i kombit shqiptar në Ballkan. Derisa shqiptarët merren me vetveten, armiku i tyre po forcohet. Derisa shqiptarët merren me mikrovlera, armiku i tyre ndërton makrosisteme.