13.5 C
Tirana
E mërkurë, 29 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Hipokrizia si praktikë politike

Hipokrizia si praktikë politike

0
Elife Luzha

Autore:
Elife LUZHA

Vështirë se do ta besoja se, edhe pas çlirimit, në kohën e lirisë dhe të demokracisë liberale, do të vazhdonte të ekzistonte një hendek kaq i thellë ndërmjet asaj që thuhet e asaj që bëhet, pra ndërmjet fjalës dhe veprës. Dikur, qëndrimet individuale apo grupore shpesh paraqiteshin ndryshe nga realiteti, pasi kjo ishte, si të thuash, një maskë e domosdoshme mbijetese përballë sistemit shtypës sllavo-komunist.

Kjo dukuri, e njohur me termin “ketman”, që nënkupton fshehjen e asaj që e mendon, fillimisht u përshkrua nga Arthur de Gabineau, i cili e lidhi atë me praktika të caktuara në kontekstin fetar në Lindjen e Mesme, veçanërisht te komunitet shiite, të cilat, për arsye sigurie, e fshihnin besimin e tyre.

Më pas, këtë koncept e trajtoi Czeslaw Milosz, në librin “Mendja e robëruar”, ku “ketman-i” përshkruhet si një mekanizëm i sofistikuar përshtatjeje për të mbijetuar brenda një sistemit komunist të kontrolluar, por edhe si një strategji komplekse psikologjike dhe shoqërore.

Megjithatë, ky fenomen nuk është i kufizuar vetëm në sistemet e kaluara shtypëse. Ai vazhdon të manifestohet në forma të reja edhe sot, kryesisht si instrument i mbijetesës politike – qoftë në formën e oportunizmit, karrierizmit, apo të një kulture të miratimit të heshtur, ku zëri i së vërtetës zbehet gradualisht.

Në politikën tonë gjithnjë e më shumë po vërehet prania e këtij fenomeni. Individë dhe parti politike flasin çdo ditë për angazhimin e tyre në interes të shtetit dhe të qytetarëve, por në prapaskenë angazhohen për interesa të ngushta individuale e grupore, duke shkaktuar dëme të rënda për shoqërinë dhe vet shtetit që pretendojnë ta mbrojnë.

Të flasësh për interesin e shtetit dhe njëkohësisht të bllokosh institucionet e tij është forma më e pastër e hipokrizisë politike që Miłosz e quante “ketman” apo dyfytyrësi. Dhe problemi nuk qëndron vetëm në ekzistencën e kësaj dyfytyrësia, por në faktin se ajo gjithnjë e më shumë po institucionalizohet, duke u shndërruar në një metodë të zakonshme veprimi dhe manipulimi, madje shpesh edhe e shpërblyer.

Nëse kjo prirje vazhdon të dominojë, ekziston rreziku që dyfytyrësia të normalizohet, ndërsa ndershmëria të perceptohet si naivitet. Një realitet i tillë jo vetëm që e dëmton shoqërinë dhe shtetin, por krijon edhe terren të favorshëm për marrëveshje të fshehta, në shërbim të rrjeteve të interesit që veprojnë jashtë kontrolli publik.

Madje, pasojat e kësaj situate do të rëndojnë edhe mbi brezat e rinj, të cilët mund ta përvetësojnë këtë model si mënyrë të zakonshme jetese, duke zëvendësuar ndershmërinë me pragmatizëm dhe integritetin me oportunizëm, duke lëkundur kështu themelet e demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Në këtë kontekst, sfida jonë nuk qëndron vetëm në identifikimi i problemit, por edhe në gatishmërinë tonë, për ta refuzuar një kulturë politike ku fjala dhe vepra nuk përputhen, si dhe për të mos heshtur përballë hipokrizisë.

Sepse, paaftësia për konsolidimin institucioneve shtetërore në Kosovë, pos tjerave, është pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj kulture. Prandaj, vetëdijesimi dhe trajtimi serioz i çështjeve tona të përbashkëta, është parakusht për tejkalimin e kësaj gjendjeje. Apo siç do të thoshte De Gol, çdo veprim duhet t’i shërbej vendit dhe të mirës së përbashkët.

Ky shkrim synon të jetë një thirrje për reflektim. Institucionet dhe shoqëria në tërësi duhet të jenë të vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart fjala publike. Ndërtimi i një kulturë politike të bazuar në llogaridhënie dhe transparenca mbeten themel për fuqizimin e shtetit – jo përmes retorikës, por përmes veprimeve konkrete dhe të qëndrueshme.

Ndryshe, rrezikojmë të humbim vet kuptimin e lirisë që pretendojmë se e kemi ndërtuar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.