28.1 C
Tirana
E hënë, 29 Qershor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi FSHATI NË MALE

FSHATI NË MALE

0
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

  • Tregim

Frynte një erë e ftohtë që të priste si brisk. Shtëpitë përdhese të fshatit dukeshin tek-tuk, si yjet e një nate të vranët, ngulur në shpatin e pjerrët të malit matanë lumit. Shtegu drejt bjeshkëve çante mespërmes një pishnaje, e cila, disi trazueshëm, mbështillej nga era e furishme që frynte. Gurgullima e përroit që rridhte në këmbë të fshatit ngjante me korin e një kënge të përjetshme, e cila sikur e shtonte vetminë.

Uji i ftohtë dhe i pastër si kristali rendte poshtë, duke rrëshqitur mbi disa gurë të bardhë gëlqerorë, si copa akulli të vendosura në fundin e lumit të kulluar. Ai, në bregun e lumit, vështronte rrjedhën. Përpara tij kaloi një tufë e vogël peshqish dhe ndjeu të ftohtë. Në këtë ujë të ftohtë, peshq! – mendoi me vete, ndërsa anëve të brigjeve shelgjet gjetherënë krijonin përshtypjen se aty nuk kishte jetë.

Rreth e qark, fshati rrethohej prej maleve të larta dhe shkëmbinjve që dukej se i bënin roje. Rrjedhës së atij lumi, diku poshtë, gjendej një mulli i vjetër, të cilin ai e mbante mend që nga fëmijëria. Vetë, me dorën e tij, e kishte prishur, duke e lënë të bluante vetveten, derisa gurët kishin konsumuar së tepërmi njëri-tjetrin. Shkonte atje, sepse gjendeshin shumë nuselala që shëtisnin mbi gurët dhe muret e mullirit të vjetër. Madje, sa herë përmendej fjala «nuselale», atij i kujtohej ai mulli.

E la bregun e lumit dhe ngjiti një të përpjetë. Doli diku në të djathtë, afër një lokali të vogël, në fund të fshatit. Hyri brenda. Porositi një konjak dhe një kafe.

Kamarierja, një vajzë e re, mjaft e bukur, me sy të zinj, të vendosur nën vetulla të holla dhe me qerpikë të gjatë si pendët e korbit, erdhi fluturimthi drejt tavolinës së tij, me një buzëqeshje të ëmbël që e bëri menjëherë për vete atë djalosh të ardhur ato ditë në atë zonë të thellë. I vuri porosinë në tavolinë dhe, pasi mërmëriti një «Ju bëftë mirë!», nisi të lëvizte drejt banakut.

Trupi i saj i drejtë dhe beli i hollë, që sikur do të këputej, i jepnin një hijeshi të veçantë lokalit, i cili, në fakt, ishte mjaft i pastër. Në banak, një mesoburrë me fytyrë të vrazhdë dhe sy hetues vështronte çdo lëvizje të tij. Ai kishte vënë re edhe vështrimin jo të zakonshëm të atij vizitori të ri, kështu që djaloshi ishte munduar ta fshihte kureshtjen dhe mendimin se ishte diçka e pazakontë që një vajzë kaq e bukur të gjendej në një vend kaq të humbur.

Njerëzit dukeshin tepër të ftohtë, si vetë koha. Ai, i veshur me qyrkun e ngrohtë, porositi konjakun, duke menduar se do të ngrohej, ndonëse pinte tepër pak, për të mos thënë fare. Njihte pak njerëz, edhe pse origjina e tij ishte pikërisht nga ai fshat i futur thellë në gjirin e maleve, ku dimri niste herët dhe largohej vonë. Ai ishte gjithnjë i acartë dhe, për më tepër, bëhej i papërballueshëm prej ngricave dhe erës së fortë që frynte. Por vera ishte një mrekulli e vërtetë.

Fredi ishte në vitin e fundit të fakultetit dhe, pas pak muajsh, i duhej të mbronte diplomën, tema e së cilës kishte të bënte me të drejtën zakonore në këtë trevë. Pikërisht për këtë kishte rendur të futej thellë në këto gryka, prej nga i dukej se lindnin mite dhe jeta bëhej e pakuptimtë pa to. Kështu, ai vinte këtu për herë të parë në pushimet e dimrit. Në fakt, kishte vite pa ardhur.

Një grup i vogël, me katër a pesë veta, në fund të lokalit qeshte dhe pinte konjak. Shitësi thithte cigaren sikur të mos ngopej prej atij dufi nikotine. Tjetri mori gotën dhe ktheu edhe një gllënjkë konjak. Pastaj, me një naivitet të pashoq, e hodhi vështrimin përjashta.

