29.4 C
Tirana
E mërkurë, 9 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj JUGOSLLAVIZMI I PADUKSHËM, I MBETUR SI REGJIM NË POLITIKËN SHQIPTARE!

JUGOSLLAVIZMI I PADUKSHËM, I MBETUR SI REGJIM NË POLITIKËN SHQIPTARE!

1
Safet Sadiku

Ese:

Nga Safet SADIKU

Jugosllavizmi politik nuk është zhdukur plotësisht edhe me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Por, në forma të ndryshme, ai mund të ketë mbijetuar si mentalitet, si mënyrë organizimi dhe si kulturë politike, duke u përshtatur me rrethanat e reja dhe duke gjetur hapësira në politikën shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri. Ai nuk shfaqet më si një regjim i deklaruar, por si një hije politike e padukshme, që ndikon në mënyrën se si konceptohen pushteti, identiteti kombëtar, marrëdhëniet ndërshqiptare dhe raporti me faktorët e jashtëm. Pikërisht kjo mbijetesë e heshtur e mentaliteteve dhe mekanizmave të së kaluarës kërkon të analizohet pa tabu, përtej emrave, partive dhe individëve.

1) Degjenerimi i kominikimit të liderëve politikë: Ky degjenerim i planifikuar ka arritur kulmin deri te: “Propozimi i Ilaz Ramajlit për president të Kosovës, (ose i I.Berishës) dhe në rast se do të aprovohej, do të ishte një fitore politike e Serbisë dhe një dështim i rëndë i Kosovës, sepse ky skenar do të rikthente në qendër të institucioneve politike figura dhe mentalitete të lidhura me elitën e vjetër politike të Kosovës si kohë kur ajo elitë (e viteve 80-ta) ishte e nënshtruar para Serbisë. Ilaz Ramajli ishte në krye të Kuvendit të Kosovës, dhe më 23 mars 1989 votoi, nën trysninë e regjimit të Millosheviqit, për shfuqizimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974. Ky ishte një nënshtrim i plotë politik ndaj regjimit të Beogradit. Tani pas dy vitesh krizë institucionale, problemi nuk është më vetëm se kush ulet në karrigen e presidentit, por se Kosova, në çfarë modeli politik po rikthehet përmes saj.”

Dikur kishim Jugosllavinë. Sot nuk e kemi më. Të paktën kështu na thonë librat e historisë, fjalimet politike dhe hartat. Por, siç duket, kemi harruar ta kontrollojmë një gjë të vogël: a ka dalë Serbo-Jugosllavia nga politika shqiptare, apo vetëm nga harta? Pra, bëhet fjalë për një sistem politik i së kaluarës, që nuk ka nevojë të ekzistojë më te ne shqiptarët, as si shtet dhe as për të vazhduar të jetojë si mentalitet. Por, Jugosllavizmi i padukshëm “nuk është nostalgji” për shumicën e shqiptarëve si një shtet i zhdukur juridikisht, por metodologjia e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë e më gjërë është ende e njëjtë dhe shumë perfide! Është metodologji për mbetjen e mënyrave të vjetra të të menduarit: për pushtetin si pronë politike, për institucionin si plaçkë negocimi, për postin si shpërblim dhe për qytetarin si spektator të një marrëveshjeje që bëhet mbi kokën e tij. Në Kosovë mund të kalojnë muaj, mund të zhvillohen zgjedhje, mund të numërohen votat dhe të shpallen fituesit, por kur vjen puna te postet, karriget fillojnë të sillen sikur secila e kanë Kushtetutën e tyre. Njëra palë kërkon këtë post, tjetra atë post, dikush kryetarin, dikush nënkryetarin, sa ministri kujt i takojnë, dikush një komision etj., ndërsa qytetari pyet: “Po shteti, kur do të konstituohet?” Dhe kështu kalon një vit. Pastaj edhe një tjetër.

