17.8 C
Tirana
E premte, 23 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj RRËFIMI I NJË FUTBOLLISTI QË E BËRI REALITET PREMTIMIN

RRËFIMI I NJË FUTBOLLISTI QË E BËRI REALITET PREMTIMIN

0
Drilon Paçarizi

Drilon A. Paçarizi, ish-qendërsulmues i shkëlqyer i skuadrave zvicerane FC Meyrin, Étoile Carouge FC, FC Locarno, FC Lugano dhe FC Le Mont, në një intervistë dhënë më 21 tetor 2026 gazetarit Fabrizio Beretta, të së përditshmes “Tio.ch”, rrëfen përvojën e tij të gjatë si futbollist, duke sjellë në kujtesë çastet e lumtura të karrierës, por edhe zhgënjimet dhe të papriturat që e shoqëruan gjatë saj.

Paçarizi, së bashku me mesfushorin kroat Marko Bashiq, ishin ndër më meritorët për rikthimin e FC Luganos, pas 13 vjetësh, nga Challenge League në elitën e futbollit zviceran.

Falë edhe golave vendimtarë të Paçarizit, FC Lugano, më 30 maj 2015, me 72 pikë të grumbulluara, zyrtarizoi titullin e kampiones së Challenge League të Zvicrës, duke lënë pas skuadra me traditë të gjatë dhe pretendente për këtë titull, si FC Schaffhausen, FC Lausanne-Sport, FC Winterthur etj.

Në këtë rrugëtim drejt suksesit, veçmas duhet përmendur paraqitja e shkëlqyer e Paçarizit më 14 gusht 2014, në stadiumin “Cornaredo”, ku FC Lugano, si vendase, mposhti bindshëm FC Schaffhausenin me rezultatin 5 me 2. Në atë ndeshje, Paçarizi shënoi tre gola, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren e skuadrës së tij.

Në intervistën dhënë “Tio.ch” në gjuhën italiane, Drilon Paçarizi rrëfen gjithashtu për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me Davide Morandin, në atë periudhë trajner i FC Locarnos.

Me mjaft emocion, Paçarizi kujton: “Davide më solli te Locarno dhe kishte besim të plotë tek unë. Mirëpo, as unë nuk e zhgënjeva. U mundova të jepja maksimumin. Me fanellën e kësaj skuadre, gjatë viteve 2012–2014, zhvillova 71 ndeshje dhe shënova 18 gola”.
Kalimin në FC Lugano, Drilon Paçarizi, sot 37 vjeç, e kujton si një periudhë që i solli një gëzim të jashtëzakonshëm, por më vonë edhe një zhgënjim të madh.

Për sa kohë që kjo skuadër drejtohej nga trajneri Livio Bordoli, gjithçka shkonte mirë. Paçarizi ishte njëri ndër sulmuesit më të mirë të ekipit dhe gëzonte besimin e trajnerit.

Madje, më 1 gusht 2014, gjatë festimeve të Ditës Kombëtare të Zvicrës, ai pati marrë guximin që, përpara mijëra simpatizuesve të FC Luganos, të premtonte rikthimin e skuadrës në elitën e futbollit zviceran.

Premtimi nuk mbeti vetëm fjalë. Fjala e dhënë e Paçarizit u bë realitet dhe FC Lugano, pas shumë vjetësh, u rikthye në mesin e skuadrave më të mira të Super League të Zvicrës.

Me fanellën bardhezi të FC Luganos, Paçarizi u paraqit në 23 ndeshje dhe shënoi 6 gola, duke lënë gjurmë në një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së kësaj skuadre.

Zeman dhe ëndrra e ndërprerë për të luajtur në Superligë

Megjithëse Drilon Paçarizi kishte oferta të shumta nga skuadra brenda dhe jashtë Zvicrës, ai kishte vendosur t’i mbetej besnik FC Luganos, me të cilën ende kishte kontratë.

As që i kishte shkuar ndër mend se, pas gjithë atij kontributi në rikthimin e skuadrës në elitë, do të mbetej jashtë listës së trajnerit të sapoemëruar çek, Zdeněk Zeman.

Zhgënjimi ishte, natyrisht, i madh. Paçarizi kishte zhvilluar tërë fazën përgatitore së bashku me futbollistët e FC Luganos dhe vetëm një javë para fillimit të kampionatit kuptoi se nuk bënte pjesë në listën e lojtarëve të përzgjedhur nga trajneri Zeman, i cili e drejtoi FC Luganon gjatë viteve 2015–2017.

Kështu, futbollistit që kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në rikthimin e skuadrës në Super League iu ndërpre papritur ëndrra për të luajtur me të në elitën e futbollit zviceran.

Ngjashëm, disa muaj më vonë, u veprua edhe me mbrojtësin Denis Markaj, me origjinë nga Gjakova e Kosovës.

Ana tjetër e futbollit: sakrificat që publiku nuk i sheh

Përtej golave, rezultateve dhe duartrokitjeve, Drilon Paçarizi dëshiron të përcjellë edhe një mesazh të rëndësishëm për të gjithë ata që e duan dhe e ndjekin futbollin.

Sipas tij, futbolli nuk është gjithmonë aq i bukur sa duket nga tribunat. Shumë njerëz mendojnë se jeta e futbollistëve është përherë e mrekullueshme, e mbushur me suksese, kënaqësi dhe privilegje.

Mirëpo, pas asaj që shohim në fushën e blertë, shpesh fshihen vështirësi, sakrifica dhe situata të ndërlikuara personale, për të cilat tifozët dinë fare pak ose nuk dinë asgjë.

“Edhe për mua nuk ishte e lehtë të largohesha i vetëm për të jetuar në Tiçino. Kam njohur futbollistë që, ndërkohë që vazhdonin të luanin, përballeshin me depresion ose rraskapitje të rëndë psikologjike, pa e ditur askush se nëpër çfarë fazash po kalonin”.

Kjo dëshmi prekëse na kujton se pas fanellës së një futbollisti qëndron, para së gjithash, një njeri, me emocionet, shqetësimet, ëndrrat dhe vështirësitë e veta.

Pavarësisht gëzimeve dhe zhgënjimeve të herëpashershme, Drilon Paçarizi kantonin Tiçino vazhdon ta kujtojë me dashuri të veçantë.
Vitet e kaluara në pjesën italishtfolëse të Zvicrës ai nuk i konsideron vetëm si një kapitull të karrierës së tij sportive. Përkundrazi, nga qëndrimi në këtë pjesë jugore të vendit ka ruajtur kujtime të mrekullueshme, të cilat vazhdojnë ta lidhin me këtë rajon.

Sa herë që i jepet mundësia, ai kthehet atje së bashku me bashkëshorten e tij, Besianën, dhe dy fëmijët e tyre: Elean, gjashtëvjeçare, dhe Priamin, trevjeçar.

Paçarizi e vizitonte Tiçinon edhe përpara se të luante futboll atje. E tërhiqnin bukuritë e rralla natyrore dhe, mbi të gjitha, njerëzit miqësorë e mikpritës, që shpejt të bëjnë të ndihesh si në shtëpinë tënde.

Këtë lidhje të sinqertë me pjesën italishtfolëse të Zvicrës, ku përjetoi gëzime, sfida, zhgënjime, por edhe një nga arritjet më të rëndësishme të karrierës së tij, Paçarizi do ta ruajë përherë.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Drilon A. Paçarizi i është përkushtuar me tërë qenien familjes.
Sot, ai jeton në Gjenevë, ku punon si nëpunës në Arkën Kantonale të Sigurimit të Papunësisë të Gjenevës (Caisse cantonale genevoise de chômage).

ARIF EJUPI
Gjenevë, 22 tetor 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.