14.9 C
Tirana
E premte, 23 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Imzot Preng Doçi – Apostull i Rilindjes Kombëtare dhe veprimtar i çështjes...

Imzot Preng Doçi – Apostull i Rilindjes Kombëtare dhe veprimtar i çështjes shqiptare

0
Preng Doçi
Gjon Marku
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

Shprehje e vitalitetit dhe e fisnikërisë së një populli ose e një bashkësie shoqërore, sado e vogël, janë, ndër të tjera, edhe njerëzit e mëdhenj, “burrat e dheut” që dalin nga gjiri i këtij truall. Njerëzit e mëdhenj nuk lindin në një vend bosh, pa trashëgimi të traditës. Kjo mund të thuhet, pa e tepruar, për rilindasit e mëdhenj të kombit tonë dhe, ndër ta, për të përndriturin Imzot Preng Doçi.

Për Preng Doçin janë dhënë vlerësime të ndryshme. Disa e kanë quajtur “më i madhi personalitet në Shqipëri” dhe “më i madhi atdhetar”1, ndërsa të tjerë e kanë radhitur me klerikët reaksionarë.2

Kolosi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta, me rastin e vdekjes së Imzot Doçit, ka thënë: “Nuk është kund një skaj Shqipnije, ku burrat e mëdhenj e të kulluarit nuk e kanë dijtë e përmendë këtë emën.”3 Sipas tij, mendja e kthjellët, vullneti i fortë e i papërkulur në punë të mira, fjala e rrjedhshme e ambël, burrëria dhe sjellja bujare e kanë bërë Doçin të çmohej nga të gjithë shqiptarët e mëdhenj si një ndër burrat më të parë të kohës sonë.

Po kështu, duke vlerësuar përmasat e veprimtarisë së tij, Fishta ka shprehur mendimin se edhe një studiues që do të merrej me jetën dhe veprën e Doçit do të gjente material të mjaftueshëm për të mbushur faqet e botimeve të mëdha evropiane.

Ky vlerësim tregon se kemi të bëjmë me një personalitet, veprimtaria e të cilit nuk kufizohet në historinë kishtare të Mirditës, por duhet parë në kuadrin e zhvillimeve politike, arsimore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Doçi, si burrë i shquar i lëvizjes sonë kombëtare, krahas detyrës në shërbim të përparimit qytetërues të fesë, iu kushtua gjerësisht veprimtarive të ndryshme në shërbim të kombit dhe u radhit në vargun e apostujve të mëdhenj të shqiptarizmës. Ai mësoi shumë nga shkolla, nga librat dhe nga përvoja e fituar nëpër botë. Ishte njeriu i shëtitjeve dhe i shërbimeve në tre kontinente: jo vetëm në Evropë, por edhe në Indinë e largët, pra në Azi, dhe në Amerikë. Autorë të huaj e shqiptarë që e kanë njohur nga afër kanë thënë se ai ishte ndër shqiptarët e kulturuar më të shëtitur e më të ditur të kohës së tij. Duhet theksuar, megjithatë, se tradita popullore e malësive shqiptare qe për të një ushqim shpirtëror i pazëvendësueshëm. Veprimtaria e tij kulturore dhe atdhetare, si dhe shkrimet e tij, janë të frymëzuara nga kjo traditë.

Mirditorët krenoheshin me abatin e tyre, sepse ai respektonte normat dhe zakonet mirditore, por njëkohësisht, me autoritetin e tij, kishte mundur t’u hiqte disa zakone të këqija. Ai organizoi kuvende, kërkoi rreptësi ndaj martesave të paligjshme dhe hoqi zakonin e bekimit të shtëpive disa herë në vit, duke e kufizuar vetëm një herë.4

Populli e ka nderuar Imzot Doçin mbi të gjithë si patriot e atdhetar të flaktë. Nga respekti që kishte për të tregohet se, kur u përhap fjala se Doçi do të arrinte në kuvendin françeskan të Rubikut, u mblodhën njerëz nga familjet e Bulgrit e të Kryezezit, u rënë këmbanave të kishës dhe populli qëlloi me pushkë në shenjë gëzimi. Ishte një pritje madhështore, që populli i bëri këtij atdhetari.5

Mbështetja në traditat popullore shqiptare është një veçanti e dukshme e shkrimeve të rilindasve tanë; ajo shërbente si arsyetim i një të drejte historike të ligjshme të popullit shqiptar për çlirim e zhvillim kombëtar të pavarur. Trajtimi i posaçëm i çështjeve të kulturës së traditës lidhet para së gjithash me karakteristikat etnopsikologjike të bashkësisë kombëtare, me lashtësinë e saj autoktone, me unitetin etnokulturor mbarëkombëtar, me shkallën e zhvillimit të saj dhe me aftësitë për t’u vetëzhvilluar e vetëqeverisur. Në sqarimin e këtyre çështjeve synonin edhe rilindasit tanë të pavdekshëm, ndër ta edhe Preng Doçi, i përkushtuar ndaj atdheut, kur përdornin në shkrimet e tyre materiale të kulturës popullore tradicionale.

