Mitro Çela
– Dje dola pozitiv. Dy herë në dy vjet. Me dy vaksina.
Izolim dhe koqe tre herë në ditë.
Mendja në trup të sëmurë ndjell kujtime –
Shkurt 1987.
U sëmura. Flamë. U shtrova në Sanatorjum. Fut gjilpëra. Përtyp koqe. Pa derman.
Duhej bërë biopsi.
Më futën nga hunda një sondë. Morën pak mushkëri.
E çuan në laborator.
U hap fjala:
– Mitroja ka kancer?!
– Nuk mund të flas,-tha doktor Karalliu! Bën vaki të dali kancer,-i tha Filipit.
Filipi e çoi haberin në gazetë. Po nga gazeta më solli haberin:
– Mitro Xhani? I ngre nuk i ngre patkojtë, në gazetë ta zunë vendin?!
Nekrollogjinë e kam gati. Do ti hedhësh një sy?
– …
– Nga që më donte, e kishte tharë. Qamë të dy. Ai më shumë.
– Pas teje, do qaj vetëm kur të vdesi Koço Devole…
Pas 21 ditëve erdhi biopsia.
Doktor ngriti supet:
– Çudi! Nuk doli kancer? Po pse mushkëritë nuk zbrazen?!
Pas dy ditësh doktori erdhi tek shtrati. I ndriste nuri:
– E gjetëm. Ke sarkoidozë! Sëmundje siedeze! Je rasti i 15 në Shqipëri! Hata!
Karalliu bëri epikrizën. Një grusht me kortizone.
Çdo ditë mi jepte infermerja.
Çdo natë i hidhja në hale.
Me këtë skenar kaluan tre muaj.
Erdhi maji. Diell. Ajër i pastër. U shërova.
Dola nga spitali. Karalliu më dha recetën: kortizone. Kur u ndamë më tha:
– Mitro! Më befason. Kush pi kortizone-trashet. Ti-thahe! Do bëj një studim…
Në vitin 1991u bëra deputet. Ha o xhupe, po o xhupe, llafoste Nastradini.
Shkova në Romë. Dy javë në spitalë. Më tha doktori:
– Ke kaluar një të ftohtë të vjetër. Pak mushkëri e ke të kalçifikuar. Pa merak. Kujdes. Ruaju nga moti dhe mos tradhëto gruan?!
10 vjet më vonë. Në bulevard takova doktor Karalliun.Zgurdulloi sytë:
– Gjallë Mitro!…
– Gjallë!
– 11 të sëmurët nga sarkoidoza kanë shkuar tek të shumëtit. Ti?!
– Doktor! Më duke pak i verdhë?! Kujdes! Ruaj shëndenë.
Kaluan disa vjet. Nje ditë shkuam në sanatarjum me Filipin.Tek dera një shpallje:
– Vdiq doktor Karalliu!
– Kush e nisi e kush e bitisi, – ngrysi vetullat Filipi…