Iluzionet politike të lidershipit të LDK-së..!

0
LDK - Lumir Abdixhiku

Kur një politikan synon t’i fitojë zgjedhjet nacionale, ai zakonisht jep premtime të mëdha, dhe për fitoren e vetë flet me një siguri të madhe para elektoratit, madje i mbërthyer nga euforia politike përdor retorikë ngazëllyese, duke e vendosur veten mbi aureolin e partisë.

Kjo u duk qartë në rastin e kryetarit aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili publikisht premtonte një fitore spektakolare si dhe rikthimin e partisë në vendin e parë garues, mirëpo pasi që dolën rezultatet preliminare, doli se kjo “fitore” kishte qenë vetëm një iluzion i bukur.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit LDK-ja ishte në koalicion me Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), e cila ka një bazë të konsiderueshme votuesish në Kosovë dhe diasporë, por megjithatë asnjë kandidat nga kjo parti nuk arriti të sigurojë ndonjë vend në Parlament, ndërsa votat e saj vetëm sa e shtuan totalin e votave të LDK-së, kështu që pretendimi për “rritjen” e partisë rugoviane, doli të ketë qenë një mashtrim për elektoratin e saj.

Kryetari aktual, një pasues i linjës politike të Isa Mustafës, i cili e trashëgoi këtë parti që në vitin 2019, madje e cila kishte rënë në 12.9%, ndërsa pas katër viteve me ndihmën e PSHDK-së e ngriti atë në 17.6%, nënkupton një rritje reale prej vetëm rreth 2%-ind, rritje e cila erdhi më shumë si rezultat i pakënaqësisë së votuesve ndaj qeverisë “Kurti-2”, se sa si meritë e tij personale.

Fatkeqësisht, kjo parti, dikur shtet-formuese dhe e para në Kosovë për nga numri i votuesve, sot drejtohet nga një kryetar i cili në krye të saj erdhi, jo përmes meritës së tij, veçse falë mbështetjes së klaneve të brendshme brenda partisë.

Prandaj, me kryetarin aktual dhe me koalicione të dyshimta, LDK-ja vështirë se do të rikthehet ndonjëherë në pushtet, sepse në vend të një vizioni të qartë politik, ajo vazhdon të udhëhiqet nga interesa të ngushta të individëve brenda saj, veprime këto që ndikuan dukshëm në humbjen e votave të qytetarëve, dikur anëtarë të devotshëm të LDK-së.

Për shumë njerëz, LDK-ja mbetet një kujtim i rëndësishëm i historisë politike të Kosovës, mirëpo me lidershipin aktual ajo rrezikon të mbetet vetëm një nostalgji politike, dhe jo një forcë reale politike në Kosovë, siç ishte dikur nën udhëheqjen e liderit historik të LDK-së dhe të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

R. Elezaj

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.