Hyrja e shoqërisë shqiptare në epokën e Rilindjes Kombëtare shënonte, nga ana shoqërore, ndërgjegjësimin për shembjen e organizimit shoqëror të pushtuesit dhe të mentaliteteve mesjetare, si dhe zhvillimin e një shoqërie borgjeze progresiste kombëtare. Kjo shoqëri, në rrugën e shndërrimeve të thella, zotëronte një trashëgimi kulturore që, pavarësisht nga ngjashmëritë me popujt e tjerë të Ballkanit e më tej, dallohej qartë për individualitetin e saj etnik. Këtë individualitet e kanë vënë në dukje në veprat e tyre edhe studiues të huaj seriozë e objektivë, si Boué, Hahn, Burcata, Durham, Nopcsa e të tjerë. Një prej tyre e ka përcaktuar si “individualitet këmbëngulës i shqiptarëve… zanafilla e të cilit humbet në errësirën e kohëve… dhe me tipare të përgjithshme mjaft të përcaktuara”. Pikërisht ky realitet historik etnokulturor duhej ndriçuar për ndërgjegjësimin e popullit, por edhe përpara botës. Këtë detyrë e përmbushën me atdhedashuri sublime rilindasit, ndër ta edhe Doçi ynë.

Tradita popullore e vendlindjes, por edhe e viseve të tjera shqiptare, u bë një ushqim shpirtëror me vlerë për veprimtarinë kulturore e atdhetare të Doçit. Edhe kur ishte në shërbim në Indinë e largët, ky personalitet shqiptar shkroi e botoi në revistat arbëreshe dhe të mërgimtarëve shqiptarë punime me natyrë historiko-etnologjike, siç është trajtesa “Topografia e Lezhës”, si dhe poezi atdhetare me frymë popullore e me frazeologji të pasur nga gurrat poetike të banorëve të maleve.

Në këtë punim, të shkruar më 1884, Doçi jep të dhëna etnologjike për Lezhën e kohës dhe për jetën e saj më të hershme ekonomiko-shoqërore e kulturore. Ai shkruan: “Heret Drini rrihte muret e Lezhës; barka të mëdha vijshin prej detit me mallë. Ka qenë edhe shehër i madh e i bukur, i fortë për luftë e i thanun (i përmendur) për reshpëri (tregti)”… “Heret varoshët e Lezhës ishin me namë për kopështiet e për bahçet e rehatshme, për vneshtat, për pemët e bimët të pashme që e lezetojshin (e zbukurojshin)”. Ai jep të dhëna edhe për popullsinë e Lezhës e të viseve të saj: Merçia kishte mbi 100 shtëpi të krishtera, ndërsa oxhaku i përmendur i Mëlikës në Verosh të Lezhës, i ardhur nga Lura, ishte shtëpia më në zë e qytetit. Kalanë e Lezhës e quan “Dryni i Shqypnisë së Epërme”. Në sarajin e Zotnisë, thotë Doçi, mbi çemerin e derës ishin të gdhendur dy gjarpërinj mermeri e mbi ta një fytyrë burri e një fytyrë gruaje me rreth drite mbi krye dhe me shkronja greke poshtë; aty ishin gdhendur edhe një luan dhe një shqiponjë që mbante në kthetra një gjarpër. Të gjitha këto janë dëshmi të rëndësishme të kulturës sonë tradicionale, të ruajtura në rrjedhë të shekujve.

Si përshkrim krahinor, ky autor e përcakton Malësinë e Lezhës si pjesë të Mirditës, dhe në pikëpamje etnologjike ka të drejtë.

Duke u nisur nga emërtimet popullore, në shumë shkrime të tij Doçi përdor fjalën “dhe” për krahinë a për atdhe, ashtu siç e ndeshim në traditën popullore e në të drejtën kanunore, dhe siç dëshmohet edhe te arbëreshët e Italisë e arbërorët e Greqisë: Dheu i Arbërit, Dheu i Lumës, Sullet e Dheut të Lurës, Burrat e dheut etj. Ky term etnologjik flet për shtrirje të vjetra mesjetare të një popullsie arbërore sedentare.

