Ibish Neziri
Më 16 shtator 2026, në sallën e Dhomave të Specializuara në Hagë, katër herë u shqiptua formula „në emër të popullit të Kosovës“, dhe sa herë që e dëgjoja më lindte e njëjta pyetje, gjithnjë e më e rëndë: në emër të cilit popull po fliste kjo gjykatë? Në emër të popullit që e përjetoi luftën, që u dëbua nga shtëpia, që pa familjarët të vrarë, që ende kërkon të zhdukurit dhe që UÇK-në nuk e njohu nga dosjet e hartuara njëzet e shtatë vjet më vonë në Hagë, por nga lufta për të dalë nga robëria, apo në emër të një „populli“ procedural, emri i të cilit përdoret vetëm për t’i dhënë solemnitet një aktgjykimi?
Në njërën bankë ishin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa në një bankë tjetër, të padukshme por po aq reale, ishte vetë gjykata, sepse më 16 shtator nuk po provoheshin vetëm katër të akuzuarit, por po provohej edhe drejtësia që pretendonte t’i gjykonte ata. Sipas vlerësimit tim, pikërisht aty gjykata ra në provim.
PROVAT, DËSHMITARËT DHE HUMBJA E BESIMIT TE DREJTËSIA
Gjykata i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burg, Veselin me 18 dhe Selimin me 13, gjithsej 81 vjet, ndërsa në të njëjtën kohë i shpalli të pafajshëm për gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit, sepse Prokuroria nuk arriti të provonte „përtej dyshimit të arsyeshëm“ ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Kjo nuk është një hollësi e parëndësishme, por një element thelbësor i aktgjykimit, për të cilin këto ditë është përsëritur shumë herë se është vetëm i shkallës së parë. Por ç’rëndësi ka këtu shkalla e parë apo e dytë, përderisa në këtë mekanizëm gjenden gjyqtarë dhe prokurorë që më parë kanë punuar në EULEX, si Vidar Stensland, sot gjyqtar i Dhomave të Specializuara në Hagë dhe anëtar i trupit që, në rastin „Drenica I“, kishte arritur ta dënonte Sami Lushtakun me 12 vjet burg për vrasjen e një personi për të cilin nuk dihej kush ishte, nuk kishte kufomë, nuk kishte varr, nuk dihej data e saktë, nuk dihej vendi i saktë dhe ekzistonte vetëm një dëshmitar. Kur dihet kjo, askush nuk mund të kërkojë t’i besohet një gjyqtari vetëm sepse mban togë.
E njëjta vazhdimësi shihet edhe në Prokurori: Cezary Michalczuk, i cili kishte qenë prokuror në hetimet e „Grupit të Drenicës“, është sot prokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Mosbesimin tim e shton edhe rasti i John Devaney, i cili kishte punuar në njësinë e administrimit të Qendrës së Paraburgimit dhe më vonë u shfaq në sallën e gjyqit si ndihmësprokuror i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Vetë Devaney e konfirmoi se kishte punuar në njësinë e paraburgimit deri në fund të vitit 2022, ndërsa Hashim Thaçi, në seancën e 27 marsit 2025, e kundërshtoi publikisht këtë kalim dhe deklaroi se Devaney, gjatë kohës kur kishte funksione në paraburgim, e kishte fyer dhe kërcënuar fizikisht atë dhe të akuzuarit e tjerë, si dhe kishte pasur qasje në informacione që, sipas Thaçit, nuk duhej t’i kishte. Vetë kalimi i një personi nga struktura që administron paraburgimin në strukturën e Prokurorisë që ndjek penalisht të njëjtët të akuzuar është arsye e mjaftueshme për të ngritur dyshime serioze mbi ndarjen e roleve, konfliktin e mundshëm të interesit dhe për të thelluar mosbesimin ndaj vetë Dhomave të Specializuara. Këto nuk janë teori konspirative, por emra, funksione, procese dhe aktgjykime konkrete. Për këtë arsye, nuk shoh pse besimi duhet t’i jepet paraprakisht Gjykatës së Apelit dhe, në përgjithësi, Dhomave të Specializuara.
