De-komunistizimi i shkodranëve dhe qytetit të Labeatëve apo Gentit dhe Teutës është domosdoshmëri e kohës post-komuniste

0
100-vjet shkolla Ndoc Mazi

Është shumë lehtë ta bësh de-komunistizimin për të vdekurit. De-komunistizimi nuk u bë kur duhej, se ata që erdhën në pushtet në 1992 kishin porosi të mos e bënin. Siç kishin porosi të mos hapnin kurrë dosjet e sigurimit të shtetit. Siç patën porosi që dy partitë kryesore të postkomunizmit, që i krijoi KQ i PPSh, të amnistonin penalisht korrupsionin e krerëve të qeverive të njera-tjetrës gjatë alternimit të rakorduar të pushtetit. Ndërkaq nomeklatura e lartë e vjetër komuniste ka vdekur, kështu që nuk e prek dot de-komunistizimi. Sepse de-komunistizimi, nuk bëhet pas 30 apo 70 vitesh, por bëhet që në ditët dhe në vitet e para të pushtetit demokratik, siç u bë de-nazifikimi në Gjermani menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Parimi i parë themelor i de-komunistizimit të vërtetë dhe i de-nazifikimit të vërtetë është dhe duhet të jetë ndërprerja ligjore e trashëgimisë dhe e zinxhirit të kalimit të stafetës së pushtetit politik dhe ekonomik nga etërit te bijtë e diktaturës. Nuk pati në Gjermani pas shembjes së nazizmit trashëgimi të pushtetit dhe asnjë nga fëmijtë e nomeklaturës së lartë naziste nuk u bë kurrë pas luftës ministër në qeveritë demokratike gjermane. Por në Shqipëri gjatë periudhës së demokracisë dhjetra fëmijë të ministrave të nomeklaturës së lartë të diktaturës komunise u bënë ministra në kolltuqet e pushtetit të baballarëve të tyre dhe ringritën rrjetet tribale ideologjike dhe krahinore të fuqisë politike dhe ekonomike, e ngjyrosur me emrin nanuritës të republikës demokratike. Pushtetin e trashëguan fëmijtë e nomeklaturës së lartë komuniste, të cilët nuk dinin dhe nuk kishin provuar kurrë rradhët torturuese komuniste të qumështit, të mishit, të vezëve, të vajgurit, të druve, etj. pra ata që nuk ia ditën dhe nuk ia qanë kurë hallet popullit si në komunizëm, ashtu dhe në demokraci. Për t’u tallur me popullin dhe me të përndjekurit është shpikur alibia demagogjike se fëmijtë nuk trashëgojnë fajet e etërve. Çeshtja është jo për trashëgiminë e fajeve, por për trashëgimin e pushtetit të baballarëve të tyre. Madje pacipëria është aq e madhe sa që sot fëmijtë e ministrave apo sekretarëve të parë të diktaturës komuniste janë emëruar guru të partive kryesore politike shqiptare. De-komunistizimin pritet ta bëjë parlamenti, i cili priti 31 vjet ta ndërmerrte këtë hap sa të jepte dorëheqjen si kryetar i parlamentit ministri i brendshëm i fundit i diktaturës komuniste dhe Sekretar i Parë i PPSH në një rreth të jugut. A e dini se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmit shtete në gjithë vendet ish-komuniste, që kryeministrat e kohës së diktaturës komuniste i pati përsëri kryeministra edhe në kohën e demokracisë? Kjo nuk don të thotë se populli është i pamençur, për don të thotë se sistemi politik në thelb nuk i ka ndryshuar sunduesit. Trimëri është t’a bësh dekomunistizimin me të gjallët, me bijtë e nomeklaturës së lartë, që trashëgojnë pushtetin politik dhe ekonomik të baballarëve të tyre. Të vdekurit e nomeklaturës së lartë komuniste janë gati ta pranojnë dekomunistizimin, vetëm që ky de-komunistizim të mos prekë pushtetin, që ua lanë fëmijve dhe me siguri edhe nipërve e stërnipërve të tyre, nëse ky shtet dhe ky populli nuk do ta flakin tej rrasën e varrit të rajait të përjetëshëm, që mbajnë në kurriz.” – Shaban Murati, gazeta “Dielli”, Neë York

