Romanin e ri të Llesh Ndojit “Babë Ruta” (Burrnesha mirditore) e cilësojnë dy përbërës të rëndësishëm: nga një anë mënyra se si autori i qaset dhe e shqipton dramën e jetës së ashpër të familjes mirditore të Prend Malsorit, ballafaqimin me të papriturat dhe me pësimet, përkatësisht ngadhënjimi mbi to si dëshmi e dhënies së kuptimit të jetës e të vazhdimësisë të trashëgimisë, të rrënjëve, nga ana tjetër, përftimin e dramës nëpërmjet një teksti të menduar e poetik.
Pra, autori i bërë objekt vështrimi poetik disa dukuri sa të rëndësishme e të rralla të mirditorëve, sidomos të gruas, e cila në rrjedhën historike të popullit tonë ka qenë shtylla e mbijetimit dhe e mos shuarjes, po aq t’i përjetësojë ato përmes një rrëfimi të veçantë e të ngrohtë. Me fjalë të tjera, faktin konkret, historik, Ndoj e ka shndërruar në fakt artistik, që nënkupton se përmes tekstit ka ndërtuar një realitet e botë që funksionon dhe bën ndikimin e vet estetik. Me këtë mënyrë ai e ka përmbushur atë që thoshte Henry James (Xhemjs): “Arti e krijon jetën, e krijon interesin, e krijon rëndësinë dhe mua nuk më është i njohur ndonjë zëvendësim i forcës së artit dhe i bukurisë së trajtimit të tij”.
Qëllimi i Llesh Ndojt s’ka qenë që të shqiptojë dukurinë e njohur të burrneshës, e cila është vështruar edhe nga shkrimtarë tonë të tjerë[1], po të dëshmojë për aftësinë dhe për forcën e jashtëzakonshme shpirtërore dhe vepruese të gruas mirditore që të flijohet për të mirën e familjes e të ruajtjes së trashëgimisë. Këtë e dëshmon Dakja, gruaja e Prendit të vrarë dhe nëna e Kristit. Ajo i thotë Gjinit, kunatit:
- Tatë, unë fatin tim e mbulova në tokë. Mbi tokë kam Kristin e votrën që ka lënë Prendi, e nuk ndahem prej tyre. Kristin do ta rris e oxhakun do ta mbaj ndezur për të!
Përcaktimin e tillë dinjitar e dëshmon thellësisht edhe Ruta, motra e Prendit, e cila për ta përmbushur rolin e mashkullit në familje për rritjen e Kristit, fëmijës së vetëm të Prendit dhe të Dakjes, vendos të bëhet burrneshë. Ajo i thotë gruas së vëllait, Dakjes:
- Ty të qoftë faqja e bardhë, kunata ime, si motër. Prej se u këput fryma e vllaut, unë e kam nda mendjen okë. Do të qëndroj në këtë shtëpi si burrë e sa të jem gjallë oxhaku i babës s’ka me u fikë. Zoti shpresoj të më ndihmojë me e rritë Kristin e me e pritë të bëhet i zoti për vijimësinë e jetës në familjen Malësori, që ajo të mos shuhet.
Përmbushja e këtij qëllimi të parashtruar, natyrisht, kërkonte shumë punë e flijime, të përcjella me shumë vuajtje e dhimbje.
Jetë e tillë e vështirë ndriçohet sidomos përmes ballafaqimit kontrastik të Rutës, që shndërrohet në Babë Rutën, dhe Kristit, djalit të Prendit dhe Dakjes, i cili synon të kundërtën: gjithnjë e më shumë e ndien veten femër edhe pse: Tashmë ai e kishte të qartë se babë Ruta ishte femër, por ndjehej dhe pranohej si burrë, po aq sa e kishte të qartë se edhe vetë ishte mashkull, bile i dukej vetja më mashkull se meshkujt e tjerë, por ndjehej si të ishte femër, dhe ai e pranonte veten kështu, por jo të tjerët…
Dukuria e Kristit – të ndihej femër – merr përmasa të mëdha kur ai shkon (fshehtas) në Itali dhe “pronarët” e tij (shqiptarë) bëjnë gjithçka që ai të bëhet Kristinë.
Duke e rrëfyer këtë dramë jetësore Llesh Ndoj, përmes tekstit, e shndërron atë në dramë letrare, ku përligjet një dhimbje e pafund, jo vetëm e Babë Rutës dhe e Dakjes, po dhe e vetë Kristit, i cili bëhet “lodër” e lojës së ndyrë për përmbushjen e qëllimeve djallëzore të njerëzve të gjakut e të gjuhës së tij që jetonin në Itali: t’ia ndërronin gjininë dhe ta shndërronin në Kristinë për fitime materiale.
Pikërisht mënyra e konceptimit dhe e shtjellimit të vendimit (flijimit) të Rutës të bëhet burrneshë për të siguruar vijimësinë e familjes dhe rritjen e Kristit dhe ballafaqimi me dramën e marrëzisë që ai të shndërrohet (edhe përmes intervenimit kirurgjik) në femër, teksti i përftuar nga Llesh Ndoj e përligj njërën nga vlerat kryesore.
