PËRVJETORI I PAVDEKËSISË

0
524
Selim Haziri - komandant Bekria

Në foto, Selimm Haziri, komandant Bekria

Shkruan Selim HaziriKomandant BEKRIA

Ishte 31 janari i vitit 1997, ora 16:05, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli humbën fizikisht kryetrimin, komandantin Zahir Pajaziti me strategun dhe njeriun më të afërt të tij Hakif Zejnullahu dhe syshqiponjën Edmond Hoxha.

Në rrugën e tyre për luftën për liri ranë në fushën e nderit për të hyrë në histori si figurat më emblematike të UÇK-së. Sot, pas 25 viteve kam të freskët takimin e fundit që kisha me ta. Vitet ikën, por kujtimet mbesin fort të ngulitura në mendjen dhe shpirtin tim. Po, pse ende, edhe sot rënia e tyre mbeti enigmë sikur shume enigma tjera ndaj patriotëve e luftëtarëve për liri!

Pse heshtin institucionet dhe drejtësia për zbardhjen e rënies në pritë të Zahirit, Hakifit e Edmondit. Kush ishte ai person apo ata persona që dhanë informata te UDB-a? Deri në fillim të dhjetorit 1996 Zahiri me bashkëluftëtarët e vetë ishte bërë tmerri i Serbisë. Ai, së bashku me Heroin Ilir Konushevci ishin Alfa dhe Omega në UÇK. Ishin aksionistët më të përgatitur që kishte UÇK.

Ishin strategë të vërtetë të luftës guerile për ta goditur në çdo kohë e çdo rrethanë armikun. Të gjitha vendimet dhe strategjitë e aksioneve i merrnin në rreth të ngushtë për shkak të konspiracionit të thellë. Ishim në numër shumë të vogël si luftëtarë të lirisë, karshi armikut, i cili bënte represion të vazhdueshëm duke vrarë, plagosur, arrestuar dhe dhunë e terror sistematik e psikologjik ndaj popullit të Kosovës.

Serbia kishte angazhuar mbi 45 mijë forca policore e ushtarake në Kosovë. Kishte sjellë inspektorë nga Beogradi për të zbuluar UÇK dhe udhëheqësit kryesor të saj. Nuk ia arritën dot të zbulonin strategjinë dhe aksionet e shumta ndaj inspektorëve e policisë që ndërmerrte UÇK e sidomos aksionet në Prishtinë e Podujevë!

Por! Zgjerimi i radhëve dhe kontaktet për të gjetur përkrahje e mbështetje, sidomos në logjistikë ishin të domosdoshme. Andaj, Zahiri vendosi të shkonte në Shqipëri për të gjetur mundësi nga veprimtarë por edhe oficerë të ushtrisë shqiptare për të mundësuar futjen e armatimit në Kosovë.

Pas shumë kontakteve në fund të dhjetorit 1996, Qerim Kelmendi – Dema kishte aranzhuar takimin e parë të Zahirit me njërin nga veprimtarët e LPK në Zvicër, Azem Sylen – Daja, që njëherit ishte i emëruar nga shokët e tij si komandant i ShP te UÇK!? Andaj! Si ishte e mundur të emëroj shtab të ushtrisë dikush e të mos veprojë drejtpërdrejtë në Kosovë. Aje Shtab nuk kishte përzgjedhur e emëruar ushtarët e UÇK, sidomos të Llapit.

Sikur që Zahiri me bashkëluftëtarë nuk kishte zgjedhur si përfaqësues të shtabit ata qe ishin emëruar nga Zvicra e Gjermania. Këtë më së miri e vërteton kur këta persona lëshojnë komunikatën e ShP të UÇK me rastin e rënies të Zahirit, Hakifit e Edmondit. Ku nuk kanë pasur njohuri se kush ishte dhe roli i Zahirit në luftën për liri. Në këtë komunikatë thuhet se sot ranë 3 pjesëtarët e parë të UÇK!

Ndërsa në anën tjetër Serbia deklaron se sot e vramë kryeterroristin Zahir Pajaziti! Natyrisht se serbët nuk do të deklaroheshin ndryshe…! Në këtë kontekst nuk dua që të them se ata nuk janë kontributdhënës në zhvillimet e kohës, por e vërteta është e vërtetë dhe duhet që më në fund të tregohet nga protagonistët e kohës dhe ata luftëtarë të paktë që janë gjallë dhe ishin shumë të afërt, dhe, që ishin hija e Zahirit, Ilirit e Hakifit. Kush e përcolli rrugës komandatin për Shqipëri, ku qëndroi dhe takimet e tij atje, jemi ne bashkëluftëtarët e afërt që ishim me ta.

Si u nda i zhgënjyer nga takimi me Azem Sylën, por edhe zhgënjimet tjera për t’i forcuar radhët e UÇK e sidomos në logjistikë që ishin të shumta. Kur dhe pse mori vendim të kthehet para kohës së planifikuar në Kosovë dhe rrugëtimin e tij, kush e priti në fshatin Shishman të Gjakovës që ishte baze e UÇK, janë bashkëluftëtarët e afërt dhe të besueshmit e komandantit. Si u konsultua dhe dha urdhër për aksionet në Kosovë, sa ishte në Shqipëri ishte pikërisht me Ilir Konushevcin dhe bashkëluftëtarët e afërt të tyre.

Andaj, e vërteta duhet të paraqitet ashtu si ishte, madhështore dhe reale në kohë dhe rrethanat e kohës. Edhe në ditën dhe rrugëtimin e fundit të tyre në luftën për liri ishin, pikërisht njerëzit më të afërt të komandantit që u ndanë për herën e fundit në Prishtinë. Kjo do të thotë shumë! Kjo paraqet të vërtetën e kohës. Kjo tregon se të tjerët që flasin e kanë me të ndëgjur apo të trilluar sikur që kanë trilluar për shumë ngjarje të UÇK, duke mos qenë fare pjesëmarrës direkt i vendimeve dhe aksioneve të UÇK, sidomos deri më 31.01 97.

Lufta për liri ishte obligim dhe e detyruar për t’u çliruar nga okupimi serb. Andaj, në përpjekjet e shumë brezave për të kundërshtuar dhe në forma të ndryshme për ta luftuar armikun, ishte e arritura me sublime me krijimin e grupeve guerile dhe aksionet profesionale të kryera në terren.

Guximi, sakrifica, vendosmëria dhe arti ushtarak e dallonin Zahirin nga ne të tjerët. Sinqeriteti, besnikëria, thjeshtësia e tij e bënte te veçantë dhe madhor në rrugëtimin drejt lirisë.

Veprat dhe rrugëtimi i Zahirit me bashkëluftëtarët ishte dhe do të mbetet udhërrëfim i shumë e shumë vajzave e djemve që vazhduan me besnikëri idealin për liri, duke përkujtuar brez pas brezi figurën e Zahirit, Hakifit e Edmondit e shumë e shumë dëshmorëve e heronjve të tjerë. Mbetet në duart e institucioneve të drejtësisë dhe shtetit të Kosovës të zbardhin të vërtetën e rënies në pritë të këtyre udhëheqësve të UÇK, sikur që është obligim moral e kombëtar të thuhet dhe shkruhet e vërteta për historinë.

Lavdi dhe përkulem me respekt para juve!

Sot, më 31 janar 2022, në 25-vjetorin e përjetësisë së tyre!

Bashkëluftëtari, Selim Haziri – Komandant BEKRIA

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.