Problemi tjetër i madh është prova që publiku nuk e sheh, dëshmitari që nuk e njeh dhe dëshmia që jepet pas pseudonimit, fytyrës së fshehur, zërit të deformuar apo dyerve të mbyllura. Unë nuk pajtohem me tezën se një dëshmitar fiton një lloj paprekshmërie morale vetëm pse gjykata ia ka fshehur emrin publikut. Mbrojtja e një dëshmitari nga një rrezik real është një gjë, por dënimi i një njeriu për dekada mbi dëshmi që publiku nuk ka mundësi t’i vlerësojë plotësisht është diçka tjetër. Nuk mund të krijohet një sistem ku dikush e hedh gurin dhe e fsheh dorën, ndërsa i akuzuari mban mbi shpinë dhjetëra vjet burg.
Në këtë kontekst nuk mund të anashkalohen as Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Dokumentet konfidenciale nuk u morën prej tyre nga zyra e Prokurorisë, por, sipas vetë dokumenteve gjyqësore, tri pako me materiale mbërritën në selinë e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së nga burime të panjohura, më 7, 16 dhe 22 shtator 2020. Kjo do të thotë se dokumentet dolën tri herë nga sistemi, tri herë arritën te të njëjtët njerëz dhe tri herë burimi mbeti i panjohur për publikun. Atëherë lindin pyetje që nuk mund të mbyllen me një aktgjykim: kush i nxori dokumentet, kush kishte qasje në to, kush e theu sekretin i pari dhe kush dështoi t’i mbronte materialet që pretendonte se po i ruante në emër të mbrojtjes së dëshmitarëve?
Gucati dhe Haradinaj u dënuan, ndër të tjera, për frikësim gjatë procedurës penale dhe për zbulimin e identiteteve apo të dhënave të dëshmitarëve të mbrojtur, por personi ose personat që nxorën dokumentet mbetën të panjohur publikisht. Mbrojtja e tyre e ngriti zyrtarisht edhe tezën e provokimit nga vetë organet e ndjekjes, të cilën trupi gjykues e hodhi poshtë si të pabazuar. Mirëpo fakti që gjykata e refuzoi atë tezë nuk e zhduk pyetjen politike dhe publike nëse rrjedhja e përsëritur e dokumenteve ishte vetëm një dështim spektakolar i sigurisë apo nëse dikush priste pikërisht reagimin që pasoi. Hedhja poshtë e kësaj teze nga trupi gjykues nuk e përjashton aspak mundësinë e një provokimi apo kurthi nga organet e ndjekjes.
Një gjykatë që flet „në emër të popullit të Kosovës“ duhet të jetë e gatshme t’i japë atij populli llogari dhe t’i shpjegojë se si është e mundur që dokumente konfidenciale të dalin tri herë nga sistemi i saj dhe të përfundojnë te njerëzit që më pas arrestohen. Nëse në ato dokumente ndodheshin të dhënat e dëshmitarëve, atëherë çfarë kuptimi ka mbështjellja e fytyrës, deformimi i zërit dhe dëshmia anonime? Këtu qëndron kundërthënia: institucioni që pretendon se po i mbron dëshmitarët ua cenon vetë mbrojtjen që në çastin kur dokumentet konfidenciale dalin nga sistemi dhe përfundojnë jashtë kontrollit të tij.
GJYKATA U KRIJUA PËR NJË ÇËSHTJE, POR GJYKOI ÇËSHTJE TË TJERA
Këtu duhet kthyer vështrimi edhe te vetë origjina e Dhomave të Specializuara. Raporti i Dick Martyt, me pretendimin tronditës për trafikim organesh, ishte baza politike mbi të cilën u krijua kjo gjykatë. Mirëpo gjykimi filloi pa akuzën për trafikim organesh dhe përfundoi po pa të. Me fjalë të thjeshta, gjykata u krijua për një çështje, ndërsa gjykoi dhe dënoi për çështje të tjera. Nëse kjo nuk quhet deformim i qëllimit fillestar të krijimit të saj dhe deformim i vetë drejtësisë, atëherë çfarë duhet quajtur?
Një gjykatë nuk mund të krijohet nën peshën e një akuze që trondit opinionin ndërkombëtar, të marrë prej saj legjitimitetin politik për ekzistencën e vet dhe pastaj, kur ajo akuzë nuk del në gjyq, të vazhdojë sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kjo nuk është një hollësi teknike, por një kundërthënie që prek vetë legjitimitetin e Dhomave të Specializuara.
