(Kushtuar nënës sime, në 17-vjetorin e ndarjes nga jeta)
Ishin zakone të mbrapshta,
relikte pushtimesh ndër shekuj.
Po të më doje e të më ledhatoje,
do të mëkatoje.
Larg syve të të tjerëve,
prapa perdeve,
i kaloje netët pagjumë,
duke më dhënë gji
e duke më falur ngrohtësi.
Herët në mëngjes mjelje
dele e lopë,
pastaj vazhdoje punën
në ara e kopsht.
Punëtore si bletë,
me duart e tua të arta,
na rrite pa i trokitur
askujt në derë.
Kishe zemër të bardhë
dhe ishe solidare.
Gjithçka që kishe,
me të tjerët e ndaje.
Ishe vërtet bukëdhënëse
dhe e dëlirë;
secili që të njohu
të kujton për të mirë.
Prehu në paqe
dhe qëndro e qetë,
se ishe grua
dhe nënë e vërtetë.
Nga mërgimi
rrallë të vij te varri,
por për Ty kurrë
s’më shuhet malli.
Arif Ejupi











