NGA IRAKU I VITIT 2003 TE KRIZAT E SOTME: EVROPA, SHBA-JA DHE KRIZAT E SIGURISË GLOBALE!

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Në vitin 2003, kur u mbajt kjo konferencë, rendi ndërkombëtar po përjetonte një nga sprovat më të rëndësishme pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, lufta kundër terrorizmit dhe kriza e Irakut, me regjimin e Sadam Huseinit në qendër të debatit ndërkombëtar, po vinin në provë jo vetëm strategjinë e sigurisë së Shteteve të Bashkuara, por edhe unitetin e aleancës transatlantike. Pikërisht në atë periudhë, qëndrimet e ndryshme të Uashingtonit, Parisit, Berlinit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane për mënyrën e trajtimit të krizës irakiane nxorën në pah dallime të thella në vlerësimin e kërcënimeve, në përdorimin e forcës dhe në rolin e institucioneve ndërkombëtare. Ndërhyrja ushtarake amerikane në Irak nisi në mars të vitit 2003, pas konferencës së 31 janarit, duke e bërë këtë krizë një pikë kthese në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës.

Edhe sot, më shumë se dy dekada më vonë, bota përballet me një realitet të ndërlikuar të sigurisë: luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tensionet në Lindjen e Mesme, terrorizmin, kërcënimet kibernetike, konkurrencën mes fuqive të mëdha dhe pasigurinë mbi të ardhmen e rendit ndërkombëtar. Nëse në vitin 2003 debati përqendrohej te mënyra se si duhej përballuar regjimi i Sadam Huseinit dhe kërcënimet që i atribuoheshin atij, sot sfida është më e gjerë: si të ruhet paqja, të parandalohet përshkallëzimi i konflikteve dhe të mbrohet siguria kolektive në një botë me disa qendra fuqie dhe interesa shpeshherë konkurruese. Vërejtjet e ekspertëve ndaj Evropës kanë ruajtur një pjesë të rëndësishme të aktualitetit të tyre. Në vitin 2003, analistët theksonin asimetrinë e marrëdhënieve transatlantike, hendekun në kapacitetet ushtarake dhe vështirësinë e Evropës për të vepruar me një zë të përbashkët në çështjet e sigurisë.

Sot, këto shqetësime janë rikthyer në një formë të re. Debati nuk lidhet vetëm me aftësinë e Evropës për të mbështetur veprimet e përbashkëta me SHBA-në, por edhe me përgjegjësinë e saj për mbrojtjen e vet, me forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe me ndërtimin e një shtylle evropiane më të fuqishme brenda NATO-s. Analizat e fundit e lidhin këtë debat edhe me pasigurinë mbi nivelin e angazhimit të ardhshëm amerikan në mbrojtjen e kontinentit. Për këtë arsye, rikthimi te analiza e vitit 2003 nuk është thjesht një vështrim retrospektiv. Ai na jep mundësinë të krahasojmë parashikimet dhe shqetësimet e asaj kohe me zhvillimet e sotme, të dallojmë çfarë ka ndryshuar dhe çfarë mbetet ende e pazgjidhur.

Pyetja themelore vazhdon të jetë po ajo: a mund të garantohet siguria ndërkombëtare përmes veprimit të njëanshëm të fuqive të mëdha, apo kërkohet një sistem më i qëndrueshëm bashkëpunimi, me përgjegjësi të ndara, kapacitete të përbashkëta dhe respektim të rendit ndërkombëtar? Pikërisht këtu qëndron edhe aktualiteti i idesë së NATO-s si sistem efektiv i sigurisë së bazuar në bashkëpunim, me një strategji mbrojtëse dhe parandaluese që duhet të përshtatet vazhdimisht me kërcënimet e kohës.

Ju ftoj ta lexoni shkrimin e Prof. Dr. Pajtim Ribaj, i cili është studiues dhe ekspert i çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes, me përvojë në fushën e studimeve strategjike dhe në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ku ka drejtuar Qendrën e Studimeve Strategjike në Shqipëri.
Safet Sadiku


Kol. Prof. Dr. Pajtim Ribaj

Shefi i Qendrës së Studimeve Strategjike, Ministria e Mbrojtjes
(Mbajtur në Konferencën e 8-të të Shoqatës së Atlantikut Verior, më 31 janar 2003)

NATO – SISTEM EFEKTIV I SIGURISË NË BAZË TË BASHKËPUNIMIT,
STRATEGJIA MBROJTËSE DHE PARANDALUESE NË PËRSOSJE

Bota la pas një shekull konfliktesh të hidhura, nga luftërat më të përgjakshme deri te Lufta e Ftohtë, dhe u duk se po hynte tashmë në një epokë pajtimi dhe integrimi. Ndërkaq, sfidat e reja, si lufta në Kosovë dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA, nxorën në pah situata dhe kërcënime të reja, duke diktuar koncepte dhe veprime më të unifikuara. Sistemi i sigurisë së Luftës së Ftohtë u kapërcye dhe po përvijohet një sistem i ri: siguria e bazuar në bashkëpunim, sipas modelit të NATO-s, si një kusht për të arritur përparime të mëtejshme në shoqërinë njerëzore. Gjithsesi, situata ende nxjerr në pah shumë çështje urgjente për komunitetin ndërkombëtar, ndërkohë që Samiti i Pragës u zhvillua me sukses. Disa ekspertë, duke shkruar nga perspektiva evropiane, shpjegojnë se marrëdhëniet transatlantike vuajnë nga fakti se janë asimetrike dhe paralajmërojnë për vështirësitë që SHBA-ja dhe Evropa të veprojnë së bashku si një “Perëndim” i unifikuar dhe koheziv.