Klajd Kapinova

Sa herë që rastësisht shoh lajme në kanalin YouTube apo rrjetet sociale si FAKEbook, X, etj.,  për qytetin e Shkodrës dhe banorët e tij të çuditshëm dhe kontradiktor me realitetin historik, habitëm se sa mbrapa kohës dhe hipokrit janë banorët e tij në shumë dukuri negative të habitshme, që manifestojnë hapur dhe kjo fatkeqsisht reflektohet çdo ditë prej disa dekadave edhe në kohën e re formalisht post komuniste…

Këto dukuri të turpshme dhe kontradiktore të vazhdueshme dhe përsëritshme, të bëjnë me qesh me zor… dhe nga ana e tjetër të turpërojnë, kur kujton se kush ishte dikur ky qytet dhe banorët e tij ndër shekuj…

Duke parë një emission informativ në TV-Shkodra mbi përkujtimin e 100-vjetorit të një shkolle 9-vjeçare të qytetit me emrin e çuditshëm poskomunist Ndoc Mazi, u shokova e natyshëm më lindi pyetja e logjikshme retorike:

Pse nuk e riktheni dinjitetin tuaj, pra emrin e parë të shkollës, që ka pasur ajo në vitin 1923, kur dhe hap dyert për herë të parë kjo shkollë, për nxënësit e parë shkodranë të lagjes!!!?

Kjo për fatin e mirë, sepse shkolla e parë asokohe paska pas emnin fatlum të heroit kombëtar Skanderbeg (Gjergj Gjon Kastriotit).

Ky emri i fundit Ndoc Mazi, është fallco e i vendosur me dhunë (forcërisht) nga komunizmi për komunistët e tij dhe s’ka pas dhe nuk ka asnjë lidhje me shkollën fillore dhe 9-vjeçare më vonë dhe popullin rreth saj.

Qyteti dhe banorët më të persekutuar në Shqipëri, gjatë viteve të zeza të diktaturës komuniste 1944-1990, ende sot në mënyrë absurde dhe me dashuri mbajnë me krenari simbolet e dhunës dhe propagandës së komunizmit dhe fatkeqsisht ato fekale kundërmuese ia transmetojnë me mburrje këto përçudnime fyese dhe idiote edhe femijëve naiv dhe brezave të ardhshme të qytetit, pa vetëdije dhe ndërgjegje me kujtesë fatkeqsisht zero historike.

Nëse ai (pra, Ndoci) nuk do t’i kishte shërbyer komunizmit barbar dhe terrorist, emni i tij me siguri absolute nuk do të ekzistonte në këtë shkollë, që fatkeqsisht vazhdon turpërisht të jetë pjesë e propagandës së madhe përjetësuese komuniste në mënyrë të saktë dhe tekstualisht, sikurse në kohën e Dullës…

Shkodranët e qytetit sot në vitin 2024, fatkeqsisht pa asnjë përqindje të ndërgjegjës dhe kujtesës historike, vetëm me fjalë dhe zhurmë teorike boshe, vazhdojnë me rrah gjoksin grope si vlonjatët kot së koti, se historikisht kanë “qenë” dhe “janë” kundër komunizmit, kurse në fakt me ligje të vijimsisë komuniste dhe vepra konkrete që shihen ditën për diell, i mbrojnë me fanatizëm dhe farefisni simbolet e komunizmit, vetëm pse ai (komunist) ose ajo (komuniste) është ilakai im apo atij tjetrit, duke ia zgjatur me vetëdije të plotë tesh 70 vjet me radhë edhe më shumë jetën komunizmit të zi…