Pikërisht për këtë është domethënës prononcimi i Natasha Kandiqit, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe një nga figurat më të njohura në dokumentimin e krimeve të luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Pas aktgjykimit ajo deklaroi se hetimi për pretendimet mbi trafikimin e organeve kishte çuar te disa gra moldave, të cilat nuk kishin lidhje me luftën në Kosovë, dhe se nuk kishte prova për ngritjen e një akuze të tillë. Ky është pohimi i Kandiqit dhe duhet trajtuar si i tillë, por ai e kthen në qendër një pyetje që nuk mund të fshihet pas zhvillimeve të mëvonshme të procesit.
Nëse pretendimet që prodhuan tronditjen më të madhe politike dhe që ndihmuan krijimin e klimës në të cilën Kosovës iu imponua kjo gjykatë nuk përfunduan fare në aktakuzën e procesit kryesor, atëherë është plotësisht legjitime të pyetet se çfarë ndodhi me bazën politike dhe morale mbi të cilën u ndërtua gjithë ky mekanizëm. Nuk mjafton që një institucion të ndryshojë objektin e ndjekjes gjatë rrugës dhe pastaj të kërkojë që publiku të harrojë se me cilat pretendime dramatike u hap ajo rrugë.
Kjo pyetje nuk e zhbën automatikisht juridiksionin e Dhomave dhe as aktakuzat që u ngritën më vonë, por e rëndon çështjen e legjitimitetit të tyre. Sa më e madhe të ketë qenë pesha politike e pretendimit fillestar, aq më e madhe është edhe përgjegjësia për të shpjeguar publikisht se çfarë u provua prej tij, çfarë nuk u provua dhe si një mekanizëm i krijuar nën hijen e atij pretendimi përfundoi duke gjykuar një çështje me akuza krejt të tjera.
Këtij dyshimi për origjinën dhe karakterin e mekanizmit i shtohet edhe vlerësimi i Geoffrey Nice, ish-prokuror i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në procesin kundër Slobodan Milosheviqit. Nice ka deklaruar se me këtë çështje merret prej rreth pesëmbëdhjetë vjetësh dhe se që nga Raporti i Dick Martyt kishte parë elemente që, sipas tij, tregonin se ajo që po ndodhte nuk ishte vetëm juridike, por kishte edhe një dimension politik. Ai thotë se që atëherë kishte indikacione se mekanizmi që po ndërtohej drejtohej nga objektiva politike që nuk ishin të qarta.
Edhe vlerësimi i tij për mënyrën se si u paraqit aktgjykimi i 16 shtatorit është i rëndë. Nice vëren se përmbledhja publike e aktgjykimit përmban pohime kategorike, por nuk identifikon provat konkrete që i lidhin të akuzuarit me krimet për të cilat gjykata thotë se është provuar përgjegjësia e tyre. Për një proces që ka përfunduar me 81 vjet burg, kjo nuk është një çështje e vogël teknike, sepse pikërisht lidhja ndërmjet provës konkrete dhe përgjegjësisë individuale duhet të jetë pjesa më e qartë dhe më bindëse e gjithë aktgjykimit.
Nice tërheq vëmendjen edhe te problemi i transparencës, duke theksuar se një pjesë e madhe e procesit është zhvilluar në seanca të mbyllura dhe se publikut mund t’i duhet të presë gjatë për një version të plotë dhe të redaktuar të aktgjykimit. Sipas tij, për shkak të sasisë së madhe të provave të administruara në seanca jo publike, është madje e paqartë se kur publiku do të ketë mundësi ta shohë të plotë bazën mbi të cilën u mor vendimi.
Këtu lind një kundërthënie që nuk mund të anashkalohet: një gjykatë që flet „në emër të popullit të Kosovës“ i kërkon po atij populli ta pranojë një aktgjykim jashtëzakonisht të rëndë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e provave mbi të cilat mbështetet ai vendim mbetet jashtë syve të publikut. Sa më shumë që një proces mbështetet në seanca të mbyllura, dokumente të redaktuara, dëshmitarë të mbrojtur dhe materiale që publiku nuk mund t’i kontrollojë, aq më e madhe bëhet barra e gjykatës për të shpjeguar bindshëm se si, nga ato prova, arriti pikërisht te këto përfundime dhe te këto dënime.