Ekspertë të tjerë, nga këndvështrimi i mprehtë amerikan, ndërsa duartrokasin përpjekjet evropiane për unifikimin e të gjithë kontinentit sipas modelit të demokracisë, integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit shumëplanësh, e paralajmërojnë Evropën se nuk duhet ta ndajë veten me mur nga pjesa tjetër e botës. Ndërkaq, kërcënimet e reja po bashkohen dhe po fitojnë mundësi të reja përmes sistemeve moderne të informacionit dhe teknologjisë, duke u mundësuar përdorimin e dhunës në distanca shumë të mëdha. Megjithëse kjo ndarje e dukshme duket se po thellohet tani për shkak të vendimit të SHBA-së për të ndërhyrë në Irak dhe për të rrëzuar S. Huseinin, vlerësohet se kërcënimet e reja, që rrezikojnë interesat e përbashkëta të Perëndimit, sigurinë dhe vlerat e tij, mund të përballohen përmes zbatimit të një agjende të veçantë për përmirësimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës dhe të NATO-s.

Sipas mjaft analistëve, kjo do të mundësojë bashkëpunimin SHBA–Evropë në zhvillimin e luftës globale kundër terrorizmit. Ajo do të motivojë modernizimin e Forcave të Armatosura Evropiane, me synim ngushtimin e hendekut teknologjik që kufizon aftësitë e tyre për të zhvilluar operacione të kombinuara, të përbashkëta dhe në distanca të largëta, në bashkëpunim me SHBA-në. Gjithsesi, tani, pas Samitit të Pragës, aleatët kanë arritur një konsensus më të gjerë për strategjinë mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, me qëllim përgatitjen për t’u përballur me kërcënimet e së nesërmes, duke përfshirë edhe shtetet e “boshtit të së keqes”, shtetet kriminale apo terroristët e armatosur me armë bërthamore. Kjo mundëson, ndër të tjera, funksionimin efektiv të NATO-s si model i sigurisë moderne, pra, i sigurisë së bazuar në bashkëpunim.

Retrospektivë e shkurtër për evoluimin e sigurisë në bazë të bashkëpunimit

Problemet e sigurisë janë bërë prej kohësh fushë përgjegjësie e institucioneve më prestigjioze dhe intrigojnë gjithnjë e më shumë elitat intelektuale të çdo kombi. Gjithsesi, siguria vlerësohet si një koncept mjaft kompleks. Në terma të përgjithshëm, mund të përcaktohet si një “mbrojtje e identitetit”. Në terma të veçantë, bëhet fjalë për një strukturë shumëdimensionale, që tregon shkallën e “mbrojtjes”, duke filluar nga “siguria e brendshme” deri te “siguria globale”, e cila garanton se në çfarë shkalle është i ekuilibruar sistemi ndërkombëtar i sigurisë. Sidoqoftë, konceptet tradicionale të sigurisë nuk rekomandojnë zgjidhje adekuate për problemet e sotme të konflikteve ndërshtetërore dhe të destabilitetit rajonal. Sot, shumë shtete, sidomos në Evropën Perëndimore, janë përqendruar jo aq te problemet e sigurisë dhe të mbrojtjes nga agresori ose frenimi i tij, sesa te ruajtja e stabilitetit të përgjithshëm të rajonit të tyre. Përpjekjet e përbashkëta të këtyre vendeve janë të drejtuara drejt heqjes së mundësive për lindjen e konflikteve. Ato synojnë shpesh atë që quhet “siguria në bazë të bashkëpunimit”.

Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë u shfaqën kaq shumë përcaktime për termin “siguri”, saqë shumë shkencëtarë filluan ta quajnë atë “kuptim i kundërshtueshëm në thelb”, d.m.th., një kuptim me një ngarkesë të tillë, që asnjë argument ose e dhënë nuk mund të çojë përfundimisht në thelbin e rëndësisë së tij. Konfuzioni bazë lidhet jo aq me vetë kuptimin e sigurisë, sesa me temat e vlerave dhe të elementeve sociale, të cilat duhen mbrojtur domosdoshmërisht. Në këtë këndvështrim, siguria mund të përcaktohet si liri që pasqyron vlerat ose, siç ka thënë Arnold Wolfers, siguria mund të formulohet si mungesë e kërcënimit ndaj vlerave të fituara. Sipas hulumtimeve dhe ekspertizave të shumta, përcaktimi i sigurisë në bazë të bashkëpunimit bëhet duke u nisur nga problemet që dalin jashtë kuadrit të kërcënimeve tradicionale. Siguria në bazë të bashkëpunimit është veprimtari ndërshtetërore, e cila realizohet nëpërmjet eliminimit të mundësisë së lindjes ose zbutjes së pasojave të luftës dhe nuk drejtohet kundër një shteti konkret apo një grupi shtetesh.

Termi “siguria nëpërmjet bashkëpunimit” fitoi popullaritet pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Në kuptimin modern, sipas R. Cohen, ky model sigurie përbëhet nga katër rrathë koncentrikë, të cilët përforcojnë njëri-tjetrin: siguria individuale, siguria kolektive, mbrojtja kolektive dhe sigurimi i stabilitetit. Deri tani njiheshin dy nga konceptet e parashtruara: siguria kolektive, që paraqet kushtëzimet e veta politike dhe juridike të shteteve anëtare për të mbrojtur tërësinë e shtetit të veçantë, të cilat kanë nënshkruar marrëveshje përkatëse; dhe mbrojtja kolektive, në kuadrin e së cilës shtetet anëtare janë të detyruara të mbrojnë njëri-tjetrin nga agresioni i jashtëm. Elementet e reja të këtij modeli të sigurisë në bazë të bashkëpunimit janë kushtëzime të përgjithshme, që mundësojnë mbrojtjen e sigurisë individuale dhe forcimin e stabilitetit.
Organizatat ndërkombëtare për realizimin e sigurisë, duke përfshirë Lidhjen e Kombeve, OKB-në, OSBE-në dhe Traktatin e Varshavës, u krijuan mbi bazën e konceptit të sigurisë kolektive dhe të mbrojtjes kolektive. Por organizata e vetme që realisht funksionon në kuadrin e katër rrathëve të modelit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit është NATO-ja.