«Hë, ç’pordhac që qenka!», mendoi me vete shitësi dinak. «Edhe gotën e konjakut e merr me gjithë atë tangërllëk, sikur të jetë i pari i vendit.»

Kështu, të dy, banakieri dhe Fredi, kishin krijuar një antipati të brendshme për njëri-tjetrin që në ballafaqimin e parë.

Ishte lokali i vetëm në atë fshat të humbur, kështu që ishte përshtatur edhe si dyqan, edhe si një bar i vogël me dy-tri tavolina. Ishte i vetmi vend ku ai kishte mundësi të qëndronte disa minuta krejt lirshëm, jashtë ngarkesës së studimeve. Por edhe këtu ndiente një peshë tjetër: atë të vështrimeve të klientëve, aq më tepër që ai vinte këtu më së shumti për kamarieren e re, e cila dukej se kishte filluar ta linte pa gjumë. Vështrimi hetues i banakierit sikur ia ngrinte nervat. Ai kurrë nuk e linte të qetë me vështrimin e tij.

Mendjen e hodhi në Qytetin Studenti dhe mbase do të humbte në atë vorbull, ku jeta rridhte me ritme të tjera, po të mos ishte shfaqur në fundin e oborrit të dyqanit një fëmijë zhelan, me këmbë të zbathura e faqet të skuqura si dy lulëkuqe, që vinte drejt dyqanit me një qindlekëshe në dorë. Dridhej i tëri.

U drejtua te banaku dhe kërkoi një pako kripë. Pasi mori disa monedha si kusur, të cilat shitësi mesoburrë ia hodhi në një mënyrë jo të hijshme, nisi të lëvizte drejt hyrjes së dyqanit.

Fredi tani ishte përqendruar i tëri te fëmija këmbëzbathur, që tërhiqte zvarrë dy shapka pothuajse të shqyera. Ngriti dorën dhe i bëri shenjë kamarieres të afrohej, duke e mbajtur fëmijën për krahu.

– Pelivan! Bën me gisht si të jetë…
– Më falni… një kostum sportiv dhe një palë atlete.
– Si? – bëri tjetri, sikur të mos kishte kuptuar asgjë.
– Një palë tuta, një bluzë sportive dhe një palë atlete, thashë.
– Dëgjo, djalosh…
– Po edhe një palë çorape të trasha.

Ata ishin përqendruar aty, te dera, ku ai djalosh bukurosh, me sy të kaltër si qielli i një dite të kthjellët, i veshur bukur, mbante për krahu një fëmijë, të cilin e urdhëroi të vishte çorapet e tutat, e më pas e la të ikte.

Sytë e fëmijës e vështronin atë dhe, si një qenie e trembur, më pas ia dha vrapit me pakon e kripës në dorë.

– Dëgjo, djalosh! – iu drejtua shitësi, por pamja e tjetrit e kishte stepur dhe nuk kishte mundur të vazhdonte më tej. Vështrimi i tij i rreptë linte të kuptohej se diku kishte gabuar.

– Ky pelivan më thotë mua «djalosh» – mendoi ai. – Mos i dukem fëmijë, që më flet sikur të jem bebe?

Dhe, pa u menduar më gjatë, foli ashpër:

– Mos kishe gjë me mua?

Tjetri heshti dhe bëri një veprim nënvlerësues. E piu me fund konjakun dhe gotën e hodhi mbi tavolinë, sikur të kishte një inat të vjetër me atë shitës.

Doli përjashta dhe u drejtua nga qendra e fshatit.

Një burrë i vjetër, që çalonte dhe mbahej në një shkop të bukur, e përshëndeti me gjithë përzemërsi, i zgjati kutinë e duhanit dhe, pasi shkëmbyen disa përshëndetje, i futi krahun dhe morën rrugën drejt kullës së tij. Pikërisht ai plak do ta ndihmonte për temën.

Vështrimi djallëzor i shitësit i ishte ngulitur në kujtesë. Pastaj ajo fytyrë fëmije, e ndrojtur e zhelane, me sy si xixëllonja, por që në thellësinë e tyre shprehnin një vuajtje të brendshme dhe një varfëri të dukshme; i biri i një fatkeqi që kishte vdekur aksidentalisht, duke e lënë pa mbrojtjen e askujt…

– S’ka turp! – mërmëriti me vete.
– Çfarë? – pyeti tjetri.
– Asgjë, asgjë…

Kulla e lartë trekatëshe, e vendosur në majën e një kodre të vogël, prej nga shihej një hapësirë mjaft e gjerë, i bëri përshtypje menjëherë. Rreth e rrotull kishte vetëm livadhe, pa asnjë pemë. Qoshet e kullës ishin gdhendur me kujdes nga dora e një mjeshtri. Gurët, të vendosur si tulla, tregonin për një arkitekt të vërtetë.