Dyshimi ndaj këtij procesi nuk vjen vetëm nga shqiptarët dhe as vetëm nga njerëzit që kanë lidhje emocionale me UÇK-në. Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s në Evropë dhe njeriu që e njihte luftën nga koha kur ajo po zhvillohej, tha pas aktgjykimit se ishte i shokuar dhe i zemëruar dhe se, nga ajo që kishte parë, nuk kishte parë prova që do ta justifikonin një vendim të tillë. William Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, pyeti pse Aleksandar Vuçiqi nuk ishte thirrur në Hagë dhe kritikoi Bashkimin Evropian për mënyrën se si e trajton kontekstin e luftës dhe përgjegjësinë e Serbisë.
Paul Williams, profesor amerikan i së drejtës ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në procesin e Rambouillet-së, ka deklaruar se UÇK-ja nuk kishte strukturën tradicionale të komandës dhe kontrollit mbi të cilën mund të ngrihej automatikisht përgjegjësia e drejtuesve dhe, pas aktgjykimit, shkoi deri te kërkesa për shpërbërjen e gjykatës. Historiani gjerman Konrad Clewing ngriti problemin e aplikimit të logjikës së një ushtrie klasike mbi një luftë guerile. Në të njëjtën vijë, por nga këndvështrimi i studimeve politike dhe historike për Kosovën, Florian Bieber, profesor dhe drejtues i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, rikujton se studiuesit dhe vëzhguesit e luftës në Kosovë e kanë përshkruar përgjithësisht UÇK-në si një strukturë relativisht të decentralizuar, pa një hierarki të fortë dhe pa atë lloj zinxhiri të ngurtë komandues që karakterizon një ushtri të rregullt shtetërore. Sipas tij, aktgjykimi i 16 shtatorit nuk mund ta përmbysë vetvetiu këtë interpretim të krijuar nga literatura dhe hulumtimet shumëvjeçare për luftën e Kosovës. Një aktgjykim penal mund të përcaktojë përgjegjësinë individuale në një rast konkret, por nuk fiton për këtë arsye monopolin mbi interpretimin historik të një lufte.
Ndërsa Iva Vukushiq, e cila nuk është kundërshtare e parimit të përgjegjësisë individuale, i konsideroi dënimet mjaft të larta krahasuar me procese të tjera për krime të ngjashme.
Në të njëjtin kontekst është domethënës edhe reagimi i ish-diplomatit të lartë amerikan Philip Reeker, i cili deklaroi se ishte befasuar nga ashpërsia e dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara dhe se tani duhet parë me kujdes procesi i apelimit. Reeker nuk e vë në dyshim parimin e përgjegjësisë individuale, por vë në dukje se historia e luftës së Kosovës nuk mund të ndryshohet nga një aktgjykim dhe se në rajon ekziston një ndjenjë e fortë padrejtësie lidhur me mënyrën se si ky proces është perceptuar. Pikërisht fakti se një vlerësim i tillë vjen nga një ish-zyrtar i lartë amerikan e bën reagimin e tij domethënës, por ndërsa Reeker shpreh habi për ashpërsinë e dënimeve, problemi im qëndron më thellë, te vetë dënimet e shqiptuara mbi një bazë provuese që e konsideroj të dyshimtë.
Mark Ellis, i cili po ashtu nuk mund të futet në kategorinë e kundërshtarëve të Speciales, ka thënë se aktgjykimi mund të sfidohet si në fakte, ashtu edhe në ligj.
Nevenka Tromp e çon kritikën edhe më tej, përtej përgjegjësisë individuale të katër të dënuarve dhe përtej vetë sallës së Hagës. Ajo e quan „mëkat fillestar“ mënyrën se si u krijuan Dhomat e Specializuara, të cilat, sipas saj, u konceptuan për ta kënaqur Serbinë dhe u bënë çmimi që Kosova duhej të paguante për vazhdimin e mbështetjes perëndimore, me pritjen se lëshimet ndaj Beogradit do ta afronin Serbinë me njohjen e Kosovës. Ky është vlerësimi i Trompit, një studiuese dhe ish-hetuese e Tribunalit për ish-Jugosllavinë, e cila e njeh nga afër arkitekturën dhe pasojat politike të drejtësisë penale ndërkombëtare.