Koncepti i sigurisë në bazë të bashkëpunimit nuk është një shpikje e re e epokës që nisi pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Në veprat e tij, Immanuel Kant e ka trajtuar këtë ide që nga fundi i shekullit të 18-të. Në artikullin “Drejt paqes së përhershme”, Kanti theksonte: “E drejta ndërkombëtare duhet të formohet në bashkimin federativ të shteteve të lira”. Po kështu, teoria e “Sigurisë Komunitare” e autorit Karl Deutsch të lejon të kuptosh plotësisht shkaqet e formimit të sistemit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit midis disa shteteve. Deutsch dhe kolegët e tij u përpoqën të shpjegonin shkaqet e formimit të komunitetit ndërkombëtar në Evropën Perëndimore menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Këtu ata identifikuan evoluimin e një “sistemi komunitar pluralist”, në të cilin shtetet besonin përgjithësisht në mundësinë e një transformimi paqësor.

Në fillim të viteve ’90, shumë ekspertë të çështjeve strategjike u përfshinë nga një optimizëm në lidhje me atë që, në tërësi, ishte parashikuar si rendi i ri botëror. Termi “siguri në bazë të bashkëpunimit” filloi të përdorej për krijimin e mënyrave sa më të përshtatshme idealiste për përballimin e ndryshimeve të shpejta të situatës ndërkombëtare. Në vitin 1992, tre strategë të shquar amerikanë, Ashton Carter, William Perry dhe John Steinbruner, theksuan se siguria në bazë të bashkëpunimit paraqet një rrugë të re në mbarë botën: “Parime të tilla të fundit si frikësimi, përmbajtja dhe stabiliteti bërthamor shprehin gjendjen e epokës së Luftës së Ftohtë… Siguria në bazë të bashkëpunimit është parimi i realizimit të sigurisë ndërkombëtare në epokën e pas Luftës së Ftohtë”. Në artikullin e vet, të publikuar më 1994 në revistën “Foreign Policy”, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Australisë, Gareth Evans, theksonte se siguria në bazë të bashkëpunimit “parakupton konsultime në vend të konfrontimit, bindje në vend të trembjes, transparencë në vend të sekretit, shmangie në vend të korrigjimit dhe bashkëpunim në vend të veprimeve të veçuara”.

Për fat të keq, këto parashikime morën një sërë goditjesh të rënda si rezultat i përsëritjes së historisë në Ballkan, në disa pjesë të ish-Bashkimit Sovjetik dhe në pika të tjera të planetit.
Sot, në fillim të shekullit të 21-të, termi “siguri në bazë të bashkëpunimit” fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, në një masë të tillë që strategjia dhe politika përpiqen të përpunojnë mënyrën e re të sigurisë në të tashmen e pasigurt dhe në të ardhmen e paparashikueshme.

Siguria në bazë të bashkëpunimit ndryshon nga ideja tradicionale e sigurisë kolektive, ashtu siç ndryshon medikamenti profilaktik nga mjekimi intensiv. Në qoftë se ideja e bashkëpunimit dhe e marrëdhënieve të përbashkëta midis familjeve, fiseve dhe shteteve në paqe dhe, aq më tepër, në kohë lufte, është po aq e vjetër sa vetë njerëzimi, atëherë termat “siguri kolektive” dhe “mbrojtje kolektive” u shfaqën vetëm në shekullin e kaluar.

Organizata e parë e sigurisë kolektive në historinë e re ishte Lidhja e Kombeve, e krijuar pas Luftës së Parë Botërore,⁸ e cila, për një sërë arsyesh, nuk mundi ta kryente detyrën e realizimit të sigurisë dhe stabilitetit. Një nga shkaqet bazë të këtij mossuksesi qëndron në atë që pedagogu i Qendrës “Marshall”, doktor Michael Mihalka, e quan “papajtueshmëri themelore të liberal-demokracisë, fashizmit dhe komunizmit, të cilat ekzistonin në Lidhjen e Kombeve si anëtare të saj”. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, përgjegjësia për sigurinë kolektive kaloi nga Lidhja e Kombeve te OKB-ja.

S’është për t’u habitur nëse themi se OKB-ja ka ndërmarrë dy operacione të suksesshme për realizimin e sigurisë kolektive. Në vitin 1950, OKB-ja veproi efektivisht kundër Koresë së Veriut, megjithëse Bashkimi Sovjetik bojkotoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, u krye operacioni i dytë i suksesshëm nën flamurin e OKB-së, në kuadrin e realizimit të sigurisë kolektive kundër ndërhyrjes së Irakut në Kuvajt, në vitin 1990. Gjatë krizës së Kosovës, më 1999, OKB-ja nuk mori asnjë masë parandaluese kundër Serbisë etj. Gjithsesi, OKB-ja ka kryer një sërë operacionesh për mbështetjen e paqes, të cilat mund të çojnë në forcimin e sigurisë në bazë të bashkëpunimit. Në vitet ’70, për realizimin e sigurisë kolektive praktike të të gjitha vendeve të rajonit, u krijua Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE), e cila sot njihet si Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).

Rezultatet e të dy organizatave mund të quhen të frytshme vetëm pjesërisht. Organizata për realizimin e mbrojtjes kolektive u transformua për nga natyra e saj. Ajo ka për qëllim mbrojtjen e anëtarëve të vet nga agresioni i jashtëm. Në vitet e Luftës së Ftohtë, organizatat e mbrojtjes kolektive u shtuan si kërpudhat. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore u krijuan NATO-ja, BEPI, SENTO, SEATO dhe Organizata e Traktatit të Varshavës. Në kuadrin e sistemit të mbrojtjes kolektive, të gjitha shtetet pjesëmarrëse që i përmbaheshin marrëveshjes merrnin përsipër përgjegjësinë për të dalë në mbrojtje të çdo shteti tjetër pjesëmarrës, që rrezikohej nga kërcënimet ose nga një sulm i mirëfilltë ushtarak nga ana e shteteve që nuk ishin pjesëmarrëse në marrëveshjen në fjalë.

