Historia e Dinastisë princore te familjes Markagjoni e paraqitur me argumente shkencore

0
81
Kulla e rezistencës

Mr. sc. Nue Oroshi

Ndriçimi i dritës kundër ferrit dhe tmerrit shpeshherë ka kërkuar kohë që të ndriçohet dhe të ngadhnjej ndaj territ. Por historikisht gjithmonë e vërteta ka ngadhnjyer kundër të pavërtetës ashtu siç ka ngadhënjyer e mira kundër të keqës. Edhe libri i ri që titullohet: Kulla e Rezistencës Familja Markagjoni – Një dinasti Shqiptare i autorës Bianca Maria Gjomarkaj paraqet një dritë faktografike e cila ndriçon pas një terri shumë dekadash e pas një sulmi brutal që i bëhej familjes së Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit tani e mbi 70 vjet me radhë. E vërteta vonon por ajo del e pastër si bilur në dritën e diellit për të mbyllur gojën propagandës së rreme të klyshve të Miskovit të cilët asnjëherë nuk punuan asgjë për kombin shqiptar por ishin shërbëtor të pansllavizmit.

Në këtë libër autorja Bianca Maria Gjomarkaj më një përkushtim dhe më një faktografi e cila kryesisht më shumë është e mbështetur në faktografinë perëndimore në rrëfimet familjare si dhe në dokumentët e kohës paraqet një histori në katër pjesë të familjes princore te Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjoni. Ajo fillimisht paraqet një historik të shkurtër të kësaj familje atdhetare duke dhënë një gjeneologji familjare ku secili brez i Kapidanëve të Mirditës është vrarë dhe ka luftuar për mbrojtjen e kombit shqiptar duke i mbrojtur parimet e shenjta që ka Mirdita atë të Nderit,Besës dhe Burrërisë. Pastaj historia e kësaj familje Princore pas 27 nëntorit 1944 ndahet në tri pjesë.

Në pjesën e parë janë Kapidan  Mark Gjonmarku dhe Kapidan  Llesh Gjonmarku, të cilët dalin në mal dhe i prijnë luftës antikomuniste për ta rrëzuar regjimin komunist derisa edhe ranë heroikisht. Në pjesën e dytë është veprimtaria atdhetare e Kapidan Gjon Markagjonit bashkë me djalin e tij Kapidan Ndue Gjonmarkun të cilët me sugjerimin e Kapidan Mark Gjonmarkut për të mos u shuar familja komplet dalin në mërgim fillimisht në Itali dhe pas vdekjës se Kapidan Gjonit migrojnë në  Amerikë. Në Itali ata e themelojnë   Blokun Kombëtar Independent dhe e luftojnë në mënyra efektive regjimin komunistë qoftë në dërgimin e parashutisteve në Shqipëri, qoftë me mjete diplomatike, si dhe pjesa e tretë qëndresa e Familjes së Kapidan Gjon Markagjonit në burgje dhe internime në Shqipëri.

Kjo familje e cila e ka ruajtur më dinjitet të plotë për plot gjashtë shekuj traditën shqiptare, përmes Kanunit te Lekë Dukagjinit, burrërinë dhe qëndresën shqiptare duke u ballafaquar me pushtues karpatain dhe aziatik por që gjithmonë i qëndroj besnik nderit, besës dhe burrërisë. Autorja në këtë libër na paraqet të plotë historinë e familjës së Kapidanit dhe mund të themi lirisht se ky libër është libri më i plotë që është shkruar deri më tani për familjen e Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit.

Ajo e shkruan nga një biografi të shkurtër për secilin kapidan duke filluar nga Kapidan  Marka Gjoni, Kapidan  Gjon Markagjoni dhe pesë djemtë e tij: Kapidan Mark Gjonmarku-Komandant i Forcave te Përgjithshme Kombëtare Shqiptare, Kapidan Ndue Gjonmarku që luftoj për gjashtë muaj kundër komunizmt në Mirditë dhe për 45 vjet e udhëheqi Blokun Kombëtar Independent në Itali dhe Amerikë, Kapidan Llesh Gjonmarkun i cili më një përkushtim të pashoq e udhëhoqi luftën antikomuniste pas rënies se Kapidan Mark Gjonmarkut, i cili edhe vet ra Heroikisht me 9 Gusht 1947.

