12.5 C
Tirana
E martë, 24 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Shqiptarët e Gjenevës festuan me madhështi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit...

Shqiptarët e Gjenevës festuan me madhështi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar

0
Festimi i 28 nëntorit - Gjenevë

Një mbrëmje festive që bashkoi brezat, shoqatat shqiptare, përfaqësuesit diplomatikë dhe autoritetet zvicerane në nderim të historisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Gjenevë, 21 nëntor – Në një atmosferë të ngrohtë, festive dhe plot emocione kombëtare, shqiptarët e Gjenevës u bashkuan për të kremtuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo festë, një ndër datat më të shënuara të historisë sonë kombëtare, mblodhi bashkatdhetarë të të gjitha moshave, të cilët dëshmuan edhe një herë se dashuria për atdheun, gjuhën dhe traditat shqiptare mbetet e gjallë edhe larg vendlindjes.

Manifestimi u organizua më 21 nëntor, në Salle des Fêtes des Avanchets në Vernier (kantoni i Gjenevës), nga shoqatat LAPSH – Shkolla Shqipe, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, Ansambli “Gëzuar”, Rinia Contact, FC Kosova, Shoqata “Zhegra” dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës, në bashkëpunim me SOS Medvegja.

Të bashkuar rreth flamurit kuqezi, pjesëmarrësit përkujtuan me krenari 28 Nëntorin e vitit 1912, ditën historike kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në të njëjtën ditë, më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu kishte ngritur mbi Krujë flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenare, pas kthimit të tij në atdhe.

Tingujt solemnë të Himnit Kombëtar, të kënduar së bashku nga të mëdhenj e të vegjël, shënuan një nga çastet më prekëse të kësaj mbrëmjeje.

Një hapje solemne në frymën e historisë dhe identitetit kombëtar

Programi festiv u hap nga moderatorët Valton Hyseni dhe Lumturije Zeneli, përfaqësues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, të dy studentë në fushën e shkencave të edukimit.

Me një shqipe të pastër, të rrjedhshme dhe me një paraqitje dinjitoze, Valton Hyseni solli para të pranishmëve rëndësinë historike të kësaj feste, duke kujtuar sakrificat e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.

Në fjalën përshëndetëse që mbajti në emër të Këshillit organizativ, para fjalimeve zyrtare, ai theksoi:

“28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar. Ai përfaqëson lirinë, sakrificat dhe guximin e shumë brezave që luftuan për pavarësinë tonë. Është një ditë që na kujton se liria që gëzojmë sot është fituar me shumë mund dhe se historia jonë duhet të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit tonë.”

Ndërkaq, moderatorja Lumturije Zeneli, me një paraqitje po aq të përkushtuar në shqip dhe në frëngjisht, përcolli mesazhin e rëndësisë së ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në mesazhin e saj u theksua:

“Por identiteti ynë nuk jeton vetëm në historinë që kemi trashëguar. Ai jeton në gjuhën që flasim, në traditat që ruajmë dhe në vlerat që na kanë përcjellë gjyshërit dhe prindërit tanë.

Gjuha shqipe, besa, mikpritja dhe respekti për njëri-tjetrin janë pjesë e asaj që na bashkon. Edhe pse jemi rritur dhe jetojmë larg vendlindjes, rrënjët tona mbeten gjithmonë me ne.”

Këto fjalë prekëse përmblodhën më së miri mesazhin e kësaj feste: ruajtjen e lidhjes shpirtërore me atdheun dhe përcjelljen e vlerave kombëtare te brezat e rinj.

Prania e përfaqësuesve diplomatikë dhe autoriteteve zvicerane

Këtë manifestim e nderuan me praninë e tyre personalitete të diplomacisë shqiptare dhe të institucioneve zvicerane.

Në mesin e të ftuarve ishin ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ermal Dredha; përfaqësuesja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Diana Cakolli Morina, zëvendëskonsulle; këshilltari administrativ i komunës së Vernier-it (kantoni i Gjenevës), z. Mathias Buschbeck, si dhe znj. Anne Hiltpold, presidente e Qeverisë Kantonale të Gjenevës dhe ministre e arsimit.

Të pranishëm ishin gjithashtu mësues, prindër, veprimtarë të komunitetit, përfaqësues të shoqatave dhe shumë bashkatdhetarë që kishin ardhur për të festuar së bashku.

Prania e personaliteteve zvicerane dëshmoi marrëdhëniet e mira të komunitetit shqiptar me institucionet vendore dhe rëndësinë e bashkëjetesës, integrimit dhe respektit të ndërsjellë.