Që të jetë i dobishëm dhe efektiv, sistemi i sigurisë në bazë të bashkëpunimit duhet të përdoret si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë. Pikërisht për këtë, ai duhet të përfshijë edhe dy elemente të reja, krahas sigurisë kolektive dhe mbrojtjes kolektive që parashtruam: së pari, sigurinë individuale dhe, së dyti, realizimin dhe shtrirjen aktive të stabilitetit. Siguria individuale, ose, siç ka rënë dakord ta përcaktojë ish-ministri i Jashtëm kanadez, Lloyd Axworthy, “siguria personale”, është thelbi i çdo sistemi që vepron në fushën e sigurisë ndërkombëtare, mbi bazën e të cilit vendosen idealet liberal-demokratike. Respektimi dhe mbrojtja e lirive bazë individuale janë thelbi që na lejon të përcaktojmë të gjithë formën përbërëse të sigurisë.

Përbërësi i dytë i ri i konceptit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit është përhapja aktive e stabilitetit përtej kufijve të shteteve që përfshihen në këtë sistem sigurie. Mosstabiliteti në rajonet që ndodhen në afërsi ose në hapësira të tjera pranë territorit të sistemit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit, i cili mund të paraqesë kërcënim për sigurinë e anëtarëve të këtij sistemi, përbën në vetvete një rrezik serioz. Rolin e faktorëve destabilizues mund ta luajnë si konfliktet midis shteteve, ashtu edhe shkeljet në masë të sigurisë individuale në shtetet fqinje, siç ndodhi në Kosovë në vitin 1998 dhe në fillim të vitit 1999.

NATO – MODEL I SIGURISË NË BAZË TË BASHKËPUNIMIT

Tashmë jemi të bindur për vlerën e përfundimeve të mjaft analistëve se, për ndërtimin e sigurisë në bazë të bashkëpunimit, është e domosdoshme një strukturë e fuqishme organizative. Në të njëjtën kohë, jemi të bindur për funksionimin e organizatave kryesore drejtuese për realizimin e sigurisë ndërkombëtare, të përbëra nga elemente të sigurisë në bazë të bashkëpunimit (OKB-ja, OSBE-ja, BE-ja, NATO-ja). Në kohën e sotme, analistë dhe politologë argumentojnë se NATO-ja paraqitet si sistemi i vetëm efektiv i modelit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit. Dikush mund të dëshmojë me argumente të forta mangësi në disa nga 26 vendet anëtare të NATO-s (po të llogarisim edhe shtatë anëtarët e rinj të ftuar në Samitin e Pragës) dhe të vërë në dyshim nëse këto janë vërtet liberal-demokraci që kanë realizuar sigurinë individuale në territorin e tyre.

Megjithëse një sërë mangësish tregojnë se ato janë larg idealit, dikush mund të thotë se përdorimi i dënimit me vdekje në SHBA e vë në dyshim përkushtimin amerikan ndaj respektimit të të drejtave të njeriut. Të tjerë mund të flasin për marrëdhëniet e Turqisë me pakicën kurde, për trajtimin e romëve në Republikën Çeke, për veprimet e Britanisë së Madhe në Irlandën e Veriut, pa folur për probleme të tjera në Rumani, Bullgari etj. Gjithsesi, shumica e analistëve janë dakord me faktin se, në këtë botë të papërsosur, shtetet anëtare të NATO-s kanë të drejtë të quhen mbrojtëse të sigurisë individuale, e cila është strumbullari i sistemit të sigurisë nëpërmjet bashkëpunimit. Për shumë vite, NATO-ja e kreu rolin e saj si shembull i organizatës së mbrojtjes kolektive. Gjithsesi, ajo asnjëherë nuk ka qenë një aleancë klasike mbrojtëse, por komponentët politikë të saj u zbehën gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit (dokumenti themeltar i NATO-s) parashikon që mbrojtja kolektive zë vendin kryesor ndër funksionet bazë të Aleancës. Për më tepër, madje gjatë Luftës së Ftohtë, ajo luajti rolin e garantuesit, duke siguruar mbrojtjen e shteteve anëtare të saj nga kërcënimet e mundshme. Kështu, mosmarrëveshjet midis Greqisë dhe Turqisë, për një sërë çështjesh, shpeshherë çuan në rrezikun e një lufte midis dy shteteve. Më shumë se një herë, këshillimet intensive të njëanshme, të dyanshme dhe të shumëanshme brenda NATO-s mundësuan ndërprerjen e konfliktit greko-turk. Shpërthimi i një lufte të tillë do t’i jepte një goditje vdekjeprurëse solidaritetit të anëtarëve të NATO-s dhe do të vinte në rrezik të ardhmen e saj. Në një kontekst më të gjerë, anëtarë si Franca, Danimarka, Belgjika, Holanda, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe kishin mendime jo të njëjta, të cilat rrezikonin lindjen e konflikteve midis këtyre shteteve, përderisa në të kaluarën konfliktet midis tyre kishin ndodhur shpesh.

Lufta e “tregjeve të peshkimit”, e cila u zhvillua disa herë ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s (Britanisë së Madhe, Islandës, Kanadasë dhe Spanjës), asnjëherë nuk u shndërrua në një kërcënim serioz për shpërthimin e konflikteve të armatosura. Në këtë mënyrë, për gjatë 50 vjetëve, Aleanca faktikisht luajti rolin e organizatës për realizimin e sigurisë kolektive. Në periudhën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, NATO-ja ndërmori përpjekje energjike në kuadrin e përbërësit të katërt të sigurisë në bazë të bashkëpunimit: realizimin e stabilitetit në shtetet kufitare me vendet anëtare të NATO-s. Për stimulimin dhe sigurimin e stabilitetit, Aleanca përdori si mekanizma organizativë, ashtu edhe praktikë. Si shembuj të strukturave organizative të krijuara nga NATO-ja për sigurimin e stabilitetit në kufijtë e shteteve anëtare mund të përmendim:

– Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut, i pasuar nga Këshilli i Partneritetit Euro-Atlantik;
– Këshillin e Përhershëm NATO–Rusi, të cilin edhe Samiti i Pragës e vlerësoi si arritje të dukshme, veçanërisht pas takimit historik të Romës. Nëpërmjet këtij këshilli, vendet e NATO-s dhe Rusia punojnë si partnerë të barabartë në marrjen e vendimeve në fusha të tilla, si paqeruajtja, reformat e mbrojtjes, kufizimi i prodhimit, përdorimi dhe shpërndarja e ADM-ve, operacionet e kërkim-shpëtimit etj.;
– Komisionin e Përbashkët NATO–Ukrainë, për të cilin Samiti i Pragës kërkoi nxitjen e zbatimit të reformave të nevojshme, si dhe forcimin e masave për kontrollin e eksporteve;
– Dialogun Mesdhetar, sepse siguria e Evropës është e lidhur me sigurinë dhe stabilitetin në Mesdhe. Për këtë arsye, në Samitin e Pragës u theksua nevoja për ta forcuar më tej bashkëpunimin me vendet e Mesdheut dhe ndërveprimin taktik, duke përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit.