Në parim mund të kemi një rekord të ri historik: shteti ekziston, por institucionet presin që partitë të merren vesh se kush do të ulet në karrige. Këtu është dobësuar funksionaliteti shtetëror. Dhe pikërisht këtu “Jugosllavizmi i padukshëm” bëhet më i dukshëm. Nuk të thotë më kush je. Nuk të kërkon më të flasësh një gjuhë tjetër. Nuk të vendos më një flamur mbi kokë. Të mëson diçka shumë më moderne: si ta kthesh shtetin në një tavolinë negocimi për poste. Të gjitha vlerat tjera harrohen. Në këtë klimë, edhe debatet rreth propozimeve për pozita drejtuese shndërrohen në përplasje të forta politike dhe në interpretime të ndryshme mbi qëllimet e pasojat e tyre. Por pas gjithë kësaj zhurme mbetet një pyetje shumë më e madhe: Nëse kërkesat këmbëngulëse të elitave politike arrijnë ta mbajnë një shtet për dy vjet pa funksionim normal institucional, çfarë ka ndryshuar vërtet? Mos vallë kemi ndërruar vetëm emrat e zyrave?

Mos vallë kemi ndërruar flamujt e liderëve partiakë por jo mënyrën e mendimit? Mos vallë kemi bërë revolucionin e reformatorit duke e sharë dhe përqafuar njëkohësisht Serbinë, por kemi harruar revolucionin e mendjes? Sepse një revolucion i vërtetë nuk matet vetëm me rrëzimin e një sistemi. Ai matet me atë që vjen pas tij. Nëse pas çlirimit nga një sistem vazhdojnë të jetojnë mekanizmat e vjetër të privilegjit, klientelizmit, ndarjes së pushtetit dhe kontrollit mbi institucionet, atëherë historia ka bërë vetëm gjysmën e punës. Gjysma tjetër na takon neve. Edhe Shqipëria nuk është jashtë këtij rrethi vicioz. Edhe këtu politika shpesh sillet sikur shteti është një tortë: fillimisht ndahen pjesët, pastaj caktohen njerëzit që do t’i marrin pjesët dhe, në fund, qytetarit i thuhet se duhet të jetë i lumtur që torta ekziston. Kjo është arsyeja pse “Jugosllavizmi i padukshëm” nuk duhet kuptuar si nostalgji për një shtet të zhdukur.

Përkundrazi, është një “hije funksionale” që ende mjerisht po e kontrollon Serbia përmes mentaliteteve politike që nuk po zhduken vetëm duke ndryshuar kufijtë, flamujt apo emrat e institucioneve dhe të liderëve politik që i përfaqësuan. Dhe këtu vjen përfundimi më i hidhur i kësaj norme pa parime demokratike. Ndoshta Jugosllavia u shpërbë, por revolucionet tona nuk e përfunduan punën. Sepse nëse ende luftojmë dy vjet për karrige, dhe shteti pret në korridor, nëse posti është më i rëndësishëm se institucioni, nëse partia është më e fortë se ligji, nëse interesi i grupit vendoset mbi interesin publik, atëherë kemi arsye të pyesim: A e rrëzuam vërtet sistemin, apo thjesht i ndërruam tabelën në derë? Dhe, për të mos e mërzitur shumë historinë, mund ta themi edhe më shkurt: Jugosllavia iku. Karriget mbetën. Mentaliteti, siç duket, nuk mori biletë për të ikur.

2) Katër dekada më vonë: Dhe këtu hyn dhimbja e Kosovës. Gjithë ajo sakrificë, gjithë ai gjak i derdhur, gjithë ajo luftë për liri dhe shtet, dhe në fund, pas më shumë se tri dekadash nga aktet politike të vitit 1990 dhe më shumë se dy dekadash nga çlirimi, të shohësh sërish figura të një epoke të kaluar të shfaqen në debatet për majat e shtetit, të detyron të bësh një pyetje që nuk mund të fshihet pas protokollit: Çfarë ndodhi me atë revolucion politik e kombëtar për të cilin Kosova pagoi një çmim kaq të lartë? Ilaz Ramajli nuk është një figurë e panjohur e historisë politike të Kosovës. Ai ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës në periudhën e “rezistencës institucionale” të para viteve ‘90-ta dhe më pas gjatë viteve 1990–1992. Po ashtu ai u rehabilitua dhe më pas shërbeu në role të tjera politike e diplomatike. Burimet zyrtare të “Presidencës së Kosovës e rendisin gjithashtu ndër të dekoruarit me Medaljen e Pavarësisë”.

