NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

0
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Në Bashkimin Evropian vendosin Gjermania dhe Franca. Vendet e tjera anëtare, nuk përfillen gjithaq, për të mos thënë fare.

Pikëpamja se Ballkanit Perëndimore i kanoset rreziku nga Rusia, nuk është shumë e vërtetë. Po të ishte e vërtetë, rajoni shpejt do të pranohej në BE. Frika nga rreziku rus ndaj rajonit nuk duhet të shndërrohet në mit. Vendet të cilëve u kanosej rreziku i pushtimit rus, u pranuan në BE. Këto janë vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë afër saj. Këto vende u pranuan në BE, përkundër faktit se nuk i plotësonin kriteret dhe standardet e Unionit. Për vendet që pranohen në organizmat euroatlantikë, pa i plotësuar standardet, kriter është interesi strategjik i Perëndimit. Arsyet e pranimit të tyre në strukturat euroatlantike, janë gjeopolitike. Greqia ka hyrë në BE në vitin 1981 dhe është vendi i dhjetë që ka hyrë në Union. Greqia është borxhliu më i madh i BE-së.

Ajo është pranuar në BE ngase ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë, vend me popullsi myslimane. Vendet e Baltikut – Letonia, Lituania dhe Estonia u pranuan në strukturat euroatlantike për arsyet gjeopolitike dhe strategjike të Perëndimit. Me zgjerimin e pestë të Unionit, më 1 janar 2007 anëtarësohen Bullgaria dhe Rumania, pa plotësuar asnjë kusht dhe asnjë kriter. Për të hyrë në BE duhet të kesh edhe miq. Më 1 korrik 2013, me ndihmën e Gjermanisë anëtarësohet Kroacia. Askush s’e di saktë përse Shqipëria duhet të hyjë në BE bashkë me Maqedoninë.

Në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 23 qershor 2022, Ukrainës iu dha statusi i vendit kandidat. Moldavisë iu çel rruga e anëtarësimit, ndërsa Gjeorgjisë i njihet perspektiva. Edhe këto tre vende të sipërthëna do të pranohen për interesa strategjikë dhe gjeopolitikë të Perëndimit. Këtyre tre vendeve u kanoste rreziku i drejtpërdrejtë  nga Rusia.

*   *   *

Përpos kësaj, shqiptarët sa më proamerikanë të jenë, aq më në distancë mbahen nga Parisi, mbase edhe nga Berlini. Sa më afër Erdoganit të jetë qeveria e Tiranës, aq më në distancë mbahet nga Makroni.

Askush s’ka të drejtë të përzihet në kontestin ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky kontest nuk zgjidhet pa ndërhyrjen e ShBA-së. Ky problem është më i madh se ai midis Athinës dhe Shkupit. Përveç kësaj, duhet shtuar se po ta pranojë qeveria e përtashme e Shkupit propozimin e Makronit, LSDM-ja shpallet tradhtare dhe i humb zgjedhjet e ardhshme. Për shkak të Marrëveshjes së Prespës, në zgjedhjet vendore LSDM-ja pësoi debakël.

Kryeministri Rama, s’ka kurrfarë të drejte të përzihet në mosmarrëveshjen ndërmjet Sofjes dhe Shkupit. Ky është një problem historik ndërmjet dy vendeve. Sulmi i Ramës ndaj Bullgarisë është absurd dhe i pakuptimtë. Madje Sofja, as që e vë në llogari sulmin e Ramës. Nuk duhet harruar se shqiptarët nuk kanë kurrfarë problemi me Bullgarinë. Ajo është një ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën.

BE-ja ka bërë gabime. Para se të anëtarësoheshin vende të caktuara, është dashur të pyeteshin, në kanë ndonjë kontest me ndonjërin prej fqinjëve. Të rralla janë vendet pa probleme të këtilla. Sipas këtij pyetësori, Greqia dhe Bullgaria do të kishin thënë me kohë: “Po, kemi problem me Maqedoninë”. Si rrjedhojë asnjëra prej tyre s’do të ishte pranuar në BE, pa e zgjidhur kontestin me Shkupin. Tani Maqedonia e Veriut vihet në pozitë të pafavorshme dhe diskriminuese.

Në BE dhe në NATO duhet të hiqet parimi i konsensusit. Shteti që i plotëson kriteret duhet të pranohet me automatizëm. Vendi të cilit i kanoste rreziku nga agresioni i shtetit fqinj, duhet të integrohet me automatizëm.

