Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Aplikimi i formave të ndryshme të dhunës për nënshtrimin e shqiptarëve
Për nënshtrimin e Kosovës dhe të shqiptarëve, pushtetarët jugosllavë, vunë në zbatim dy format e njohura, të nënshtrimit, dhunës e shtypjes, dhe atë të demagogjisë dhe të mashtrimit[1]. Ata vranë me tradhti kuadro të njohura partizanësh shqiptarë, terrorizuan popullin e, nga ana tjetër, korruptuan ndonjë nga ato kuadro të luftës dhe zgjodhën nga llumi i popullit njerëz të tillë për të vënë firmën e tradhtisë në mbledhjen famëkeqe të Prizrenit më 1945 [2]. Që atë ditë ajo mbledhje trumbetohet nga pushtetarët si “shprehje e vullnetit të lirë të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje”.
Historia pas Luftës së Dytë Botërore, thuhej në shkrimin e Mehmet Hajrizit: “Tradhtarët shqiptarë mbrojnë interesat e pushtuesve”, ka treguar edhe një herë qëndresën heroike dhe vendosmërinë e popullit tonë të robëruar për të luftuar kundër çdo armiku, sado i egër qoftë ai, dhe për të jetuar i lirë, ka treguar dashurinë që ka ai për Atdheun e tij të lashtë[3]. Kjo luftë nga ana tjetër, tregon se vullneti i kujt ishte shprehur në mbledhjen e Prizrenit.
Si eksponentë të regjimit titist, ata ishin njëkohësisht edhe altoparlantë e interpretues injorantë të demagogjisë së këtij regjimi në Kosovë. Ata ishin caktuar që gjithë jetën e tyre t’i bëjnë aureolë regjimit shtypës dhe shfrytëzues në fuqi dhe me kujdes të veçantë kryexhelatit të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe të popujve të Jugosllavisë, J.B. Titos[4].
Fjalët e zgjedhura e të bujshme të bashkëpunëtorëve e pushtetarëve për të ardhmen e “bukur”, që ata i përgatitnin popullit, nuk mund ta fshehin gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë dhe aq më pak ta mashtrojnë atë. Populli ynë e dinte se liria nuk mund të vijë nga tradhtarët dhe regjimi në fuqi. Zhurma e madhe që bëhej rreth “reformave” ekonomike e shoqërore, “autonomisë” së Kosovës, ose rreth “përfaqësimit të saj në Federatën Jugosllave”, “demokratizimit” të jetës, “vetëvendosjes së marrëdhënieve të reja ndërnacionale” etj., ishin blofe me të cilat armiqtë duan ta vënë në gjumë ndjenjën kombëtare e klasore, luftën e popullit për çlirim. Populli shqiptar kurrë gjatë historisë së tij nuk është nënshtruar. Pushtimi i Kosovës nga policia dhe ushtria fashiste serbe, nuk mund të përjetësohet. Çfarëdo të ishin masat e pushtetarëve, populli kishte shumë bijë e bija trima që ishin të gatshëm për të bërë sakrificën supreme për lirinë e tij e që dinë të dalin fitimtarë mbi bajoneta e tanke” përfundon autori i shkrimit[5].
Në shtypin e ilegales Kadri Zeka boton shkrimin “1 Maji i këtij viti e gjeti Kosovën në llogore lufte”. Autori në pika të përmbledhura na jep një pasqyrë të shkurtër të klasës punëtore dhe proletariatit në botë e veçanërisht në Kosovë. “Punëtorët” thotë artikullshkruesi janë “pjesa më e vuajtur e popullsisë edhe sot bëjnë një jetë të mjerë dhe të varfër. Borgjezia e pushtetarëve bëjnë jetë luksoze dhe nuk çajnë kokën për ta”[6]. Autori, më tej vazhdon “se këtë jetë të mjerë të tyre nuk po mund ta fshehin as pushtetarët e as të tjerët të cilët mundohen të mos e thonë të vërtetën.
Ndërsa sa u përket punëtorëve shqiptarë, vërehet një vetëdije e lartë kombëtare dhe një organizim i mirëfilltë për të luftuar e për të fituar të drejtat e tyre elementare. Këtë e dëshmuan edhe me pjesëmarrjen e tyre aktive në demonstratat studentore të vitit 1981. Në demonstratat e 1, 2 dhe 3 prillit, që u zhvilluan në Prishtinë, morën pjesë mijëra punëtorë dhe u qëndruan heroikisht të gjitha lajkave mashtruese dhe terrorit policor të titistëve. Edhe në qendra të tjera të krahinës, punëtorët qenë forcë e madhe në demonstrata dhe tani, pa iu trembur syri, kanë lënë punën e janë hedhur në greva[7].