Pikërisht për këtë arsye, një propozim i tij për një nga postet më të larta të shtetit nuk mund të shihet vetëm si çështje biografike. Ai mund të bëhet simbol i një pyetjeje më të gjerë: a po ecën Kosova përpara, apo po rikthen në majat e institucioneve figura dhe modele politike të epokave të dështuara që në fakt duhej të ishin kapërcyer? Kjo nuk është domosdoshmërisht një akuzë për individin. Është një pyetje për modelin politik. Dhe pikërisht këtu duhet të bëjmë dallimin mes historisë së një njeriu dhe kuptimit politik të një rikthimi. Sepse nëse pas gjithë asaj sakrifice, pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë, në krye të shtetit mund të propozohet një figurë që për një pjesë të opinionit publik simbolizon një politikë të vjetër jugosllave, atëherë kemi të drejtë të pyesim: A kemi ndryshuar vetëm sistemin formal apo edhe mendësinë politike? Ky është “jugosllavizëm” me emër, mbiemër dhe adresë politike, jo domosdoshmërisht si nostalgji për Jugosllavinë, por si rikthim i pyetjes se sa nga mënyra e vjetër e organizimit të pushtetit ka mbetur ende gjallë. Kosova nuk derdhi gjak që, pas disa dekadash, të kthehej te një politikë ku karrigia e pushtetit bëhet më e rëndësishme se kujtesa e popullit.

Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Kush do të bëhet president?” Pyetja e vërtetë është: “Çfarë Kosove po ndërtojmë pas gjithë asaj sakrifice?” Sepse nëse përfundimi i një lufte për liri është rikthimi i mendësive të vjetra në majat e shtetit, atëherë ndoshta revolucioni i vërtetë politik ende nuk ka ndodhur. Ndërkaq, gjithnjë e më shumë vëhet në dukje injorimi total i rolit të SHBA-së, gjë e cila nuk duhej të ndodhte!

3) Patriotizmi si anestezi politike: Pushtetet në Kosovë dhe në Shqipëri janë fituar për vite me radhë në emër të patriotizmit. Sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, patriotizmi u bë një nga kapitalet më të fuqishme elektorale. Por patriotizmi nuk është vetë prezantimi i partisë edhe me flamur kombëtar në aktivitete. Por, në anën tjetër flamurin Kombëtar nuk kanë arritur ta legjitimojnë si pjesë të Kushtetutës. Dhe një përfaqësim i tillë partiak nuk është fjalim. Nuk është betim. Dhe nuk është fotografi para monumenteve të dëshmorëve. Patriotizmi matet me rezultatet që lë pas vendimmarrja politike. Një pjesë e marrëveshjeve politike me Serbinë dhe vendimeve institucionale të periudhave të udhëhequra nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Albin Kurti janë kritikuar për pasoja që, sipas kritikëve të tyre, drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë favorizuar pozicionet e Serbisë. Këto marrëveshje dhe vendime nuk mund të futen të gjitha në një thes. Ato duhen analizuar njëra pas tjetrës, me dokumente, me përmbajtje dhe me rezultate konkrete.

Por pikërisht këtu duhet bërë pyetja që politika shqiptare shpesh e shmang: Çfarë vlere ka patriotizmi si retorikë, nëse vendimmarrja politike prodhon pasoja që e forcojnë palën kundërshtare? Nëse pas dekadash shtetndërtimi, pas luftës dhe pas pavarësisë, Serbia vazhdon të fitojë terren politik përmes marrëveshjeve, bllokadave institucionale apo mekanizmave të pranuar nga vetë elitat tona, atëherë problemi nuk është vetëm te Serbia. Problemi është edhe te politika jonë. Problemi është te patriotizmi që fiton zgjedhjet me fjalë, por humb terrenin me vendime. Ky është paradoksi i “Jugosllavizmit të padukshëm”: flamuri mund të jetë shqiptar, fjalori patriotik mund të jetë shqiptar, por nëse mekanizmi politik prodhon vazhdimisht pasoja që favorizojnë kundërshtarin, atëherë duhet të kemi guximin ta analizojmë sistemin, jo vetëm të lavdërojmë flamurin.