Sipas Trompit, aktgjykimi i 16 shtatorit nuk do të mbetet vetëm aktgjykim kundër katër personave, sepse Serbia do ta përdorë atë si mjet politik dhe juridik kundër Kosovës. Ajo e përshkruan këtë si „luftë juridike“, vazhdim të objektivave të kohës së luftës me mjete juridike, përmes të cilave Beogradi mund të përpiqet ta riformulojë rolin e vet në dhunën e viteve 1998–1999, t’i relativizojë aktgjykimet e Tribunalit kundër zyrtarëve serbë dhe ta zhvendosë vëmendjen te kriminalizimi i ish-kundërshtarit të tij. Tromp rikujton se në çështjen „Shainoviq dhe të tjerët“ Tribunali konstatoi një ndërmarrje të përbashkët kriminale të lidhur me zhvendosjen me forcë të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës dhe me vrasjen e qindra të tjerëve, ndërsa tani aktgjykimi i Speciales i jep Beogradit material të ri për ta relativizuar atë histori.
Pikërisht këtu pasoja e aktgjykimit bëhet shumë më e rëndë se vitet e burgut të shqiptuara ndaj katër njerëzve, sepse ai prek drejtpërdrejt narrativën e luftës çlirimtare dhe të shtetësisë së Kosovës dhe i jep Serbisë një instrument që mund ta përdorë për ta rishkruar historinë politike të luftës njëzet e shtatë vjet më vonë.
Prandaj është e pasaktë që çdo dyshim ndaj këtij procesi të reduktohet në nacionalizëm, emocion apo solidaritet me ish-pjesëtarët e UÇK-së. Ka njerëz që e kanë njohur luftën nga afër, njerëz që kanë negociuar me udhëheqjen e UÇK-së, njerëz që kanë drejtuar operacionet e NATO-s, studiues të drejtësisë ndërkombëtare dhe njohës të proceseve për krime lufte, të cilët kanë ngritur pikëpyetje të rënda për strukturën e UÇK-së, përgjegjësinë komanduese, bazën provuese të dënimeve, karakterin e gjykatës dhe efektet që mund të prodhojë jurisprudenca e saj.
Por mosbesimi ndaj gjykatës nuk buron vetëm nga vërejtjet e sotme të figurave ndërkombëtare. Shqiptarët kanë një kujtesë shumë më të gjatë të marrëdhënies ndërmjet gjykatës, politikës dhe burgut dhe, për këtë arsye, edhe një arsye historike për të mos e adhuruar fjalën „gjykatë“ si sinonim automatik të drejtësisë. Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, në monografinë e saj Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945–1990, ka përmbledhur një bilanc të jashtëzakonshëm, sipas të cilit shqiptarët në ish-Jugosllavi kaluan 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj në burgje. Askush nuk mund të më kërkojë ta fshij këtë kujtesë vetëm sepse togës së sotme i është ndërruar shteti, gjuha dhe adresa.
Nuk po them se gjykatat jugosllave dhe Dhomat e Specializuara janë juridikisht e njëjta gjë, por them se një popull që për dekada ka njohur dosjen policore, burgun politik, procesin e montuar dhe dokumentin e shërbimit sekret ka të drejtë të jetë mosbesues ndaj çdo sistemi që i kërkon bindje, ndërsa vetë funksionon me një shkallë të lartë fshehtësie dhe me juridiksion të ndërtuar në mënyrë selektive. Pas atyre 666 shekujve, 72 vjetëve e 7 muajve burg, më 16 shtator 2026 u shqiptuan edhe 81 vjet të tjera, dhe ironia më e rëndë qëndron pikërisht te formula se këtë herë ato u shqiptuan „në emër të popullit të Kosovës“.
