ANTON QUNI: LDK NUK KA KUADRO PËR TË HUMBUR

0
Dega LDK, Gjermani

Kryesia e ngushtë, nga e majta: Isa Shabani, Blerim Hajdaraj, Anton Quni (mysafir), Osman Ferizi, Enver Musa, Tahir Buçolli, Bujar Lajqi. (Foto: Halil Rrustemaj)

IDRIZ ZEQIRAJ, zëdhënës i Degës të LDK-së, në Gjermani

Në kuadrin e vizitave dhe të debatit të hapur me mërgimtarët, LDK-Qendër bëri aktivitetin e radhës në Degën e LDK-së në Gjermani. Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni mori pjesë në një takim pune me Kryesinë e Degës dhe të Nëndegëve të LDK-së, në Gjermani. U përzgjodh Ludwigshafeni, simbolikë e emigracionit të hershëm ekonomik, nga viti 1968.

Organizuesi i takimit, kryetari i Degës, Osman Ferizi, përshëndeti mysafirin e nderuar, komandantin e Luftës së Kosharës heroike, Kolonel Anton Qunin, ish-kryetarin e kësaj Dege, Qazim Bajgoraliun, kuadrot e hershëm, të prirë nga njëri nga themeluesit e Degës, Sebastian Nuiqi dhe të rinjtë e kësaj Dege, si dhe të gjithë të pranishmit. Ai bëri një ekspoze të veprimtarisë të kësaj Dege, me të mirat dhe dobësitë e saj. Ai, si gjthmonë, ishte i drejtëpërdrejtë dhe i saktë, në ekspozenë e tij dinjitoze.

“Jo rastësisht, kemi zgjedhur qershorin, muajin e lirisë të Kosovës. Është një takim i shumëpritur, i pari i këtij llojit, pas shumë vitësh. Andaj, ftoi anëtarët e Kryesisë së Degës, kryetarët e Nëndegëve, si dhe veprimtarët tjerë, të flasin e debatojnë, t`i kontribuojnë këtij takimi, me vërejtjet, sugjërimet dhe propozimet e tyre, për ta ngritur cilësinë e veprimtarisë, në Nëndegët dhe Degën e LDK-së në Gjermani.

Dega e LDK-së në Gjermani, ka përshëndetur ndryshimin kadrovik në LDK, ka aprovuar zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, Prof. Dr. Lumir Abdixhikun. Lidërshipi i ri ka ardhur me premtimin e bërjes së reformave në parti. Por, me keqardhje, po kalojnë muajt dhe ende nuk është bërë skanari i humbjes, i rrënimit të LDK-së!? Dhe, pa e bërë një analizë të shkaqeve, pse LDK-ja u fundosë me humbje të përsëritura, pak shpresa kemi, për një reformë të thellë, të mirëfilltë?

Duhet pranuar se LDK-ja “ka dalë nga shinat, traseja”. Për të ecur përpara, partinë duhet vënë në binarët e hershëm të Rugovizmit klasik. Kjo do t`i hapte rrugë mbylljes të mospajtimeve të së shkuarës, për të shkuar drejtë së ardhmes. Nostalgjikët e së kaluarës, janë pengesë për të ardhmen. Të mbështesim udhëheqjen e re, si një shpresë reale të ringjalljes së LDK-së.

Dega e LDK-së në Gjermani, përgjatë aktiviteteve të saj, ka hasur edhe në pengesa. Arsyet kanë qenë subjektive. Është ballafaquar me bojkot e kushtëzime të disa individëve, duke ndikuar edhe në disa Nëndegë. Megjithatë, me tolerancën e trashëguar nga Presidenti Rugova, kemi shmangur masat, të cilat i parashikon statuti i LDK-së. Urojmë e besojmë të mos na përsëritën qëndrime të tilla destruktive.