Ato vuajnë sot nga Sindroma e Stokholmit, për të cilin fenomen konkret në Shkodër kam shkruar disa muaj më parë, kur fatkeqsisht për mugesë të thellë të ndërgjegjës dhe trushpërlarjes komunizimi rimori frenat e pushtetit sundues lokal, në qytetin më të masakruar dhe hipokrit në botë…

Edhe sikur të duan disa individë qëllimmirë të bëjnë me njetin e mirë de-komunistizmin e qytetit dhe banorëve të tejlodhur nga kujtesa dhe dramet e kaluar mbi shpinë… kjo gjë nuk ka për të ndodhur asnjëherë, mbas ri-ardhjes në pushtet të bijve të komunistëve, që dikur e sunduan me dorë të herkut qytetin dhe banorët e tij, sërisht sot kokëulur dhe fatkeq nga mendja e shpërlarë dhe jo nga koha.

Përballë kësaj situate absurdi, ku fatkeqsisht ndodhet sot ky qytet, mendoj se aksioni aq i nevojshëm dhe domosdoshëm de-komunistizimit do të futet në kalendrat greke, për të mos u hapur dhe prekur kurrë më si histori e de-komunistizimit të Veriut të Shqipërisë, që ishte kështjella e fundit e andrres anti-komuniste.

Pa u ba realisht de-komunistiizimi real i Shkodrës dhe banorëve të tij pro komunist dhe pro socialist, sundimi i tij (largkjoftit) do të vazhdoi gjatë dhe shumë gjatë…

Le t’i marrim dhe analizojmë shkurtimisht më konkretisht simbolet e komunizmit, që kanë zënë rrënjë të thella në muret e lashta të Rozafatit dhe zemrat e banorëve trushpërlarë shkodranë:

Pse shkolla me emrin e komunistes vrastare Shejnaze Juka?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje retorike, po i referohemi burimeve historike të qytetit dhe vetë kësaj “shkollare” anafabete.

Lexoni dhe meditoni sa të doni, por me kujdes se çfarë shkruan vetë historiografia komuniste dhe post-komuniste, për këte bij të komunizmit sharlatan dhe kryeneç.

Shkrimi mbi jetën kësaj “heroine” të popullit, fatkeqsisht ekziston edhe në faqen Wikipedia dhe ka edhe faqe të tjera intereneti kushtuar asaj si dhe grupe në rrjetet sociale si Facebook, X etj., dhe që mbahen gjallë dhe rifreskohen apo ushqehen me genjeshtra të reja po nga vetë shkodranët anti-komunist:

Shejnaze Juka (Shkodër, 1924 – Zgosht, 21 shkurt 1944) veprimtare e Frontit Nacional-Çlirimtar në rezistencën shqiptare. Më 21 shkurt 1974 Presidiumi i Kuvendit Populor i jep titullin “Heroinë e Popullit”. Biografia: Lindi në Shkodër. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në Institutin Femëror “Donika Kastrioti” në Tiranë. Ishte edhe anëtare e organizatës së Rinisë Komuniste që nga themelimi i saj. Mori pjesë në disa demonstrata antifashiste. Veprimtarinë revolucionare e zhvilloi në Tiranë dhe më 1942 u hodh në ilegalitet për të punuar me rininë e qytetit të Elbasanit. Më vonë u rreshtua në batalionin partizan të Çermenikës. Punoi në zonën e Shën Gjergjit të Elbasanit për mobilizimin e rinisë në luftë kundër armikut. Punoi gjithashtu edhe si mësuese në zonat e çliruara të qarkut të Elbasanit. U vra duke luftuar kundër gjermanëve në Zdrajsh të Çermenikës më 20 dhjetor 1944. (pra, nuk u vra duke luftuar për të çliruar qytetin e  saj Shkodrën, ku thuhet në biografi se ka lindur, shënimi im K.K.) Në ditët tona, një institucion i arsimit të mesëm, në qytetin e Shkodrës mban emrin e nderuar, Shejnaze Juka.” (nëse nuk i besoni syve tuaj rilexojeni prap, mbasi të kërkoni në duckduckgo.com) Dhe referencat për jetën dhe aktivitetin e saj terrorist-komunist, mund t’a lexoni edhe në këtë literaturë të krijuar nga autorët shkodranë, si më poshtë:

Referime: Dibra, Zenepe (2009). Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare, Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 271–272.; Familja Juka, Mes nderimeve dhe persekutimit Arkivuar 22 janar 2020 tek Wayback Machine Vizituar më 13.08.2016; Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008, fq. 1074; Media brenda Shkollës “Shejnaze Juka” – Shkodër Vizituar më 13.08.2016. (pra, Shkolla e Mesme e Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” (në lagjen Zdrale), Shkodër, 2024, ku ndodhet edhe busti para shkollës në përkujtim të saj).

Sikurse shihet nga kjo biografi, del se ajo nuk kishte mbaruar universitetin brenda ose jashtë vendit. Ajo nuk zotëronte asnjë gjuhë të huaj dhe nuk kishte asnjë prirje intelektuale.

E vetmja shkollë e saj ishte ajo e terroristëve kjomunistë, për të vrarë sa më shumë anti-komunistë shqiptar nacionalistë të Organizatës Nacionaliste “Ballit Kombëtar”, që vepronin asokohe në Jug të Shqipërisë dhe në veçanti në krahinën malore të Çermenikës, para dhe pas vitit 1944…

Pse shkolla për nder të komunistit bukëpjekës analfabet Vasil Shanto!?

Vasil Shanto (1913-1944), i quajtur Vasko ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare. Ai ishte drejtuesi, së bashku me Qemal Stafën, i grupit komunist të Shkodrës. Një nga delegatët e partisë, ai dërgohej shpesh në takime me Partinë Komuniste Jugosllave.

Shanto lindi më 17 gusht 1913 në Shkodër. Familja e tij kishte një furrë buke në Shkodër, me prejardhje nga Struga. Para Luftës së Dytë Botërore, familja kishte një furrë buke në Tiranë. Në vitin 1928, ai u bashkua me Partinë Komuniste (të hershme) Shqiptare. Ai punonte si bukëpjekës.

Në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë (7-12 prill 1939), grupi komunist i Shkodrës përfshinte Qemal Stafa student, Shanto, artizan, Liri Gega, intelektuale, Imer Dishnica, mjek, Zef Mala e të tjerë. Drejtuesit ishin Mala, Shanto, Stafa dhe Themelko. Aktivitetet e grupit të Shkodrës shtriheshin edhe në Kosovë dhe Maqedoninë perëndimore, dhe organizata përfshinte disa emigrantë nga Gjakova dhe vende të tjera të Kosovës, të cilët ishin shpërngulur në Shqipëri midis viteve 1930 dhe 1937.

Në pranverë të vitit 1941, Shanto dhe Stafa u takuan me kolegun komunist Fadil Hoxha për shkak të kontaktit të tij të mëparshëm me komunistin jugosllav Miladin Popoviç. Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha ishin delegatët jugosllavë që ndihmuan në bashkimin e grupeve komuniste shqiptare në vitin 1941.

Në gusht 1941, Partia Komuniste Shqiptare u krijua me marrëveshjen midis grupeve komuniste të Shkodrës (të udhëhequr nga Shanto dhe Qemal Stafa), të Korçës dhe të Tiranës (në krye me Enver Hoxhën).

Ai ishte një nga asambleistët themelues të grupit të Shkodrës së bashku me Stafën, Kristo Themelkon dhe Tuk Jakovën, më 8-14 nëntor 1941 në Tiranë. Ndër anëtarët themelues ishin 8 anëtarë të krishterë: Koço Tashko, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Gjin Marku, Vasil Shanto, Tuk Jakova, Kristo Themelko dhe Anastas Lula; dhe 5 anëtarë myslimanë: Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Kadri Hoxha dhe Sadik Premte. Në prill të vitit 1942, në Shqipëri kishte vetëm 300 komunistë.

Rreth 8 nëntorit 1943, Shanto mbërriti në selinë e Korpusit të 2-të të Partizanëve Jugosllavë në Kolashin (tani Mali i Zi).

Ai erdhi në cilësinë e delegacionit të Komitetit Qendror të Komunistëve Shqiptarë për t’u takuar me Ivan Milutinoviqin dhe Korpusin e II-të për çështje partiake, politike dhe ushtarake të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të komunistëve shqiptarë.

Ai ra në konflikt me Hoxhën, por kjo u fsheh nga populli. Ai u vra në aksion më 1 shkurt 1944, në një përleshje me forcat shqiptare të udhëhequra nga gjermanët në Shkodër.

Motra e Shantos, Elisaveta, ishte e martuar me Petar Bulatović-Bulat (Petro Bullati), i cili ishte ish-kolonel në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, me shtetësi të dyfishtë (shqiptare dhe jugosllave). Bullati u akuzua në vitin 1956 si “armik i popullit” dhe “agjent i UDBA-së” dhe u ekzekutua. Motra e Shantos me pjesën tjetër të familjes u dërguan në një kamp internimi.

Pas vdekjes mori titullin nderi shqiptar “Hero i Popullit”. Ai ishte një nga pesë anëtarët e komunitetit jugosllav të Shqipërisë, së bashku me Branko Kadijen, Jordan Misja, Vojo Kushin dhe Danilo Mateja, të cilët morën çmimin.

Referencat: Shih tek Instituti i Historisë Ushtarake 1969, f. 81; Instituti për Historinë Bashkëkohore 1984, f. 325;  Vasil Shanto: një jetë në shërbim të Partisë Komuniste të Shqipërisë Autor Myslim Islami Botues “8 Nëntori”, 1981;  Zoran Lakić dhe Tomislav Žugić (1990). “Pozita e pakicave jugosllave në Shqipëri 1945-1990”. Rastko; Instituti për Historinë Bashkëkohore (1984). Punimet e mbledhura. Vëll. 18. Komunist, etj.

Pse shkollat Jordan Misja në Shkodër dhe liceu artistik në Tiranë!?

Duke kerkuar në internet tek Wikipedia, gjeta këtë shkrim, të cilin po e ofrojmë pa e çensuar, sikurse shkruajnë me passion vetë biografët e komunizmit.

Në një shkrim të historikut të liceut në Tiranë, që mban emrin Jordan Misja, thuhet se ai ishte piktor, por nuk tregohen asnjë pikturë e tij dhe tematikat e “krijimive” të tij artstike, gjoja për të justifikuar emrin e tij në Tiranë, sepse tiranasit nuk e hanë sapunin për djath sikurse shkodranët e “djepit të kulturës”.

Po çfarë thuhet konkretisht dhe tekstualisht:

Jordan Misja serbisht: Јордан Мишовић, Jordan Mišović; Shkodër, 1911-1942) së bashku me Branko Kadinë dhe Perlat Rexhepin është ndër “Tre heronjtë e Shkodrës”. Me 22 qershor u rrethuan në shtëpinë e Misjes. E motra, Sava së bashku me të ëmën, shërbyesen dhe nipin Toma dolën pas kërkesës së policisë dhe kryeplakut të lagjes. Në përpjekje u vranë milicët Zog Sokoli dhe Gjon Micani. Kadija me Rexhepin u shpallën Heronj të Popullit, Misja dëshmor. Referime: Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 202.”

Pra, sikurse shohet nuk ka asgje më shumë për biografinë e tij. Nuk dihet se në cilën shkollë fillore apo të emsme ai shkoi, i mbaroi apo jo mësimet elementare.

Nuk thuhet se në cilin universitet jashtë vendit shkoj për të studiuar. Gjithashtu nuk thuhet asnjë fjalë se sa gjuhë të huaja ai zotëronte dhe prirjet e tij “intelektuale”.

Atëherë pse duhet të vazhdoi të qëndroi në qytetin e Shkodrës shkolla e mesme me emrin e tij!?

Por çudia nuk mbaron këtu!? Në Tiranë një shkollë e mesme merr emrin: Liceu Artistik Jordan Misja, e cila është një shkollë artistike në Tiranë, Shqipëri, për të rinjtë 6-18 vjeç. I themeluar në vitin 1946, ai përfshinte klasa muzikore, baletit, arteve dramatike, pikturës dhe skulpturës.

“Sot, shkolla në fjalë ofron studime të integruara të klasave të përgjithshme dhe klasave të arteve, muzikës dhe skulpturës. Shumica e artistëve profesionistë shqiptarë janë alumni të shkollës.

Liceu Artistik u krijua në vitin 1946 dhe iu dha emri i Heroit të Popullit të Luftës së Dytë Botërore, Jordan Misja, i cili kishte qenë piktor. Për disa dekada ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri.”

Pse shkolla 9-vjeçare Salo Halili?

Për emrin e personit të shkollës 9-vjeçare Salo Halili në Shkodër, nuk ka asnjë biografi në internet!!!! Pse!?

Pse shkolla 9-vjeçare Perlat Rexhepi?

“Perlat Rexhepi (1919-1942), ka qenë anëtar i Grupit Komunist të të Rinjve dhe themelues i Partisë Komuniste.

Historiografia komuniste e ka fshehur emrin e Perlat Rexhepit nga pjesëmarrësit e ditës së parë të mbledhjeve të themelimit të partisë. Vritet në Tiranë më 22 qershor 1942 me Jordan Misjen dhe Branko Kadiqin/Kadinë.”

Referime: Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 195.

Pra, sikurse shihet nuk edhe këtu nuk ka asnjë të dhënë tjetër për këtë person gjoja “hero” komunist. Nga ana e tjetër, gjithashtu nuk dihet se në cilën shkollë fillore, të mesme apo universitet jashtë vendit ai vijoi dhe mbaroi studimet e larta, sepse në fakt ai nuk ishte njeri i shkollës, sepse ia kishte hanger me kohë dhia librat…

Çdo figurë e pompuar dhe propagandë komuniste është me hije dhe nuk ka asnjë të dhënë biografike si intelektual apo mësues.

E vetmja gjë që dihet me siguri 100% është se ai ishte një militant komunist, që shquhej për atentate të tipit terrorist, kundër kundërshtarëve politikë të ideve komuniste… dhe asgjë tjetër.

Pse shkolla 9-vjeçare Branko Kadia?

Ju vetem lexoni se çfarë shkruhet në Ëikipedia për këtë “hero” komunist 24 karatsh shkodran. “Branko Kadia (serbisht: Бранко Кадић Branko Kadić; Shkodër, 30 qershor 1921 – 22 qershor 1942), ka qenë komunist shqiptar dhe Hero i Popullit. Biografia: Leu më 30 qershor 1921 në Shkodër, i biri i Pandos dhe i Dines. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi Gjimnazin e Shkodrës. I përfshirë në Grupin e Shkodrës të Zef Malës, dënohet më 1939. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, raportohet ndër pjesëmarrësit e demonstratës së parë antifashiste me studentë dhe konviktorë të Shkodrës me flamurin shqiptar pa sëpatat e liktorit. Vritet në Tiranë më 22 qershor 1942 me Jordan Misjen dhe Perlat Rexhepin.”

Referime: Kaloçi Dashnor, “Akuzat ndaj 73 komunistëve në gjyqin me Qemal Stafën”, Gazeta “Shqip”, Nr. 121, 6 maj, 2007, f. 18-19; Juka, Gëzim H. (2018). “Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit”, Tiranë: Reklama. fq. 191; Dervishi, Kastriot (2016). “Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së”, Tiranë: 55. fq. 243. Etj. etj.

Sikurse cekëm më lart, shumë nga këto persona ordiner komunistë kanë qenë pa shkollë dhe kulturë dhe s’kanë lidhje me shkollën… dhe librat si vatër e dijës dhe kulturës shqiptare dhe botërore…

Asnjë prej tyne nuk ka qenë intelektual apo shkrimtar… I vetmi ishte Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), emri i të cilit vendoset në vend dhe kohë të gabuar dhe jo tek ndonjë shkollë fillore, sepse ai ishte mësues autodidakt i rëndomtë dhe asgjë më shumë…

Teatri i Shkodrës, me urdhër direkt të diktatorit Enver Hoxha, i vendos emnin atij objekti të propagandës apo kulturës së mirëfilltë komuniste (pa qenë asnjë orë, ditë, javë apo muaj aktor apo regjizor në skenë), sepse Enveri e kishte pikë të dobët, mbasi kishte lexuar tregimin propagandistik proletar të tij, me titull: “Këpucët e Lulit të vogël“, që ishin gati me hangër mësuesin e tij … Migjenin…

Stadiumi i futbollit Loro Boriçi, është i vetmi objekt i de-komunistizuar në qytetin e Shkodrës

I vetmi ri-emertim realist dhe dinjitoz shqiptar dhe de-komunistizues, mbas vitit 1990 është ai stadiumit me emrin e lojtarit të shquar shkodran Loro Boriçi (1922-1984), një lojtar i famshëm në vitet 1940 dhe 1950, i cili sipas brimeve historike italiane, ai ishte rezerva e Silvio Piola në SS Lazio të Italisë.

Ai ishte ndera e qytetit të Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë si kapiten i kombëtares së futbollit shqiptar, në vend të debatikasit terrorist komunist malazez Vojo Kushi (serbisht: Војо Кушић Vojo Kušić; 1918-1942) anëtar i grupit komunist të Zef Malës, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte komandant i njësive guerile në mbarë Shqipërinë.

Stadiumi “Loro Boriçi”, ndërtuar në vitin 1953, është një stadium shumë funksional në Shkodër, Shqipëri, i cili aktualisht përdoret kryesisht për ndeshjet e futbollit dhe është shtëpia e Klub Futboll Vllaznia (FCV), me një kapacitet rreth 16.000 vende, si i dytë më i madh në Shqipëri, pas stadiumit me emrin e debatikasit komunist Qemal Stafa në Tiranë, i cili nuk ka luajtur asnjë minut, orë, javë, muaj apo vit futboll.

Për më tepër asnjë prej tyre që përmendem më lart, nuk kanë qenë mësues të mirëfilltë me diplomë apo me studime universitare jashtë vendit ose si mësues autodikdakt…

Ata vetëm shqip e nashke kanë fol… sepse kishin lidhje idealesh komuniste me serbët dhe malezezët… Ka ardhur koha për të bërë de-komunistizimin e qytetit, shkollave etj.

Shkodra, ka pas dhe ka figura të përbaltura dhe anatemuar nga komunizmi, të cilët janë ndera dhe krenaria e qytetit tonë, si: Professor Emeritus Arshi Pipa titull të marrë me meritë profesionale në universitetin amerikan dhe jo nga shkolla apo universitete origjinale dhe vatra komuniste dje dhe sot në Shkodër apo Tiranë.

Në Shkodër, fatkeqsisht nuk ka asnjë shkollë që mban emrin e tij. Ai ka fol dhe shkruar në gjashtë gjuhë të botës shumë mirë (njësoj sikurse në gjuhën shqipe), kurse “mësuesja” dhe “poliglotja” Shejnaze Juka nuk ka ditur asnjë gjuhë të huaj dhe per çudi edhe sot në vitin 2024, shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja vazhdon me kryeneçësi dhe me dëshirën e Bashkisë së qytetit Shkodër të mbaj emrin e saj!!! Tmerr!

Pra, sot ende vazhdon të ekzistoj si për inerci të komunizmit dhe dëshirën dhe vetëdijën e plotë të komunistëve dhe neo-komunistëve safi shkodranë po qëndron me krenari emri i saj në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja të qytetit, ku unë kam qenë mësues.

Pse shkolla 9-vjeçare Ndre Mjeda dhe dom Ndre Mjeda

Absurde të vjetra dhe të reja, ka vetëm në qytetin tonë dje dhe sot. Frika e madhe apo ekzistenca e lepurit në bark, se po na idhnohet komunizmi dhe komunistët apo neo-komunistët, ka bërë që të vijoi përçundinimi i emrave të shquar të qytetit tonë.

Kështu po ofrojmë një shembull klasik turpi dhe fyerje për Mjeden. Shkolla 9-vjeçare ka emrin Ndre Mjeda dhe jo dom Ndre Mjeda, titull klerikal katolik.

Poeti i shquar kombëtar dhe shkodran vazhdon edhe sot në vitin 2024 të thirret pa respekt si emer laiku, kur dihet se ai ishte klerik katolik dhe një figurë qendrore e historisë kombëtare shqiptare, pikërisht vetëm pse ishte klerik katolik. Duhet ritheksuar edhe një herë me të madhe, se tek Kleri Katolik ndër shekuj binomi udhëheq “Fe e Atdhe”, ka qenë bashkudhëtare në jetën e tyre shpirtërore baritore dhe atdhetare.

Këtë gjë e ka bërë me qëllim sistemi dhe regjimi komunist antishqiptar dhe antikatolik i diktatorit Enver Hoxha, për të treguar se ai nuk ishte klerik katolik.

Po të mos ishte klerik, ai nuk do të ishte as poet, as figurë qendore amtare, sepse petku dhe pozita e klerikut atdhetar e rriti në nivelin ku ai ishte, sikurse shkruan edhe mjedologu i shquar e i paharruar prof. dr. Mentor Quklu (1939-2014), autori i 14 librave studimore brilante, kushtuar jetës dhe veprës së shquar të dom Ndre Mjedës, vëllai të ipeshkvit të Kosovës imzot Lazër Mjedja (1869-1935)…

Edhe këtu në New York, ka me dhjetra shkolla të niveleve të ndryshme deri edhe universitete që mbajnë me krenari emrat e figurave të shquara amerikane klerikale katolike apo edhe të besimeve të ndryshme.

P.sh. në qytetin e madh Bronx, është shkolla e mesme (Cardinal Spellman High School) Cardinal Francis Joseph Spellman (1889-1967), i cili ka qenë arqipeshkvi i kishës katolike dhe Kardinal i shtetit të madh metropolitan të New York-ut me rreth 20 milion banorë dhe njiherazi mik i ngushtë i mirditorit të arratisur nga komunizmi mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989)…

Muzikanti, ish studenti i inxhinierisë, erudisti dhe intelektuali i shquar Kardinal Mikel Koliqi (1902-1997), gjithashtu nuk ëshë përjetësuar me emrin e asnjë shkolle të mesme, kolegji apo universiteti në Shqipëri, i cili tanë jetën e kaloi nëpër burgjet komuniste…

Sikurse dihet, Ai i përket gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm Shkodrës, sepse ai ishte Kardinal i të gjithë shqiptarëve, duke përfshirë edhe ato në trojet etnike të Dardanisë etj…

Asnjë shkollë sot atje (Shkodër), nuk mban emrin e Hafiz Sabri Koçit (1921-2004), që ka kaluar një jetë të tërë në burg gjithashtu, sikurse Kardinali i parë mbarëshqiptar…

Asnjë shkollë nuk e ka në shenjë nderimi dhe respekti për para-ardhësit tanë në qytet, emrin p.sh. Mbretnesha Teuta apo Mbreti Genti ose shkolla Labeat etj.

Para Luftës së Dytë Botërore (WWII), ka ekzistue shkolla e mesme Nana Mbretneshe, pra jo për mbretneshën Teuta, por për nanën e Mbretit Zog…

E vetmja shkollë me emer simbol shqiptar dhe kulturor është Shkolla e Mesme At Pjetër Meshkalla S. J. (1901-1988) në qytetin Shkodër…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.