Brukseli ka mundësi të krijojë një BE me dy dhoma. Në njërën prej tyre do të hynin vendet që nuk i plotësojnë sa duhet kriteret dhe standardet integruese dhe të cilat, ndonëse anëtare të Unionit, do të privoheshin nga të drejta, favore dhe privilegje të caktuara.

*   *   *

Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë preokupim, as integrimin në BE, as Ballkanin e Hapur. Integrimi në BE është shndërruar në problem të politikanëve dhe jo të popujve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Politikanët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, integrimin në BE e kanë shndërruar në propagandë. Ky integrim zgjat plot tridhjetë vjet. Popujt e këtyre vendeve janë lodhur dhe janë ngopur nga klishetë e kësaj propagande sterile, të pafrytshme. Qëllimi i këtyre farë politikanëve është t’u thonë popujve të vet: “Ja, ju anëtarësuam në BE”. Meqë ju anëtarësuam në BE, tani na i jepni votat edhe nja tri dekada të tjera. Tridhjetë vjet premtime, gënjeshtra dhe mashtrime.

Prandaj qytetarët e këtyre gjashtë vendeve fare nuk e çajnë kokën, si për BE-në, ashtu edhe për Ballkanin e Hapur. Përse të mërziten për mosintegrimin në BE, kur ikin për në Gjermani, hiç pa u anëtarësuar. Mali i Zi dhe Serbia i kanë çelur negociatat me BE-në para dhjetë vjetëve. Megjithëkëtë, s’janë askund. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sot ta marrin statusin e vendit kandidat, për t’u anëtarësuar pas nja dhjetë vjetëve, në mos dhe më tepër. Deri atëherë, këto gjashtë vende rrezikojnë të mbeten pa popuj. Si krah pune do të vijnë nga Bangladeshi.

*   *   *

Nuk është faji te Makroni, është te vetë politikanët e këtyre gjashtë vendeve. Nuk hyhet në BE në Bruksel. Në BE hyhet në Tiranë, në Prishtinë, në Podgoricë, në Sarajevë, në Shkup dhe në Beograd. Këto gjashtë vende, janë më të varfrat e kontinentit, por të parat me vjedhje. Ku ka varfëri, s’ka demokraci. Ku ka varfëri, s’ka shtet ligjor. Demokracia dhe shteti ligjor nuk shkojnë me varfërinë. Demokracia dhe shteti ligjor shkojnë krahas zhvillimit ekonomik. E që të mos kesh varfri, duhet të mos vjedhësh.

Politikanët e Ballkanit Perëndimor hyjnë në politikë si të varfër, për t’u pasuruar brenda një kohe të shkurtër. Për ngecjen ekonomike të këtyre gjashtë vendeve, prej vitit 1991 e deri më sot, përgjegjësi mbajnë: liderët partiakë, kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, ministrat, deputetët, shefat e kabineteve, këshilltarët e ministrave, drejtorët e përgjithshëm, kryetarët e bashkive apo të pushtetit vendor, anëtarët e komisioneve dhe të këshillave drejtues. Përgjegjësi mbajnë mediumet, studiot televizive, radiostacionet, gazetat ditore, portalet, kryeredaktorët, analistët e shitur dhe të blerë, domethënë mercenarë, të cilët të zezën ta shesin si të bardhë dhe ta lustrojnë realitetin si në kohën e Stalinit. Mediumet në këto gjashtë vende janë nën kontrollin e shtetit, të qeverisë, të partisë në pushtet, të opozitës, po qe se ajo opozitë është e pasur. Në këto gjashtë vende s’ka mediume të pavarura.

S’ka liri shprehjeje, mendim të lirë, mendim ndryshe, mendim oponent. ka pseudodemokraci. Në këto gjashtë vende veprojnë edhe shërbime sekrete të huaja: ruse, kineze, turke, arabe, greke, serbe, iraniane. Vegla të këtyre shërbimeve janë shoqata të caktuara humanitare dhe klerikë të caktuar fetarë. Në këto gjashtë vende ka mediume që mbështeten financiarisht nga qendra majtiste globale. Instrumente të së keqes janë edhe shoqata të caktuara joqeveritare. Pjesë e së keqes dhe në shërbim të saj janë edhe shoqata të caktuara që merren kinse me veprimtari kulturore. Po qe se nga Ministria e Kulturës ia dalin të nxjerrin do mjete, atëherë qeveria dhe shteti janë të mirë. Ndryshe, janë si mos më keq. Gjatë periudhës së pluralizmit, në këto gjashtë vende, nuk ka pasur pothuajse asnjë dorëheqje nga ndonjë politikan në shenjë akti moral.