Dega e LDK-së mirëpret anëtarësimet e reja. Ndërkohë, nderon, herëpashere veprimtarët e hershëm me – Mirënjohje -.
Së fundi, Dega jonë ka shpallur – Kryetar Nderi – kuadrin e djeshëm dhe heroin e sotëm, Sali Çekaj”, – tha në mes tjerash, kryetari Osman Ferizi.

Ai përmendi me respekt kryetarët pararendës, që kanë drejtuar Degën e LDK-së në Gjermani: Hafiz Gagicën, Hazir Krasniqin, Qazim Bajgoraliun, Donikë Gërvallën, të cilët punuan me përkushtim, por, edhe u sabotuan mjaftueshëm, nga klane vendore, madje edhe nga Qendra”.

Nënkryetari i LDK-së, Kolonel Anton Quni, falendroi për ftesën e bërë dhe pritjen shumë të ngrohtë dhe emocionuese. Ju sjell përshëndetjet e kryetarit Lumir Abdixhikut; të Kryesisë Qendrore si dhe të Grupit të deputetëve të LDK-së. Degët e LDK-së në Mërgatë, po festojnë 32 vjetorin e themelimit të tyre. Një histori e gjatë në kohë dhe veprimtari. Kryesia ka caktuar një ekip bashkëpunimi me Mërgatën, pjese të cilit jam edhe unë.

Gjatë rrugëtimit tonë ka edhe sfida. Por, e përbashkëta është ideali përkushtues për LDK-në dhe Kosovën. Tashmë, jemi njohur me problemet që ballafaqoheni në Gjermani , Zvicër, Belgjikë e gjetkë. Kemi zgjedhur një kryetar të ri. Ai ka një ushtri prapa vetës. Nga ky takim më duhet një raport, i cili duhet dorëzuar kryetarit, për vlerësim e zgjidhje. Andaj, të jemi konkret në fjalimet tona”, – deklaroi, veç tjerash, në ekspozenë e tij, Komandanti markant i luftës, Anton Quni.

Në takimin-debat, kontribuan edhe kryetarët e Nëndegëve dhe veprimtarët

Jakup Gërguri, kryetar i Nëndegës të Nordheim Westfalen-it, ndër të tjera, propozoi që Qendra e LDK-së të bëjë, të paktën, një takim me Nëndegët. Mungojnë punët konkrete.

Alush Zeqiraj, kryetar i Nëndegës për Rheinland Pfalz, përshëndeti nënkryetarin e LDK-së, Anton Qunin, me urimin që të kemi një koordinim të mirë. Jemi ndër Nëndegët më të mira në Gjermani, ndoshta, edhe në Kosovë. Kemi punuar shumë me të rinjtë dhe do të provojmë të kontaktojmë edhe me gratë dhe vajzat, të cilat janë të shumta në numër.

1) Nëndega jonë reagon fuqishëm, që LDK-ja të mos i përkrahë kriminelët e luftës dhe të pasluftës. Apelon të mos paguhet mbrojtja e tyre, sepse ata kanë vrarë njerëzit tanë, atdhetarët e Kosovës;

2) Të kërkohet në Parlament zbulimi i vrasjeve politike, gjatë dhe pas luftës, të aktivistëve të LDK-së dhe të tjerëve. Sepse, deri më tani, edhe pse partia jonë ka udhëhequr Ministrinë e Brendshme, nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim;

3) Të mos bëhen koalicione me partitë e PAN-it, përkatësisht, PDK, AAK, Nisma;

4) Të lirohen nga pagesa e anëtarësisë: nxënësit, studentët, pensionstët.

Haxhi Dervishi, kryetar i Nëndegës të Hamburgut, foli për nevojen e unitetit, sepse vetëm të bashkuar mund të jemi të suksesshëm për LDK-në dhe Kosovën.