Për të treguar vjetërsinë e organizimeve krahinore të vendeve, të krahinave dhe të fshatrave, Doçi herë pas here jep edhe etimologjinë e tyre: Molungu nga Mons longus (mal i gjatë), Bulgëri nga Pulkex (vend i bukur), Oresh nga Aggio Oreos, që në greqishten e vjetër do të thotë “Mali i Shenjtë”. Kjo vjen në mbështetje të toponimeve të ndryshme, si: Nënshejti, Mali i Shejtë, Luji i Shejtë, Shkalla e Shejtit, Mulli i Shejtit etj. Ndonëse nuk ishte specialist gjuhësie, në disa raste etimologjitë e shpjeguara prej tij duken të drejta.

Në shkrimet letrare e publicistike, në stilin e tij, ka shumë frazeologji popullore, fjalë të urta, humor popullor dhe mënyra të shprehuri popullore. Të tilla janë fjalët e urta: “Mos ja ban se të bajnë e ta teprojnë”, “Pvet një qind vetë e ban si t’dish vetë”, “Kush pvet nuk tret”, “Mendja e madhe e zeza e t’motit”. Herë-herë humorin popullor e ka vënë në art, duke dhënë skena të këndshme e gazmore, si:

“Ah! kokot, o nipi i Qures
Qi je kenë gjithera n’za,
Po na ripet masa e lkurës,
Për kuvend qi na ke ba!”

Në vëmendjen e tij u përfshinë edhe figura të mitologjisë e të besimeve popullore, si Ora, Zana dhe gjarpri; ai flet me aludime për shkreptimat, bubullimat e furtunat, ku në mendësinë popullore përfytyrohej lufta mes dragojve e kuçedrave. Në punimet, artikujt e krijimet e tij artistike paraqiten qartë doket e zakonet popullore; të mirat ai i merr si virtyte të shqiptarëve, si besa, trimëria e atdhedashuria, dhe mbi këto tradita i thërret shqiptarët t’i dalin zot atdheut.

Në shkrimet e Doçit vërehen vlerësime për banorët e krahinës ku lindi dhe ku shërbeu në një pjesë të madhe të jetës. Në relacionet që i dërgoi Vatikanit shprehet se mirditasit, nën drejtimin e një njeriu me zotësi të veçanta, mund të qytetërohen lehtë, pasi nga natyra janë të prirur t’i bindën arsyes; ata kanë ndjeshmëri kalorësiake, doke fisnikërie dhe dhunti zgjuarsie. Si të tillë i njohin, sipas Doçit, banorët e të gjitha krahinave fqinje. Çdo kryetar fisi në Mirditë është i mirëpritur te fisnikëria e Shkodrës për gojtarinë e tij natyrore, për maturinë politike dhe për energjinë e hekurt; çdo bari në malet e Mirditës është poet i lindur; banorët vlerësohen për besnikërinë e tyre të pathyeshme.

Nga ana tjetër ai thekson se mirditasit janë të varfër dhe nuk kanë mjete për të ecur përpara në arsimim e në qytetërim katolik: një krahinë me 25.000 banorë nuk ka as edhe një shkollë ku të mësojnë fëmijët. Doçi shprehet se mirditasit, të lidhur në një bashkësi malësore, nuk kanë lejuar kurrë që besime fallco të përdhosin truallin e tyre. Mes të gjithë shqiptarëve ata janë vlerësuar si më trimat në luftë, si më të zgjuarit dhe më të aftët për t’u qytetëruar, por mbi të gjitha si katolikë të vërtetë dhe mbrojtës të religjionit të tyre.

Këto vlerësime të Doçit janë shumë domethënëse për qëndrimet e tij ndaj trashëgimive shpirtërore të popullit, nga e cila u frymëzua në veprimtarinë e tij atdhetare e iluministe. Por, nga ana tjetër, ai mbajti qëndrim mohues ndaj disa zakoneve prapanike e arkaike që pengonin zhvillimin e shoqërisë malësore. Luftoi hakmarrjen; punoi e propagandoi për kufizimin e shpenzimeve të tepërta në dasma, në vdekje e në festa fetare, që i konsideronte rrënim të ekonomisë fshatare, e cila edhe pa to ishte në gjendje të mjerueshme. Si njeri me kulturë të gjerë, që kishte shëtitur e ishte kultivuar në botën e përparuar, punoi me mish e me shpirt që shoqëria malësore të shkëputej nga doke, zakone arkaike e vese që ishin rrjedhojë e kushteve historike shumëshekullore, të kaluara në izolim e në luftë mbrojtëse. Luftoi kundër martesave sipas dokeve patriarkale, kundër një mendësie mesjetare për mënyrën e të jetuarit dhe kundër përçarjeve mes krahinave, bajrakëve, fshatrave e fiseve. Puna e Doçit për vlerësimin kritik të traditave pati rëndësi të veçantë në kushtet e atëhershme të vendit.