Në këto gjashtë vende edhe inteligjencia është e heshtur, për të mos thënë e shitur dhe  e blerë. Është inteligjencie oportuniste, konformiste dhe poltrone. Ideali i saj është të rrëmbejë pozita, të ruajë pozitën, të avancohet në pozitë, ta punësojë të birin, të bijën, renë, t’u sigurojë tituj akademikë, qoftë edhe me njohuri të kufizuara.

Nuk shkohet në BE me kiç dhe shund, me reality programe, me muzikë pornografike. Në një anë, vend i varfër, në anën tjetër, luksi i një segmenti të shoqërisë, si në Amerikë. Për fat të keq, tash edhe shkrimtarë s’po ka. Në vendin me paga më të ulëta në rajon, dikush jeton si në përralla. Në këto vende e kanë mbyllur gojën edhe akademitë dhe universitetet.

Me vrasje, të parët në kontinent, ndër të parët në botë, me aksidente rrugore, ndër të parët në botë, me emigrim dhe ikje të trurit – të parët, me shkurorëzime – ndër të parët. Vjedhje  shtëpish, pikash karburanti, herë-herë edhe bankash. Politizim i të gjitha poreve të shoqërisë. Partizim i të gjitha segmenteve të shtetit. Pa ndërhyrjen e partisë, as shërbëtor shkolle katundi nuk mund të punësohesh. Cilësi e ulët e arsimit. Duke pritur rend me orë të tëra për të marrë terapi, më tepër sëmuresh se mjekohesh. Krejt shteti ka vetëm një qendër terapie, madje me kapacitet të kufizuar. Administrata në këto gjashtë vende ka përmasa gjigante. Një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit shkon për rrogat e administratorëve. Gjysma po të largohen prej zyrave, puna do të kishte shkuar më mirë. Çdo parti që vjen në pushtet, veprimtarët dhe militantët e vet i punëson në zyrat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë vendor.

Kryetar bashkie, me të kaluar të dyshimtë, deputet apo ministër me dosje kriminale, për të mos shkuar në nivele më të larta, deri te kryetari i shtetit apo te kryeministri. Le të jetë paga njëmijë   apo dymijë euro. Shtëpitë apo vilat që i posedojnë, mobiliet, veturat, jahtet, shkollimi i fëmijëve jashtë shtetit, ceremonitë familjare, shëtitjet nëpër vende ezoterikë etj. kushtojnë qindra mijë euro, shtuar këtu edhe mjetet nëpër llogaritë bankare, të huaja apo të vendit. Nga erdhi kjo pasuri me një pagë prej 1000 apo 2000 eurove. Të mos i përmendim këtu edhe pasuritë e tjera të paluajtshme. S’ka BE me tituj akademikë të kopjuar, të përkthyer, të blerë dhe të shitur. S’ka integrim me profesorë universiteti apo me pedagogë që s’ka botuar asnjë punim në asnjë revistë prestigjioze të Perëndimit, që s’i ka shkelur këmba në asnjë arkiv të botës, që s’ka shpikur, s’ka hulumtuar, s’ka nxjerrë asnjë risi.

S’ka integrim në BE me burgje të mbingarkuara. Një shtet që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira, është larg BE-së. Nuk quhen zgjedhje me shitblerje të votave, me shantazhe, me mbushje kutish. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sektorin privat e kanë të pazhvilluar. Si pasojë, partitë ua mësyjnë institucioneve publike. Këto vende, arsimimin profesional e kanë të pazhvilluar. Në këto gjashtë vende, një përqindje e madhe e tokës së punueshme, nuk mbillet, nuk punohet dhe nuk shfrytëzohet. Borxhet apo kreditë e këtyre gjashtë vendeve kanë përmasa të frikshme. Privilegjet e politikanëve apo të nomenklaturave të këtyre vendeve, janë në shpërpjesëtim me kapacitetet e shtetit. Favoret e familjarëve të klasës politike janë si në asnjë vend të kontinentit. Fajin nuk duhet kërkuar te Makroni. Zha-Pol Sartri thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet”.

Zënkat midis shumicës parlamentare, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, janë si në asnjë vend të kontinentit, për të mos thënë si në asnjë vend të rruzullit. Një vend i tillë është larg BE-së. Në rajon është Amerika dhe punët nuk po shkojnë si duhet dhe sa duhet. Po të mos ishte Amerika, a thua ç’do të kishte ndodhur?!

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pa pasuri natyrore, që të katandisen në këtë gjendje të papëlqyeshme. Shtetin me ekonomi të ngecur mund ta udhëheqin vetëm politikanët idealistë. Këta quhen burra shteti.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.