Shfarosje fytyrash shëmtimi

0
461
Komunistët shqiptarë

Vajta dhe unë të shihja “Fytyrat e Diktaturës” tek ish Vila e Enverit në bllok.

Një ekspozitë me portretet e 171 portreteve të persekutorëve e përgjegjësve të krimeve çnjerzore që ushtroi sistemi ynë diktatorial me në krye Enver Hoxhën.

Ekspozita organizohej nga IDMC dhe ISKK, në murin e sallonit ku dikur jetonte diktatori, por që sot fare mirë e quanin “Muri i Turpit”. Në qendër të atij muri ishte fotoja e liderit komunist e shënjuar me një kryq të kuq.

Në fakt ishte hera e parë që hyja në atë ndërtesë. Kushedi sa herë e kisha vështruar në pozicione të ndryshme kur kaloja rrugëve përreth, a kur kam pirë kafenë në lokalin përballë, por asnjëherë s’më kishte rastisur të hyja brënda shtëpisë që nuk mbaj mend se cilës familje aristokrate ia pat rrëmbyer, e si e kishte emrin i zoti i shtëpisë që e pat vrarë a persekutuar, njëlloj siç bëri me familjen e ishvilës së Mehmet Shehut, e gjithë pronarët e vilave të ndërtuara në atë zonë që pas hyrjes së regjimit komunist do të emërtoheshin “BLLOKU”; e do të rrethoheshin me mure të larta betoni, me tela me gjemba, e me ushtarë të armatosur. Brezit të moshës nën moshën 25-vjeçare të gjitha këto u duken si histori romantike, dhe pse “zonën e bllokut” e njohin shumë mirë, por aspak historinë e saj.

Në atë holl, kushedi, sejcili prej tyre ka dhënë raporte përpara Enverit, ose ke marrë urdhëra të prerë për të vrarë, persekutuar, torturuar e deri shfarrosur familje të tëra…

Isha kurioz t’i shikoja me radhë…

– S’po ua lexon emrat?!… -më pyeti shoqëruesja ime 22-vjeçare që e pikasi ngulmimin e shikimit tim.
– Po u shoh fytyrat… Sytë! Shikoua sytë!…
– Ç’kanë sytë?!…
– Shikoji, të gjithë kanë vrarë! Janë kriminelë çnjerzorë. Kanë torturuar, prerë, pushkatuar, elekrizuar me rrymë elektrike në gjenitale; me mashtrim e shpifje kanë arritur ti varrosin njerëzit të gjallë në varre ku janë asfiksuar nga dheu që i mbulonte, u hynte në hundë, gojë, e thellë në rrugët e frymëmarrjes. E imagjinon dot një vdekje të tillë?!… Këta i kanë kryer këto krime makabre për 40-45 vjet me radhë. Shikoua pashpirtësinë që u pasqyrohet në sy!

– Çfarë monstrash! Duken nga surrati këta!…
– Jo, nuk duken nga surrati! Teoria antropologjike e Çezare Lombroso-s që e shpjegonte kriminogjinë përmes deformimit të kafkës, ka rënë. Jo vetëm të shëmtuarit bëjnë krime, shiko! Shikoje atë me kryq…
– Ai është Enveri! 🤓
– Po, ai është Enveri…
– E gjeta!

– E gjete, por e ke gabim! E ke gabim, se ai s’dallohet nga surrati. Nga aspekti i bukurisë, fytyra e tij duket simetrike, e plotë, e padeformuar, të merr në qafë, mjaft tërheqës për moshën e kohën kur është shkrepur fotografia. Por, shikoja sytë!… Sytë tregojnë çfarë përbindëshi djallëzor ka patur vendi ynë. Pse, vetëm ai meriton kryq surratit?!… Të gjithë meritojnë tua zhgarravisësh pamjen, siç këta kanë shqyer jetë e qënie njerzore!
– Po ti s’po ua lexon emrat?!
– S’dua ti fus në memorien time, s’meritojnë të kenë vend në jetën time!
– Po… ti dish, mund të rastisësh me bijtë e tyre, me nipat, t’i kesh në punë, t’i njohësh!

– As dua ti njoh!… S’kanë faj bijtë e nipërit e tyre për fundërrinat që kanë patur paraardhës. Unë psh. krenohem me gjyshin tim: arsimtar, atdhetar, të gjithë që e kanë njohur kanë nderim për të, ka lënë vepra e emër të mirë; por ai ka vdekur përpara se të lindja unë, përpara se vetë mamaja ime të martohej. I bie që unë as kam meritë e as ndonjë borgj për jetën që ka bërë ai. Unë pata fatin të kem gjyshin që kam por, le ta zëmë se do të ishte një vrasës i lig: çfarë faji do të kisha unë, që kam lindur 10 vjet pasi ai ka vdekur?!…

Ne kemi 3 dekada që e kemi kaluar komunizmin, 3 dekada, kupton?!… Komunizëm kishte dhe Greqia, Spanja, e Gjermania Lindore; ku ishin ato 30 vjet pas komunizmit të tyre?!… Ku ishte Italia 30 vjet pas fashizmit?!… Përse në duhet akoma të shohim fytyrat e këtyre derrave ndyrësira?!…

Sot në Amerikë kanë rrëzuar shtatoret e baballarëve të kombit të tyre: Uashingtonin, Uillsonin, Xhefersonin, Ruzveltin… Përse? Sepse kanë patur skllevër!… Mos harrojmë se po flasim për presidentë e nënshkrues të Deklaratës së Pavarsisë së SHBA, dhe i hoqën! I hoqën dhe nga emrat e shkollave, diskutohet që ti heqin dhe nga rrugët, ti zhdukin nga faqja e dheut. Përse?!… Sepse kanë gjetur e nuk kanë hequr skllavërinë.

K’to f’tyrat e spanume kanë skllavëruar një popull të tërë e ende vazhdojnë të na qorrojnë.

Këtyre duhet tu shfaroset ftyra, njëlloj si vrasësit të Gjon Lenon (John Lennon, vokalist i grupit The Beatles) që nuk i përmendet emri askund, dhe pse ai e kreu vrasjen për të hyrë në histori si ai që mori jetën e legjendës së muzikës botërore të viteve 80’.

S’po them që duhet të harrojmë, komunizmi duhet paraqitur në muze, libra, romane, kinomatografi, si memorie historike, si Bunkart 1, Bunkart 2, muzeale të tjera në çdo qytet për atë periudhë historike, por jo me ftyrat e ktyre!… Viktimat po që meritojnë të përkujtohen, jo persekutorët!…

Ana Frank (Anne Frank) ishte një e persekutuar në kampin e Aushvitcit, ditari i saj është botuar e shitur me miliona kopje mbarë botës, janë bërë filma, dokumentare për të, por jo për persekutorët e saj! Vetëm tek në theksi bie ende tek dhunuesit e jo tek të dhunuarit.

Tirana, Shqipëria po ndryshon, po transformohet. Të tjera gjëra duhet të vërtiten në mendjen tonë. A ndoshta do të jetojmë derisa një ditë të kemi një qiellgërrvishtëse me mbi 100-kate? A do të restaurohen ndërtesat e rrënuara? A do të mund ti ruajmë hapësirat e gjelbërta të qytetit? Po me arsimimin çfarë do të bëhet? Punësimin? E sa e sa tema?…

Por duhet të heqim dorë nga “Fytyrat e Komunizmit”, duhet t’i përjashtojmë nga jeta jonë. Duhet të zgjedhim që ti varrosim siç vendosi nipi i Hitlerit që mos të martohej e mos të trashëgohej, duke e humbur përgjithmonë mendësinë që diskutimi i një qënie djallëzore gjallonte më në Gjermani!

Adnand LLESHAJ
Shkurt 2022

Dërgoi për publikim, Jonada Jella, gazetare

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.