Në konceptin e ri strategjik të NATO-s, të miratuar në Samitin e Uashingtonit në prill 1999, administrimi i krizave mori statusin e “detyrës së shkallës së parë në fushën e realizimit të sigurisë”. Koncepti i administrimit të krizave e vuri NATO-n në provë për aftësinë e saj për të ruajtur stabilitetin në periferinë e Aleancës. Administrimi i krizave përfshin edhe operacionet për ndërprerjen e konflikteve (diplomaci aktive dhe dislokim parandalues të forcave të armatosura), si dhe reagimin ndaj krizave, si në rastet e Bosnjës dhe të Kosovës.

Në këtë këndvështrim, rasti i “Ballkanit” është vënë në fokus nga mjaft analistë si shembull i sigurisë në bazë të bashkëpunimit në vijën e zjarrit. Fushata ajrore në Jugosllavi, misionet humanitare të udhëhequra nga NATO-ja në Shqipëri dhe Maqedoni, misioni i KFOR-it në Kosovë dhe ai i SFOR-it në Bosnjë – të gjitha këto operacione ishin përpjekje të koordinuara për vendosjen e stabilitetit në këtë rajon të vështirë të Evropës. NATO-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare morën përsipër përgjegjësi afatgjata për sigurimin e stabilitetit në Ballkan. Nëse përpjekjet për stabilizimin e situatës në Bosnjë dhe Kosovë shtohen dhe rezultojnë të suksesshme, kjo do ta fuqizojë seriozisht NATO-n si model të sigurisë në bazë të bashkëpunimit.

Gjithsesi, edhe Samiti i Pragës evidentoi se NATO-ja dhe BE-ja ndajnë interesa të përbashkëta strategjike, duke nxjerrë në pah bashkëpunimin në Ballkan. Veç të tjerash, ngjarjet e 11 shtatorit kërkojnë bashkëpunim dhe transparencë më të plotë midis këtyre dy organizatave. Në këtë kuadër, Samiti vlerësoi rolin jetik të NATO-s për krijimin e një mjedisi sigurie në rajonin e Evropës Juglindore, duke shprehur gatishmërinë e saj për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me partnerët në SFOR dhe KFOR, si dhe me OKB-në, BE-në, OSBE-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Administrimi i krizave, procesi i zgjerimit të NATO-s, programi i PFP-së dhe nismat e ADM-së u bënë mekanizmat kryesorë të përhapjes së stabilitetit jashtë zonës tradicionale të përgjegjësive të NATO-s, siç ishte përcaktuar fillimisht në nenin 6 të Traktatit të Uashingtonit. Megjithëse zyrtarisht NATO-ja u krijua si organizatë e Mbrojtjes Kolektive, Aleanca dhe anëtarët e saj realizojnë në fakt sigurinë e qytetarëve të tyre, sigurinë kolektive të shteteve anëtare dhe mbështetjen e stabilitetit në kufijtë e territorit të NATO-s. Dëshmi për këtë janë një numër i madh programesh të përbashkëta, nismash dhe veprimesh për menaxhimin e krizave, të tilla si Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë etj. (Shih grafikun: modeli i Richard Cohen.)

Gjeopolitikë e ndryshuar me forca dhe rreziqe të reja

Kërkimet komplekse në fushën e sigurisë evropiane, nga koha në kohë, shoqërohen me debate të zjarrta, të cilat u japin politikanëve impulse drejt të rejave. Me fillimin e luftës në Kosovë dhe kryerjen e fushatave ajrore të NATO-s, në të cilat rol kryesor patën Forcat Ajrore të SHBA-së, diskutimet e hershme për perspektivat e zhvillimit potencial mbrojtës të Evropës u ndezën me një forcë të re. Sot, çështja qëndron ende sfiduese midis “politikës gjithëevropiane në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes” dhe ruajtjes së fuqisë së Aleancës Atlantike. Ndërkohë, SHBA-ja, në nivel zyrtar, mbështet planet evropiane, megjithëse përpiqet të mënjanojë mundësitë negative të pasojave “tre D: dublim, dezintegrim, diskriminim”.¹¹ Në Helsinki (dhjetor 1999), shtetet anëtare të BE-së morën përsipër një sërë përgjegjësish për arritjen e “qëllimeve bazë” në fushën ushtarake. Në vitin 2003, BE-ja duhet të zotërojë mundësinë e krijimit të deri në 15 brigadave (d.m.th., 50–60 mijë njerëz).

Këto forca duhet të zotërojnë aftësi për dislokim të shpejtë, brenda një harku kohor prej 60 ditësh, dhe për përmbushjen e detyrave të ngarkuara në vendet e dislokimit, për një periudhë minimale prej një viti. Helsinki është dëshmitar i ndryshimeve rrënjësore të qëndrimeve të shteteve evropiane ndaj çështjes ende delikate të përpunimit të politikës së përbashkët evropiane në fushën e mbrojtjes. Nuk duhet harruar se, vetëm 10 vjet më parë, diskutohej nëse “ishte e mundur” që futja e një monedhe të njësuar evropiane të bëhej realitet, ndërsa në vitin 2000 diskutohej se si mund të sigurohej suksesi i kësaj valute. Një kalim analog nga “a është e mundur” te “si” është realizuar edhe në debatet lidhur me çështjen e krijimit të sistemit të mbrojtjes, pasi “Kosova” theu shumë paragjykime tradicionale kundër ekzistencës së operacioneve të përbashkëta ushtarake evropiane.

