18.5 C
Tirana
E premte, 11 Tetor 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

KONTURAT

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Fehri Qerimi

KONTURAT

U ulëm njëherë e shtrimë këmbët e përzdredhura
kërkimit të njëri tjetit humbur shpatijeve
humbur dëshirash fjalësh të pathëna zemrash
dashurisë duke ia platuar edhe meshën në kishë
botën sikur duke kapur me shuplakën e shpuar
bukëmisrënkën duke përpirë lodhjesh e etjesh
dashurinë duke ruajtur nga sytë e lig pafati
deri te ëndrra duke ndjekur hovet e zemrës
fyerjet duke harruar përqeshjen e gazin e botës
botën tonë kishim e nuk donim të ishim si ata
as lehjet e qenëve nuk na bënin më përshtypje
më shumë lehnin njerëzit e skërmiteshin më shumë
zgjatnin duart të na e shëmtonin dashurinë
vajin të na e falnin e shkrumbin e zemrës
kur ne kishim njëri tjerin e lumturinë pa fund
në horizont shihnim ardhjen ditëve të bardha

2.
Ishin mbyllur dritaret e shtëpive
ishin hapur dritaret e zemrave
ishin shtuar e tepronin mëritë
vuanin shumë ata të gjymtuarit
dritën e mendjes e kishin humbur
terrin e dhembjeve e kishin mbledhur
xhelozia po ua brente mendimet
shikimet i kishin krejt djallëzi
po prishet bota thoshin ja fundi
guxojnë e bëjnë dashuri ditën për diell
qiellin e namnin që nuk po i shitonte

3.
Gjallë e vdekur ishin besatuar
të bëheshin një me dashurinë e lumturinë
shtigjeve të gjata e të shkurtëra përbiroheshin
me djajtë mateshin dritës e territ
duronin kërcënimet plagët fjalët
ajo flokëshprishur B (lëndinë) ai flokëkaqurreli
deri te ëndrra shkonin e tej shpresës
duke hedhur prapa krahëve pengesat

rinishpërthyer si vet natyra
duke parë edhe tej shikimit njëri tjetrin
mezi duke e pritur ardhjen e ditës së re
ngarendjeve duke u ndjerë të sigurtë
shtigjet duke kaluar me hap të gjatë
valle shtojzovallesh duke hedhur agimeve

4.
Rrëfej për ty si për kohët e përjetshme
U fërfëllove në erë si nji shtizë
ashtu e lehtë e lozonjare
s’ta kapja dot skajin e ikjes
bishti i gjatë e dhelpërak
që ndiqje pas,
u bë dredhun rreth shtëpie
eh, se si fryjkan plasarinat
pregjëve të moçëm,
tani, tek po mblidhet
e ngushtohet rrethi vorbullor.
Frymëmarrë drejtë qiellit
tek shohë vështrimin tënd zhgënjyes
e befasueshëm fëmijërorë,
dhe mejtohem,
në flen Zoti në këtë kohë.
Oshëtijnë ding-dongët e fundit,
e po aq rrebeshtë dhe lotët…
bah, si se dija, se paska nji nishk,
që zgjuaka gjitha dhimbjesh njëherësh!

5.

Ende di
të mbyllë syt e ti jap formë hijes kundrejt
t’i pikturoj sytë, hundën, buzët,
me bulëzat e gishtrinjëve përkryer
ulur këmbëkryqesh të jetoj ndryshe
aq e bukur kundruall teje
e më dëgjon gjatë deri në orët e vona
tej të gjitha të pamirave
afër të gjitha të mirave e mira ime
aq shumë të pathëna e të pabëra mbesin
rrëshqasin nëpër ty e nëpër mua
këndellen sytë blu e njomën buzët e rreshkuna

dielli sikur na e ka lakmi atë ecje kohe
atë shpirt që sikur bartet nga ti te unë e sillet
sa herë brenda çastit harrohem
e sikur dëgjoj hijet tek na përcjellin kërcënueshëm
me veten flasin me të tjerë kundër nesh
e ne sikur nuk dëgjojmë e kënaqemi
s’a mungua jo asgjë për be…

6.

Nuk dihet si do kthehemi kujtimeve të ikura
si do të mbahemi ardhjeve të shqetësuara
kopsht i dashurisë a do ketë bukuri në brendi
Karadaku a do të na e mund ëndrrën
krojet e bekuara a do t’na e bartin fjalën
aktorë do të jemi apo akter të ndjekur
do flasim shlirë apo do përsërisnin tekstin
do na shoh me nderim e me pezm dielli përjetësi
do jemi si lisa a do dridhemi si purtekë
do na dhemb stina a do dukemi të lulëzuar
e blerta apo e verdha do t’na shtrihen fytyrës
shpirti do rritet apo shpirtërisht do këputemi
rrugët e jetës duke trasuar apo holluar

7.

Muzikë e dhembshme na i shoqëron qeshjet
kësaj heshtjeje tek heshtohet malli
shkrepëtima të heshtura mundin timpanet
në një fije floku mbetëm të gozhduar
ndoshta do kthehemi në amblemë kujtimesh
ëndrrash të paëndërruara fshehjeve të lumturisë
o shih të lutem si na e bjejnë fatin
djegur nga vapë e dimrit që na rrethon
zemra tek ndal ato rrahjet e zakonshme
artin e të jetuarit s’po na e lënë ta mësojmë
duke na këputur si fletë të ditarit të braktisur në erë

8.

Vlerë e dashurisë për ne paska po atë vlerë
kahmot të harrimit në thellësi të njëri-tjetrit
të përkushtuar besimit e dëlirësisë së fjalës
fjalës që kemi dhënë për të mbetur të dashurisë
të denjë sa të mbesim njerëz e të njerëzores

duke parë sesi na pret gojë e hapur e vdekjes
si shtegëtarë të përjetshëm duke u matur me kohën
ma mallëngjimin duke lyer bukën e përditshme
honeve duke iu dredhuar duarëve të përgjakura
si lule të këputura të mos na bartin me dhembshuri
të mos lotojnë ata që na e duan humbjen e përjetshme
duke mos dashur të mësojmë për rrugën kah varret
shtegëtimet t’i zgjasim deri te bërthama e dashurisë

9.

Po na ndjekin rrugëve qen të tërbuar
mbrëmë gati na e kanë kafshuar ëndrrën
mandej zgjatën thikat të na e këpusin shpresën
provuam të shpëtonim duke u dehur pikëllimit
po shpirti na mbeti i dëlirë si dashuria jonë
etje kishim për së paku nji pikë uji të shenjtë
për një drekë shtruar bukur e me muzikë arbëreshe
krijuar si prej zotërash të kohëve antike
fatin duke krijuar pas shtatë bjeshkëve
duke gëlltitur pellgun e një shije të errët…
natë e madhe duke e shoqëruar me bardhësi
një bukuri të ftohtë duke parë ngjethshëm
acar duke ndjerë nga ajo shëmti rrëqethëse
e duke u ndjerë edhe më të gjallë
atyre besimeve ku njeriu lartësohet
ku e liga mbytet në thartirën e vet
ku qiell përkundet pa fillim pa fund
kupla engjujsh shkunden kujtueshëm
e shkrihen në flakën e hajthme të qiriut
pasqyruar nga sytë tanë përplot dashuri

10.

Mblidhesh në gjirin tim e në duar të mia
shkrirë në dashurinë që ata e quajnë fyerëse
sikur ne po shkojmë në duart e më të ligës
shtrigë e shtrigan sikur endemi kësaj bote
andaj na ndjekin sikur po rrezikojmë botën
sikur e tepërt është kjo jeta jonë sot,
sikur nuk meritojmë jetën e një të nesërme
duan të na dërgojnë ku bren miza hekur
pak u duket edhe të na djegin së gjalli
plot me marrëzi këndojnë himne të vdekshme
thonë jemi duke pritur ardhjen e momentit
t’na dëgjojnë deri te ferri i përjetshëm…

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit