KAPEDANI I DARDANISË
Dje e mundëm një fushë mbushur me varre,
e mundëm një kohë të burgjeve
e pushkatimeve, e mundëm një vrasës të lirisë,
gjenocidin e mundëm,
një pushtues, që vrasjen kishte jetë.
I lodhur jam, nuk e mbaj më ngarkesën e shekujve
nuk e mbajnë as ata të dhimbshëm të paktë,
pyes, pse vonon një forcë që i atdheut i prinë?
Ku është populli që i jep dritë e lavdi fitoreve!…
Bashkohuni të dhimbshëm të paktë rreth flamurit!
Bashkohuni t´i dalim zot ribashkimit të Atdheut!
se shume ia kemi hapur dyert ikjes dhe mërgimit!…
Kosova dardane e do tërësinë e tokës së vet,
e do motër Çamërinë, motër Iliridën,
Krahina e Mollës së Gjakut dhe Ulqinin,
ah, fortesat mbi det, Shkupi, Tetova, Gostivari e Kumanova,
matanë ndanë lumit të përjetshëm dardan…
I do brenda Shqipërisë, brenda Atdheut!
UÇK-, ti o trime më thirre të dal te Shpati i malit
aty më dha zemër, më dha pushkë dhe granatë dore
që unë kurrë të mos jem një i mundur për liri!
Nuk e mbaj më ngarkesën e shekujve, më thotë
ai që vdekjen e do, kur jeta vargorësh robëton,
kur jeta lirinë të shkruar e do, si kujtesën e saj ndër shekuj… pyes?
Si ka mundësi që në këtë tokëaq të lashtë, mungon
zëri i të gjithë neve, zëri për përbashkim, zëri siç e
kërkonin mendjendriturit e Rilindjes kombëtare!…
Kosovë, protagoniste e Lëvizjeve kombëtare
gjithçka sot nis nga fjala dhe ngjizja e urtisë,
gjithçka nga mendimi nis, nga zemra dhe duart t’ua
të shtrira për dashurinë dhe, grusht për të keqen,
e për armiqësinë.
Heshtja e harrimi ndaj Çamërisë, është krim, po, krim
pa doras e muranë, një vetëgroposje e qenies…
Çfardo të jetë udha, turbullore si prorë, kombi
e do kapedanin e vetë, kapedanin kundër stuhive të motit që gjëmon!…
Kapedanin që i prinë Atdheut!…
Djepi i shqiptarëve është shkretuar
nga Dhébraktisja e pafund e krahëve rinorë
nga shpërdorimi i lirisë dhe heshtja e durimi,
ky faj i pjesëmarrjes në Keqësi, indin e shpresës këput,
Shqipëri, e atdhenjta tokë shqiptare
ngrite zërin për pjesët e pushtuara
se është zë për veten, për ne të gjithë,
se t´i e di si ngrihet dielli me duar!…
Atdhe Geci – Dortmund, 2023