Menjëherë pas ngjarjeve të 11 shtatorit, NATO-ja vuri në veprim nenin 5 të Traktatit të saj. Ajo drejtoi në SHBA avionë dhe sisteme pajisjesh radiolokative (AWACS), për ta ndihmuar Amerikën të mbronte hapësirën e saj ajrore; dërgoi anije të FUD-it për patrullimin e pjesës lindore të Detit Mesdhe, zgjeroi marrjen e të dhënave të zbulimit informativ, aktivizoi veprimet e organeve përkatëse dhe mori vendime për të kryer rishikimin e sistemit të MCR-së. Kur Forcat e Armatosura të SHBA-së filluan veprimet luftarake në Afganistan, atyre iu bashkëngjitën trupat luftarake të Anglisë dhe Turqisë. Vende të tjera gjithashtu ofruan ndihmë, ndërsa NATO-ja vuri në dispozicion të SHBA-së infrastrukturën e vet.

Më vonë, disa shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, dërguan trupat e veta në operacionet shumëkombëshe të vendosjes së paqes në Afganistan etj. Megjithëse pas 11 shtatorit NATO-ja pati një rol të dobishëm, por aspak qendror, ajo luajti një rol të rëndësishëm, të cilit shpesh duhet t’i tërhiqet vëmendja. Vite të gjata bashkëpunimi intensiv dhe efektiv politiko-ushtarak midis shteteve anëtare të NATO-s, vendeve të Evropës Qendrore dhe të Azisë Qendrore, në kuadrin e Këshillit të Partneritetit Euroatlantik, lehtësuan ndjeshëm krijimin e koalicionit të domosdoshëm për ndërmarrjen e masave adekuate në përgjigje të ngjarjeve të 11 shtatorit. Përveç kësaj, pjesëmarrja në formacionet e Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë, të cilat krijuan rendin dhe sigurinë në Kabul dhe në rrethinat e tij në janar 2002, ishte për vendet evropiane një detyrë relativisht e thjeshtë, pasi ato mund të mbështeteshin në përvojën e vendeve anëtare të NATO-s në kryerjen e operacioneve të përbashkëta.

Përveç kësaj, në NATO ishte qendra përgjegjëse për ADM-në, e cila kujdesej për mbrojtjen e popullsisë civile dhe ushtarake nga sulmet bërthamore, kimike dhe bakteriologjike. Të gjithë këta faktorë patën një rol të rëndësishëm pozitiv, të cilin nuk duhet ta injorojmë. Ky kërcënim është parë si një pikënisje e re për t’i mbajtur marrëdhëniet ndëreuroatlantike të forta, duke zgjidhur nyjat që kanë ekzistuar në të shkuarën. U sugjerua që NATO-ja mund të luante një rol qendror në luftën kundër terrorizmit.

“Koalicioni permanent, më efektiv dhe më i madh i botës do të jetë qendra e përgjigjes kolektive të komunitetit ndërkombëtar ndaj terrorizmit, si tani, ashtu edhe në periudhën afatgjatë”, argumentoi Lordi Robertson.

Për këtë, ai iu referua kapaciteteve të veçanta të NATO-s (ndërveprimit, stërvitjes së përbashkët, mjeteve kompatibile të komunikimit dhe të logjistikës që disponojnë strukturat ushtarake të NATO-s) dhe sugjeroi se “për momentin, NATO-ja është më e mira – me të vërtetë, i vetmi lojtar në qytet”. “Sigurimi Evropian i BE-së dhe Politika e Mbrojtjes janë në fazat e hershme të zhvillimit”, deklaroi Lordi Robertson, “kurse OKB-së dhe OSBE-së u mungojnë përbërja, forca, kohezioni i veçantë dhe shpejtësia që ka NATO-ja”.

Dihet se terrorizmi do të jetë kërcënimi kyç i shekullit të 21-të. Duke llogaritur karakterin global të terrorizmit, edhe përgjigjet e NATO-s duhet të jenë globale. NATO-ja dhe anëtarët e saj duhet të zgjerojnë përgjegjësinë e tyre si bazë e domosdoshme e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në mënyrë që ta bëjnë atë instrumentin kryesor për zhvillimin e rolit të Forcave të Armatosura, me qëllim ndërmarrjen e veprimeve vendimtare për eliminimin e terrorizmit. Madje, Robertsoni përcaktoi fushat në të cilat NATO-ja mund të luajë një rol të tillë:

– Përcaktimi dhe shpallja në kohën e duhur e kërcënimeve terroriste.
– Mbrojtja e objekteve të infrastrukturës civile dhe ushtarake, si dhe mbrojtja e popullsisë.
– Eliminimi i pasojave të mundshme të sulmeve të ardhshme terroriste.

Ky program ambicioz mund të merret në konsideratë dhe të realizohet me qartësi, nëse NATO-ja duhet të dalë përtej kufijve të kompetencave të veta dhe t’u japë goditje parandaluese burimeve të mundshme të kërcënimeve, të cilat po shfaqen gjithnjë e më shumë.

Por, edhe pas 11 shtatorit, NATO-ja nuk është plotësisht e lirë dhe gjithmonë e shpejtë për ta luajtur rolin e saj në realizimin e sigurisë transatlantike në kushtet e reja politike.

Operacionet ushtarake në Afganistan treguan se si mund të zhvillohen luftimet e ardhshme: reparte speciale komando, me ndihmën e kompjuterëve portativë, të teknikës lazer dhe të telefonave satelitorë, përcaktojnë vendndodhjen e objektivave, të cilët, pas gjysmë ore, asgjësohen nga bombarduesit B-1, B-2, B-52 ose nga aviacioni gjuajtës. Në rastet e domosdoshme, komandot mund të lëvizin me kuaj, çka ilustron rëndësinë dhe mprehtësinë e forcave të armatosura në skenarët e luftës së ardhshme.

Në Afganistan, forcat e armatosura amerikane provuan më shumë se 30 teknologji të reja ushtarake.¹² Në këtë numër përfshihej edhe aeroplani pa pilot “Predator”, të cilit iu desh të asgjësonte objektivin e vet (tankun) me raketa “Hellfire”. Gjatë operacioneve u përdorën bomba termobarike dhe armë të tjera, të cilat përkohësisht i nxjerrin forcat e gjalla të armikut nga strehimi.

Evropa qëndron përballë faktit: modernizim ushtarak apo margjinalizim?
Dhe, ndërsa zhvillohet revolucioni në çështjet ushtarake në Amerikë, edhe pse SHBA-ja do të luajë rolin e liderit në fushën e realizimit të sigurisë, nuk mund ta përmbushë këtë rol për një kohë të gjatë e vetme. Duke qenë institucioni kryesor i Evropës për realizimin e sigurisë, NATO-ja është instrumenti i natyrshëm që duhet ta ndihmojë Evropën të japë kontributin e vet. Duke iu referuar ngjarjeve të 11 shtatorit, vendimit për zbatimin e nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit dhe duke u bazuar në Konceptin Strategjik të NATO-s, Samiti i Pragës¹³ miratoi një paketë masash të gjithanshme, me synim fuqizimin e aftësive të NATO-s për përballimin e rreziqeve dhe sfidave të sigurisë së territoreve, popullsisë dhe forcave të saj, nga çdo drejtim që mund të vijnë ato. Ndër vendimet më kryesore mund të veçojmë:

– Krijimin e Forcës së Reagimit të Shpejtë, në përbërje të së cilës do të jenë forca me armatim dhe teknikë të teknologjisë së lartë, të manovrueshme, të afta për lëvizshmëri dhe dislokim të shpejtë, të ndërveprueshme dhe vetëmbështetëse. Kjo forcë do të përfshijë elemente të të gjitha shërbimeve dhe do të dislokohet në mënyrë të shpejtë, kudo që të jetë e nevojshme, sipas vendimeve të Këshillit të Atlantikut të Veriut. Kjo forcë do të synojë arritjen e kapaciteteve fillestare operacionale sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se tetori i vitit 2004, ndërsa aftësitë e saj të plota operacionale jo më vonë se tetori i vitit 2006.

– Krijimin e një strukture të re të komandimit ushtarak, e cila do të forcojë më tej lidhjet transatlantike. Ajo do të përbëhet nga dy komanda strategjike: njëra operacionale (e vendosur në Belgjikë, Evropë) dhe tjetra funksionale (e vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

– Miratimin e Angazhimeve të Pragës për Kapacitetet Ushtarake (Prague Capabilities Commitment – PCC), si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Aleancës për përmirësimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake për luftën në mjedisin e rreziqeve me intensitet të lartë.

– Miratimin e konceptit ushtarak për luftën kundër terrorizmit, si pjesë të paketës së masave për fuqizimin e kapaciteteve të NATO-s në këtë drejtim. Ky koncept përfshin gjithashtu shkëmbimin e të dhënave të zbulimit dhe marrëveshjet për përgjigjen ndaj krizave. Aleanca u zotua që, në bashkëpunim me partnerët e saj, të vërë plotësisht në jetë planifikimin e emergjencave civile.

– Miratimin e fillimit të zbatimit të pesë nismave të mbrojtjes nga armët bërthamore, biologjike dhe kimike, të cilat do të fuqizojnë më tej kapacitetet mbrojtëse të Aleancës kundër armëve të shkatërrimit në masë.
– Shqyrtimin e varianteve që lidhen me rreziqet në rritje të përdorimit të raketave kundër territoreve të Aleancës, forcave të saj dhe qendrave të populluara dhe, mbi këtë bazë, gjetjen e rrugëve efektive nëpërmjet angazhimit të përpjekjeve të përbashkëta të faktorëve politikë dhe ushtarakë.

Megjithëse këto vendime kërkojnë kohë dhe masa për zbatimin e tyre, mjaft analistë, para Samitit të Pragës, rekomanduan agjenda të veçanta për përmirësimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës dhe të NATO-s. “Kërkohen forca të reja të armatosura për zgjidhjen e detyrave të reja”, shkruan R. U. Kugler.¹⁴ Forcat e armatosura evropiane janë më të mëdha e më të fuqishme nga sa mendohet zakonisht. Numri i efektivëve që ndodhen në shërbim të detyrueshëm ushtarak arrin në 2,4 milionë njerëz, kurse shpenzimet e përgjithshme për mbrojtjen kapin shifrën e 150 miliardë dollarëve amerikanë në vit. Por disa nga detyrat kryesore mbeten ato tradicionale, sepse këto forca zotërojnë mundësi të kufizuara për transportime të shpejta dhe për dhënien e goditjeve shkatërruese ndaj burimeve të reja të kërcënimeve.

Realizimi i nismës për përforcimin e potencialit të mbrojtjes do të jetë një program i rëndësishëm i Forcave të Armatosura Evropiane, të gatshme për dislokim të shpejtë dhe kryerjen e operacioneve të teknologjisë së lartë, së bashku me Forcat e Armatosura të SHBA-së. Si fillim, NATO-ja mund të krijojë disa “forca të armatosura goditëse” evropiane, grupime të bashkuara me efektshmëri të lartë, me përbërje prej 25–50 mijë njerëzish. Këto forca duhet të zotërojnë gatishmëri të lartë dhe të sigurojnë transportimin e tyre dhe të mjeteve materiale-teknike për dislokim brenda disa ditëve. Ky grupim i përparuar duhet të ketë në dispozicion armatim bashkëkohor me shpejtësi të lartë, të domosdoshëm për sigurimin e operacioneve të përbashkëta me Forcat e Armatosura të SHBA-së dhe për kryerjen e operacioneve goditëse efektive.

