Nga Gjon Marku
- Ese
Ka vende që i njeh nga hartat, ka të tjera që i njeh nga librat, por ka edhe vende që, për t’i kuptuar, duhet t’i dëgjosh.
Dukagjini është një prej tyre.
Ai nuk të shfaqet menjëherë. Të del përpara ngadalë, përmes maleve, grykave, shtigjeve, lumenjve dhe fshatrave të shpërndarë si kujtime të vjetra në faqet e shkëmbinjve. Atje rruga nuk është vetëm rrugë. Është një provë. Lumi nuk është vetëm ujë. Është kujtesë. Kulla nuk është vetëm gur. Është histori. Ndërsa njeriu dukagjinas nuk është vetëm banor i një treve të thellë malore; ai është trashëgimtar i një mënyre jetese që për shekuj u përball me natyrën, varfërinë, pushtimet, izolimin dhe mungesën e shtetit.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, kur flasim për Dukagjinin, nuk duhet të flasim vetëm për një krahinë. Duhet të flasim për një pjesë të kujtesës shqiptare.
Fjala “Dukagjin” është shumë më e vjetër dhe më e gjerë sesa kufijtë administrativë që ne njohim sot. Në Mesjetë, familja e Dukagjinëve ishte një nga familjet e rëndësishme fisnike shqiptare dhe zotërimet e saj shtriheshin në hapësira të gjera të Shqipërisë së Veriut dhe deri në Kosovën perëndimore. Lezha ishte një nga qendrat e rëndësishme të tyre, ndërsa në burimet historike përmenden Mirdita edhe Zadrima, Pulti dhe territore të tjera veriore.¹
Prandaj duhet bërë një dallim i domosdoshëm: Dukagjini historik nuk është i njëjtë me Dukagjinin e sotëm si krahinë malore rreth Shalës, Shoshit, Pultit e trevave përreth.
Emri ka mbijetuar, por hapësirat dhe kuptimet e tij kanë ndryshuar gjatë shekujve.
Kjo e bën Dukagjinin edhe më interesant.
Një emër mund të ndryshojë kufij, por nuk e humb domosdoshmërisht kujtesën.
Në këtë kuptim, Dukagjini është një prej atyre emrave shqiptarë që kanë kaluar nga historia politike në gjeografinë kulturore të vendit.
Familja e Dukagjinëve lidhet me Mesjetën shqiptare, me princër, zotërime, marrëdhënie me Venedikun, me luftërat kundër osmanëve dhe me historinë e rezistencës shqiptare. Në këtë kontekst shfaqet edhe figura e Lekë Dukagjinit, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe një nga figurat më të rëndësishme të aristokracisë shqiptare të shekullit XV.²
Por historia e Dukagjinit nuk mbaron me princat.
Përkundrazi. Ajo sapo fillon aty.
Sepse pas emrave të mëdhenj të historisë vjen një popull që për shekuj e ruajti jetën e vet në male.
Në Dukagjin mali nuk ka qenë dekor. Ka qenë fat. Ka qenë pengesë dhe mbrojtje njëkohësisht. Ka qenë varfëri dhe pasuri. Ka qenë izolim, por edhe liri. Në këtë hapësirë të thyer malore, njeriu duhej të mësonte të jetonte me atë që kishte: një copë tokë, disa bagëti, një shtëpi prej guri, një burim uji, një rrugë të vështirë dhe, mbi të gjitha, njerëzit e vet. Prandaj shoqëria dukagjinase nuk mund të kuptohet pa natyrën.
Mali e mësoi njeriun të ishte i fortë. Terreni e mësoi të ecte gjatë. Dimri e mësoi të ruante ushqimin. Izolimi e mësoi të mbështetej te tjetri. Dhe rreziku e mësoi se fjala duhej të kishte peshë. Kështu u krijua ajo që sot e quajmë “karakter malësor”, por që, në të vërtetë, është rezultat i një historie të gjatë shoqërore.
Në Dukagjin, natyra nuk ndahej nga jeta. Ajo ishte vetë jeta.
Nëse do të kërkoje një simbol të Dukagjinit, ndoshta nuk do të duhej të zgjidhje vetëm një mal. Mund të zgjidhje një lumë: lumin e Shalës.