Punëtorët kosovarë e pritën 1 majin ashtu si u ka hije, e pritën me demonstrata e greva me parullat luftarake: “Duam punë”, “Duam ngritje pagash”, “Çmimet, stop”, “Poshtë revizionizmi”, “Lart solidariteti ndërkombëtar”. Të njëjtën gjë bënë edhe punëtorët shqiptarë që ndodhen në botën e jashtme. Ata në mënyrën më dinjitoze iu bashkuan vëllezërve të tyre në Kosovë duke organizuar greva e demonstrata. Kështu shprehën solidaritetin vëllazëror duke kërkuar liri dhe barazi për të gjithë”[8] përfundon autori shkrimin e tij.
Shtypi i ilegales si në numrat e mëparshëm e në vazhdim vijon të botojë fjalimet e “Shokut Enver Hoxha për Kosovën“, fjalën e tij të lexuar në Kremlin në mbledhjen e 81 partive komuniste etj. Në pika të shkurtra jepen shantazhet që organizoi Tito nëpërmjet disa udhëheqësve shqiptarë siç ishin: Koçi Xoxe, Dali Ndreu, Liri Gega[9] etj.
Enver Hoxha midis të tjerash ndalet në problemin e pazgjidhur të çështjes shqiptare në Jugosllavi, ku ndër të tjera veçojmë: “Jugosllavët na akuzojnë se gjoja ne jemi “shovinist”, ndërhyjmë në punët e tyre të brendshme dhe kërkojmë ratifikimin e kufijve shqiptaro-jugosllav. Mjaft nga miqtë tanë mendojnë dhe lënë të kuptohet se ne, komunistët shqiptarë, jemi në këto ujëra. Ne u themi miqve që mendojnë kështu se gabohen rëndë. Ne s’jemi shovinistë, ne as kemi kërkuar dhe as kërkojmë ratifikimin e kufijve.
Por ajo që ne kërkojmë dhe do të kërkojmë vazhdimisht nga titistët dhe për të cilën do t’i demaskojmë ata deri në fund është të heqin dorë nga krimi e gjenocidi kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, të heqin dorë nga terrori i bardhë kundër shqiptarëve të Kosovës, të heqin dorë nga dëbimi i shqiptarëve nga tokat e tyre dhe dërgimi në masë i shqiptarëve në Turqi, ne kërkojmë që popullsisë shqiptare në Jugosllavi t’i njihen të drejtat, në bazë të Kushtetutës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë.”[10]
Gazeta “Liria” e kishte bërë si traditë që në çdo numër të prezantojë biografinë e një dëshmori kombëtar. Në numrin e tretë të saj, në faqen 12, shkrimi me titull “Ai ra për të mos vdekur kurrë” i kushtohej patriotit dhe revolucionarit Qemal Stafa. Veç shënimeve biografike që jepeshin për të, aty prezantohej edhe veprimtaria patriotike e atdhetare e tij.
Organizimi i punëtorëve kosovarë në Perëndim dhe çështja kombëtare
Veprimtarisë atdhetare të mërgatës i kushtohet edhe artikulli tjetër i Kadri Zekës me titull: “Punëtorët kosovarë në Perëndim shpalosin flamurin e luftës”. Ngjarjet tragjike që ndodhën në Kosovë gjatë vitit 1981, e bënë në mënyrë direkte ndërgjegjësimin e punëtorëve kosovarë në botën e jashtme, se edhe ata, si pjesë e pandarë e popullit shqiptar, në ato momente të vështira që po kalon atdheu, ngritën lart flamurin e luftës. Shtypja e shfrytëzimi, si dhe malli për atdheun e popullin që i kishte lindur, kishin grumbulluar zemërimin e papërshkruar të tyre. Kjo urrejtje ndaj shfrytëzuesve e shtypësve gjakatarë titistë u shprehte më së miri edhe atyre ditëve me një hov të papërmbajtur në demonstratat, mitingjet e protestat e shumta, që organizuan ata nëpër botë.
S’ka si ndodhte ndryshe. Punëtorët kosovarë, nga skamja e mjerimi, nga presionet që u bënte regjimi titist, ishin detyruar t’ua kthejnë shpinën familjes e fëmijëve të tyre, vatrave ku kanë lindur dhe çdo gjëje të dashur për ta. Punëtorët shqiptarë në atë periudhë ishin më të bashkuar e më të vendosur se kurdoherë më parë në luftën e tyre të drejtë. Këtë e dëshmonin më së miri demonstrata dhe mitingjet e shumta e protestuese të njëpasnjëshme që u zhvilluan atëherë. Më 11 prill 1981 ishin grumbulluar mbi 400 kosovarë, në Bernë të Zvicrës dhe, me flamuj e parulla të shkruara[11], demonstronin rrugëve të qytetit, duke shprehur solidaritetin e tyre me luftën e vëllezërve dhe të motrave në Kosovë si dhe urrejtjen për gjakpirësit titistë.
Më vonë, punëtorët të organizuar ishin drejtuar për në përfaqësitë diplomatike të Jugosllavisë në Bernë, ku kishin organizuar një miting proteste për terrorin e masakrat që kishin bërë ushtria e policia jugosllave në Kosovë.
Demonstrata e Bernit dhe e Zyrihut të Zvicrës, që ishin zhvilluar më 18 prill kishin marrë pjesë mbi 700 punëtorë shqiptarë. Ata kishin marshuar rrugëve të qytetit, duke brohoritur për të drejtat e popullit të tyre.
Përveç këtyre, demonstrata nga punëtorët shqiptarë ishin zhvilluar e organizuar edhe në Shtutgard e në Dyseldorf të Gjermanisë Perëndimore. Në të parën kishin marrë pjesë rreth 500 manifestues, kurse në të dytën mbi 800 veta.
Në të gjitha demonstratat që ishin organizuar, si dhe në manifestimet e tjera, kishte zotëruar, në bazë të të dhënave që kemi në disponim, një shpirt i lartë luftarak dhe një vendosmëri e pashoqe për të luftuar pushtuesit titistë. Punëtorët shqiptarë në mërgim organizonin demonstrata të shumta edhe me rastin e 1 Majit, ku bashkë me punëtorët e vendeve të tjera, tregonin forcën dhe unitetin e tyre për liri dhe pavarësi para botës demokratike.
Lufta e hapur dhe e pakompromis e kosovarëve në mërgim demaskonte më së miri shpifjet e telegrameve të konsullatave jugosllave, që dërgonin në emër të punëtorëve kosovarë, gjoja se ata dënonin luftën e demonstratat e popullit në Kosovë. Punëtorët, me parullat e tyre luftarake: “Kosova – Republikë”, “Republikë-vetëvendosje”, “Ja vdekje – ja liri”, ”Duam lirimin e shokëve”, “Luftë, luftë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”, “Lart solidariteti ndërkombëtar”, “Poshtë terrori e dhuna në Kosovë”, “Poshtë UDB-ja fashiste jugosllave”, “Poshtë titizmi”, “Titizmi është fashizëm”…[12] u treguan jo vetëm pushtetarëve titistë por gjithë botës se ishin të vendosur në luftën e tyre dhe se kjo luftë nuk do të pushojë deri në realizimin e të gjitha kërkesave të drejta të popullit shqiptar.
Në fund të të gjitha demonstratave dhe mitingjeve protestuese që organizoheshin nëpër botë shpalleshin kërkesat para përfaqësive diplomatike jugosllave. Kërkesat e punëtorëve në botën e jashtme ishin plotësisht identike me ato, që paraqitnin edhe demonstruesit në Kosovë.
Me luftën e popullit kosovar në vazhdimësi ishte solidarizuar edhe opinioni përparimtar ndërkombëtar i cili dënonte në mënyrën më të rreptë masakrat e krimet çnjerëzore të regjimit titist në Kosovë. Demonstratave që zhvilloheshin jashtë, iu bashkëngjitën shumë demokratë e miq të popullit tonë të cilët shprehnin indinjatën e tyre të thellë për ngjarjet tragjike që po përjetonte populli shqiptar. Ngjarjet e hidhura të Kosovës kishin zënë vend kryesor edhe në shtypin dhe në mjete të tjera të informimit.
Në vazhdim autori i këtij shkrimi citon një pjesë të një fjalimi që lexon një vajzë kosovare në mitingun protestues në Dyseldorf të Gjermanisë. Po shkëpusim disa fragmente:
“Të dashur bashkatdhetarë.
Tani e dimë se jo vetëm shqiptarët por tërë botën e kanë tronditur ngjarjet tragjike që po ndodhin në Kosovë. Populli ynë punëtor, trim, paqedashës e i etur për liri dhe pavarësi, në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe politike, gjeti rrugën më të përshtatshme për t’i kërkuar të drejtat e veta (borxhin e vjetër) nga qeveria jugosllave[13].