Imzot Preng Doçi mbetet një figurë e ndritur e Rilindjes shqiptare, e lëvizjes sonë kombëtare për çlirim, përparim, kulturë e arsimim të popullit. U frymëzua nga traditat popullore të fisnikërisë, të qëndresës dhe të prirjes për ndryshime bashkëkohore, dhe mbeti deri në vdekje besnik i idealeve të larta atdhetare e të qytetërimit evropian.

Çdo shqiptar do të admironte një prelat që, kur ishte nevoja, e linte rrobën e priftit dhe merrte vetë armën për të luftuar për lirinë e Shqipërisë në grykat e maleve, që të mos shpërbëhej Mirdita, e cila nuk kishte njohur kurrë pushtimin turk. Kur u shtyp kryengritja antiturke e viteve 1876–1877, Doçi, që kishte luftuar deri në fishekun e fundit, u detyrua të qëndronte në arrati me veshjen e priftit.6

Vlerësimi kaq i lartë që iu bë Imzot Doçit ishte plotësisht i merituar, sepse ai kishte kryer një varg veprimtarish në favor të çështjes kombëtare shqiptare; ai mbështetej edhe te respekti i jashtëzakonshëm që populli kishte për këtë tribun popullor e rilindës të shquar. Preng Doçi është një nga rilindasit më me zë, sidomos në etapën e parë të Rilindjes sonë kombëtare, ndër ata që luftuan me pushkë dhe me penë për lirinë e pavarësinë e vendit, për zgjimin e tij.

Për qëllime politike, gjatë regjimit komunist Imzot Doçit iu bë një mohim total. Ky ishte mohimi zyrtar; në fakt, në popull Doçi ka qenë shumë i dëgjuar, i nderuar e i respektuar në mendjet dhe zemrat e mirditorëve, në trevën ku lindi dhe ku kaloi pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij fetare e atdhetare. Jehona e veprës së tij nuk ka qenë vetëm te populli i Mirditës, por shumë më e gjerë.

Dom Preng Doçi lindi në Paraspuer, që i përkiste bajrakut të Bulgrit të Mirditës, më 25 shkurt 1846.7 Edukatën e parë e mori pranë vatrës familjare, ku u rrit me dashurinë për Atdheun dhe me traditat e zakonet e mira të mirditorit: të fjalës e të besës, të burrërisë e të trimërisë, të bujarisë e të mikpritjes. Qe ndër të parët seminaristë të Seminarit Papnor në Shkodër dhe në vitin 1861 shkoi në Kolegjin Urban të Propagandës në Romë, për të vazhduar studimet e larta teologjike. Atje u njoh me lëvizjen revolucionare garibaldiane për bashkimin e Italisë, me veprimet luftarake të arbëreshëve të Sicilisë e të Kalabrisë dhe me studiues e letrarë të shquar arbëreshë, si De Rada, Dhimitër Kamarda, Serembe etj. Edhe pse student në Romë, për asnjë çast nuk u shkëput nga lëvizja kombëtare në Shqipëri dhe ishte në dijeni të veprimtarisë patriotike të rilindasve tanë, si Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine etj. Këto e frymëzuan të lidhej që herët me lëvizjen kombëtare.

Që kur ishte nxënës në Kolegjin e Propagandës shkroi poezinë “Një kushtrim shqiptarëve”.8 Nga poezia e tij kanë mbetur vetëm pak rreshta, sepse biblioteka e tij u plaçkit në vitin 1915 në selinë e tij, në abacinë e Oroshit, nga serbët dhe esadistët.