Ai përshkon një prej hapësirave më karakteristike të kësaj treve dhe sot është bërë edhe një nga pamjet më të njohura turistike të veriut shqiptar. Por, për dukagjinasin, lumi nuk ka qenë spektakël turistik. Ka qenë udhë. Ka qenë burim jete. Ka qenë orientim. Ka qenë pjesë e ekonomisë dhe e marrëdhënies së përditshme me natyrën.
Sot, fotografi të shumta të ujërave të kaltra të Shalës qarkullojnë nëpër botë. Turisti sheh bukurinë e ujit, shkëmbinjtë, gjelbërimin dhe malet.
Por ai sheh vetëm sipërfaqen.
Sepse pas asaj bukurie ka një histori njerëzore. Ka njerëz që kanë ecur nëpër këto shtigje kur nuk kishte rrugë automobilistike. Ka gra që kanë mbajtur mbi shpinë barrën e shtëpisë. Ka burra që kanë udhëtuar me ditë për të zgjidhur një hall. Ka fëmijë që kanë shkuar në shkollë nëpër shtigje të vështira. Dhe ka varre njerëzish që kanë jetuar e kanë vdekur pa e parë kurrë botën përtej maleve.
Kjo është ana e Dukagjinit që nuk shihet në fotografitë turistike.
Nëse Shqipëria do të kishte një kartolinë të vetme të Alpeve të saj, Thethi do të ishte ndër kandidatët e parë. Thethi ndodhet në Njësinë Administrative Shalë, në Bashkinë Shkodër, në zemër të Alpeve Shqiptare. Ujëvara e Grunasit, Kanioni i Grunasit, burimet e Okolit dhe mali i Harapit janë vetëm disa prej elementeve që e kanë bërë këtë hapësirë një nga destinacionet më të njohura malore të Shqipërisë.³
Por Thethi është më shumë se një peizazh. Është një mënyrë jetese. Kullat, shtëpitë tradicionale, kishat, bujtinat dhe mikpritja krijojnë një tablo ku natyra dhe kultura nuk janë të ndara. Aty ndodh diçka që sot është bërë gjithnjë e më e rrallë: turisti nuk viziton vetëm një vend, por hyn në një histori.
Por kjo histori duhet treguar me kujdes. Sepse ekziston një rrezik i madh. Kur një vend bëhet shumë i famshëm, mund të ndodhë që të fillojë të humbasë atë që e bëri të famshëm. Nëse ndërtojmë pa masë, humbasim peizazhin. Nëse zëvendësojmë arkitekturën tradicionale me ndërtime pa karakter, humbasim identitetin. Nëse mikpritjen e kthejmë vetëm në biznes, humbasim shpirtin. Dhe atëherë mund të kemi turistë, por të mos kemi më Theth.
Kulla dukagjinase është një nga simbolet më të fuqishme të kësaj treve. Ajo është ndërtuar për t’i rezistuar kohës, klimës dhe rrezikut. Por kulla nuk duhet parë vetëm si simbol i luftës. Ajo ishte shtëpi. Aty lindeshin fëmijët. Aty rritej familja. Aty ruheshin ushqimet. Aty pritej miku. Aty merreshin vendime. Aty përcillej historia nga një brez te tjetri.
Në shoqërinë tradicionale shqiptare, shtëpia nuk ishte vetëm pronë private. Ishte qendra e familjes dhe e marrëdhënieve shoqërore. Dhe kulla e Dukagjinit e shfaqte këtë realitet me një forcë të veçantë.
Por këtu duhet të kemi edhe guximin për të thënë një të vërtetë tjetër. Nuk mund ta romantizojmë të kaluarën. Krahas mikpritjes, besës dhe solidaritetit, jeta tradicionale kishte edhe konflikte, gjakmarrje, kufizime shoqërore dhe pabarazi që sot nuk mund të pranohen. Një shoqëri moderne nuk mund të rikthehet te dhuna në emër të traditës. Por mund ta studiojë traditën për të kuptuar se si kanë jetuar paraardhësit tanë. Ky është dallimi midis ruajtjes së kujtesës dhe kthimit pas në kohë.
Dukagjini nuk mund të përmendet pa Kanunin. Por edhe këtu kërkohet maturi.
