Dokumentimi i kujtesës [1]

0
Naxhije Doçi - The Serbian crimes and rape

Ajete Zogaj Ajete ZOGAJ

 Çdo dokument i shkruar, qoftë fotografi, dokument me zë, apo çfarëdo qoftë, janë dëshmi të vetme të kohës kur janë krijuar.

Hyrje

Kultura bashkëkohore e një populli dhe zhvillimi i tij, ndër të tjera varën edhe nga aftësia, dëshira dhe mundësitë që të mbahen mend dhe të ruhen idetë origjinale, mendimet, zakonet, ngjarjet, shumë objekte dhe të mira kulturore nga e kaluara,  si dhe  përmbajtja e  burimeve dhe  gjendja e dedikimit. Këto dokumentime do t’u shërbejnë gjeneratave të reja të mësojnë për të kaluarën dhe gjurmët e kujtesës, do të nxjerrin mësime dhe interpretime për periudha, ndodhi e ngjarje.

Pa dyshim se në mesin e atyre të mirave kulturore, bënë pjesë edhe lënda arkivore.

Rëndësia e lëndës arkivore

Lënda arkivore, si burim shkencor – historik dhe informativ gjithnjë e më tepër  po zgjon interesim, sepse nëpërmjet saj ndriçohet e kaluara historike, zgjedhën shumë çështje  pronësore – juridike, personale e të tjera.

Çdo dokument i shkruar, qoftë fotografi, dokument me zë, apo çfarëdo qoftë, janë dëshmi të vetme të kohës kur janë krijuar.

Do theksuar se, që nga paraqitja e parë e letrës, dokumentimi përcjellë pothuajse çdo aktivitet apo edhe ngjarje në shoqëri, duke ruajtur gjurmët dhe mesazhet e së kaluarës, por në të njëjtën kohë bartë njohuritë dhe përvojat duke kontribuuar në formimin e identitetit dhe traditës.

Për dallim nga dokumentet e shkruar në letër, dokumentimi gjithnjë e më shumë po avancohet, sidomos në formën digjitale. Në këtë mënyrë na krijohet një qasje e re e shënimit dhe dokumentimit, duke u bërë pjesë dhe dëshmi e ngjarjeve  historike si dhe jetës së përditshme, e  në të njëjtën kohë edhe mjet i krijimtarisë së shprehjes artistike.

Prandaj, lënda arkivore përmban bazën themelore dhe pjesën e patjetërsueshme të thesarit kulturor.

Rrëfimi gojor si dëshmi e kujtesës

Nëse nisemi nga fakti se, arkivat përbëjnë kujtesën e kombeve dhe shoqërive, ato në të njëjtën kohë, përbëjnë bazën e identitetit të tyre dhe janë një element thelbësor i shoqërisë së informimit, duke ruajtur një pjesë thelbësore dhe të pazëvendësueshme të pasurisë kulturore, historike e shkencore.

Në këtë kontest do të ndalem të rrëfimet gojore si dëshmi e dokumentuar në libra të ndryshëm, sidomos të periudhës së luftës në Kosovë.

Dokumentimi i kësaj periudhe nga autorë shqiptarë dhe të huaj, ka rezultuar me botimin e një sërë librash të cilët në forma të ndryshme janë dëshmi e një periudhe historike të kësaj pjese të Ballkanit.

Autorë shqiptarë dhe të huaj, temës së luftës së fundit 1998 – 1999, i janë qasur në forma të ndryshme, qoftë në formë ditari, rrëfimi gojor, apo të romanizuar.

Autori, Izet Abdyli në librin “Ata që panë vdekjen me sy” botim i Sh.B “Olymp” 2014,  në cilësinë e reporterit të luftës, shpalos tetë rrëfime për luftën nga goja e dëshmitarëve që përjetuan dhunën dhe terrorin serb në luftën e fundit të viteve 1998-1999. Pra, rrëfimet e dëshmitarëve të këtij libri bëhen rrëfime të përjetuara dhe dëshmi autentike për kohën. Këto rrëfime të mbledhura në këtë libër na dëshmojnë një të kaluar jo të largët, duke na vetëdijesuar të mos ta harrojmë të kaluarën, por në të njëjtën kohë të punojmë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.

Po nga periudha jo e largët e luftës në Kosovë e viteve 1998-1999, kemi edhe shumë libra të botuara qoftë në formë ditari, kronike kohore, reportazhi e monografishë për ngjarje  e personalitete të shumta, por edhe përjetime të popullatës civile. Lufta e fundit në Kosovë është faktografuar edhe me ekspozita të ndryshme fotografishë. Reporterë lufte dhe pjesëmarrës në luftën e fundit në Kosovë, kanë sjell dëshmi autentike nga masakrat dhe krimet e bëra nga forcat ushtarake e paramilitare serbe, foto këto të ekspozuara në ekspozita të shumta dhe dokumentar televiziv, janë dëshmi që i treguan botës demokratike se lufta e shqiptarëve të Kosovës për liri ishte e drejtë, dhe se ishte policia, ushtria dhe forcat paramilitare serbe ato që kishin bërë krime ndaj popullatës së pafajshme!

Autorja Naxhije Doçi me librin ”Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë”, botuar me 2011, pasqyron dhunimet e femrave kosovare veçmas në  regjionin e Therandës (Suharekës) me gjithë katrahurën e atyre ngjarjeve. Edhe rrëfimet e personazheve të Naxhije Doçit, janë rrëfime të dëshmitareve të gjalla, dhe si të tilla janë një pjesë e memories sonë historike për gjithë atë që përjetoi,nëna, motra dhe gruaja shqiptare…

Autori Nysret Pllana nëpërmjet librit “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë” botuar me 2001, si dhe ekspozitave me fotografi, në shumë vende të botës dëshmoi për luftën e drejtë të popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi.

Me mjaft interes është edhe libri i dr. Jusuf Osmanit “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë” botuar në vitin 2013.

Pra, periudha e luftës 1998-1999, nga autorë të shumtë, të paraqitura në libra, ekspozita  e monografi të shumta, është një dëshmi, një arkivim kujtese brenda kopertinave të librit që do t’u shërbejë e dëshmojë gjeneratave të reja për gjithë atë që ka ndodhur.

Rrathët e kujtesës

Mendoj se, është më se e nevojshme që historia e viteve të fundit, sidomos kjo e periudhës së luftës, duhet të mblidhet, të sistemohet e të ruhet si pjesë e trashëgimisë sonë, si histori gojore nga ata që janë gjallë dhe ishin dëshmitarë të saj.  Në këtë formë, ne do të krijonim rrathët e kujtesës,  memories sonë për të kaluarën. Kjo mund të bëhet duke shkuar në fshatra e vendbanime, duke bërë incizime e mbajtur shënime.

Intervistat apo bisedat mund të zhvilloheshin nga njerëz të moshave dhe profesioneve të ndryshme; të gjithë ata që mbajnë në mend këtë periudhë kohore, jetën në tenda, dëbimin, lindjet e nënave në male, etj, apo të kontaktohen njerëz që në këtë periudhë kanë mbajtur shënime. Do të ishte me shumë interes që këto shënime të mblidheshin, të ruheshin, e të sistemoheshin si kujtesë, si rrathë të kujtesës nga gjenerata të ndryshme dhe si dëshmi e një realiteti të përjetuar.

[1] Disa të dhëna për këtë punim janë bazuar nga interneti dhe librat e cituar!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.