Në oborrin e saj u shfaq një grua e moshuar, e veshur me një këmishë të bardhë dhe me një xhamadan të zi, të stolisur me disa ornamente.

– Mirë se erdhe, biri i nënës…

Kishte muaj pa e dëgjuar zërin e së ëmës, kështu që u ndie disi keq.

U ndal përpara derës, qemeri i së cilës kishte mbi të disa gdhendje të çuditshme e mjaft interesante. Iu duk se po kapërcente pragun e një monumenti të madh.

Ngjiti shkallët e kullës dhe u gjend në një dhomë me oxhak, ku ndizej një zjarr gjithë prush.

I zoti i shtëpisë i uroi mirëseardhjen dhe e ftoi të ulej në anën e oxhakut, në rrasën e të cilit ishin gdhendur dy gjarpërinj që dukeshin sikur fluturonin për t’u kacafytur me njëri-tjetrin. Ai u përqendrua atje dhe do të kishte heshtur gjatë, po të mos i kishte afruar i zoti i shtëpisë një gotë me raki.

Pastaj nisi biseda, ku plaku hokatar e bëri të ndihej si në shtëpinë e tij dhe të ishte në një humor të mirë.

Erdhi koha të shtrohej darka. Ata të dy u ngritën të lanin duart, kur ai u gjend ballë për ballë me kamarieren e re në korridorin e kullës trekatëshe. Vështrimi i saj sikur e mbyti dhe ai uli sytë.

Më pas u ulën në tavolinë, ku vijoi një bisedë e shtruar. E kishte pyetur diçka për gjakmarrjen, pasi, në fakt, për këtë punë kishte ardhur në ato anë dhe kjo ishte pikërisht tema e tij. Plaku menjëherë nisi ligjërimin.

– Këtu, në këtë kullë, afro shtatëdhjetë vjet më parë, burrat e katundit ishin mbledhur, sepse nga larg kishin ardhur dy vizitorë të huaj dhe kulla ishte mbushur plot me burra. Të gjithë meshkujt e kësaj shtëpie gjendeshin këtu.

Gjyshi kishte urdhëruar nusen të sillte djepin, ku foshnja e tim vëllai ende nuk i kishte mbushur dy vjet, dhe djepi gjendej në anën e oxhakut.

Dy armët e austriakëve vareshin në mur. Ishin armë që shndrisnin, mjaft të mirëmbajtura. Dihet, biri im, se shqiptari pa armën s’kishte ç’të bënte. Prapa e ndiqnin pabesia dhe ujqërit që vinin të shqyenin copa të tokës sonë.

U ngrit një djalë i ri, tetëmbëdhjetëvjeçar, dhe e mori armën në duar, pasi i kishte pëlqyer pa masë. Duke e parë, shkeli këmbëzën dhe plumbi mori drejt djepit, duke e shpuar atë bashkë me foshnjën.

Im atë rendi drejt armës tjetër që të merrte hakun e të birit. Burrat brofën të gjithë në këmbë. Im gjysh hyri në mes dhe doli përpara pushkës së tim eti. Nga xhepi nxori një biçak dhe këputi baçin me të cilin ishte lidhur fëmija; e zgjidhi dhe kërkoi gërshërët.

Gratë sollën gërshërët, të cilat ai ia zgjati vrasësit. I urdhëroi të priste një tufë flokësh të foshnjës dhe më pas ia hodhi në krah, ndërsa fëmija dha shpirt.

Kështu, vrasësi ishte kthyer në kumbar, në duart e të cilit kishte dhënë shpirt foshnja, dhe askush nuk mund të merrte më hak ndaj tij.

– Burrat, biri im, kanë ditur të falin.

Austriaku kishte kërkuar të jepte disa para për shpenzimet e varrimit, por kjo kishte ndikuar për keq. Kumbara e kishte bërë mortin sikur të kishte vdekur një njëzetvjeçar.

Më pas, familjet tona kishin shkuar gjithmonë mirë. Vrasësi dhe njëherësh kumbara ynë la vetëm një djalë, i cili, disa vite më parë, u aksidentua dhe la atë fëmijë që ju sot i bletë ato rroba.

