Komunikim me Ukshin Hotin

0
Ukshin Hoti

(Me rastin e 26 vjetorit të zhdukjes të Ukshin Hotit)

Poezi

Safet Sadiku

Komunikim me Ukshin Hotin

E kujtoj atë mbrëmje si një fletë të djegur
në Librin e Kombit që era s’e kthen
në sytë e tu pashë Kosovën e ngrirë
si një zjarr që nën hirit prapë do të ndriçojë

Më the: “Kujdes nga kurthet e heshtura
nga fjalët që lidhen si zinxhir rreth qafës
Serbia luan me hije e mjegulla
për t’na mbajtur peng në oborrin e saj”

Fjalët e tua ranë si gurë te lumi
valët e historisë ende i bartin
sot Kosova endet mes zërash të lodhur
në tryezat ku premtimet thyhen si qelq

Politikanët tanë si gjethe të zverdhura
që era i shkund në drejtim të huaj
në vend që të jenë rrënjë të thella
janë degë të brishta në stinë të lëkundur

Shteti s’është pronë për t’u ndarë mes tyre
as monedhë për pazaret e ditës
ai është zemra që rreh në kraharorin e kombit
por sot rrahjet e tij janë të ngadalta, të lodhura

Ukshin, filozofia jote është feneri,
që ndriçon në mjegullën e kësaj kohe
por kush ka guximin të shohë dritën
kur më lehtë është të ecësh në terr?

Kosova endet si një zog pa busull
ende peng i tryezave të huaja
a do të vijë një ditë
ku do të flasim me zërin tonë
apo do të mbetemi jehonë e të tjerëve?

Zhdukja e Ukshin Hotit pa gjurmë

E morën nata dhe heshtja e rëndë
si era që shuan një dritë në terr
s’la shenjë as hije mbi dhe
veç emri i tij si flakë rri ndezur

E kërkoi dielli në lindjen e re
e thirri shiu në prag të pranverës
por dheu heshti dhe qielli u zverdh
as dhembja s’e gjeti në rrugët e ferrit

E morën ata që frikësoheshin nga drita
që dridhen kur fjalët kthehen në armë
e mbyllën në humnerën e heshtjes
ta fshijnë nga koha e ta shkrijnë si akull

Po si të shuhet ai që u bë frymë
si të zhduket ai që mbolli vetëdije?
Në secilin gur të Kosovës
ai flet përsëri
në secilën zemër rreh si betim!

E morën, po ai nuk u tret
është frymë në erën që thërret
është jehonë që s’di të pushojë
Ukshin Hoti i pavdekshëm në kohë

Në këtë ditë kujtimi, ndaj me ju dy poezi: një komunikim imagjinar me Ukshin Hotin, dhe një reflektim mbi zhdukjen e tij si dëshmi që ai nuk u zhduk kurrë nga ndërgjegjja jonë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.