Këto forca mendohet të trajtohen si një strukturë e fuqishme e “forcave strategjike të reagimit të NATO-s”, të cilat mundësojnë likuidimin e kërcënimeve dhe zgjidhjen e detyrave të epokës së re, duke përfshirë gjithnjë e më shumë hapësira të mëdha larg Evropës. Ato mund të ndihmojnë Forcën e Reagimit të Shpejtë të BE-së, duke forcuar dhe rritur bashkëpunimin midis BE-së dhe NATO-s. Sipas mjaft analistëve, krijimi i kësaj force goditëse do të mundësonte arritjen e tre objektivave strategjikë kyç:

– Thyerjen e kërcënimeve;
– Forcimin e marrëdhënieve transatlantike;
– Stimulimin e BE-së, duke ruajtur, në të njëjtën kohë, shëndetin dhe zhvillimin e NATO-s.
Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar mbetet pika kyçe në agjendën perëndimore të sigurisë. Por, përballë rrezikut kryesor që mund të vijë nga ekstremistët me pajisje bërthamore, “Perëndimi” duhet të jetë dhe të mbetet një bllok koheziv.

Zgjidhja e shumë problemeve të sotme globale kërkon një kombinim të kujdesshëm të instrumenteve të sigurisë Hard dhe Soft.¹⁵ Përndryshe, instrumenti i vetëm që do të na mbetet do të jetë çekiçi, duke bërë që problemet të na duken si gozhdë. Forca ushtarake pa një strategji politike dhe diplomatike është edhe më e keqe dhe mund të krijojë më shumë probleme sesa të zgjidhë. Por edhe një diplomaci e pambështetur nga kërcënimi i përdorimit të forcës nuk mund të jetë efektive, siç tregon, për shembull, rasti i Jugosllavisë. Fuqia ushtarake është e domosdoshme, jo vetëm sepse disa probleme janë “gozhdë” (Millosheviçi, Bin Ladeni etj.), por edhe sepse, duke e mbajtur forcën ushtarake në gatishmëri, mund të frenohen një numër problemesh të rrezikshme. Në fund të fundit, paqja dhe siguria që gëzojnë demokracitë e botës nuk ruhen vetvetiu. Paqja varet edhe nga lloji i kapacitetit ushtarak. “E drejta pa forcën është dobësi; forca pa të drejtën është e padrejtë”, ka shkruar dekada më parë sociologu spanjoll Ortega y Gasset.¹⁶

Sfida kryesore e Evropës mbetet një transformim “i vetvetes”, nga një quantité négligeable në një partner serioz të SHBA-së. Për këtë, ajo duhet të përmirësojë kapacitetet Hard të sigurisë. Problemet bashkëkohore në fushën e sigurisë diktojnë domosdoshmërinë e zgjerimit dhe të përdorimit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit. SHBA-ja dhe Evropa kanë hyrë në një epokë të re, me probleme të vështira në fushën e sigurisë. Po ndodhin transformime të mëdha, por një gjë mbetet e pandryshuar: domosdoshmëria e bashkëpunimit SHBA–Evropë. Ky bashkëpunim u lejoi atyre të siguronin fitoren në Luftën e Ftohtë dhe do të mbetet receta më e shkëlqyer për zgjidhjen e problemeve të shekullit të 21-të.¹⁷ Në këtë drejtim, NATO-ja, si model i sigurisë në bazë të bashkëpunimit, mbetet e pazëvendësueshme. Bota është në proces ndryshimi. Po ku do të na çojë? “Udhëtar, – thotë një proverb spanjoll, – nuk ka rrugë. Rrugët krijohen duke ecur.”
Ju faleminderit!

Referencat
1. R. Cohen, M. Mihalka, Biezaapasnost Na baze Sotrudnjicestva, European Center for Security “G. Marshall”, Gjermani, 2002, fq. 43.
2. Arnold Wolfers, “National Security as an Ambiguous Symbol”, Political Science Quarterly, Vol. 67, No. 4, December 1952, p. 485.
3. R. Cohen, M. Mihalka, vepër e cituar.
4. Connection. The Quarterly Journal, Tom 1, nr. 1, January 2002, fq. 23.
5. Karl Deutsch, Political Community and the North Atlantic Area, Princeton: Princeton University Press, 1957.
6. R. Cohen dhe M. Mihalka, vepër e cituar; Ashton B. Carter, William J. Perry dhe John D. Steinbruner, A New Concept of Cooperative Security, Washington, DC: The Brookings Institution Press, 1993.
7. Po aty.
8. Këto përpjekje vijnë që nga “Koncerti i Evropës”, i quajtur me këtë emër në mbështetje të Traktatit të Vjenës të vitit 1815, në përfundim të luftërave napoleonike. Sipas analistëve, “Koncerti Evropian” paraqet përpjekjen e parë reale për krijimin e sistemit të sigurisë në bazë të bashkëpunimit.
9. Dr. M. Mihalka, pedagog në “G. Marshall” European Center for Security, i specializuar për studimet e Evropës Juglindore.
10. R. Cohen, M. Mihalka, vepër e cituar, fq. 11.
11. Daniel N. Nielsen, “Au-delà d’une planification de la défense”, Connection, Vol. 1, nr. 2, avril 2002, fq. 113. Shih edhe revistën Mbrojtja, nr. 11/12, Tiranë, 2001, artikulli: “Botime me vlerë të Qendrës Marshall”.
12. Për më gjerë, shih edhe revistën Science & Vie, janvier 2002, fq. 41–47.
13. Prague Summit Declaration, nato.int/docu/pr/2002/p02-127e.htm.
14. Peter Van Ham dhe R. L. Kugler, Western Unity and the Transatlantic Security Challenge, G. Marshall, 2002, fq. 6.
15. Për më gjerë, shih “Debate: Is Military Power Still the Key to International Security?”, NATO Review, “Reforming Military”, 14.01.2003.
16. De Officio – Zu den ethischen Herausforderungen des Offizierberufs, fq. 260.
17. Peter Van Ham dhe R. L. Kugler, vepër e cituar, fq. 53.

Artikulli përpara

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit