FJALA E FISTARIT TË FISIT

0
Zymer Mehani - Fjala e fistarit të fisit

Zymer Mehani

Pjesë nga poemthi: “FJALA E FISTARIT TË FISIT”, Prishtinë, 2021

(Poetit martir, Havzi Nela, në përvjetorin e varjes në litar nga pushteti diktatorial)

2.
Atë ditë
Si tufëza mëndafshi të artë
Era ia ledhatonte ata flokë
E atë qafë bardhoshe dëborë
Në lak të litarit të lidhur nga horri
Flakëron qiell i Kukësit
Gjallica seç rënkon
Drinat i thërret
Lemeri vërtet…
Rektin zemra e burrit
S’pushon zemërdëlira
Heshtin malet, brigjet
Si të jenë të ngrira…
Litari s’u këputka
Gjithçka zi u dukka
Havziu me shpirtbardhësi
U kthye n’madhështi…

3.
Dora e xhelatit
Para agut t’parë
Zemrës së poetit
Seç i hapi varrë…
Shpirtbardhi e trimi
Ëndërronte lirinë
Nga ëndrra e zgjuan
Në paraagim…
Xhelati i pafe
Litarin ka ngre
Poeti si lastar
Luhatet n’litar…

4.
Maja e Gjallicës
Në zjarrin flakërues
U dogj…
Kudo lemeri
Pikëllim e helmim
Poeti u përndoq
N’litar të xhelatit
I madhi poet
Madhështor porsi mbret

6.
Diku lart n’Gjallicë
Një ninullë dëgjohet
-M’u bëfsh si Havziu
Nëna seç galdohet
Por, poshtë në qytet
Në t’natës skëterrë
Togu i xhelatëve
Përhap frikë e tmerr
Trekëmbësh gatitën
Litarin vërtitën
Rreth qafës kurorë
Poetit arbëror
Ninulla s’ndërpritej
N’djep vogëlushi rritej
Dita po agonte
Edhe i varur poeti jetonte

14.
Ai është
Fresk i Agut të Parë
Zemra e tij-
Dlirësi e Dashuri
E tija vepër-
Vuajtje e Dhembje
Varja n’litar-
Akt i Paparë

18.
Kur luajnë bishat
Në të tyren valle
Atdheu ka shumë halle
Çdogjë rreth e rrotull
Merr të vdekjes ngjyrë
Nga ata t’pafytyrë
Kështu luajnë bishat
Në të tyren valle
Poeti ka halle
Ai s’po njeh buzëqeshje
As po shuan etje
Me bishat n’përleshje
Kur përgjaken pragjet
Ndërrojnë ngjyrë lulegjaqet

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.