SHKODRA (poezi nga Kolec P. Traboini)

0
194
Kolec Traboini - i ri

SHKODRA

Nga Kolec P. Traboini

Pa kompliment: ndër poezitë më të bukura kushtuar Shkodrës tonë!
Skënder Temali

Qytet dy mijëvjeçar që zgjohet
me ninulla e vaje nga lashtësia
nën hijen e një kështjellë të rënë në gjunjë
që u falet ujërave të Drinit e të Bunës
dhe Taraboshit, vëllait të zhveshur
përvëluar nga dielli, i rrahur nga shiu
si çadra ciganësh nën mjegull.

Qytet i stërlashtë, – hija e moçme e vetvetes,
sendërzuar prej fantazisë si Panteoni i Ilirëve
mbretëreshë hyjnore mes malesh e detit
me emrin Teutë;
veshur me parzmore trimërie.

E pathyer në luftëra,
e metamorfuar prej absurdit,
si nënëmadhe kockëdalë mbështjellë me të zeza
që mjerueshëm merr fushën e Rrmajit
vajton e çjerr fytyrën nën çinarin e Zorbës
për kohën që nuk kthehet e njerëzit që ikën
aty ku një korb me krra-krra përshëndet
qefinët e rinj, përcjellë nga karvanët
e gjakut të shpagimit.

Ndërsa më lart,
në katakombet e errëta
të kështjellës me emrin Rozafë
fshihet ende fantazma nuses së murosur
besnike e mjerueshme e fjalës së dhënë
lakuriqësi e mermertë e gjinjve të bardhë
që pikëllushëm ende (fantazish) pikojnë
qumështin e hidhur të nusërisë së mohuar.

Qumështi jetë-vdekjes pikon prej guri
si makth i moçëm i një legjende të vrarë
në thellësi të mureve të heshtura të kujtesës
në shtëpitë e përhitura të qytetit verior
që kërrusur vajtueshëm pikëllojnë dhe ato
mbetur shterpë, se koha nuk pjell më
një Barlet të ri a një Migjen modern
për ti kthyer qytetit lavdinë e dikurshme…

Pikëllimin e udhëve të qytetit e shton:
imazhi i një nëna plakë që hiqet këmbëzvarrë
si Rozafe e ringjallur, me gjoksin e mardhur
që me frymën e pakët përpiqet të ngrohë
sqepin e bardhë të një pëllumbi të vdekur.

Boston, 1 mars 2002

Poezi nga libri “MOS VDIS DASHURI”
Kolec P. Traboini, Boston-Tiranë
Globus R 2002, ISBN 99927-44-66-9

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.