Mustafë Lulaj, kryetar i Nëndegës të Hessenit, reagoi ndaj disa përfaqësuesëve të disa Nëndegëve, edhe pse kanë marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor, nuk komunikojnë me kryetarin e Degës, por, me të tjerët. Nuk mjaftohen me kaq, por edhe sulmojnë kryetarin, pa sjellur argumente bindëse. Për të pasur suksese, komunikimi Nëndegë-Degë, duhet bashkëpunuar. Edhe kryetari duhet të jetë më i afërt.

Shkrimtari, tashmë, i mirënjohur, anëtar i Shoqatës të Krijuesëve në Mërgatë, Hasan Qyqalla, propozoi të formohet Çmimi “Ibrahim Rugova” për letërsi, duke u dhënë shansin dhe vullnetin edhe krijuesëve në Mërgatë, për të krijuar dhe garuar dinjitetshëm.

Magjistër Rexhep Nikçi, kryetar i Nëndegës shumë të suksesshme, për – Bajernin e Epërm -, në mes tjerash, tha se të bashkuar dhe me punë shumë, do të arrijmë rezultatet e dëshiruara në LDK-në tonë krenare.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit në Mynih, Bashkim Halilaj tha se vdekja e hershme dhe e papritur e kryetarit, Isuf Qetaj, ka goditur rëndë Nëndegën tonë. Aktualisht aktivitete nuk kemi. Themeluam Kolegjiumin e Nëndegëve Mynih-Starnberg, për t`i shtuar vizionit të LDK-së një vlerë. Zgjodhëm edhe një kryesi të kolegjiumit. Çfarë të keqe ka këtu? Lusim kryetarin Abdixhiku me shokë ta rishikojë vendimin, i cili e konsideron kolegjiumin si shkelje të statutit të LDK-së.

Kryetari i Nëndegës të Baden Würtembergut, Abaz Imeri, ekzistencën e kolegjiumit e quan vendim bilateral në mes të dy Nëndegëve të LDK-së dhe nuk shoh asgjë të keqe. Mund të zgjedhim edhe koordinatorë për Evropë dhe botë.

Isa Shabani deklaroi se i përkrahim reforrmat në LDK. Nëndega jonë numëron 60 anëtarë. Kemi angazhuar djemë dhe vajza të reja. Probleme nëpër Nëndegë nuk ka! Dy lande janë me pushime, është dashur që ky takim të bëhej më parë.

Agim Aliçkaj, kuadër i hershëm i LDK-së dhe luftëtar i Kosharës, theksoi, veç tjerash, se një Republikë ka tri Nëndegë, një Nëndegë tjetër dy Nëndegë, ndërsa të tjerat kanë vetëm nga një Nëndegë. Mendoj se duhet të krijohen Nëndegë të reja.

Blerim Hajdaraj, nënkryetar i Degës, potencoi se duhet t`i shohim mundësitë, si të punojmë më shumë. Haki Rugova e ka pranuar kolegjiumin. Isuf Qetaj e ka pyetur kryetarin Isa Mustafa dhe ka marrë miratimin e tij për kolegjiumin.

Osman Ferizi, në përgjigje të disa folëve, veç tjerash, tha se “debati rreth të ashtuquajturit kolegjium, ishte bjerrakohë në këtë takim. Kolegjiumi ishte jashtë strukturave. Nuk keni të drejtë. Jam i përkushtuar në detyrën e kryetarit, të cilën ma ka dhënë Kuvendi i 9-të i Degës sonë, me konkurrencë dhe votë të fshehtë. Qendra e deritanishme, e pas Kuvendit të 7-të të LDK-së, nuk ka qenë kurrë korrekte. Ka intriguar me individë të paautorizuar dhe nuk ka komunikuar me kryetarin e ligjshëm të Degës”!