4) Mjeku dhe sëmundja që nuk pranohet: Mjekësia nuk ka problem me njerëzit që e pranojnë sëmundjen dhe fillojnë terapinë sipas këshillave të mjekut. Problemi është me ata që janë të sëmurë dhe ende nuk e pranojnë. Pacienti mund të ketë temperaturë, analiza të këqija dhe simptoma të dukshme, por vazhdon të thotë “Unë jam mirë.” Mjeku nuk mund ta shërojë dikë që refuzon diagnozën. Kështu është edhe me politikën. Nëse një shoqëri refuzon të pranojë se ka probleme me funksionimin e institucioneve, me kulturën e pushtetit, me marrëdhënien parti–shtet dhe me orientimin strategjik, ajo nuk mund të fillojë terapinë. Dhe terapia e demokracisë nuk është hakmarrja. Është llogaridhënia. Nuk është përmbysja e një karrigeje. Është heqja e karriges nga pozicioni, mbi ligjin. Nuk është lufta kundër individit. Është lufta kundër sistemit që e vendos individin mbi institucionin.

a) … Pastaj zbriti Shqiponja. Në këtë pikë të dialogut, nga lartësia e historisë zbriti Shqiponja. Ajo nuk erdhi nga ndonjë zyrë partie. Nuk erdhi nga ndonjë sallë ku ndaheshin postet. Ajo erdhi nga vendi ku historia nuk mund të votohet me shumicë: nga varrezat e dëshmorëve, nga kalatë, nga gurët e lashtë dhe nga kujtesa e atyre që dhanë jetën për një shtet që ende nuk e kishin. Shqiponja i pa politikanët dhe pyeti: Për çfarë luftuan ata? Askush nuk u përgjigj. Ajo pyeti përsëri: Për një karrige? Heshtje. Për një post Përsëri heshtje. Për një shtet ku ligji është mbi partinë dhe interesi publik mbi interesin e individit? Atëherë një zë nga turma tha: Për këtë! Shqiponja u kthye nga varrezat dhe tha: Atëherë pse po negocioni për shtetin sikur të ishte pronë partie?

b) Cicerini hyn në sallë: Në atë çast u shfaq Cicerini. Ai nuk kishte ardhur për të marrë post. Kishte ardhur për të bërë pyetje. Kush përgjigjet për dy vjet bllokim institucional? Heshtje. Kush përgjigjet kur partia bëhet më e fortë se institucioni? Heshtje. Kush përgjigjet kur patriotizmi përdoret si mburojë ndaj kritikës? Edhe më shumë heshtje. Cicerini ngriti zërin: Një shtet demokratik nuk ka nevojë për politikanë që nuk gabojnë. Ka nevojë për politikanë që përgjigjen kur gabojnë. Shqiponja e dëgjoi dhe tha: Kjo është ajo që mungon.

c) Dhe pastaj hyri Roboti. Roboti nuk kishte histori. Nuk kishte varre. Nuk kishte nostalgji. Nuk kishte as patriotizëm. Kishte vetëm të dhëna. Cicerini e pyeti: Ti çfarë sheh? Roboti u përgjigj: Po analizoj rezultatet. Dhe çfarë thonë? Roboti heshti për disa sekonda. Pastaj tha: Ka shumë patriotizëm në fjalime dhe shumë pak përgjegjësi në rezultate. Shqiponja ngriti krahët. Cicerini pyeti: A ke gjetur ndonjë gjë tjetër? Roboti tha: Po. Çfarë? Kam gjetur një paradoks. Cilin? Disa politikanë kërkojnë të quhen patriotë pikërisht atëherë kur qytetarët fillojnë t’u kërkojnë llogari. Shqiponja u kthye nga varrezat. Atëherë sëmundja është më e rëndë nga sa menduam. Mjeku, që deri atëherë kishte dëgjuar në heshtje, tha: Jo. Sëmundja mund të shërohet. Si? — pyeti Shqiponja. Duke pranuar diagnozën.