Fëmijët e Shkollës Shqipe – zemra e festës së Flamurit

Një nga pjesët më të bukura dhe më emocionuese të manifestimit ishte programi artistik i nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjenevë.

Nën drejtimin e nxënëseve Ana Isufi dhe Alma Bekteshi, skena u mbush me zërat e ëmbël të fëmijëve, të cilët përmes poezive, recitimeve dhe këngëve shprehën dashurinë për gjuhën amtare, flamurin kuqezi dhe atdheun e të parëve.

Rreth 40 fëmijë morën pjesë në programin festiv, duke krijuar çaste të paharrueshme për prindërit, mësuesit dhe të gjithë të pranishmit.

Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi, ndërsa në sytë e tyre shkëlqente krenaria që po recitonin në gjuhën shqipe, gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre.

Poezitë e interpretuara nga fëmijët i kushtoheshin flamurit kombëtar, Vlorës historike, 28 Nëntorit, gjuhës shqipe dhe dashurisë për vendlindjen.

Çdo varg i shqiptuar prej tyre përcillte një mesazh të fuqishëm: gjuha shqipe jeton dhe do të vazhdojë të jetojë edhe në zemër të diasporës.

Meritë të veçantë për përgatitjen e këtij programi kishin mësueset e përkushtuara Lumnije Emini, Brikena Qafa-Osmani, Fatime Bllaca dhe Antigona Haxhiu, të cilat, me durim, dashuri dhe përkushtim, kishin punuar me nxënësit edhe jashtë orarit të rregullt mësimor.

Puna e tyre dëshmoi se mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një proces arsimor, por edhe një mision i rëndësishëm kombëtar e kulturor.

Në përfundim të paraqitjes, fëmijët falënderuan prindërit dhe të pranishmit, ndërsa salla shpërtheu në duartrokitje të gjata e të merituara.

Valle, këngë dhe tradita shqiptare në skenën festive

Pas paraqitjes së nxënësve të Shkollës Shqipe, programi vazhdoi me Ansamblin “Gëzuar”.

Të veshur me kostume të bukura kombëtare shumëngjyrëshe, valltarët e vegjël u ngjitën në skenë mes duartrokitjeve dhe entuziazmit të publikut.

Vallet tradicionale shqiptare, ritmet karakteristike dhe lëvizjet harmonike krijuan një atmosferë të veçantë, duke sjellë në Gjenevë një pjesë të pasurisë sonë folklorike.

Festës i dhanë gjallëri edhe fëmijët e grupit “Rinia Contact”, të cilët, me energjinë dhe përkushtimin e tyre, e shndërruan sallën në një hapësirë të vërtetë gëzimi dhe bashkimi.

Fëmijë, të rinj dhe të rritur kënduan, vallëzuan dhe duartrokitën së bashku, duke dëshmuar se muzika dhe traditat shqiptare janë ura të fuqishme që lidhin brezat me njëri-tjetrin.

Mesazhe urimi dhe vlerësimi për komunitetin shqiptar

Në pjesën zyrtare të manifestimit, të ftuarit e nderit iu drejtuan të pranishmëve me fjalë përshëndetëse dhe mesazhe urimi për Festën Kombëtare.

Zëvendëskonsullja e Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Diana Cakolli Morina, foli për rëndësinë historike të 28 Nëntorit 1912, duke theksuar vlerën e kësaj date për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.

Këshilltari administrativ i komunës së Vernier-it, z. Mathias Buschbeck, uroi komunitetin shqiptar për festën dhe vlerësoi praninë dhe kontributin e tij në jetën shoqërore e kulturore të Gjenevës.

Presidentja e Qeverisë Kantonale të Gjenevës dhe ministrja e arsimit, znj. Anne Hiltpold, mbajti fjalimin e saj në frëngjisht, duke nderuar këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar.

Një fjalë të veçantë mbajti ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ermal Dredha.

Në përshëndetjen e tij, ai e vuri theksin te gjuha shqipe si lidhja që i bashkon shqiptarët kudo që jetojnë. Ai vlerësoi punën e LAPSH-it dhe të mësueseve të Shkollës Shqipe, të cilat prej vitesh ua mësojnë gjuhën amtare fëmijëve të diasporës, si dhe angazhimin e Liburn Mehmetajt dhe bashkëpunimin me prindërit shqiptarë në Zvicër për këtë qëllim të përbashkët.

Pas fjalimeve, znj. Nerxhivane Ferati recitoi poezinë “Liria”.