Fazli Hajdaraj, e kam të vështirë të flas. Jam injoruar si vëlla i Smajl Hajdaraj. Jam anashkaluar, me arsyetimin se nuk paskam punuar asgjë! Ndërkohë që unë kam kontributin tim në LDK. Nuk kam dashur të përfitoj asnjëherë. Nëndega e Oberbajern është krijuar për ta penguar Nëndegën e Isuf Qetaj. Donikë Gërvalla është ftuar në mbledhjen e LDK-së, edhe pse nuk ishte pjesë e saj.

Zymer Lulaj- kjo frymë aksidentale, nuk është në frymën e LDK-së. LDK-ja është e para në Evropë dhe botë, që solli një pluralizëm lëndorë, me një vizion të ri paqësor, duke u bërë frymëzim dhe mësim për demokracitë e reja, post diktatoriale. Përplasjet e tanishme, janë rrjedhojë e gabimeve në vijimësi nga Qendra e LDK-së. Meritokracia është shpërfillur, si metodë e vetme, për të vlerësuar punën individuale dhe atë grupore, kolektive. Atëherë, çfarë do të bëjmë me Degën e Gjermanisë?!

Idriz Zeqiraj: Prisja që Lidershipi i i ri, Kryesia e dalë nga Kuvendi i 10-të, (i jashtëzakonshëm), t`u kërkojë falje dy Degëve më të mëdha në Mërgatë: Gjermanisë dhe Zvicrës. Mbyllja e derës, për delegatët e këtyre dy Degëve, ishte i qëllimshëm dhe banditesk. Ne kërkonim votimin e fshehtë dhe harrimin e votimi aklamativ, mashtrues, fiktiv, të rrejshëm. Isa Mustafa dhe klani i tij, nuk do ta kalonin testin demokratik, votimin e fshehtë, as në Kuvendin e 8-të dhe as në Kuvendin e 9-të Zgjedhor. Rrjedhimisht, LDK-ja do ta mposhte me kohë bandën e koalicionuar PAN.

Nxjerrja me dhunë, nga salla e Konventës të LDK-së, duke e tërhequr zvarrë dhe zhveshur deri në brekë, të veprimtarës më të shquar të çështjes të Kosovës, Donikë Gërvalla, ishte skandali i turpshëm e kriminal i klanit të Isa Mustafës. Rrjedhoja e atij akti vandal, i kushtoi LDK-së, me shumë-mijëra anëtarë të larguar nga partia. Askush nuk u vu para përgjegjësisë! Këshilli i Përgjithshëm duhej ta lëshonte sallën, në shenjë proteste, duke e lënë në sallë vetëm kryetarin e dhunshëm Mustafa me klanin e tij.

Dega e LDK-së në Zvicër u goditë rëndë dhe kurrë nuk arriti t`i shërojë plagët, që ia shkaktoi klani i LDK-së, brenda Kryesisë Qendrore. Ajo u bë kurban e Degës të LDK-së në Gjermani, edhe pse ishin dy Degët që mbajtën Kuvendet Zgjedhore, thellësisht, në frymën rugoviane.

Ndryshe e përballoi intrigën goditëse, të klanit në Qendër, Dega në Gjermani. Ajo, që nga themelimi, pati drejtues të përkushtuar, si: Hafiz Gagica, Hazir Krasniqi, Qazim Bajgoraliu, Donikë Gërvalla, Osman Ferizi, të cilët punuan shumë, për ta ruajtur unitetin në Degë, duke amortizuar ndërhyrjen klanore e hiç parimore të klanit në Qendër.

Kryetarja Donikë Gërvalla, edhe pas sjelljeve banditeske, në sallën e Konventës, ajo, për hirë të LDK-së, kapërdiu fyerjen e rëndë dhe pranoi edhe përsëritjen e votimeve në Degën e LDK-së në Gjermani, nëse këtë do ta pranonin strukturat e partisë dhe delegatët e Degës. Ajo i futi të gjithë në votën e fshehtë. Vota provoi se kuadrot dhe anëtarësia, nuk ishte e gatshme të plotësojë tekat e klanit në Qendër. Megjithatë, e la të hapur çështjen: “Ejani nga Prishtina, organizoni vet zgjedhjet, ne do të jemi logjistikë ndihmëse”. E dinin, paraprakisht, rezultatin dhe nuk provuan fare burracakët”, – përmbylli fjalën e tij, zëdhënësi i Degës, Idriz Zeqiraj.