Qeveria jugosllave, popullin kosovar e ka mbajtur dhe e mban gjithnjë në shënjestër, nxitoi me tanke e helikopterë, vrau, burgosi e theri lulen më të bukur- rininë e Kosovës. Kështu udhëheqësit jugosllavë e treguan edhe një herë fytyrën e vërtetë të pushtuesit, vrasësit, e fashistit gjakatar[14].
Ne jemi një popull i vogël përball një bishe të madhe, por jemi të fortë e të pamposhtur, sepse në zemrat tona kemi indinjatë e urrejtje të thellë për ata që na i shkelën vatrat dhe na i grabitën pasuritë[15].
Kosova prapë do të ketë fëmijë, prapë do të ketë rini, sepse vetë është e re. Kosova do të ketë liri, se për të po lufton dhe po derdh gjak. Ne gratë shqiptare nuk i lindim fëmijët në epruveta, ne lindim shqiptarë me armë në brez, ne do të lindim e do të rrisim gjithmonë nipa e mbesa të Shotës e Azemit, Isa Boletinit e Bajram Currit…dhe do të mburremi para botës dhe brezave të ardhshëm me historinë tonë. Çfarë mëkati bëri populli ynë që kërkoi statusin e republikës? Kush janë irredentistë? Po pushtuesit? Kush kujt ia turbullon ujët? E kush mundohet ta lë dikë pa ujë?[16]
Ne do të fitojmë, përfundonte vajza fjalimin, por, fitoret arrihen e mbrohen me përpjekje e sakrifica. Me luftë e djersë. Betohemi me mendje, me zemër e grushte të bashkuar për tokën, popullin, gjakun e derdhur e lirinë. I dënojmë armiqtë e popullit shqiptar, i thërrasim popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe të botës që të ecin rrugës së sigurt të solidaritetit me protesta kundër shtypësve kriminelë”.[17]
Për të vazhduar autori mbyll shkrimin me disa parulla që kishin brohoritur mërgimtarët kosovarë në protesta: “Poshtë tradhtarët e Atdheut”, “Nuk duam jetë pa liri”, “Lavdi dëshmorëve që ranë për Atdheun”, “I qofshim falë Atdheut tonë të dashur, Kosovës tonë të shtrenjtë”[18].
Demonstratat e shqiptarëve të Kosovës dhe shtypja gjakësore e tyre
Numri 14 i gazetës “Qindresa Shqiptare”, i 26 korrikut të vitit 1981, u kushtohet demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981.
Gazeta shkruante se nuk ka shembull në Evropë ku një popullsi prej 2.500.000 banorë, si ajo e shqiptarëve në Jugosllavi, të jetë lënë në mëshirën e një shteti tiranik prej traktatesh ndërkombëtare të padrejtë. Që prej vitit 1912, vrasjet masive, përdhunimet e çnjerëzimet e pashembullta që janë bërë mbi këtë popullsi shqiptare prej serbëve, malazezëve dhe maqedonasve kanë tërhequr shpeshherë vëmendjen e botës së jashtme, por askush nuk ka lëvizur për t’u vajtur në ndihmë viktimave, ose të paktën për të dënuar këtë hata që vazhdon e pandërprerë që prej gati 70 vjetësh mbi një popullsi të pambrojtur. Kjo shtypje e pandërprerë që kishte pllakosur popullsinë shqiptare të Kosovës shpërtheu në marsin dhe prillin e vitit 1981 në një demonstratë studentësh që u zgjerua shpejt dhe mori formën e një manifestimi popullor. Sipas traditës, autoritetet jugosllave e sulmuan krahinën me forca ushtarake dhe i shtypën radhët e manifestuesve, burra, gra e fëmijë, nën rrotat e tankeve.
Komanda ushtarake, për të vepruar si në një vend të mbyllur dhe për t’ia fshehur botës këtë kërdi gjaku e kufomash, mori masat e duhura: ia ndaloi çdo gazetari a turisti të huaj hyrjen në Kosovë dhe këputi të gjitha ndërlidhjet telefonike e telegrafike me pjesën e brendshme të vendit. Kështu, në një errësirë të plotë, z. Stane Dollanc, anëtar i presidiumit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në një deklaratë të 6 prillit, mundi ta shfaqte “të vërtetën” e tij komuniste se gjoja në ballafaqim me manifestuesit shqiptarë kishin mbetur 11 të vdekur. Kurse shqiptarët dhe disa shërbime të huaja e dinë se në ato ballafaqime ka pasur ndërmjet 800 a 1.000 të vrarë, më se 2000 të plagosur dhe arrestimet kapërcejnë numrin 5000 veta.