Kanuni i Lekë Dukagjinit, në formën në të cilën njihet sot, është një përmbledhje e së drejtës zakonore shqiptare të mbledhur dhe sistemuar nga At Shtjefën Gjeçovi në fillim të shekullit XX. Studimet bashkëkohore e trajtojnë këtë material si pjesë të traditës së gjerë të së drejtës zakonore shqiptare, e cila ishte zhvilluar dhe përcjellë gojarisht ndër breza.⁴ Pra, nuk është historikisht e saktë ta imagjinojmë Kanunin si një libër që Lekë Dukagjini e shkroi një ditë dhe ua la malësorëve si kod të gatshëm. Emri i tij lidhet me këtë traditë, ndërsa Gjeçovi bëri punën monumentale të mbledhjes, sistemimit dhe dokumentimit. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga meritat më të mëdha të Gjeçovit. Ai e kuptoi se ajo që po jetonte në gojën e popullit mund të humbiste. Prandaj e mblodhi. E shkroi. E ruajti. Dhe ia dorëzoi historisë.
Kanuni mund të studiohet sot për mënyrën se si rregullonte familjen, martesën, pronën, kufijtë, mikpritjen, marrëdhëniet ndërmjet bashkësive, kuvendin, nderin, besën dhe konfliktin. Por ai duhet lexuar si dokument historik e kulturor, jo si ligj i kohës sonë.⁵ Ky dallim është thelbësor. Sepse dashuria për traditën nuk duhet të na bëjë të verbohemi përballë historisë.
Në historinë e Dukagjinit ka njerëz që nuk mund të kalohen me një fjali. Njëri prej tyre është At Shtjefën Gjeçovi. Në Theth ai nuk ishte vetëm meshtar. Ishte mësues, mbledhës i kulturës popullore dhe studiues.
Në vitin 1917 ai hapi në Theth një shkollë ku fëmijët mësonin shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Burime të traditës lokale e vendosin hapjen më 2 shkurt 1917 dhe përmendin rreth 25 nxënës, megjithëse numri duhet trajtuar me kujdes si një e dhënë e traditës dhe jo si statistikë e padiskutueshme arkivore.⁶ Më pas Gjeçovi vazhdoi veprimtarinë arsimore edhe në Prekal. Në të njëjtin vit, në Plan u hap edhe shkolla e lidhur me veprimtarinë e At Justin Rrotës; dokumentimi lokal përmend 24 nxënës të regjistruar në fillim të dhjetorit 1917.⁷
Këto nuk janë vetëm data. Janë dëshmi. Dëshmi se në një trevë ku rrugët ishin të vështira, ku dimri mbyllte kalimet dhe ku shteti kishte shumë pak prani, dëshira për dije ishte e gjallë. Fëmija dukagjinas nuk kërkonte vetëm bukë. Kërkonte edhe shkronjën. Dhe kjo është një nga pamjet më të bukura të historisë së kësaj treve.
Gjeçovi nuk mblodhi vetëm rregulla. Ai dëgjoi popullin. Mblodhi fjalë të urta, gojëdhëna, zakone, këngë dhe dëshmi të jetës së përditshme. Në këtë kuptim, ai ishte një nga njerëzit që kuptuan se kultura nuk jeton vetëm në libra.
Ajo jeton në gojën e plakut. Në këngën e burrit. Në vajin e gruas. Në përrallën që i tregohet fëmijës. Në fjalën e dhënë. Në mënyrën se si pritet miku. Në mënyrën se si përcillet i vdekuri. Në mënyrën se si një nënë i mëson fëmijës emrat e të parëve. Kjo është arsyeja pse Dukagjini ka një pasuri që nuk matet me metra katrorë. Ai ka një arkiv të gjallë.
Kur flasim për malësorin, shpesh imagjinojmë burrin. Kjo është vetëm gjysma e Dukagjinit. Gjysma tjetër është gruaja. Ajo që qëndroi në shtëpi kur burri largohej. Ajo që rriti fëmijët. Ajo që punoi tokën. Ajo që mbajti shtëpinë gjallë. Ajo që priti mikun. Ajo që përballoi dimrat. Ajo që ruajti këngët. Ajo që ua mësoi fëmijëve historinë e familjes. Në shumë raste, ajo nuk shkroi në libra, por e ruajti kulturën duke e jetuar.
Historia e Dukagjinit duhet të rishkruhet edhe përmes kësaj figure. Jo vetëm gruaja si simbol i sakrificës, por gruaja si bartëse e kulturës. Sepse shumë nga ato që ne sot i quajmë “traditë dukagjinase” kanë kaluar nga brezi në brez përmes grave.
Një vend nuk bëhet i madh vetëm nga malet. Bëhet nga njerëzit. Dhe pwr Dukagjini ka njerëz që e kanë shkruajtur dhe kapërcyer kufirin e krahinës.
At Shtjefën Gjeçovi është një nga shembujt më të mëdhenj. At Justin Rrota është një tjetër. Në Plan ai punoi si famullitar e mësues dhe u mor drejtpërdrejt me gjuhën dhe kulturën e kësaj treve. Kontakti me të folmen e Dukagjinit u bë edhe pjesë e interesave të tij gjuhësore.⁸ At Daniel Gjeçaj, përfaqëson një tjetër faqe të historisë së kësaj treve. Jeta e tij lidhet me kulturën, klerin, mërgimin dhe përpjekjet për ruajtjen e kujtesës shqiptare jashtë vendit. Burime lokale e paraqesin si një nga figurat e rëndësishme të kujtesës kulturore të Thethit dhe Dukagjinit.⁹ Edhe Pjetër Gjoka, një nga emrat e rëndësishëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, kishte rrënjë familjare në Dushman të Dukagjinit.¹⁰
Këta njerëz tregojnë diçka të rëndësishme: Dukagjini nuk prodhoi vetëm malësorë. Prodhoi kujtesë, dije, art dhe kulturë. Ka vende ku historia shkruhet në arkiva. Ka vende ku shkruhet në gur. Dhe ka vende ku historia këndohet. Dukagjini është një prej tyre.
Kënga popullore, lahuta, fyelli, gojëdhënat, legjendat dhe rrëfimet kanë qenë një lloj biblioteke e gjallë. Para se historia të shkruhej në libra, ajo jetonte në kujtesën e njerëzve.
Një plak i tregonte një djaloshi se nga vinte fisi. Një burrë i tregonte një tjetri për një luftë të vjetër. Një grua i mësonte vajzës një këngë. Një familje ruante një histori që kishte kaluar nëpër pesë a gjashtë breza. Kështu krijohej kujtesa kolektive. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse në Dukagjin edhe sot emri i një vendi mund të hapë një histori të tërë. Një shkëmb. Një krua. Një urë. Një kishë. Një kullë. Një varr. Gjithçka mund të jetë një libër.
Këtu ajo qw shkruajm nuk mund të mbetet vetëm te bukuria. Sepse pas kartolinës turistike fshihet një dramë. Zbrazja. Emigrimi. Braktisja e fshatrave. Ikja e të rinjve. Mungesa e shërbimeve. Vështirësitë e transportit. Një pjesë e Dukagjinit është larguar nga vetë Dukagjini.
Burime të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” japin për fundin e vitit 1990 një shifër prej rreth 17 mijë banorësh për hapësirën që ajo e përkufizon si Dukagjin, ndërsa theksojnë se pas viteve ’90 një pjesë e madhe e popullsisë u zhvendos drejt Shkodrës, qyteteve të tjera dhe emigracionit. Këto të dhëna janë historike dhe duhen dalluar nga statistikat aktuale administrative.¹¹
Por edhe pa statistika, mjafton të shohësh disa fshatra. Shtëpi të mbyllura. Oborre të mbuluara nga bari. Kulla ku dikur kishte zëra fëmijësh. Shkolla që humbën nxënësit. Dhe male që janë ende aty, por njerëzit janë më pak. Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha të Shqipërisë së sotme.
Ne po zbulojmë bukuritë e maleve në të njëjtën kohë kur po humbasim njerëzit që i kanë ruajtur ato.
Sot Thethi dhe hapësirat e tjera të Alpeve janë bërë ndër destinacionet më të kërkuara të turizmit malor në Shqipëri. Vetë autoritetet turistike e paraqesin Thethin si një qendër të rëndësishme alpine, me bujtina dhe arkitekturë tradicionale.¹²
Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme. Turizmi mund të sjellë të ardhura. Mund të hapë vende pune. Mund t’i rikthejë vlerën pronës. Mund t’i japë një arsye të riut për të qëndruar. Mund të rikthejë në fshat njerëz që dikur u larguan. Por turizmi mund të bëhet edhe armik. Nëse ndërtohet pa kriter. Nëse natyra shndërrohet në mall. Nëse çdo livadh bëhet parking. Nëse çdo kullë shndërrohet në dekor. Nëse çdo shtëpi tradicionale prishet për t’u zëvendësuar me një godinë pa lidhje me vendin. Atëherë kemi fituar turistin dhe kemi humbur Dukagjinin. Prandaj zhvillimi duhet të ketë një parim: Turizmi duhet ta mbajë gjallë vendin, jo ta zëvendësojë atë.
Dukagjini nuk duhet ruajtur si një muze i madh i hapur. Një muze e ruan të kaluarën, por e ngrin në kohë. Dukagjini duhet të jetë i gjallë. Duhet të ketë shkolla. Duhet të ketë fëmijë. Duhet të ketë familje. Duhet të ketë bujqësi e blegtori. Duhet të ketë internet. Duhet të ketë rrugë. Duhet të ketë mjek. Duhet të ketë transport. Duhet të ketë mundësi pune. Dhe duhet të ketë njerëz që zgjedhin të jetojnë atje. Sepse nuk mund të mbrohet kultura e një vendi nëse largohen njerëzit që e mbajnë atë kulturë gjallë.
Nuk mjafton të restaurojmë një kullë. Duhet të ruajmë familjen që do të jetojë në të. Nuk mjafton të fotografojmë një veshje. Duhet të ruajmë dorën që di ta punojë. Nuk mjafton të regjistrojmë një këngë. Duhet të ketë dikush që ta këndojë. Nuk mjafton të flasim për mikpritjen. Duhet të ketë ende një derë që hapet. Nëse një ditë do të hartohej një “Kartë e Kujtesës së Dukagjinit”, ajo nuk do të duhej të përmbante vetëm monumentet. Do të duhej të përfshinte: kullat dhe arkitekturën tradicionale; gojëdhënat dhe këngët; të folmen e Dukagjinit; emrat e vendeve dhe historitë që lidhen me ta; recetat tradicionale; punimet artizanale; veshjet; fotografitë e familjeve; dokumentet e vjetra; varrezat dhe kishat; kujtesën e shkollave dhe të mësuesve; historitë e emigrimit; dhe, mbi të gjitha, kujtesën e njerëzve të zakonshëm.
Sepse historia e një treve nuk është vetëm historia e princërve. Është historia e atij që mbolli një arë. E asaj që rriti pesë fëmijë. E mësuesit që ecte në dëborë. E bariut që flinte larg shtëpisë. E gruas që mbajti shtëpinë gjallë. E priftit që hapi një shkollë. E djalit që iku në Amerikë dhe u kthye pas tridhjetë vjetësh. E plakut që ende di një këngë që askush tjetër nuk e di. Këta janë arkivistët e vërtetë të Dukagjinit.
Më pëlqen të mendoj se Dukagjini nuk është një vend i së kaluarës. Është një vend që ende po shkruan historinë e vet. Mund të ketë humbur shumë njerëz. Mund të ketë humbur shumë familje. Mund të ketë humbur shumë shtëpi. Por nuk ka humbur gjithçka. Sepse ende janë malet. Ende janë lumenjtë. Ende janë kishat. Ende janë kullat. Ende janë këngët. Ende janë njerëzit që kthehen. Ende janë ata që duan ta ruajnë. Dhe mbi të gjitha, ende ekziston një kujtesë.
Kjo është arsyeja pse Dukagjini nuk duhet parë vetëm me syrin e turistit. Duhet parë me syrin e shqiptarit. Turisti pyet: “Sa e bukur është kjo?”
Shqiptari duhet të pyesë: “Çfarë kemi bërë që kjo bukuri të mbijetojë?”
Dhe pyetja e dytë është shumë më e rëndësishme.
Ndoshta Dukagjini nuk ka nevojë që ne ta madhërojmë. Ai është madhështor edhe pa fjalët tona. Ka nevojë vetëm që ne ta kuptojmë. Të kuptojmë se pas çdo mali ka një histori. Pas çdo kulle ka një familje. Pas çdo kënge ka një kujtim. Pas çdo shtegu ka hapa njerëzish. Pas çdo varri ka një emër. Dhe pas çdo emri ka një pjesë të Shqipërisë. Prandaj, kur një ditë të ngjitesh drejt Thethit, të kalosh Shalën, të shohësh Shoshin, të zbresësh drejt Pultit apo të ndalesh në një kullë të vjetër, mos shiko vetëm peizazhin.
Dëgjo.Sepse atje, ndërmjet shkëmbinjve, ujit, erës dhe heshtjes, mund të dëgjosh ende zërin e atyre që nuk kanë shkruar libra, por kanë ruajtur një popull. Dhe ndoshta kjo është e vërteta më e madhe e Dukagjinit: Ai nuk është thjesht një vend ku shqiptarët kanë jetuar. Është një vend ku një pjesë e shqiptarisë ka mësuar të mbijetojë. E sot, sfida nuk është më të mbijetojë përballë pushtuesit. Sfida është të mos humbasë përballë harresës. Sepse malet mund të qëndrojnë edhe një mijë vjet. Por një vend mund të vdesë nëse nuk ka më njerëz që ta quajnë atë shtëpi.
Dukagjini ka nevojë pikërisht për këtë: të mbetet shtëpi.
Literatura e përdorur:
- Për shtrirjen historike të zotërimeve të Dukagjinëve, shih studimet mbi familjen fisnike Dukagjini dhe hapësirat e saj në Shqipërinë e Veriut, përfshirë Mirditën, Zadrimën, Pultin dhe drejt Kosovës perëndimore.
- Lekë Dukagjini ishte princ shqiptar i shekullit XV dhe bashkëkohës i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Figura e tij lidhet ngushtë me historinë e principatës së Dukagjinëve dhe me rezistencën shqiptare ndaj pushtimit osman.
- Agjencia Kombëtare e Turizmit e përshkruan Thethin si pjesë të Njësisë Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, dhe veçon Ujëvarën e Grunasit, Kanionin e Grunasit, burimet e Okolit dhe malin e Harapit si pika të rëndësishme natyrore e turistike.
- Studimi i botuar në Acta Histriae e trajton Kanunin e mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi si pjesë të së drejtës zakonore shqiptare dhe thekson karakterin oral të kësaj tradite përpara mbledhjes dhe sistemimit të saj nga Gjeçovi.
- Për përmbajtjen e Kanunit dhe ndarjen e tij në fusha që lidhen me familjen, martesën, pronën, punën, nderin, dëmet dhe pleqërinë, shih tekstin e botuar të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
- Burimet e Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” dokumentojnë hapjen e shkollës shqipe në Theth nga At Shtjefën Gjeçovi në vitin 1917 dhe japin si traditë shifrën rreth 25 nxënës; për këtë arsye shifra duhet përdorur me rezervë dhe jo si statistikë arkivore përfundimtare.
- Për shkollën e Planit, burimet e botuara nga Shoqata “Dukagjini” sjellin të dhënën se At Justin Rrota hapi shkollën shqipe në vitin 1917 dhe se në fillim u regjistruan 24 nxënës.
- Për veprimtarinë e Justin Rrotës në Plan dhe lidhjen e tij me studimin e gjuhës e kulturës së Dukagjinit, shih materialet mbi veprimtarinë e tij si famullitar, mësues dhe studiues.
- Për At Daniel Gjeçajn, figurë e lidhur me Thethin dhe jetën kulturore të Dukagjinit, shih materialet biografike dhe përkujtimore të botuara mbi veprimtarinë e tij fetare, kulturore dhe intelektuale.
- Për rrënjët familjare të aktorit Pjetër Gjoka në Dushman të Dukagjinit, shih materialin biografik të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”.
- Të dhënat për rreth 17 mijë banorë në fund të vitit 1990 dhe shpërnguljet pas viteve ’90 paraqiten në materiale të Shoqatës Atdhetare “Dukagjini”; ato duhen konsideruar të dhëna historike të burimit dhe jo zëvendësim i statistikave zyrtare të sotme.
- Për zhvillimin e Thethit si destinacion turistik dhe ruajtjen e arkitekturës tradicionale, shih Agjencinë Kombëtare të Turizmit.
BIBLIOGRAFI E PËRZGJEDHUR
- Gjeçovi, Shtjefën. Kanuni i Lekë Dukagjinit (botimet e traditës së mbledhur dhe sistemuar nga autori).
- Malaj, Edmond. Studime mbi Dukagjinët gjatë Mesjetës dhe shtrirjen gjeografike të trojeve të tyre.
- Acta Histriae. Studime mbi Kanunin, të drejtën zakonore shqiptare dhe veprimtarinë e Shtjefën Gjeçovit.
- Agjencia Kombëtare e Turizmit. Materiale mbi Thethin dhe Alpet Shqiptare.
- Shoqata Atdhetare “Dukagjini”. Materiale dokumentare mbi historinë, arsimin, kulturën dhe personalitetet e trevës.
- Materiale historike dhe kulturore mbi At Shtjefën Gjeçovin, At Justin Rrotën dhe At Daniel Gjeçajn.