Përgjatë gjthë kohës së debatit, nënkryetari i LDK-së, heroi i gjallë i Luftës së Kosharës, Kolobnel Anton Quni, ishte shumë i vëmendshëm. Në fund, mbajti fjalën përmbyllëse përmbajtësore e këshillëdhënëse. “Nuk dalë nga kjo sallë pa ma dhënë fjalën, se të kaluarën do ta lini prapa, për të ecur përpara. Kosovën ta kemi parësi dhe duke qenë të bashkuar, gjithësesi, do t`ia dalim me sukses”, – apeloi Komandanti i Luftës së Kosharës. I papërballueshëm ishte ai, në ngulmimin për të pajtuar të hatëruarit dhe të zemëruarit. Dhe, kjo ndodhi atë ditë, në prani të të gjitha strukturave të Degës të LDK-së, në Ludwigshafen-Frankenthall, Gjermani.

Kryetari i Nëndegës të Hamburgut, Haxhi Dervishi, i shoqëruar nga ish-deputeti i fund-viteve 80-a, Zymer Lulaj, me shokë, i bëri “hallall” të 1200 kilometrat rrugëtim, asaj dite, për të marrë pjesë në takim. Bashkëbisedimi i Nënkryetarit Anton Quni, me veprimtarët e hershëm dhe të rinj, të Degës të LDK-së, ishte i frytshëm dhe mbresëlënës. Komandanti ishte i pushkës së djeshme dhe i fjalës të sotme, si kuadër i partisë të Rugovës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Takimi-debat i nënkryetarit të LDK-Qendër, Anton Quni, me Degën e LDK-së në Gjermani, me kryetar Osman Ferizin, si dhe me strukturat e Nëndegëve të saj, ishte i pari i këtij lloji, pas shumë vitësh ndërprerje. Radha në debat, koha e përcaktuar, dëgjueshmëria e vëmendshme, hapësirë e bollshme e demokracisë, i dhanë kuptim e vlerë debatit.

Vërtet, votimi aklamativ bartë gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Ndërsa vota e fshehtë demokratike, ka besueshmëri dhe legjitimitet. Askush nuk është i pranueshëm për të gjithë. Por, shumcës votuese duhet bindur. Sepse, deri me tani, nuk ka një alternativë të dytë zgjedhore më të mirë.

Në demokraci, të gjitha çështjet kontestuese i zjidhë debati. Andaj, kushtëzimi dhe bojkoti është i papranueshëm. Është, pikërisht, debati i munguar, që ka ngulfatur frymën rugoviane në LDK, duke e kontaminuar, përtokur e perdhosur, deri në degradim të plotë.

Kryetari Abdixhiku, në takimin me Degën e Beneluksit, shprehu keqardhje se LDK-ja, “që nga viti 2006, nuk ka pasur ofertë për qeverisje”. Por, “harroi” të pranojë se LDK-ja ishte logjstikë besnike, për qëndrimin e PDK-së në pushtet, duke kulmuar me zgjedhjen banditeske të Hashimit president!

Nostalgjikët, të mësuar me PAN-in në pushtet, sikur nuk po ndjehen mirë, me ndryshimin e nismuar dhe janë bërë barrierë, për reformat e pritshme. Këndellja është domosdo e kohës. Mërgata e ka ndjerë fort shuarjen e Aktivave. Për shembull, një Land, Republikë gjermane, ka pasur deri në 76 Aktiva. Dhe, tani është reduktuar në një Nëndegë, e cila nuk ka më shumë se 40 anëtarë! Kujt i duhej kjo shuarje?!

Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, asete,
vlerë kombëtare dhe pjesë integrale të LDK-së

Lufta për pushtet, duke zëvendësuar votimin e fshehtë, me aklamacionin kriminal, largoi, dhunshëm, veprimtare e veprimtarë të dëshmuar, rugovistë idealistë. Dominon opinioni pariak dhe gjthë-popullor, se ishte etja për pushtet, e një klani brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së, që provokoi dhe largoi Vjosë Osmanin dhe Donikë Gërvallën, asete, vlerë kombëtare, të cilat, me përkushtimin e tyre për demokraci, hapën një faqe të re, në historinë politike të Kosovës.

Vijimësinë e jetës politike të tyre, e kërkoi dhe e kushtëzoi anëtarësia e LDK-së, me mbështjetjen masive. Dhe, mirë bëri. Sepse janë Vjosa dhe Donika, me vajzat dhe djemtë e Listës “GUXO”, që i kanë dhënë frymëzim e forcë, për rezistencë Lëvizjes Vetëvendosje, në përballjen me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, duke sjellur edhe ndryshimin e shumëpitur. Mediet e kriminalizuara dhe rrast të paguara, i kanë në agjendë dhe shenjestër Donikën dhe Vjosën, pothuajse, në çdo debat, në përpjekjen e dështuar, për ta prishur koalicionin aktual qeverisës, duke pritur, si dhelpra, “rënien e boleve të dashit”!

Kulti i individit, si dogmë fatale e monizmit, po bartej në pluralizëm, si model i sundimit të pakufizuar ndër subjektet politike, pësoi goditjen, pikërisht, nga këto dy figura markante, pjesë integale të LDK-së. Për rrjedhojë, kulti nuk mund të instalohet, ashtu siç ishte imponuar në post-monizëm, si mbeturinë e retushuar, viteve të fundit.

Lidershipit të ri të LDK-së, nuk i falet, nëse do ta përsërisë fajësinë e pararendësve, të cilët, qëllimshëm, nuk bënë asgjë, për ribashkimin me subjektin e ndarë LDD. Edhe pas shkrirjes së LDD-së, në LDK, nuk treguan asnjë vëmendje, për ta përfituar elektoratin e humbur. Shkurt, për kanorët, ata ishin të tepërtë!

Mendësia e mykur e klanorëve se “Vjosa e Donika as shenjë nuk na kanë bërë”, do të demantohej, madje bindshëm, nga deputeti dinjitoz Anton Quni: “Jo shenjë, por rrum gjysmën e elektoratit e kanë marrë me vete”! Ishte ndjeshmëria e tyre e thellë për LDK-në, që me sjelljen korrekte dhe të dinjitetshme, nuk e thelluan krizën në LDK. Ato e konsideruan se qëllimi i ndryshimit fillestar është arritur, klani u ndëshkua nga elektorati dhe shkëputja nga PAN-i kriminal, si synim bazë, tashmë, me lidershipin e ri, është arritur.

Pretendimet se LVV prishi kalicionin me LDK-në, “ranë në ujë”, kur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, denoncoi për urdhërin e afatizuar të mikut serb, Grenell, për ta zhbërë atë koalicion. Shpërfillja fillestare e Kurtit nga Grenell, mori përgjigjën meritore nga Kurti.

Një sjellje e kujdesshme, xhentile, e mençur, karshi dy kuadrove markante të LDK-së, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani, të cilat, pahamendje, sollën ndryshimin, duke liruar LDK-në nga shantazhi, prangosja e PDK-së dhe të SHIK-ut të saj, është domosdo e bashkimit dhe të shumëzimit të elektoratit të LDK-së.

Kushdo që përpiqet, me përrallisje të stisura, t`i penalizojë dy rugovistet, bashkë me veprimtarët tjerë, në Listën “GUXO”, lë ta bëjë krahasimin, vetanak e gruporë, se cili është kontributi i tyre, për LDK-në dhe Kosovën, në raport me ato?! Gjthësesi, do të dilnin huq e hiç! E ardhmja e jonë e përbashkët është LDK-ja. Për këtë duhet të punojmë të gjithë.