Muzika shqiptare i dha shkëlqim mbrëmjes

Programi artistik vazhdoi me Ansamblin “Gëzuar”, i cili solli para publikut valle nga tradita e pasur shqiptare.

Në këtë mbrëmje festive morën pjesë gjithashtu Grupi “Hareja”, “Rinia Contact” me ansamblin “Agimi” nga Prizreni, si dhe rapsodë e artistë të tjerë.

Grupi “Hareja” e hapi mbrëmjen festive duke kënduar Himnin Kombëtar dhe më pas solli para publikut këngët “Djemt e Lumës”, “Albulena” dhe një potpuri këngësh të njohura shqiptare.

Interpretimet e tyre krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe plot gjallëri, duke bërë që festa të vazhdonte me këngë, valle dhe duartrokitje.

Mbrëmjen e mbyllën Gold Band nga Lozana, me Flamur Sherifin dhe këngëtarin e mirënjohur Bardh Ramadanin.

Mirënjohje për studentët shqiptarë – krenaria e komunitetit në Gjenevë

Një moment i veçantë dhe domethënës i kësaj mbrëmjeje ishte ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për studentët shqiptarë që kishin përfunduar studimet gjatë vitit.

Mirënjohjet u ndanë nga kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, z. Nasuf Nuhiu, si shenjë vlerësimi për përkushtimin, sukseset akademike dhe arritjet e të rinjve shqiptarë në fusha të ndryshme të shkencës dhe arsimit.

Studentët e vlerësuar ishin:

  • Mirlinda Ismajli – Master në Shkencat e Edukimit.
  • Ardit Daci – Master në Financë.
  • Gerta Mulaj – Master në Mjekësi Dentare.
  • Mal Bislimi – Master në Financë.
  • Flutura Jashanica – Certifikatë Plotësuese në Arsimin Fillor.
  • Fatjeta Ramadani – Master në Studime Evropiane.
  • Leotrim Ramadani – Master në Shkencat e Gjuhës.
  • Erta Dulahu – Master në Financë.
  • Elira Sylejmani – Master në Farmaci.
  • Jeton Haxha – Master në Financë.
  • Dea Llugiqi – Master në Bioinformatikë.
  • Artina Kastrati – Master në të Drejtën Penale dhe Civile.
  • Gentrit Alija – Master në Analitikë Biznesi.
  • Arijella Hadri – Master në të Drejtën Penale dhe Civile, Specializim në Avokati.
  • Edon Ibrahimi – Master në Shkenca Ekonomike.
  • Lirie Namani – Doktoratë në Shkencat e Edukimit.
  • Milot Qorraj – Master në Financë.

Vlerësimi i këtyre të rinjve përbënte një nga mesazhet më të rëndësishme të mbrëmjes: komuniteti shqiptar në Zvicër nuk dallohet vetëm për ruajtjen e traditave dhe të identitetit kombëtar, por edhe për sukseset e brezave të rinj në arsim, shkencë dhe jetën profesionale.

Arritjet e tyre janë një burim krenarie për familjet shqiptare dhe një shembull frymëzues për fëmijët që sot ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë.

28 Nëntori – një festë që bashkon brezat dhe ruan rrënjët kombëtare

Manifestimi i organizuar në Gjenevë për nder të 28 Nëntorit ishte shumë më tepër sesa një mbrëmje festive.
Ai ishte një dëshmi e gjallë e lidhjes së shqiptarëve me historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre.

Në një sallë ku u bashkuan fëmijët e Shkollës Shqipe, studentët, prindërit, mësuesit, artistët, veprimtarët e shoqatave dhe përfaqësuesit institucionalë, u përcoll një mesazh i qartë: largësia nga atdheu nuk e zbeh dashurinë për të, përkundrazi, e bën edhe më të çmuar përpjekjen për të ruajtur rrënjët tona.

Një mirënjohje e veçantë u takon të gjitha shoqatave organizatore, mësuesve, prindërve, artistëve, të rinjve vullnetarë dhe secilit që kontribuoi në realizimin e kësaj feste.

Në fund, ajo që mbeti në kujtesën e pjesëmarrësve nuk ishin vetëm këngët, vallet dhe duartrokitjet, por sidomos zërat e fëmijëve që recituan shqip, krenaria e studentëve të diplomuar dhe ndjenja e përkatësisë që bashkoi të gjithë të pranishmit.

Sepse kudo që flitet shqip, kudo që valëvitet flamuri kuqezi dhe kudo që fëmijët mësojnë gjuhën e të parëve, aty vazhdon të jetojë shpirti i kombit shqiptar.

Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!

Nexhmije Mehmetaj

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.