Imzot Doçi është njohur nga populli si poet, pasi vjershat e tij janë thënë e rrëfyer ashtu siç u rrëfyen më vonë vjershat e Lahutës së Malësisë. Ato janë përcjellë në popull për mesazhin e fuqishëm patriotik që japin dhe janë mësuar përmendësh, sepse paraqesin tablonë rrënqethëse të Shqipërisë së robëruar. Nuk ka njeri që të mos frymëzohet kur deklamon vetëm 4-5 vargje nga poezia “Një kushtrim shqiptarëve”:

N’ qaf me zgjedhën kush e ban?
Kambve prenget fut ne i kenë
Osmanllije edhe ne shen,
na pin gjekun mishtë na hen.
Shqypter trime zgjedhën lehoni.
Këputni prenget e luftoni.9

Vjersha dëshmon se nuk është krijim i çastit, por rrjedhojë e një angazhimi konkret për t’i shërbyer lëvizjes kombëtare me fjalë e me shkrime, ashtu siç vepronin rilindasit arbëreshë e shqiptarë të kësaj kohe. Preng Doçi iu kushtua poezisë që në fillim, si rilindasit e tjerë, sepse ajo kishte mundësi të mëdha shprehëse e komunikuese për idetë, ndjenjat e patosin patriotik. “Një kushtrim shqiptarëve” është një kushtrim i vërtetë, një sirenë alarmi për të rrokur armët kundër turkut, një thirrje drejtuar ndërgjegjes kombëtare që t’i dalë zot Atdheut. Mund të themi pa rezerva se deri në atë kohë asnjë poet i Rilindjes nuk kishte dalë me vargje kushtrimi kaq të fuqishme kundër Turqisë sa Doçi, në moshën 24-vjeçare. Shtatë vjet më pas, ndoshta i frymëzuar edhe nga poezia e Doçit, doli Vaso Pasha me poezinë “O moj Shqipëri”, që u bë manifest i kryengritjeve shqiptare kundër malazezëve për mbrojtjen e tokave shqiptare. Çdo varg i poezisë “Një kushtrim shqiptarëve” të kujton zërin e kasnecit që lëshonte kushtrimin për të rrokur armët kundër të huajve, jehonën e maleve që e përcillnin thirrjen për luftë fshat më fshat dhe të rënët e kësaj toke për liri e pavarësi.

“Trima mbrendë! me dorë, me dorë!
Ndalnia gazin osmanlisë,
Bini trima mbrendë ushtorë!
Zbardhnia faqen shqiptarisë!”

Dhe në fund të çdo strofe lëshohet kushtrimi:

“Jasht i huaj osmanllo,
Gjall a dek do të dalësh këndej”.

Në këtë poezi poeti, si De Rada, Naimi, Dora d’Istria, Serembe e të tjerë, i drejtohet “motit të madh”, kohës së Skënderbeut, për t’u kujtuar shqiptarëve të kaluarën e ndritur dhe për ta bërë atë nxitje për të tashmen; prek sedrën kombëtare me qëllim patriotik, për t’i ngritur shqiptarët kundër turkut:

“Erz na s’kemi, na marruan!
Varza e gra kanë shkue n’robni,
Të tan vllaznit na i faruen,
Kush mbet nesh mbet faqezi!”.10

Si shumë rilindas, gjuhëtarë e studiues të tjerë, Preng Doçin e kishte tërhequr që në shkollë veprimtaria e princeshës rumune me origjinë shqiptare, Elena Gjika-Dora d’Istria, një nga gratë më të përmendura të shekullit XIX, e cila mbrojti lëvizjen patriotike shqiptare11 dhe u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare nga fundi i viteve 1850.12 Asaj i kushtoi poezinë “Kajkë për Zoja Dora d’Istries – Dheu em”. Në përmbledhjen shqip-italisht që botoi Dhimitër Kamarda më 1870, kushtuar Elena Gjikës, “Dora d’Istrias, – shqiptarët”13, botohet edhe poezia e Preng Doçit; për nga radha ajo vjen pas poezive të De Radës e Zef Jubanit, e më pas vijnë poezitë e Thimi Mitkos, Jani Pemës, Gjergj Drivës, Zef Serembës, Françesk Anton Santorit, Zef Kamardës dhe Dhimitër Kamardës.14 Historiani dhe shkrimtari Dhimitër Shuteriqi e quan këtë përmbledhje një manifestim të letërsisë shqipe; në të, vjersha e Preng Doçit është një nga krijimet më të shquara të poezisë shqipe përpara Lidhjes Shqiptare.15

Vjersha dëshmon jo vetëm talentin e Doçit, por edhe konsideratën që kishin për të bashkëkohësit patriotë, që i rezervuan një vend në këtë përmbledhje. Botimi i saj ishte njëkohësisht guxim nga ana e Doçit, sepse kërkonte mend e zemër: nuk ishte pa rrezik të dilte hapur në arenën ndërkombëtare kundër turkut, kur do të kthehej në Shqipëri, ku administrata turke kishte vendosur sundimin e saj dhe nuk përjashtohej ndjekja nga qeveritarët turq. Poezia e kushtuar Elena Gjikës ngre lart të kaluarën e lavdishme të popullit tonë; poeti ka parasysh kohën e Teutës, të Bardhylit e të Skënderbeut. Me patos të lartë ai ngrihet kundër pushtuesve, kundër Evropës e kundër Romës, madje edhe kundër qiellit: “Na jemi hup prej të naltit qiell harrue, nder sy të gjithëve populli i mallkue.”16 Për kontributin që Dora d’Istria dha për Shqipërinë, poeti thotë: “Ip doren gjines sate; Nji kunorë po të falim na, po të njofim gjithë për zojë, mermerin dhenim: mbi nji kajkë ma t’rande, ka nis për nipet namin tan një zanë”.17

Doçi shkroi edhe vjersha të tjera, si “Shqipëria në robni”, edhe poezia “Zani i kasnecvet”18, sipas dëshmive të bashkëkohësve, ai ka shkruar më shumë, por pa e nënshkruar.19

Në të gjitha poezitë e Doçit dashuria për Atdheun gjen shprehje të qartë dhe artistikisht të lartë.20 Ato janë shumë të frymëzuara dhe tregojnë një poet me talent, njohës të metrikës me mjeshtri dhe studiues të aftë për lëvrimin e poezisë. Bie në sy se gjuha e tij është e shprehur mirë dhe e pastër, e qëruar nga fjalët turke, ndërkohë që te poetët e shkrimtarët e Veriut turqizmat ishin shumë të përhapura. Kjo flet për patriotizmin e Doçit, pasi gjuha është themeli i kombit dhe qëndrimi ndaj saj është qëndrim ndaj kombit. Si prift që ishte, ai nuk i drejtohet hyjnisë, çka tregon karakterin popullor e laik të poezisë së tij, duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Preng Doçi, pasi mbaroi studimet teologjike në Romë, u kthye meshtar në Shqipëri. Shërbeu pak kohë në Korthpulë, pastaj u dërgua në Orosh si kapelan i abatit të Oroshit dhe, më pas, shkoi famullitar në Kalivare.21

Në vitet 1876–1877 shpertheu kryengritja e Mirditës kundër turkut. Në atë kohë një grup patriotësh, me në krye Zef Jubanin, Pjetër Gurakuqin, Preng Doçin, Lorenc Gurakuqin e të tjerë, u aktivizua për ta shtrirë kryengritjen edhe në Shkodër e në Malësi.22 Frymëzuesi dhe drejtuesi i kryengritjes së Mirditës ishte Preng Doçi. Ajo dështoi sepse Mali i Zi, që kishte premtuar ndihmë, bëri armëpushim me Turqinë.23 Preng Doçi, i veshur me tirq e xhamadan, me rripin e fishekut dhe hutën në krah, luftoi deri në fishekun e fundit. Për këtë u burgos në Guci.24 Prej andej e dërguan në Selanik e pastaj në burgun e Stambollit, me 300 të tjerë: armenë, bullgarë e grekë.

Meqenëse në Stamboll kishte një shok shkolle, patriarkun Azarian, patriark të armenëve katolikë, i cili shkonte mirë me Sulltan Abdyl Hamitin, ai ndërhyri te Sulltani dhe Doçi u lirua. Kur Dervish Pasha mori vesh se Doçi ishte liruar, dha urdhër që të mos kthehej në Shqipëri, sepse kishte qenë kryetar i kryengritjes së Mirditës.

Doçi u kthye në Romë, ku u dërgua misionar në Newfoundland, në Amerikën e Veriut, dhe ndenji 7–8 vjet. Pastaj u kthye në Romë dhe u emërua sekretar i drejtuesit të Delegacionit Apostolik të Indisë. Pasi ndenji një kohë, i mërzitur jashtë Atdheut, kërkoi të vinte në Shqipëri. Përsëri me ndërhyrjen e patriarkut të armenëve katolikë të Stambollit, Azarjan, te Sulltani, i cili u bë garant se Doçi nuk do të përzihej në punët e Turqisë, atij i doli falja për të u kthyer.25 Gjatë rrugës për në Shqipëri, Doçi u ndal në Cetinë, ku e priti Knjaz Nikolla, i cili i tha se do ta shtinte në dorë Shqipërinë. Doçi iu përgjigj se mund ta shtinte në dorë Shqipërinë, por shqiptarët kurrë nuk do t’i bëheshin miq.26