Një vend të merituar në këtë libër e zë edhe Kapidan Dedë Gjonmarkut që mbajti mbi 46 vjet burgje dhe internime, si dhe kapidan Nikollë Gjonmarku që e theu perdën e hekurt komuniste dhe zhvilloi një aktivitet të denjë në Blokun Kombëtar Independent. Si dhe djalin e Kapidan Mark Gjonmarkut – Kapidan Gjon Markagjoni i cili edhe pse u rrit internimeve ai pas shëmbjes se komunizmit në Shqipëri si sistem e jo si mentalitet sepse fatkeqësisht ky mentalitet komunist ekziston edhe sot e kësaj dite në Shqipëri, bëri shumë për Mirditën duke rregulluar shkolla e kisha dhe u zgjodh një kohë të shkurtër edhe deputet në Parlamentin e Shqipërisë.

Përveç princave Mirditorë autorja ka një meritë të veçantë se ne ket libër i kushton nje vende te veçantë edhe princeshave Mirditore të cilët edhe pse u torturuan nëper burgje e kampe të përqendrimit që mund të shiheshin vetëm në Mesjetë ku sipas shkenctarit Pukevill në Mesjetë ndërtohen burgje me emrin Kuvli dhe Paluri që destinoheshin për robërit për ti zhdukur. Këso lloj burgjesh e kampesh ndërtoj edhe sistemi komunist i diktatorit Enver Hoxha por princeshat e familjes se Kapidanit të Mirditës gjithmonë qëndronin  kryelartë.Autorja Bianca Maria Gjomarkaj jep shumë qartë qëndresën nëper burgje dhe internime të princeshave Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Markagjoni, Bardha Markagjoni, Marta Markagjoni gruaja e Kapidan Mark Gjonmarkut, Kristina Markagjoni dhe Celestina Markagjoni.

Kalvari i vuajtjeve të këtyre princeshave Mirditore ishte i pashembulltë në historinë e njerëzimit por edhe qëndresa e tyre ishte e fortë ku  qëndruan pa u dorëzuar asnjëherë edhe atëherë kur ngarkoheshin duke bartur me krah pesha të rënda, edhe kur liheshin pa bukë dhe iu jepëj uji me krimba edhe kur nëpër qelia e dhoma të errta pa dritë dhe pa ngrohje ishte e vështirë të mëndohet se do dalin të gjalla në mëngjes. E shpeshherë regjimet komuniste jo vetëm që i vrisnin dhe torturoshin atdhetarët shqiptar por ata i internonin familjet dhe tokat ju konfiskoheshin.Këtu autorja na jep një tabelë të saktë kronologjike rreth konfiskimit të pasurisë së kësaj familje atdhetare dhe që fatkeqësisht ende nuk ju është kthyer prona kësaj familje.

Kjo tregon qartë së këto vite të tranzicionit në Shqipëri fatkeqësisht ende politikanët që udhëheqin kanë një mentalitet komunistë në kokat e tyre. Kjo familje atdhetare edhe sot e kësaj dite nuk ju është dhënë nderimi që e meriton për faktin se në Shqipëri në përgjithësi por edhe në Mirditë në veçanti nuk e gjenë asnjë rrugë, asnjë shesh me emrat e këtyre atdhetarve të kësaj familje fisnike e cila për gjashtë shekuj i qëndroj në ballë luftës për ta bërë Shqipërinë Shqipëri. Ky libër është i pasuruar më një album fotografish të rralla të familjes Princore të Kapidanëve të Mirditës gjatë shekujve për ti njohur populli shqiptar se kush ishin burrat dhe gratë atdhetare të familjes së Kapidanit.

Libri në fund është i pasuruar edhe më një bibliografi të madhe ku mbi nëntëdhjetë përqind janë autor të huaj Evropian dhe Amerikan të cilët kanë shkruar për familjen princore të Kapidanit. Dua që të shpreh një falënderim autorës Bianca Maria Gjomarkaj e cila edhe pse e lindur në Itali,ku në një moshë të re se bashku me familje shkoj në Amerikë, ku u shkollua dhe u punsua aty, se bashku me burrin e saj prej vitit 2012 e zgjodhi për të jetuar jetën në Kullën e Qëndresës Heroike në Shkodër dhe më një përkushtim të rrallë është duke punuar që e vërteta historike të dal në shesh. Në fund e them se botimi i këtij libri të kompletuar në tri gjuhë: në gjuhën angleze, italiane dhe tani edhe në gjuhën shqipe është një libër faktografik që në të ardhmën kur të shkruhet historia e vërtetë shqiptare është i gatshëm brumi faktografik për rolin në historinë shqiptare të Kapidanëve të Mirditës gjatë shekujve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.