Përpjekja që Kristi të shndërrohet në Kristinë, provon dërdëllitjen dhe shëmtinë e lojës për përfitime, ndërsa veprimet e Babë Rutës, burrneshës, dëshmojnë përmasën dinjitare, të thuash sakrale: ajo nuk kursen asgjë, shkon vetë në Itali, dhe e gjen Kristin (Kristinën) dhe me forcën e arsyes dhe të fakteve e bind që të kthehet në vendlindje dhe të vazhdojë trashëgiminë e familjes.
Kjo përligj diçka që, sado që të synon të thuash sa më shumë, mbetet shumëçka pa thënë. Ngjet kështu nga se, siç thoshte papa Gjon Pali II: “[…] Është dashuria që e djeg dhe e zhbën të keqen me flakën e dashurisë dhe nxjerr dhe prej mëkatit forma të mira të shumta lulëzimi[2]”.
Dukurinë e shndërrimit të dhimbjes e të pësimeve në dashuri, po papa, Gjon Pali II, tashmë i shpallur i shenjtë nga Vatikani, e sqaron mirëfilltë: “Çdo vuajtje njerëzore, çdo dhembje, çdo fatkeqësi ngërthen një premtim (shpresë) për shpëtim, një shpresë për gëzim[3]” dhe “S’ka të keqe nga e cila Zoti nuk mund të nxjerrë një të mirë më të madhe. Nuk ekziston vuajtje që Ai nuk di ta shndërrojë në rrugën që shpie tek Ai[4]”.
Shqiptimi i dramës jetësore nga mund të jetë nisur Llesh Ndoj dhe drama që krijohet përmes rrëfimit, nëpërmjet tekstit si fakt, si dukuri, do të kishte një peshë, po autori i ka dhënë frymën e vet, e ka shndërruar në një realitet tjetër më të pasur, në realitet letrar poetik, që komunikon ndryshe nga ai konkret, dhe vetëm si i tillë është në gjendje të ndikojë estetikisht në marrësin, si çështje me rëndësi të shumëfishtë[5].
Po sjell tre shembuj për ta përligjur këtë ndikim:
Një krismë plumbi atë buzë mbrëmje të vjeshtës së hershme të vitit tashmë të largët 1998, sikur e kishte grisur edhe vetë kupën e qiellit dhe në atë grisje ai kishte nisur të lotonte krejt papritur e pa kujtuar.
* * *
Vetëm Ruta nuk derdhi lot! Kishte lotuar aq shumë sa kupa e lotëve ishte tharë, krahas atij të gëzimit e lumturisë që, i trembur, ishte tkurrur thellë në zgafellat e shpirtit, ku kishte ngrirë akull mbase për të mos shkrirë më kurrë.
* * *
Atë ditë bashkë me dy a tre moshatarë të saj, Ruta kishte kryer “provën e jetës”. Pas një shiu të dendur, por jo të vrullshëm, kishte rënë një larë dielli që i jepte shkëlqim të bukur natyrës së ngopur me avuj shiu. Nga suka përballë shtëpisë e deri në fundin e zabelit matanë përroit të vogël, që kalonte më pak se 100 metra larg nga shtëpia e saj, një ylber i bukur u kishte tërhequr vëmendjen fëmijëve të fisit, me të cilët ajo po luante. Vendasit e cilësonin dukurinë si “venë e raki” dhe kudo ishte e përhapur legjenda se po të kaloje mespërmes saj, nga vajzë do të bëheshe djalë dhe anasjelltas, por kjo ndodhte vetëm njëherë në jetë
* * *
Duke u mbështetur në vlerat e këtij romani të Llesh Ndojt, të cilat në disa përbërës i theksova më lart, jam i bindur se do të mirëpritet jo vetëm nga shtresat e ndryshme të lexuesve po dhe nga shkrimtarët.
Prishtinë, fillim korriku 2026
ANTON NIKË BERISHA
[1] Dukurinë e burrneshës e gjejmë edhe te romani “Besniku” i Rexhai Surroit i shkruar më 1959.
Te romani “Rrathë” i Martin Camajt, është me emrin e Zogës apo Virgjnës, ku pos të tjerash, tregohen disa veçori të rrjedhës së jetës dhe të qëndrimit ndaj normave shoqërore dhe ndaj sistemit të ri (lexo: komunist): “Kështu ka qenë e do të jetë: rrethanat i krijojnë njerëzit dhe veprat e tyne”.
Shih më gjerësisht për këtë studimin tim Vepra letrare e Martin Camajt. “Radhonjtë e Zjarrit”, n. 18, Kozencë, 1994. Botimi i dytë i rishikuar dhe i shtuar, “Lajmtari”, Tiranë 2000. Botimi i tretë i plotësuar dhe i shtuar “Princi”, Tiranë 2010.
[2] Giovanni Paolo II, Memoria e identità. Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI. Rizolli Corriere della sera. Edizione speciale. RCS Quotidiani, Milano 2010, f. 199. Shih dhe Parole di Benedetto. La visione della Chiesa e del mondo negli interventi di Joseph Ratzinger Ancora, Milano (aprile 2005), f. 22.
[3] Giovanni Paolo II, Memoria e identità. Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI., vep. e përm., f. 199.
[4] Giovanni Paolo II, po aty, f. 198.
[5] Shih për dukurinë e ndikimit estetik veprën time (bashkë me Labinot Berishën) Estetika dhe estetika e letërsisë. Në “Studime letrare të zgjedhura” në dhjetë vëllime. Vëllimi II. Faik Komica, Prishtinë 2025.