Më 27 tetor 1888 Kongregacioni i Propagandës e lajmëroi se Papa e kishte emëruar abat. Në vitet 1888–1889 Doçi u mor me shkëputjen e abacisë së Oroshit nga Ipeshkvia e Lezhës. Ia arriti qëllimit duke ndërhyrë te miqtë që kishte zënë në Romë dhe krijoi një unitet katolik në tre bajrakët e Mirditës, të Dibrrit e të Fanit, duke përfshirë famullitë: Ndërfanë, Kalivare, Qafa e Malit, Fan, Kaçinar, Shëngjergj, Ungrej, Kashnjet dhe Korthpulë.27

Në vitin 1889 Preng Doçi themeloi në Shkodër shoqërinë “Bashkimi”, qëllimi i së cilës ishte lëvrimi i gjuhës shqipe. Në atë kohë Evropa i kishte ngarkuar Austrisë të mbronte katolikët e Veriut.28 Klerikët kishin të drejtën të botonin libra në gjuhën shqipe. Doçi, duke përfituar nga kjo e drejtë, hartoi alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”, me shkronja latine, për të shtypur libra shqip. Që kur ishte i ri, ai i kishte premtuar Dh. Kamardës se, po të kishte jetë, do të bënte çmos që të fuste në Shqipëri një sistem alfabeti, duke shprehur miratimin e tij për alfabetin latin. E realizoi qëllimin e tij me një alfabet praktik, pa shenja diakritike, që lejonte shtypjen e librave shqip në shtypshkronjat e Evropës.29

Me këtë alfabet u botuan 32 vepra, ndër të cilat “Historia e Shqipërisë” e Dom Ndoc Nikajt, “Vargnimi” i Luigj Gurakuqit, “Flamuri i ri i Shqipërisë” etj. Alfabeti i “Bashkimit” u përhap në shumë fletore e revista dhe u pranua nga “Albania” e Londrës, fletorja “Shpresa e Shqipërisë”, “Klubi i Bostonit”, “Albania e Voglë” etj. Me këtë alfabet shkruan Asdreni, Çajupi, Faik Konica, Sotir Peci, Fan Noli e të tjerë.30

Shoqëria “Bashkimi”, e drejtuar nga Preng Doçi, luajti një rol pozitiv për unifikimin e alfabetit. Në Kongresin e Manastirit (1908) ajo bëri deklaratën: “Shoqëria ‘Bashkimi’, pra që më sot deftë e shfaq dëshirën e saj, që shqiptarët të mblidhen me rrahun e me damur çështjen e shkronjave, e ka shpresë se sikur në këtë mbretni u ndërrua sundimi i hershëm, ashtu do të bien edhe ‘Bashkimi’ e ‘Agimi’ e ‘Frashërimi’ e tu dhanë dorën shoqishoqit do të përmbledhin fuqitë e veta të ndame e t’i drejtojnë për një qëllim të vetëm e t’i përdorin për zhvillimin e zbukurimin e t’amblës gjuhë tone të vjetër.”31. Për arsye praktike, koha provoi se alfabeti i “Bashkimit”, që përdorte dyzimin e shkronjave, ishte më praktik dhe ky dyzim u bë normë për alfabetin unik të gjuhës shqipe.

Në vitet 1888–1910 Preng Doçi u mor shumë me drejtimin e shoqërisë “Bashkimi”. Si patriot, ai e kuptoi drejt parimin e rilindasve se pa gjuhë e pa shkollë nuk mund të ekzistojë e të përparojë kombi. Prandaj më 1899 hapi shkollën e parë shqipe në Orosh të Mirditës, dhe më pas shkolla të tjera, si në Kashnjet e në Spaç. Në këtë kohë u mor shumë me hartimin e teksteve: mori përsipër të hartonte pjesën e tretë të librit të leximit, ribotoi me shpenzimet e veta abetaren me alfabetin e “Bashkimit” dhe librin e leximit në 1000 ekzemplarë. Vazhdoi të botonte libra shqip, si Katekizmin (pjesën e parë), gramatikën, aritmetikën e gjeografinë.32

Doçi bëri shumë shpenzime për çeljen dhe mbajtjen e shkollave në Mirditë. U kujdes për libra, veshmbathje e deri për ushqimin e fëmijëve. Kolë Laca, ish-mësues në Kashnjet në vitin 1904, jep këto kujtime: “Në Kashnjet kishte shkollë veçan kishës, ndërtuar nga Doçi. Përdornim tekstet e shoqërisë ‘Bashkimi’. Ne financoheshim dhe vareshim gjithçka nga Doçi. Fëmijët pajiseshin me libra, fletore e lapsa nga Doçi. Këto i sillte nga Shkodra. Priftërinjtë nuk kishin punë në shkollë, se edhe mësimi i besimit jepej nga mësuesi.”

Preng Doçi ndoqi nga afër ngjarjet e kohës. Antropologia e shquar angleze dhe mikja e Shqipërisë Edith Durham shkruan me shumë simpati për të: “… Fliste me mençuri të madhe. Ndoshta është një nga tejshikuesit, një nga tejshikuesit nacionalistë shqiptarë. …. Tani kemi një armik tjetër shumë të këq që rritet dita ditës dhe ky është sllavi. Rusia me kishën e saj fanatike dhe me çetat e saja serbe e bullgare është gati të shkatërrojë Shqipërinë e ta fshijë nga faqja e dheut katolikë e myslimonë së bashku… Kur do të rëzohet Perandoria turke, dhe do të rëzohet pa dyshim, na duhet të mos biem as në dorë të turkut as në dorë të sllavit… Pastaj zgjati dorën drejt Ipekut: ‘Tej më atë anë është vendi që serbët e quajnë Serbi e Vjetër. Por atje është një Shqipëri shumë më e vjetër. Kur do të rëzohet Perandoria turke, dhe do të rëzohet padyshim, na duhet të mos biem në dorë të sllavit’.”33

Ai u bë interpret i politikës austro-hungareze, duke u drejtuar me thirrje famullive të Mirditës në kohë që vellëzitë tanë në Veri shkruanin faqe të lavdishme heroizmi duke luftuar kundër turkut. Doçi donte që të digjej e shkatërrohej Mirdita nga ndonjë lëvizje spontane e luftëtarëve mirditorë.

Preng Doçi priti me gëzim shpalljen e Pavarësisë. Ai nxitoi dhe më 3 dhjetor 1912 i drejtoi telegram përgëzimi Ismail Qemalit.34 U përpoq shumë që të nxiste Mirditën dhe krahinat fqinje për të nxjerrë serbët nga Shkodra.35

Në ditën kur u ngrit flamuri në kalanë e Shkodrës, më 19 mars 1914, Preng Doçi foli përpara 20 mijë vetëve. Fjalët e tij prekën zemrat e popullit. “Roftë Shqipëria, roftë flamuri i Shqipërisë!” – brohoriti populli kur Doçi mbaroi fjalimin.36

Doçi mbante lidhje me atdhetarët. Dedë Gjo Luli shkoi te ai për të biseduar për nxjerrjen e serbëve nga Shqipëria. Serbët që ishin në Malin e Shejtë shkuan dhe e kapën në befasi; vranë Ded Gjo Lulin, ndersa 7 lajthizakët i masakruan barbarisht, dhe çelën e abatit e plaçkitën me gjithçka kishte, krejt takimin e 60 odave.37

Preng Doçi u mor edhe me probleme shoqërore. Bëri punë të madhe për pajtimin e gjaqeve; luftoi zakonin e këq që në ditët e motmotit, kur mblidheshin te kisha, burrat qitnin në shënjë, ndersa grat shtronin petkat e të vdekurve në varre dhe qanin. E hoqi këtë zakon. Luftoi bakshishin dhe nuk përdorte nuskat për shërimin e të sëmurëve. Kur ndonjë fshatar shkonte për të shkruar ndonjë letër për shërimin e sëmundjes, ai e conte te Cin Gurakuqi, të cilin e mbante si farmacist në çelën e tij, që t’u jepte ilaçe popullit. Kështu Doçi është edhe themelues i farmacisë së parë në Mirditë.38

Doçi ishte njeri me horizont dhe me autoritet; e respektonin kolegët për dijen e tij të gjerë. Dom Ndoc Nikaj ia kushtoi veprën e tij “Histori e Shqipërisë” si shenjë nderimi e respekti, po kështu edhe Zef Skiroi “Hylli i Dritës”. Populli e donte Doçin: kur erdhi nga Roma në Rubik, populli i Bulgërit qiti pushkë nga gëzimi, e po aq mirë e priti edhe Oroshi.39

Vdiq më 22 shkurt 1917. Në këtë përvjetor të lavdishëm, me rastin e 75-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kujtojmë me respekt emrin dhe jetën e Doçit, si rilindas e patriot të Shqipërisë, si bir të popullit të Mirditës.

Literatura:
Kumbona e së Diëllës, Nr. 4, 25 janar 1942, f. 94, BK.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.