Po aq e rëndë është edhe pyetja pse duhet t’i jap besim automatik Bashkimit Evropian. Besimi nuk është dekor institucional dhe as medalje që një organizatë ia var vetes në gjoks, por rezultat i veprimeve konkrete. Milan Radoiçiq e ka pranuar rolin e tij në organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, ndërsa Kosova e ka akuzuar për terrorizëm dhe vepra të tjera penale. Megjithatë ai vazhdon të jetë në Serbi dhe Serbia nuk e ka dorëzuar në Kosovë, ndërsa as procesi penal në Serbi nuk ka prodhuar deri tani atë përgjegjësi që kërkohet me aq këmbëngulje në raste të tjera.
Atëherë është legjitime të pyetet pse drejtësia ndaj shqiptarëve duhet të udhëtojë me shpejtësi drejt Hagës, ndërsa drejtësia ndaj një personi që ka pranuar rolin e tij në një sulm të armatosur mund të presë me vite në Beograd. Është po aq legjitime të pyetet pse Bashkimi Evropian vazhdon ta trajtojë Aleksandar Vuçiqin si partner politik, edhe pse ai nuk është një figurë që hyri dje në politikë, por ish-ministër i Informacionit në regjimin e Slobodan Milosheviqit gjatë kohës së luftës së Kosovës.
Ndërkohë, toka e Kosovës vazhdon të nxjerrë të vdekurit. Në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave, numër që përkon me të ashtuquajturin Grup të Intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur në prill të vitit 1999. Tre persona janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte. Kur dalin raste të tilla, pyetja ime është e pashmangshme: ku është ai aparat ndërkombëtar me zyra, prokurorë, hetues, fonde, dëshmitarë dhe logjistikë të jashtëzakonshme për të ndjekur edhe këto krime?
Përgjigjja juridike është se Dhomat e Specializuara kanë mandat të lidhur me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011 dhe me hetimet që dolën prej tij. Pikërisht ky është problemi, sepse selektiviteti nuk është një devijim rastësor i praktikës, por është ndërtuar në vetë juridiksionin e këtij mekanizmi. Prandaj qytetari ka të drejtë të pyesë pse Kosova duhet të vazhdojë të mbajë një gjykatë që quhet „e Kosovës“, ndërsa aparati i saj i posaçëm ndërkombëtar, në praktikën e deritanishme, është fokusuar te ish-pjesëtarët, drejtuesit dhe njerëzit e lidhur me UÇK-në.
Të njëjtën pyetje e kam edhe për EULEX-in. Ky mision erdhi në Kosovë në vitin 2008 dhe vazhdon të jetë aty edhe në vitin 2026, ndërsa mandati i tij është zgjatur sërish. Kompetencat e tij ekzekutive sot janë më të kufizuara se dikur, por ai vazhdon të ketë funksione monitorimi, mentorimi, këshillimi dhe mbështetjeje për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e tyre. Pas tetëmbëdhjetë vjetësh pranie, qytetari ka të drejtë të pyesë deri kur do të vazhdojë kjo dhe pse duhet ta konsiderojë praninë e EULEX-it si diçka të vetëkuptueshme, sidomos kur në kujtesën e tij ekzistojnë procese si „Drenica I“ dhe kur njerëz të atij sistemi kanë kaluar më pas në mekanizmin e Hagës.
Edhe çështja e mandatit të Dhomave nuk mund të mbulohet me lojë fjalësh. Periudha fillestare pesëvjeçare ka kaluar prej kohësh, ndërsa Dhoma Kushtetuese e Speciales e ka interpretuar Kushtetutën në mënyrë të tillë që funksionimi të vazhdojë derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të japë njoftimin për përfundimin e tij. Ky mund të jetë interpretimi juridik që përdoret sot, por nuk është përgjigje e mjaftueshme politike dhe demokratike. Një institucion që quhet i përkohshëm, por që vazhdon përtej periudhës së tij fillestare pa mandat të ri politik nga Kuvendi i Kosovës dhe deri sa një organ jashtë Kosovës të vendosë për përfundimin e tij, është një anomali që meriton kundërshtim të hapur.
Në këtë kuptim, po, unë e përdor edhe fjalën „peng“. Nuk e përdor si cilësim teknik juridik, por si gjykim timin politik dhe moral. Kur shoh Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën në një mekanizëm që është ndërtuar në mënyrë selektive, që funksionon përtej periudhës fillestare dhe që kërkon prej meje besim pa ma fituar atë, unë i shoh si pengje të këtij mekanizmi. Dhe pikërisht këtu problemi pushon së qeni vetëm institucional. Arrestimi dhe dënimi i Gucatit e Haradinajt, pas tri dërgesave të dokumenteve konfidenciale nga burime të panjohura, nuk më jep arsye të kem më pak pyetje, por më shumë.