Nuk dimë se sa krahë dhe këmbë shqiptarësh të plagosur lehtë (shumica nxënës shkollash), janë prerë me qëllim në spitalin e Prishtinës nga kirurgu xhelat dhe agjent i policisë së fshehtë, doktor Boro Moraçiq. Shtetrrethimi vazhdonte gjithnjë në Kosovë, ndërsa çdo mbledhje a manifestim grupesh ndalohej rreptësisht. Universiteti i Prishtinës dhe gati të gjitha shkollat shqipe ishin mbyllur. Një numër i madh nxënësish dhe studentësh ndodhen në burgje, ku u bëhen tortura të tmerrshme. Dhe, megjithëqë, papunësia e ka lodhur tepër atë krahinë, shumë punëtorë shqiptarë janë përzënë nga puna me qëllim që të emigrojnë gjetkë.[19]
Dihet se Kosova ishte krahina ekonomikisht më e prapambetur e Jugosllavisë. Qeveria e Beogradit nuk kishte bërë asnjë përpjekje serioze për të përmirësuar, kushtet e jetesës në atë vend. Sipas të dhënave statistikore të shtypit jugosllav, të ardhurat kombëtare për frymë në Kosovë ishin 6 herë më të ulëta sesa në Slloveni, 5 herë më të ulëta sesa në Kroaci dhe 3,5 herë më të ulëta sesa në Serbi. Ritmi i zhvillimit industrial, në Kosovë, kishte qenë 4-5 herë më i ulët sesa në Serbi, kurse numri i të papunëve është 20 herë më i madh sesa në Slloveni dhe 2,5 herë më i madh sesa në Serbi. Mbi 70.000 punëtorë kosovarë ndodhen të papunë në vendin e tyre, kurse numri i atyre që kishin emigruar për të gjetur punë jashtë Jugosllavisë kishte arritur në 110.000 veta. V. Gjuranoviç, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Jugosllavisë, e kishte aprovuar me gojën e tij se “investimet ekonomike në Kosovë janë 43% më të ulëta se mesatarja e Jugosllavisë.”[20]
(vijon)
[1] Sabile Keçmezi-Basha, Format dhe mënyrat e shtypjes me qëllim të shpërnguljes dhe asimilimit, (Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës, 1877-1995), Prishtinë, Instituti i Historisë, 1997, 60.
[2] Pozita e Kosovës pas vitit 1945, ishte okupuese dhe kolonizuese. Kjo gjendje u vendos më 10 korrik 1945, në Kuvendin e saj që në popull njihet si Kuvendi i Prizrenit. “Kuvendi i Prizrenit”, ishte një tubim i një trupi jo të zgjedhur nga populli dhe në të morën pjesë 137 delegatë dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptar. Në të nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të aleatëve të tjerë të luftës që ishin garantë, se pas përfundimit të luftës çështja e Kosovës do të zgjidhej në bazë të dëshirës dhe vullnetit të lirë të popullsisë shumicë. Siç dihet këtu u vendos që Kosova t’i bashkohet Serbisë dhe po ashtu u miratua Rezoluta që në një mënyrë mund të quhej dokument i parë zyrtar që vulosi aneksimin e saj nga Serbia.
[3] Po aty.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] “1 Maji i këtij viti e gjeti Kosovën në llogore lufte “, Liria, nr. 3, 1981, 10.
[7] Po aty.
[8] Po aty, 10.
[9] Po aty.
[10] “Shoku Enver Hoxha për Kosovën”, Liria, nr. 3, 1981, 11.
[11] “Punëtorët kosovarë në perëndim shpalosin flamurin e luftës”, Liria, nr. 3, 13.
[12] Po aty.
[13] “Pjesë nga fjala e një motre kosovare mbajtur në mitingun protestues në Dyseldorf të Gjermanisë”, Liria, nr. 3.
[14] Po aty.
[15] Po aty.
[16] Po aty.
[17] “Punëtorët kosovarë në perëndim shpalosin flamurin e luftës”, Liria, nr. 3, 1981, 13.
[18] Po aty.
[19] “Demonstratat e shqiptarëve të Kosovës dhe shtypja gjakësore e tyre”, Qindresa Shqiptare, nr. 114, Paris,1981, 2.
[20] Po aty, 3.