– Ti sot fëmijës së tyre i bleve një kostum sportiv dhe e veshe si gjithë fëmijët e tjerë. Fjala mori dhenë dhe këtu të gjithë e morën vesh këtë. Pikërisht sot kujtuan edhe atë ngjarje që kishte ndodhur shtatëdhjetë vjet më parë. Thuajse të gjithëve u erdhi mirë, ndërsa ai burrë i është qepur të ëmës keqas, por do ta gjejë një ditë.

Fytyra e plakut tani kishte marrë një pamje të vrazhdë, kështu që Fredi u mundua ta ndërronte menjëherë bisedën, duke mos dashur ta lëndonte tjetrin. Ai pyeti edhe për mullirin e vjetër, të cilin, kur kishte qenë fëmijë, vetë me dorën e tij e kishte prishur, duke e lënë të bluante vetveten.

– Po, – ishte përgjigjur plaku i vjetër. – Një Zot e di se ç’hoqëm derisa e rregulluam. Tani bluan për mrekulli. Gurët e rinj të tij i sollëm nga Mali i Kreshtës…

Të nesërmen, ai kishte marrë zallit teposhtë drejt mullirit të vjetër. Brigjeve të përroit kishte lajthi pa numër, veçse, gjetherëna, dukeshin si të shkreta. Në anët e atij lumi, shpatet e pjerrëta binin thikë mbi brigje. Iu duk se gjendej në një vend ku shëtisnin vetëm shtojzavallet. Gurgullima e ujit, që zbriste furishëm poshtë, ngjante me korin e një kënge të kompozuar mrekullisht.

Ishte ende larg kur pa çatinë e mullirit të vjetër. Hapat i hidhte ngadalë, që të mos trembte nuselalet, të cilat patjetër do të kishin dalë prej zgavrave nën gurë, ku fshiheshin. Sa dëshirë kishte t’i shihte, t’i prekte e pastaj t’i ndiqte sërish!

Ah, si ishte ajo, tamam si një nuselale e bukur! Sikur të ishte me të…

U ndal dhe mbajti vesh.

Mullirin dikush e kishte vënë në punë. Mbase ashtu kishte mbetur duke punuar që kur ai kishte qenë fëmijë.

Iu bë se dëgjoi një zë gruaje që kërkonte ndihmë.

Mbajti vesh dhe më pas ia dha vrapit drejt mullirit, dera e të cilit ishte e mbyllur. Nga brenda, zëri i gruas vinte i mbytur. Ai i dha një shqelm të fortë derës, e cila u përplas furishëm nga brenda.

Banakieri dinak mundohej të mposhtte një grua të veshur me të zeza, të cilën e lëshoi menjëherë dhe u lëshua drejt tij.

«Ai pelivan burrë i është qepur keq së ëmës…» – iu kujtuan fjalët e plakut.

Tjetri mori një copë dru dhe deshi t’ia ngjeshte Fredit, por ai u ruajt dhe nuk pati nevojë të rezistonte më gjatë, sepse nga pas gruaja rrobëzezë i kishte dhënë një goditje me lopatën e drunjtë në njërën këmbë, duke e detyruar të binte përdhe.

Më pas, ata mblodhën ngadalë miellin dhe u nisën drejt fshatit.

Kishte përgatitur gjithçka dhe ishte bërë gati të nisej drejt kryeqytetit, kur te dera e dhomës u shfaq ajo, kamarierja e bukur, së bashku me djaloshin e vogël, të cilit ai i kishte blerë kostumin sportiv disa ditë më parë.

Ajo e ftoi të shkonte për darkë në kullën e saj.

Ndjeu një lloj droje t’i jepte dorën, por shpejt e mblodhi veten, ndërsa tjetra dukej se fshihte një admirim të brendshëm për të.

– Nesër do të ikësh për në Tiranë? – pyeti ajo me gjysmë zëri.

– Po, – u përgjigj tjetri.
– Atëherë do të vijmë bashkë.
– Për ku? – pyeti ai, gjithë habi.
– Për në Tiranë. Fillon sezoni i provimeve.

Tjetri u hutua fare dhe, pa kuptuar asgjë, pyeti:

– Po dyqani?
– Unë jam studente, – tha ajo. – Këtu punoja vetëm për disa ditë.

U bë heshtje.

Djaloshi i vogël u afrua dhe e kapi përdore. Më pas e falënderoi për kostumin dhe u nda prej tyre në një rrugicë, për t’u futur drejt shtëpisë së tij.

– Hajde prapë…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.