ME KËTË VENDIM, DHOMAT E SPECIALIZUARA E PËRLIGJËN ROBËRINË
Dhe pikërisht këtu çështja pushon së qeni vetëm shqiptare. Një lëvizje çlirimtare nuk lind në një ministri, nuk ka protokoll të përsosur, noter, administratë të konsoliduar, arkiv shtetëror dhe hierarki të ndërtuar si një ushtri e rregullt. Ajo lind pikërisht sepse shteti ekzistues është kthyer në instrument të shtypjes, ndërsa robëruesi, përkundrazi, ka polici, ushtri, shërbim sekret, dosje, arkiv, vula dhe mundësinë që ta dokumentojë të shtypurin sipas gjuhës dhe interesit të vet.
Nëse, njëzet e pesë apo tridhjetë vjet më vonë, dokumenti i prodhuar nga aparati i robëruesit hyn në sallën e gjyqit me aureolën e „provës“, ndërsa struktura fluide e rezistencës rindërtohet si piramidë komanduese nga njerëz që nuk e kanë jetuar atë luftë, atëherë krijohet një precedent që mund t’i bëjë dëm jo vetëm Kosovës, por çdo lëvizjeje çlirimtare në të ardhmen. Mesazhi mund të bëhet tragjikisht i thjeshtë: mos rezistoni, sepse shtypësi ka avantazhin e shtetit sot dhe, përmes arkivit të tij, mund ta ketë avantazhin e dosjes edhe nesër.
Në këtë mënyrë, drejtësia ndërkombëtare rrezikon të prodhojë të kundërtën e asaj që pretendon, sepse në vend që të ndëshkojë krimin individual, mund ta bëjë robërinë juridikisht më të sigurt se çlirimin. Për këtë arsye nuk kam ndërmend të përdor një gjuhë të butë për hir të komoditetit diplomatik, sepse asnjë gjykatë nuk duhet amnistuar nga kritika, asnjë prokuror nga pyetja, asnjë institucion evropian nga përgjegjësia dhe asnjë togë nuk duhet trajtuar si mantel i pagabueshmërisë.
Historia e Alfred Dreyfusit duhet t’u rrijë gjyqtarëve mbi tavolinë jo sepse rasti i tij dhe ky proces janë identikë, por sepse ai na la një mësim që nuk plaket: një gjykatë mund të dënojë dhe megjithatë të gabojë. Mund të ketë uniforma, prokurorë, dokumente, aktgjykim, solemnitet dhe gjithë autoritetin e shtetit, ndërsa historia, pas shumë vitesh, mund të arrijë në një përfundim të vetëm, se gjykata gaboi.
Prandaj më 16 shtator nuk ishin vetëm katër njerëz në bankën e të akuzuarve, sepse në një bankë tjetër ishte edhe vetë drejtësia, ndërsa ngjyrën e zezë të togave të tyre, atë ditë, e bënë edhe më të zezë. Pastaj u shqiptua përsëri formula „në emër të popullit të Kosovës“, por pikërisht aty qëndron kundërshtimi im përfundimtar, sepse një gjykatë mund të flasë në emër të ligjit që zbaton dhe të aktgjykimit që ka marrë, por nuk mund ta marrë zërin e popullit, ta fusë në një formulë ceremoniale dhe të pretendojë se po flet në emrin e tij.
Nëse flitet në emër të popullit, atëherë duhet pranuar edhe e drejta e popullit për të pyetur, për të kundërshtuar, për të kërkuar provën, për të kërkuar transparencë, për të kërkuar llogaridhënie dhe për të mos u gjunjëzuar para togës vetëm sepse dikush ia ka veshur autoritetin e gjykatës. Pikërisht për këtë arsye, pas gjithë asaj që ndodhi më 16 shtator, pyetja që mbetet nuk është vetëm juridike, por edhe historike dhe morale: në emër të cilit popull po fliste kjo gjykatë?