Katarsisi i 14 shkurtit, këndelli LDK-në, keqas të përtokur

Në LDK po ndjehet një frymëmarrje e shpenguar. Sinjalet janë mesazhe mobilizimi dhe përbashkimi. Kryetari Abdixhiku “të mbyllën kapitujt e së kaluarës në LDK”; Akademik Kujtim Shala “LDK-ja nuk përballon ndarje të tjera”; Komandanti Anton Quni “nuk kemi njerëz për të humbur, pavarësisht, të ndonjë gabimi të bërë”. Këto mesazhe duhet mirëkuptuar nga anëtarësia dhe populli i Kosovës, për ta forcuar unitetin e brendshëm dhe demokracinë brenda partisë.

“LDK ka pasur dhe ka parësi shtetin, para pushtetit”,- potencoi nënkryetari Quni. Prandaj mesazhet që vijnë nga drejtuesit e LDK-së, janë të çiltëra e mirëdashëse, në shërbim, jo vetëm të LDK-së, por edhe të Kosovës.

Në Kosovë jeta politike është, skajshëm, e kontaminuar. Partitë-banda të koalicionit PAN, kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën. Dhe, nuk ke çfarë të zgjedhësh në torishtën PAN! LVV nuk po arrin të përcaktohet! Dikur i shpallte luftë krimit të organizuar vrastar dhe hajnisë zyrtare. Dhe, kriminelëve ua rekomandonte shkuarjen në Hagë. Tani thotë se kriminelët e djeshëm, “kanë bërë luftë të fortë”, (edhe pse shumica absolute e tyre nuk ishin fare pjesë e luftës), edhe “nuk janë kriminelë”!?

Bir Selmani i nënës, çfarë të qaj më parë“?!

Megjithatë, aleanca LDK-LVV, mbetet opcion i vetëm. Vrasjet politike, barrë e rëndë për familjet e viktimave, për Kosovën tonë halle-madhe. Tashmë, këto vrasje janë pranuar dhe janë konsideruar kriminale e anti-shtet, pikërisht, nga të dyshuarit potencial për krime. Por, “krimi ka emër”. Dhe, emrat duhet dënoncuar, sepse është detyrë qytetare luftimi i krimit, pavarësisht, subjekteve politike, ku “strehohen” kriminelët.

Të paktën, të mos bëhemi bisht e patericë e kriminelëve, ashtu siç ndodhi, për afro dy dekada radhazi, me LDK-në tonë! Rugovisti i hershëm, ish-kryetari i Degës të LDK-së, në Gjermani, Qazim Bajgoraliu, deklaroi se “ne, si Degë, kishim një qasje tjetër, nga Kryesia e LDK-së në Qendër. Nuk jemi pajtuar me koalicionet hiç parimore. Sugjërimet tona rezultuan të drejta. Por, u anashkaluam, madje, edhe u luftuam, pse mbronim vijën dhe frymën rugoviane. Jo rrallë, kanë sabotuar veprimtaritë e kësaj Dege, duke i luftuar fort drejtuesit e saj. Urojmë ta thelloni ndryshimin, të vazhdoni reformat, si shpresë e vetme për LDK-në dhe Kosovën”!

Takimin-debat të Degës të LDK-së, në Gjermani, e përcolli dhe filmoi kameromani dhe gazetari profesionist, ish-kuadri i Radio Televizionit të Prishtinës, Halil Rrustemaj. Ai intervistoi nenkryetarin e LDK-së, deputetin Anton Quni si dhe veprimtarë të hershëm dhe të rinj të kësaj Dege unike, gjithnjë, në mbrojtje të vlerave dhe parimeve rugoviane.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.