5) Lufta që nuk është vetëm politike… Prandaj përballja me një klasë politike që perceptohet si e larguar nga interesat strategjike të Kosovës, Shqipërisë dhe aleancës euroatlantike nuk duhet të shihet vetëm si konflikt partiak. Nëse një pjesë e shoqërisë e percepton politikën si të larguar nga orientimi amerikan, atëherë përgjigjja demokratike nuk mund të jetë heshtja. Populli ka të drejtë të kërkojë llogari. Dhe Shqiponja po lufton bashkë me të. Jo me armë. Me kujtesën. Me testamentin e dëshmorëve. Me simbolin e lirisë. Cicerini lufton me pyetjen. Roboti lufton me faktin. Mjeku lufton me diagnozën. Ndërsa populli lufton me votën. Këtu është fuqia e demokracisë. Sepse një klasë politike mund të kontrollojë institucione, poste dhe mekanizma, por nuk mund të kontrollojë përgjithmonë vetëdijen e qytetarit.

6) Revolucioni që ende nuk ka përfunduar dhe në fund të fundit, problemi nuk është vetëm një emër. Nuk është vetëm një president. Nuk është vetëm një parti. Është modeli politik. Nëse një shoqëri rrëzon një sistem, por ruan mënyrën e vjetër të mendimit, nëse ndryshon flamurin ose zëvendëson flamurin kombëtar, por jo mekanizmin e pushtetit, nëse shpall pavarësinë, por vazhdon ta trajtojë shtetin si pronë të partive, nëse flet për patriotizëm, por shmang analizën e rezultateve të veta, atëherë revolucioni ka mbetur përgjysmë. Dhe ndoshta këtu qëndron e vërteta më e hidhur. Jugosllavia mund të jetë zhdukur nga harta, por pyetja është nëse është zhdukur edhe nga mendësia politike. Sepse revolucioni i vërtetë nuk përfundon kur ndryshon vetëm flamuri.

Përfundon kur ndryshon njeriu, institucioni, ligji dhe mënyra e ushtrimit të pushtetit. Nëse posti është më i rëndësishëm se institucioni, nëse partia është më e fortë se ligji, nëse interesi i grupit është mbi interesin publik dhe nëse patriotizmi përdoret për të fshehur dështimin, atëherë kemi vetëm një demokraci formale. Dhe pyetja e fundit mbetet: A e rrëzuam vërtet sistemin, apo thjesht i ndërruam tabelën në derë? Shqiponja ende ruan testamentet. Cicerini ende kërkon përgjigje. Roboti ende kërkon të dhëna. Mjeku ende pret që pacienti të pranojë diagnozën. Dhe populli? Populli ende e ka votën. Prandaj, për të mos e mërzitur shumë historinë, mund ta themi edhe një herë, shkurt: Jugosllavia iku. Karriget mbetën. Mentaliteti nuk mori biletë për të ikur. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, revolucioni i vërtetë politik shqiptar ende nuk ka përfunduar…?!

1 KOMENT

  1. Nje ese brilante e kohes, e Z. Safet Sadiku e cila eshte e pasqyruar ne tre dimensione, treguese, argumentuese dhe sqaruese mbi “Jugosllavizmin e padukshem i mbetur si rregjim ne politiken shqiptare”,
    Kjo ese tregon forcen dhe dimensionin intelektual te Z Safet Sadiku per te nxjere ne drite Jugosllavizmin e padukshem, i cili nuk ka ndryshuar, por vazhdon edhe sot si ne Shqiperi edhe ne Kosove i njejti model dhe e njeta menyre e kamufluar me petkun e demokracise.
    Vazhdon edhe sot sistemi parti -shtet, ku partia, lideret, autokratet jane mbi shtetin mbi ligjin.

    Dhe nepermjet kesaj ese-je Z Safet Sadiku percakton qarte, rregullat, rruget, mekanizmat demokratike per tu perafruar dhe integruar me sistemet demokratike te funksionimit te shtetit ashtu si ne vendet e zhvilluara te BE-se dhe SHBA-se, ku shteti, institucioni dhe ligji jane te shenjte, dhe te gjithe qytetaret pa perjashtim me cdo lloj statusi qe mund te kene jane te barabarte perpara ligjit dhe Zotit, faleminderit dhe suksese te metejshme miku im i nderuar Z. Safet Sadiku.🙏

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.